Çabej: “Çamëri”, një nga emrat tipikë, që vërteton autoktoninë e shqiptarëve

Postuar në: Dossier | Me: 05/06/2013

eqerem cabejNga Nexhat Merxhushi

E folmja e banorëve të Çamërisë paraqet një interes të veçantë në kuadrin e studimeve dialektologjike. Çamërishtja është i vetmi nëndialekt i truallit të gjuhës sonë , që ruan tipare të një faze të kapërcyer të shqipes, tipare që i gjejmë të dokumentuara ndër autorë të vjetër dhe në ndonjë të folme të kolonive shqiptare. Ky karaketer konservativ e bën interesante çamërishten për studime krahasuese, për të dokumentuar veçori dhe elemete të hershme të fushave të ndryshme të gjuhës.

Pozita gjeografike e Çamërisë, rrethimi në një pjesë të madhe të kufinjve të saj nga gjuhë të huaja, shtron problem me interes edhe për sa u përket kontakteve të një gjuhe me një gjuhë tjetër .

Vëmendje të veçantë i kushtoi studimit të kësaj të folmeje, gjuëtari i njohur danez Holger Pedersen , i cili në hyrje të vëllimit të tij “Albanesische Textemit Glosar”, Laipsing 1895 1 (faqe 4-23) ,trajtoi me kompetencë disa nga çështjet themelore të këtij nëndialekti. Sipas traditës gojore kufinjtë e kësaj treve shkojnë nga lumi i Shalsit (lumi i Pavlit ) në veri ,në malet e Kurrillës dhe shkallën e Paramithisë në lindje, deri në gjirin e Prevezës.

Cilindo që të pyesësh nga të vjetërit këtë përgjigje të jep “Çamëri zihet nga lumi i Shalësit, jaram te Gurët e zez në Prevezë”, duke përmbledhur kështu ,veç qyteteve Filat, Gumenicë, Margëlliç e Paramithi edhe zonen e gjerë bujqësore të Frarit , e cila banohet kryesisht nga të krishterë shqiptarë, që kanë zbritur në pjesën më të madhe nga fshatrat malore të Llakave të Sulit.

Ardhja e çamëve në Shqipëri në vitet 1944-45 krijoi probleme interesante lidhur me procesin e shkrirjes së kësaj të folme me të folmet e ndryshme jugore e veriore me të cilat u vu në kushte bashkëjetese.

Shkëputja e Çamërisë nga trungu amë për shkak të ndarjes së kufinjve politikë të 1913, ja hoqi mundësinë çamërishtes të njohë atë zhvillim që mori gjuha jonë pas formimit të shtetit shqiptar. Përkundrazi, kushtet e krijuara nën administratën shtetërore të huaj (shkolla, shtypi ,ushtria etj) i hapi rrugë bilinguizmit.

Studiues të ndryshëm që janë marrë me historinë e kësaj treve janë të një mendimi në identifikimin e Kalamajt (lumin që shkon pranë Filatit ) me lumin Thiamis të Vjetërsisë ,në përcaktimin e tij në lumin kryesor të Thesprotisë dhe së fundi në lokalizimin e Thesprotisë së lashtë brenda kufijve gjeografikë të Çamërisë së sotme.

Në punimet e prof. E.Çabejt, vazhdimësia e këtyre dy termave (Thyamis-Çame ) shpjegohet në bazë të ligjeve të zhvillimit fonetik të shqipes. Autori, duke u mbështetur në këtë fakt ,e paraqet emrin Çamëri, si një nga emrat tipikë, që vërteton autoktoninë e shqiptarëve në vendbanimet e sotme . Sipas tij edhe zhvillimi fonetik Arachtos (emri i lashte i Artës) shpjegohet më mirë me anë të shqipes se sa greqishtes.

Burime të ndryshme historike dëshmojnë për vazhdimësinë shqiptare në këtë trevë . Kështu ,p.sh Pukëvili, me gjithë simpatinë e hapur që ka patur për Greqinë, shkruante pothuajse dy shekuj më parë : ”Si është e mundur të jetë shuar raca greke në Thesproti dhe në Kaoni ,ku shqiptarët shihen se janë vendas” ? “Banorët e fshatrave në të djathtë të Thiamist, që kam numëruar nga Sarakovica – shruante ai – janë shqipatarë të krishterë të gjuhës çame. Arbëreshët që rrojnë në Voshë të Korinthit, sipas Pukvilit, janë me prejardhje nga Çamëria”.

