INTERVISTA/ Flet këngëtarja popullore dhe e polifonisë Vitori Balili: Tek bajamja në avlli, pika e lotit lag fustanë...

Kënga e parë “Faleminderit partisë dhe shokut Enver”

Këngëtaret femra janë më të pëlqyerat për shumë arsye


Albert ZHOLI

Që në vogëli u rrit mes këngës. Fillesat i kishte me këngën polifonike, por më pas filloi dhe këngën popullore. Aktualisht e gjen veten tek të dyja këto gjini të këngës popullore. Është e ftuar speciale e shumë aktiviteteve që organizojnë emigrantët në shumë vende të botës. Për ‘të këngëtaret femra janë më shumë të pëlqyera nga publiku se meshkujt.


Jeni nga një fshat i bukur i Kurveleshit, pikërisht nga Rexhini. Ç’kujtime ruani nga fshati?

Rexhini është nja fshat i bukur, piktoresk, mes malesh, pak fushë, një fshat me ajër të pastër dhe me ujë të kulluar. Në atë vend janë rritur djem patriotë që kanë luftuar për lirinë e Shqipërisë dhe femra po aq trime që i kanë ndihmuar burrat në gjithë luftërat e tyre. Kënga është pjesë e çdo vatre në Rexhin, pasi në çdo familje këndohet në mbrëmje për të kaluar kohën dhe për të bërë një ambient sa më të këndshëm. Fshati im ka një histori të bukur, pasi nga ky fshat kanë dalë shumë intelektualë me emër. Blegtoria është një nga degët e ekonomisë më të zhvilluar.

Ju që në vogëli jeni bërë pjesë e polifonisë?
Po. Ashtu si shumë vajza të tjera Rexhinjote dhe unë këngën e kam filluar me polifoninë dhe më pas me këngën popullore. Kur mbusha 12 vjeç u bashkova me grupin polifonik të shkollës që bënte konkurrime të ndryshme në Kurvelesh. Duke parë zërin tim të veçantë mësuesit dhe drejtuesit e grupit polifonik të fshatit më morën në grupin e të rriturve për të marrë pjesë në festivalet e të rriturve që zhvilloheshin në Progonat.

E mban mend këngën e parë që ke kënduar në këto Festivale?
Po. E mbaj mend shumë mirë. Ishte një këngë për Partinë dhe shokun Enver për punën e tyre për elektrifikimin e fshatit. Kënga titullohej “Faleminderit partisë dhe shokut Enver”. Ajo këngë është pëlqyer shumë dhe na kanë kthyer disa herë. Në të vërtet ishte një investim i madh atë kohë të kishte drita elektrike dhe në fshatin tonë malor dhe të thellë.

Prindërit a të mbështetën në këtë rrugë?
Sigurisht. Pa mbështetjen e tyre unë s’do të bëja asnjë hap. Unë kam pasur nënën këngëtare dhe nga ajo kam mësuar shumë. Ajo kishte një zë brilant. Nëna ime ka marrë pjesë në shumë aktivitete, në festivale dhe konkurrime të ndryshme, madje, ajo i bënte dhe vetë tekstet e këngëve që këndonte. Kur e shikoja se si ulej dhe shkruante çuditesha me vullnetin, korrektësinë dhe me kërkesat që kishte ndaj vetes.

Si je ndjerë mes kaq shumë aktivitetesh dhe festivalesh?
Jam ndjerë mirë, por dhe në disa momente e lodhur. Kënga do fuqi, do mobilizim, ka kërkesa.

Jeni ndodhur ndonjëherë keq në skenë?
Po jam ndjerë vetëm dy herë. Një herë në Memaliaj kur kishim një koncert në Pallatin e Kulturës. Kisha temperaturë. Madje, e kisha pak më shumë se 40. Mezi rrija në këmbë. Nuk e di se si e përballova daljen në skenë. Kur mbarova këngën u ula në një karrige dhe ndenja deri në fund të koncertit ulur. Herën e dytë më ka ndodhur në Sarandë. Kjo për tjetër arsye. Kur unë këndoja filluan duartrokitje dhe të bërtitura falënderuese dhe u tulata. Kisha shumë emocione. Isha gati të më binte të fikët. E vazhdova këngën me zë shpirti. Edhe grupi që më shoqëroi më mbështeti me iso të lehtë, sikur nanurisnin një fëmijë. Ashtu me atë zë ja dolëm në fund. Programi nuk dështoi. Spektatorët menduan se ashtu ishte kënga e lehtë me zë të ulët.

Cilat kanë qenë këngët më të preferuara tuajat?
Janë disa, por unë do të veçoj këngën e Nënës. Ç’pate biro ç’pate, tek bajamja në avlli/ pika e lotit lag fustanë/, e shumë këngë të tjera që nuk dua t’i veçoja pasi kanë tekste shumë, shumë të bukura, të shkruara nga i madhi Zaho Balili, xhaxhai im që do të ngelet një penë e artë në Labëri.

Kaq shumë je e lidhur pas këngës?
S’e mohoj. Jam aq e lidhur sa ndonjëherë mendoj se kam dy nëna. Pra jam e bija e Florikës, nënës time dhe bijë e këngës. I dua shumë që të dyja dhe ashtu siç nuk kam mërzit nënën e njëjta gjë ndodh edhe me këngën, me skenën. Kënga mua nëpër të gjitha dallgët e jetës më ka mbajtur gjallë mendjen dhe shpirtin. Ajo lulëzon brenda meje si një trëndafil që porsa çel dhe më jep forcë dhe më ndez më shumë pasionin.

Ke pasur rastin të takosh udhëheqësit në regjimin komunist?
Jo. S’kam pasur rast, por di që kënga jonë sidomos Enverit i pëlqente shumë. Ai kishte shumë qejf këngët polifonike. Zakonisht ai dërgonte urime kur këndonim në Festivalin e Gjirokastrës.

Sot një këngëtare a mund ta sigurojë jetën nga ana ekonomike vetëm me këngë?

Edhe mund. Por duhet shumë punë, lëvizje, koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë. N.q.s je e kënaqur me pak edhe sigurohet. Dua të them se kënga vlerësohet. Por rëndësi për mua është se kënaqem me punën që bëj, me artin tim.

Ku ndjeheni më mirë tek polifonia apo tek kënga popullore?
I dua njëlloj të dyja, por kënga popullore i përket gjithë Shqipërisë ndrysa polifonia më shumë është për Labërinë.

Thuhet se këngëtaret femra kanë më shumë hapësira se këngëtarët meshkuj?
Sigurisht, femra mbetet femër. Femra ka më paraqitje, ka luk, ka aromë, ka delikatesë. Në fund të fundit në skenë femra është më tërheqëse se një mashkull.


Ju profesionin e keni transmetuar edhe tek vajza juaj?
Ashtu si nëna ime ma la mua trashëgimi edhe unë po ja lë vajzës time. Ajo ka një zë të bukur të veçantë.

Keni menduar ndonjëherë sikur të ishit mashkull?
Asnjëherë. Dua të jem kjo që jam. Siç linda ashtu ta gëzoj jetën. Edhe pse jeta ka peripeci, femra sërish mund t’ja dalë mbanë. Sot femrat janë kryetare shtetesh, gjë e cila deri para disa vjetësh as mund të konceptohej

Në sa vende keni kënduar?
Në shumë. Thuajse në pjesën dërrmuese të vendeve, ku ka emigrantë.