Ina Veli: Violinistja shqiptare e orkestrës së “Skyfall” në Oscars


Emri:  65286.jpg

Shikime: 702

Madhësia:  21.6 KB

TIRANE - Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar prej nesh mund të shihet njësoj si një film shumë i mirë, i bazuar në një histori të vërtetë. Një botë e tërë ëndrrash, që nuk mund të ketë fuqi tjetër perceptimi përveçse atij të filmit. E megjithatë, një film që nuk mund ta marrësh në DVD, por duhet të pish çaje me teinë që të presësh për ta parë. Pas atij tapeti të kuq, fustaneve e gurëve të çmuar, këtë vit ishte edhe një vajzë shqiptare. Ina Veli është violinistja që ishte pjesë e orkestrës që shoqëroi kolonën zanore më të mirë të këtij viti, “Skyfall”, kënduar nga Adele. Ishte aty, përpara atyre dritave që të verbonin edhe nga ekrani. Ishte pjesë e asaj magjie që ndodh një herë në vit dhe që as yjet e Hollivudit nuk mund ta prekin përvit njësoj. Ina Veli nuk ka asgjë për të cilën nuk i gjen fjalët e duhura për të përshkruar efektet që shkaktoi ajo natë në mendje, trup e lëkurë… megjithatë provoi… Intervista domosdo që është bërë me e-mail, shkak përse erdhi pak me vonesë.
Nëse kthehemi shumë vite pas, si është bërë violina pjesë e jetës suaj në moshë aq të vogël?
Nga mamaja ime, ajo ishte çeliste në Lice dhe me pas mësuese në shkollën “Jakov Xoxa” në Fier, për 30 vjet. Fillova pianon dhe violinën në të njëjtën kohë dhe mësuesja ime e parë ishte Valentina Gega.
Ku kanë qenë përvojat e para? Si nisi e më pas si u rrit karriera juaj jashtë Shqipërisë?
Në Shqipëri kam filluar në Fier, pastaj në Durrës, ku mbarova shkollën e mesme dhe në të njëjtën kohë studioja me Ramazan Pekun në Tiranë. Koncertet filluan që kur isha 7 vjeç, kur luajta në televizionin e Shkodrës për programin e Vitit të Ri. Më vonë bëra disa koncerte në Fier, Durrës dhe Tiranë. Në vitet 1995-1997 isha në turne me Almira Emirin në Itali dhe Hungari. Në 1999-n erdha në Amerikë, ku studiova nga 2000-2006, përkatësisht për “Bachelor” dhe “Master”. Me ardhjen në Amerikë mund të them që nisi dhe karriera ime.
U dëgjua menjëherë në Shqipëri që pjesë e orkestrës së këngës “Skyfall” në Oscar’s ishte edhe një shqiptare. Si mbërrihet deri aty? Si u bëtë pjesë e një eventi kaq të rëndësishëm?
Në Hollivud muzikantët klasikë janë të lidhur me disa kontraktues (sekserë), të cilët janë përgjegjës për gjetjen e muzikantëve nëpër shfaqje apo regjistrime të ndryshme. Unë kam që në vitin 2006 që punoj këtu dhe në bazë të punës që kam kryer këto vite, një nga këta menaxherë më ofroi që të luaja për Adele në Oscar’s. Kurse në Shqipëri lajmi erdhi përmes kushërirës sime, Anisa Dema dhe mikeshës sime, Dalina Buzi. Pasi mbaroi shfaqja, u habita dhe vetë me postimet e shumta në profilin tim personal, ku miq nga e gjithë bota po më përgëzonin për këtë arritje.
Ç’ndjesi kishit? Na tregoni pak për këtë përvojë që ne në Shqipëri, edhe për ta parë, mundëm ta bënim gjysmë në gjumë për shkak të orareve…
Kjo përvojë për mua ka qenë e pabesueshme. Po ta thosha si shprehja amerikane, do të ishte “once in a lifetime” (një herë në jetë). Nuk mund të tregohet emocioni që ndien kur sheh, punon e dëgjon një nga këngëtaret më të mira në botë. Gjithashtu, të luash në atë skenë, ku publiku përbëhet nga figurat më të njohura në botë, yje të kinemasë, ishte edhe më emocionuese. Thjesht të ishe në prapaskena me gjithë këta aktorë, ishte një ndjesi shumë e bukur. Nuk kam fjalë, përveçse të them se ndihem shumë mirënjohëse që isha pjesë e gjithë kësaj përvoje.
Cilat mund t’i konsideroni si momentet më të forta të karrierës suaj, pa përfshirë këtë të fundit natyrisht?
Mbarimi i masterit të USC me një bursë të plotë ishte ajo çka më ka dhënë një shtysë të madhe në karrierën time. Unë, në bazë, jam muzikante klasike dhe momentet më të rëndësishme të karrierës numërojnë dalje në skene me artistë të njohur, si Lang Lang, Yo Yo Ma. Marrja pjesë në Workshop në Aspen Music Festival. Gjithashtu përvojë shumë e bukur ka qenë dhe të bashkëpunoja me Gorrillaz në regjistrimin e disa këngëve të tyre, si dhe të luaja në festivalin e famshëm “Coachella”.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)