Sipas një statistike turke të vitit 1910, popullsia e Çamërisë arrinte në 72.999 frymë. Prej këtyre 60.297 frymë ishin shqiptarë dhe pjesa tjetër grekë , arumunë etj. Këto rrethana si dhe marrëdhniet e vazhdueshme që vinin nga jetesa e përbashkët bënë që gjuha greke të lërë gjurmë të rëndësishme mbi të folmen e çamërishtes, fjalë të burimit grek si : angonjar, dhragat , feks, foti , lutervi ,mirgale, parathire etj. P.sh në kloftë se nuk e paguan endalimenë (taksen) do të katshqesin (sekuestrojnë )rrobat e shtëpisë.”

Ose :”hjeretisi (ndero) një dhekane “(një tetar), ose “më solli një kartë nga djali tahidhromi (postieri).”

Ose : ”Do rregulloj shollët te cangari (këpucari), do të shkoj të paguaj foron (gjobën)”, ose : ”Ne kemi pasur vulefti (deputet).”

Djeltë tanë do mësonin në Panepistimio (univerisitet) për dhiqigor (për avukat).

Ble një gramitisimo (pullë) , kolisja (ngjitja) kartës dhe hidhe në tahidhrom (postë).

Midis elementeve të huaja që kanë depërtuar në ligjërimin e Çamërisë, tërheqin vëmendjen, sado në një shkallë të kufizuar, edhe elementët sllavë. Në fjalorin e çamërishtes gjejmë nga kjo gjuhë fjalë vllahe, si vllade (për shkopin e tundësit të qumështit, dorovis,etj).

Elemente sllave jetojnë sidomos në fushën e toponomastikës . Nëqoftëse emrat Filat, Paramithi, Margëllëç , Pargë janë lidhur me emrat e vjetër Phylace, Paramythion, Margariti etj ,emrat Gumenicë, Cerkovicë janë të burimit sllav. Të këtij burimi duhet të jenë edhe toponimet që ruajnë prapashtesen icë si: Skupicë, Arpicë, Salicë, Koshovicë, Petrovicë etj.

Nga gjuha arumune, me të cilën e foluara e Çamërisë nuk ka qenë pa kontakte, kanë hyrë më tepër fjalë blegtorale si bello-bellosh, florë-floresh etj.

Çamërishtja paraqet më shumë afërsi me të folemen arbëreshe të Italisë dhe Greqisë. Pika të përbashkëta midis Çamërisë dhe kolonive arbëreshe hasen edhe në fushën e traditave popullore. Ne folklorin çam ka ballada si ajo e vjehrës së keqe ,elemente mitologjike ,këngë lirike etj. Çamërishtja, si një e folme periferike, e rrethuar, në pjesën më të madhe të kufinjve të saj nga një gjuhë e huaj, ka qëndruar si e shkëputur nga gjuha mëmë, pa kontakte të mjaftueshme dhe pa patur mundësi të përvetësojë trajtat e reja që u zhvilluan në të folmet e tjera .

E folmja e Çamërisë paraqet pika takimi të veçanta dhe me të folmet e sotme të shqipes. Pika takimi të tilla që nuk përsëriten në një plan të gjerë , por vetëm në disa të folme të caktuara. Të tërheq vemendjen, midis tyre ndonjë afrim me të folmen e një krahine të skajit të përkundërt të atdheut , me të folmen e Krajës. Në Çamëri, ashtu dhe në Krajë, përdoret në mënyrë të njëjtë ;Lidheza kushtore nji (Nji hifsha në ziren e punës, ardha Tania, nji mos hifsha, do vi më vonë ), ose (nji të pyet nana për mue, thuej djali t-isht martue; nji t pyet ç’nuse mur, tre plumba në krahanur.)

Por lidhjet më të gjera çamërishtja i ka me labërishten dhe sidomos me gjirokastritshen. Me labërishten, janë për t’u përmendur zanoret e gjata, trajta e shkurtër e vetës së tretë të së pakryerës, trajtat u dhe n-.

Me gjirokastritshen lidhet në :

1) ruajtjen e i-së jo vetëm në trup të fjalës si prapashtesë në emrat foljorë: ndarele, ardhuele, etj.

2) Në të përdorurit e një numri parashtesash dhe prapashtesash të njëjta, si parashtesa patronike (atë që tregon fisin ) si : kaciqate, kokate, kardhiqote, hoxhate , asqerinjte etj,

Prapashtesa anj: velanj , musanj .

