INTERVISTA/ Flet muzikanti Niko Nushi: Shteti shqiptar, nuk kujtohet të ndërtojë bazën e duhur ligjore për rikthimin e emigrantëve

Festivali i parë i Këngës Popullore në Athinë në masa sigurie nga “Agimi i Artë”

Janë kthyer mijëra emigrantë për në atdhe, por sërish nga heshtja janë rikthyer në Greqi


Albert ZHOLI

Këtë fundmarsi në Athinë do të zhvillohet Festivali i parë i Këngës Popullore të këngëtarëve në emigracion. Kjo është një nismë personale e muzikantit Niko Nushi, i cili njëkohësisht është dhe Sekretar i Përgjithshëm i shoqatës
“Shqipëria”. Sipas Nushit, ky Festival, i pari në llojin e vetë do të realizohet në bashkëpunim me Bashkinë e Athinës dhe Ambasadën tonë në Athinë, në masa të larta sigurie. Në këtë Festival do të marrin pjesë 121 artistë nga vende të ndryshme, madje edhe nga emigrantët tanë në Kajro apo në Turqi. Festivali do të organizohet në masa të rrepta sigurie, për t’u ruajtur nga provokimet e “Agimit të Artë”

Si lindi ideja për këtë Festival?
-Duke qenë muzikant prej 17 vitesh në Athinë, aktivitetit burimor ekonomik për mua ishte muzika dhe vetëm muzika. Për këtë m’u desh që në ditët e para të plotësoj studimet e mia në drejtim të muzikës tradicionale si dhe asaj të kultivuar greke. Shpesh më ftonin në aktivitete të ndryshme miqtë e mi greke dhe jo rrallë këto ishin festa e gëzime popullore. Në këto rrethe u njoha me shumë e shumë artistë grekë, si edhe punonjës të sektorit të kulturës në Greqi dhe shpesh fitoja edhe simpatinë e tyre bashkë me ftesat për të luajtur në lokalet ku ata organizonin festa të ndryshme familjare. Bisedat shoqërore me këta intelektualë vendas, shpesh vërtiteshin si “padashje” rreth historisë së popujve e më konkretisht në pasqyrimet kulturore të tyre, e sidomos në muzikë, ku unë ndjehesha i armatosur mirë. Konkretisht u përqendrova si profesionist dhe studiova më mirë akoma muzikën e vjetër bizantine, si dhe historinë e muzikës në lashtësi e në veçanti në Greqinë e lashtë. Fillova të frekuentoj një bibliotekë të një shkolle muzike private, ku unë jepja mësime muzike, si për njohuri ashtu edhe për ushtrimin e gjuhës greke që patjetër do të më duhej gjatë procesit të mësimdhënies.
Ndjehesha “keq” nga mungesa e informacionit që këta miq e shokë të mijë grekë, kishin ndaj kulturës shqiptare dhe në veçanti ndaj muzikës shqiptare të të gjitha zhanreve, që nga ajo burimore e deri tek veprat e mëdha muzikore. Edhe pse mundohesha të bëja një panoramë më të plotë, duke argumentuar edhe shkencërisht hollësitë e muzikës shqiptare që nga kënga burimore e deri tek zhanret dhe arritjet më të mëdha të saj. Këto ishin disa nga arsyet intelektuale, për organizimin e përvitshëm të një Festivali të këngës popullore shqiptare, që do të zhvillohet në 25-28 prill 2013, në Athinë, i menduar dhe projektuar si një paradë e traditave më të mira kulturore të traditave shqiptare në shtetin grek.

