Irakli Vide, mjeshtri që e bën drurin të "flasë"

FIER- Pesha e 84 viteve që mban mbi supe nuk ka mundur dot ta ndaje artistin popullor, mjeshtrin e gdhendjes në dru, Irakli Vide, nga pasioni i tij i hershëm, skulptura në dru. Vide lindi në vitin 1929 në fshatin Verri ,6 km në veri të qytetit të Fierit dhe mbas 35 vjet pune si mësues në shkollën e këtij fshati, u transferua në qytetin e Fierit. Krijimtaria artistike e tij, më shumë se në fantazi dhe imagjinatë, bazohet në rikrijimin artistikisht të objekteve dhe mjeteve të jetesës së trevës së Myzeqesë në vite. E veçanta e punimeve të tij qëndron në faktin se ai prezanton në detaje mënyrën e jetesës, strehimit, veshjes, ushqimit, ndërtimeve,v lerat e trashëgimisë jo me fjalë, por nëpërmjet skulpturave në dru.

Emri:  64860.jpg

Shikime: 926

Madhësia:  31.4 KB

"Jam munduar që gjithë mënçurinë dhe vlerat që kanë krijuar brezat e trevës së Myzeqesë në vite t'i sjell artistikisht në kohërat moderne, me qëllim që brezat të ushqehen dhe krenohen me vlerat e krijuara në vite", shprehet ai gjatë një interviste për ATSH-në. Profesioni i mësuesit dhe jeta e gjatë në fshat i kanë dhënë mundësinë atij ta njohe nga afër jetën e fshatrave të Myzeqesë, të njohe mënyrën e jetesës, zakonet, traditat, ritet, veshjen etj, dhe më pas këtë bagazh të madh konceptimi ta derdhe artistikisht në makete dhe skulptura druri.

Vide, megjithëse nuk është diplomuar në akademi dhe shkolla artistike, bën mrekullira artistike. Me duart e tij ai e bënë drurin të "flasë". Megjithëse në rrugën e gjatë të viteve ka krijuar një galeri të tërë me skulptura dhe makete në dru, ai nuk e ka të vështirë të kujtoje punimin e parë, realizimin e hartës së Shqipërisë. Mosha e pensionit është periudha më produktive e krijimtarisë artistike të Vides. Kjo periudhë pune shpërblehet me çeljen e dy ekspozitave vetjake, të cilat e bën mjaft të njohur në botën artistike. "Për mua më e rëndësishme është që nëpërmjet skulpturave të përcjell legjendën, historinë, të jap mesazhin e qartë të jetës, të memorizoj në kujtesën e brezave shpirtin krijues, vlerat dhe mençurinë e myzeqarit në vite", tregon Vide.

Skulpturat e tij i ngjajnë një libri historie të ndarë në kapituj, apo një albumi fotografik, ku autori nëpërmjet grup-fotografive do të tregojë diçka të veçantë. Nuk ka aspekt të jetës së trevës së Myzeqesë që mos të ketë gjetur pasqyrim në punimet dhe skulpturat e Vides. Shumë nga punimet e tij janë ekspozuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Trashëgimisë Popullore, shumë të tjera i ka dhuruar nëpër shkolla, në familjet e mëdha dhe me traditë. Madje, siç tregon ai, edhe kur shkoi me bashkëshorten te djali në Amerikë, nuk e lanë të pushonte. "Meqenëse djali kishte mjete të punimit të drurit dhe lëndë drusore unë i bëra një qerre me buaj dhe disa punime të tjera. Komshijtë djalit u befasuan dhe mu lutën t'u bëja ndonjë dhuratë me motive të tilla. E shndërrova shtëpinë në një punishte", shprehet me të qeshur ai, që i jep shpirt drurit dhe e bën atë të flasë.

(er.nu/ata/BalkanWeb)