Prapashtesa eshe : kateshe, mufteshe, fejzeshe.

Emrat që mbarojnë me all: kokall, dhaskall , çakall.

Emrat e fiseve që mbarojnë me ej – enj: Muhejtë , Nuridejtë , Durenjtë.

Ashtu si edhe në toskërishte në përgjithësi, fjalët me prejardhje nga turqishtja theksohen në rrokjen e tyre të fundit si: qoshe, xhephane, gjule , dusheme, bakshe , fajde , xhezve , sefte , çifte , shabane , shaka , sufra , masha , kazma , maraza , hallva , bakllai .

Me q të pastër thuhen edhe një tog emra banorësh si: filaqot, morfaqot etj.

Depërtimi i elementeve të gjuhëve të tjera dhe të greqishtes është pasojë e një procesi të gjatë .

Duke shqyrtuar elementet greke të fjalorit do të gjejmë fjalë, që jetojnë edhe në zona të brendshme të vendit tonë, pra elemente me një jetë të gjatë që i përkasin periudhës paraturke. Elemente më të vona kanë hyrë gjatë shekujve të sundimit otoman. Etapa e fundit (nga formimi i shtetit grek deri në 1912) karakterizohet nga një propagandë aktive e veprimtari e shumanshme e kishës dhe e shtetit grek , për të rrënjosur në të krishterët e atjeshëm ndjenjat dhe kombësinë greke. Një veprimtari e tillë, e zhvilluar në mënyrë sistematike nga shkolla, shtypi etj, nuk kish si të kalonte pa lënë gjurmë, duke hedhur hijen e ngjyrave të jetës greke. Në këto rrethana lindi një farë diferencimi në disa sfera leksikore midis të folmes së popullsisë myslimane dhe asaj të krishtere të Çamërisë.

Kushtet e reja që u krijuan pas vendosjes së kufinjve politikë të vitit 1913, e shtrëngonin popullsinë çame të orientohej nga të gjitha anët drejt jetës greke .Të vegjlit ishin detyruar të mësonin në shkolla greqisht , në administratën shtetërore , në zyra , në financë ,në gjyqe etj. të krishterët dhe myslimanët duhej të flisnin gjuhën e sunduesit . Pa të nuk mund të zhvillohej asnjë veprimtari sado e vogël ekonomike e shoqërore . Ajo ishte bërë gjuhë e domosdoshme jetese. Në të tilla rrethana gjuha amtare shqipe filloi të vishet dalëngadalë me një shtresë të re ndikimesh të rëndësishme . Elemente të ndryshme leksikore të greqishtes nisën të vërshojnë në çamërishten. Natyrisht në radhë të parë filluan të zënë vend termat që ishin më të zakonshme dhe të domosdoshme në marrëdhëniet e jetës së përditshme – termat administrativë si: normahji (prefekturë), qinotita (komunë), dhimarhos (kryetar bashkie), proedhro (kryeplak), ipalillo(nëpunës), ipurgos (minister), prothiipurgos (kryeministër).

Terma financiare: sprahterio (financë), dhimotrasi (ankant), endallma ( taksë, gjobë), dhekati (të dhjetat), foro (para vendi).

Terma ushtarake : andar (komit grek) korofilaq (xhandar), korofilaqi (xhandarmëri).

Nga sfera shkollore: skolio (shkollë), dhimotikoskolio (shkollë fillore), jimnasio (gjimnaz) ,panepistimio (univeristet).

Terma nga sfera te ndryshme zyrtare : tahidhromio (poste), gramatosimo (pullë), dhekastririo (gjyq), trapezë (bankë), dhiqigoro (avokat).

Terma nga veprimatria e përditshme tregtare e zanateve : embor ( tregtar) ,cangar( këpucar), rafti (rrobaqepës), llukando (restorant), gallatopoli (bulmetore).

Duhet vënë në dukje se procesi i ndikimeve të greqishtes ka qenë i fuqishëm sidomos në qytete. Në Paramithi (qytet) gjuha greke është bërë gjuhë amtare, jo vetëm për pjesën e krishtere, por edhe për atë myslimane. Fshati ka qenë më pak i ekspozuar në këtë drejtim ; megjithkëtë edhe këtu ka pasur raste si psh: në Kastrizë ,Skupicë , Shulash et., ku thonin “Oriste në shtëpinë time !” , “Kathise të pimë një kaave !”.

http://www.kombetare.al/cabej-cameri...e-shqiptareve/