-Në cilët këngëtarë do të bazohet ky festival.
I nderuar z. Zholi. Keni jetuar edhe Ju personalisht kaq vite si emigrant, dhe në shtetin grek. Është për të ardhur keq, që shteti i sotëm shqiptar, e ka zhvendosur kulturën padrejtësisht, nga paraqitësja dhe reklamuesja e parë e të gjitha aspekteve jetësore të një populli. Ne shqiptarët kemi pasur dhe kemi me se të krenohemi në historinë tonë mijëvjeçare të mbijetesës historike.
Shqipërisë, nuk i kanë munguar asnjëherë këngëtarët dhe artistët, qoftë brenda kufijve shtetërorë gjeografik, qoftë edhe jashtë tyre, në emigracion, që do të jenë edhe pjesa zotëruese e këtij festivali.
Unë kam mendimin, se kulturën e një populli, nuk e paraqet aparati shtetëror apo drejtuesit e partive politike shqiptare. Kulturën e popullit shqiptar, në të gjitha aspektet e saj jetësore e përbëjnë njerëzit tanë, shqiptarët patriotë, brenda e jashtë Shqipërisë, kudo ku janë në çdo kënd të Globit. Ne emigrantët nuk pushojmë së qeni shqiptarë dhe më shumë patriotë e të shqetësuar për fatet apo mbarëvajtjen e popullit shqiptar. Ne kemi shumë artistë në emigracion dhe jo vetëm në Greqi. Interpretimet e larta cilësore, bashkëpunimi i tyre me studiot më me famë greke, dalja e tyre në treg, dhe të jetuarit vetëm me profesionin e tyre si këngëtarë, janë bindja dhe siguria jonë që ky festival do të jetë jo vetëm i suksesshëm, por edhe i përvitshëm në llojin e vet.
Në Stafin Drejtues të Festivalit, janë mbledhur intelektualët nga më të fuqishmit që jetojnë ne emigracion me profesionet e tyre, si poetë apo shkrimtarë, masovikë apo skenografë, mësues apo artistë të skenës greke.
Ne jemi munduar dhe kemi arritur që në këtë aktivitet të rëndësishëm patriotik e kulturor, të bëjmë manifestimin e koloritit të pafund të pentatoneve burimore si të Jugut ashtu edhe të Veriut, të këndojnë krah për krah shkodrani me sarandiotin, të kërcejnë dorë për dore, dibrani me vëllezërit tanë minoritarët e dikurshëm, të bëjmë paradën e kostumografisë shqiptare, etj., etj..
-Sa këngëtarë do të marrin pjesë?
Në statistikat tona këtu, kemi konfirmimin për pjesëmarrje nga 121 artistë nga e gjithë bota emigrante. Këtu ishin të shumtë artistë emigrantë që nga Stambolli e Kajro, e deri tek kolegët tanë në USA dhe Europë. Me gjithë përpjekjet tona të vazhdueshme, vazhdojmë të insistojmë në gjetjen e mundësive ekonomike për të mundësuar ardhjen e sa më shumë këngëtarëve nga emigracioni. Rezultatet nuk janë edhe kaq pozitive, por shpresat i mbajmë gjalle në forma të ndryshme, apo alterime ekonomike, dhe së pari vullnetarizmin e gjithë këtyre artistëve patriotë.
Konkretisht, kemi në dorë 15 këngëtare femra, dhe 29 meshkuj, që janë gati për fillimin e provave pas dt 26/03/2013, me orkestrinën popullore të drejtuar nga muzikanti i talentuar korçar, A.Dhimitri.
Një pjesë e mirë e këtyre këngëtarëve, janë ai kontingjent artistësh, që paraqitën Shqipërinë për vite me radhë në koncertet apo festivalet ndërkombëtarë, janë ata që të bindur në aftësitë e tyre artistike, morën rrugët e kurbetit, për të jetuar edhe andej me aftësitë e tyre si këngëtarë, apo artistë.
Përveç këngëtarëve, kemi në programin tonë edhe disa grupe vallesh emigrantë, që e zhvillojnë aktivitetin e tyre këtu në Greqi, si dhe një grup vallesh nga grupi i Dropullit që banojnë në Greqi.

-Në këtë kohë krize, a mendoni se do të ketë pjesëmarrje, dhe në cilën sallë do të zhvillohet festivali?
Sigurisht, kriza e ka bërë punën e “saj”, por ne emigrantët jemi njerëzit që nuk presim se çdo të bëjë kriza me ne, por me dëshirën e madhe patriotike, e vendosim ne se çdo të bëjmë, dhe jo kriza.
Për këtë arsye, kemi sqaruar që në projektin tonë që parashtruam në artistët emigrantë, se po bëjmë diçka jo për fitime ekonomike, por thjesht, për patriotizëm. Jemi ne, emigrantët, që ndjejmë të parët masat e egra që po ndërmerr kohët e fundit qeveria greke, për ndjekjen e të gjithë emigrantëve që janë në shtetin e saj. Për këtë arsye, ne kemi bërë bashkëpunime me UNESCO e Greqisë, me Ambasadën Shqiptare në Athinë, e sidomos me Bashkinë e Athinës. Ishte kjo e fundit, që na e hapi portën e bashkëpunimit, duke na vënë në dispozicion sallën më të re që disponon Bashkia, një ndërtesë e vitit 1998, me një kapacitet prej rreth 600 vendesh, me të gjitha anekset e duhura. Jo vetëm kaq, por Bashkia e Athinës, menjëherë ka ndërtuar një grup pune, pjesë e të cilit jemi edhe dy vetë nga stafi ynë, dhe presim së shpejti zgjedhja më ekonomike që na është premtuar, për mbulimin e të gjitha shpenzimeve nga Bashkia, dhe që koncertet do te jene falas, pa biletë.
-Me cilët do të bashkëpunoni në këtë Festival?
Baza e suksesit të këtij festivali është pikërisht gjetja e bashkëpunëtorëve administrativë si UNESCO, Ambasada Shqiptare dhe Bashkia e Athinës. Në mbledhjen e dt.20/03/2013, të të gjithë pjesëmarrësve të Festivalit, u konfirmua edhe një herë strategjia e festivalit, e ndërtuar mbi bashkëpunime serioze administrative.
Nëpërmjet Ambasadorit tonë këtu në Greqi, kemi marrë konfirmim nga Ministri i Kulturës i Shqipërisë, për nevojat që do të mund të na plotësojnë, por akoma kjo kërkesë e jona nuk ka vajtur zyrtarisht ne Kabinetin e zotit Bumçi.
Pjesë tjetër bashkëpunuese e Festivalit, menduam se do të ishin edhe të gjitha shoqatat shqiptare, jo vetëm në Greqi, por edhe në shumë shtete të tjera. Për këtë, Stafi i Festivalit, mori të gjitha masat informuese, duke bërë të mundur që ky informacion të ishte i plotë, i saktë, dhe mbi të gjitha të mund të përbënte një urë bashkimi në masat e emigrantëve. Vlen të përmendet këtu, që si gjithmonë, këto shoqata vazhdojnë ''avazet e vjetra armiqësore,, e të mbahen peng, nga ish kryetarët e tyre që prej dhjetë pesëmbëdhjetë vjetësh. Rrallë shoqata e pritën me optimizëm këtë aktivitet, të cilat u bënë menjëherë edhe pjesë e tij.

