Aleatët s’tërhiqen: Duam të jemi në listën e PS

Aleatët e Partisë Socialiste nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre për të qenë pjesë e listave të kandidatëve të PSsë për deputetë. Burime pranë disa partive aleate të koalicionit opozitar pohuan dje për “Panorama” se platforma e bashkëpunimit, e propozuar nga Edi Rama, për përfaqësim në qeverisje sipas numrit të votave që ata do të marrin, nuk u jep atyre garancinë që të jenë në këtë koalicion.

Sipas tyre, nuk ka asnjë garanci që ata që do të na krijojnë hapësira në qeverisje në bazë të votave që ne do të marrin, të na numërojnë si duhet votat tona. Përvoja e hidhur e së shkuarës duket se nuk i bind aleatët e PS-së që të jenë të sigurt për përfaqësimin e tyre në qeverisjen e nesërme, prandaj ata kërkojnë që të garantojnë fillimisht qenien në Parlament si aleatë të sigurt të PS-së. Madje, zëra pranë këtyre partive shprehen se përfshirja e tyre në listat e PS-së, duke garantuar zgjedhjen e tyre më 23 qershor, do të ishte reflektimi më i mirë i Edi Ramës dhe PS-së pas ndjesës që vetë Rama ka kërkuar për ndryshimet kushtetuese dhe sistemin zgjedhor që penalizon partitë e vogla.

Edhe kundërshtimi i PS-së për të moskorrektuar sistemin zgjedhor që do të rishpërndante votat e aleatëve në rang kombëtar, është një tjetër arsye që aleatëve nuk u jep garanci për formulën e re të prezantuar nga Edi Rama. Pritet që në ditët në vijim, ashtu siç u tha edhe në takimin e fundit të kreut socialist me aleatët në tryezën e koalicionit opozitar, Rama të ketë takime kokë më kokë me disa nga aleatët e tij për të përcaktuar bashkëpunimin zgjedhor mbi bazën e peshës elektorale të partive që ata drejtojnë.

Burimi: Panorama