-A mendoni se “Agimi i Artë” mund të sabotojë këtë Festival? Si do të reagoni në rast provokimi ?
Pa dyshim, në përpjekjet tona të përbashkëta bashkëpunuese, kemi marrë në konsideratë edhe momente delikate të ''rastësive,, të tilla. Por koncerti është ligjor, dhe si i tillë, shteti grek ka marrë edhe përgjegjësinë e provokimeve të tilla serioze. Aparati shtetëror grek, nëpërmjet legjislacionit dhe hallkave administrative, ka një bashkërendim e koordinim të tillë, që nuk mendoj se do të mund të ketë të tilla provokime. Ne jemi munduar, dhe unë personalisht, jam bërë prezent në të gjitha këto instanca, dhe sigurisht, garancia e administratës bashkiake apo shtetërore, më jep sigurinë që s'mund të ketë të tilla momente provokuese. Do të veprohet siç e përmban ligji i shtetit grek, pas asnjë mëdyshje apo paragjykim.

-Po këngëtarët grekë, a do të përshëndesim këtë Festival ?
UNESCO, është një organizëm i fuqishëm kulturor këtu në Greqi dhe sigurisht, kam disa oferta të tilla. Është në nderin tonë si emigrantë, si një segment i domosdoshëm i shoqërisë greke, të kemi edhe të tilla përshëndetje she jo vetëm nga artistë të dëgjuar greke. Pjesë e kësaj përshëndetjeje, do të jenë edhe shumë ansamble të kombësive të tjera emigrante të Greqisë, me të cilat është kontaktuar mbi baza vullnetare.

-Sa emigrantë janë larguar nga Athina vitet e fundit?
Personalisht, nuk kemi statistika të sakta, pasi ky është një fenomen i përditshëm, dhe normal e jetësor (mund edhe 80 mijë). Ne si shoqatë, na shqetëson fakti tjetër, që këta emigrant u ndjenë të huaj në tokën greke, sepse ishin shqiptarë, por ndjehen akoma më shumë të huaj në ëndrrën kaq vjeçare të kthimit në Atdhe. Kontaktet e shumta me njerëzit që kthehen në Shqipëri, na konstatojnë ngjarje dhe fakte më të hidhura nga ato që gjetëm para 23 vitesh në një shtet të huaj, kudo ku shkuam.
Fatkeqësisht, sot shteti shqiptar, nuk kujtohet të ndërtojë bazën e duhur ligjore për rikthimin e emigrantëve. Për 23 vjet, të ardhurat e emigrantëve, ishin baza ekonomike e shtetit shqiptar, sot ky emigrant vetëm përbuzet, dhe nuk mundet të ripërshtatet në tokën që e lindi dhe e rriti.
Shumë nga këta emigrantë, pas 6-7 muaj ''reprezaljesh” në administratën shqiptare, pasi i kanë shpenzuar edhe ato pak fitime të mbledhura me kaq djersë, rikthehen në Greqi, por tashmë edhe më të vuajtur se në vitet '90.
Ju faleminderit dhe suksese edhe Ju në punën Tuaj të përditshme.
Nikollaq Nushi, Udhëheqësi Artistik i Festivalit.
Dirigjent i Orkestrës Simfonike dhe Korit.