Mishi i kalit, një delikatesë e shtrenjtë

5 Mars 2013 | : Ndryshe | Autor: Gazeta Shqip






Lajmet e kohëve të fundit mbi mishin e kalit kanë bërë që konsumatorët europianë të heqin dorë nga disa produkte mishi “viçi” të miksuar me mish kali, por kali është shijuar prej të gjitha kohërave në disa vende europiane. Në Paris, shefat e famshëm të kuzhinës në fakt e kanë kthyer mishin e kalit në menynë e rekomanduar. Por a mundet që skandali i mishit të viçit të përzierë me mish kali, do të sjellë një rigjallërim të kërkesës për mish kali të shitur për të tillë?

A mundet që ndokush t’i rekomandojë fëmijëve hamburger me mish kali? Fakti është se në disa vende ku bëjnë pjesë shumica e vendeve anglishtfolëse, mishi i kalit është parë gjithmonë me dyshim. Ky është një mospëlqim për të cilin kuajt ka shumë gjasa do të jenë falënderues.

Por në Francë, përgjigjja mund të jetë e ndryshme. Konsumi i mishit të kalit në këtë vend ka qenë në rënie të vazhdueshme për shumë kohë dhe tashmë, më pak se 0.4 për qind e konsumit total të mishit vjen nga kafsha fisnike.

Megjithatë ka ende 750 kasapë të specializuar për kuaj në të gjithë vendin dhe 17 për qind e popullatës pretendon se ka ngrënë së paku një herë mish kali. Në Francë, janë edhe 11 mijë fermerë që rrisin kuaj thjesht për mish.

Profesionistët e sektorit thonë se besojnë se konsumi tashmë ka mbërritur në pikën më të ulët dhe se tregu do të rritet. Përgjatë dy viteve të fundit, konsumi ka qëndruar në nivele stabël.

“Ne na është dashur të durojmë shumë sulme”, thotë Yves Berger, president i Shoqatës Kombëtare të Prodhuesve të Mishit. “Çdo vit kundërshtarët ndërmarrin fushata të mëdha reklamuese për t’i kërkuar njerëzve të mos hanë mish kali. Por tashmë kemi vënë re se efekti i këtyre fushatave po pakësohet. Gjithnjë e më shumë po shohim se njerëzit duan të qëndrojnë mendjehapur në këtë çështje dhe kështu duhet të jetë”.

Ndoshta rastësisht, stabilizimi i konsumit të mishit të kalit po shoqërohet edhe me rigjallërimin e gastronomisë së këtij mishi nëpër restorantet e famshme të Parisit.

Një grup i vogël kuzhinierësh kanë vendosur kalin në menytë e tyre. Në restorantin “Les Tontons” për shembull, mund të porosisësh mish kali sade me vezë dhe zarzavate të stinës.

“Kjo është shumë e përshtatshme, sepse bifteku i rrahur origjinal ishte me mish kali. Mongolët konsumonin kuajt e vet, duke e zbutur biftekun, duke e mbajtur nën shalët e kuajve”, thotë pronari i restorantit Jean-Guillaume Dufour.

Aktualisht nuk ka prova historike për këtë, por askush nuk dëshiron të diskutojë një histori të bukur. “Misioni im është që t’i them botës se mund të ulesh mbi kalin dhe ta konsumosh gjithashtu”, thotë ai.

“Unë e di, kuajt janë të bukur dhe miqësor. Por edhe lopët do të ishin po kaq të dashura, nëse ne do ta lejonim”.

Restorante të tjera të shtrenjta ofrojnë hamburger me mish kali dhe vezë ose biftekë me mishi kali. Një kuzhinier, Bertrand Grebaut, shkaktoi sensacion kur ai preu dhe gatoi një zemër kali – në transmetim të drejtpërdrejtë në një ekran të madh para një audience kuzhinierësh dhe shkrimtarësh mbi ushqimin.

“Përfundimisht mund të themi se diçka po ndryshon”, thotë Dorian Nieto, një bloger ushqimi. Ka një lloj afrimiteti të ri me mishin e kalit.

“Një numër i madh restorantesh më kanë thënë se po kërkojnë se ku mund të blejnë mish kali të cilësisë së lartë. Është një kthim te vlerat e vjetra, një lloj nostalgjie. Megjithatë është gjithsesi një gjë e re dhe në modë për parizienët. Natyrisht ka edhe debate”.

Historia e identifikon shumë fort Francën si vendi i konsumit të mishit të kalit. Gjatë luftërave napoleonike thuhet se për shkak të nevojës më shumë se sa dëshirës, ushtarët francezë filluan të konsumojnë dhe më pas pëlqejnë mishin e kalit.

Por vetëm pas vitit 1866, ngrënia e mishit të kalit u lejua me ligj. Falë një aleance nutricienësh, reformatorësh shoqërorë dhe, më gallata, mbështetësve të mirëqenies së kafshëve, konsumimi i mishit të kalit u promovua intensivisht.

Rrethimi i Parisit në vitet 1870-‘71 nga prusianët ishte një pikë kthese. Shumë njerëz shijuan mish kali për herë të parë, pasi mijëra kafshë u therën. Në fund, njerëzit filluan ta pëlqejnë atë.

Në dekadat e mëvonshme, popullariteti i kalit si burim mishi u rrit duke arritur kulmin në vitin 1911. Rreth kësaj kohe, kuajt filluan të importohen për shkak se tregu francez nuk arrinte të furnizonte në sasinë e nevojshme.

Konsumimi i kalit qe në thelb një ves i klasës punëtore dhe të mesme të qytetit. Njerëzit e fshatit dhe të pasurit kishin më shumë afinitet me këto kafshë dhe ndjeheshin më të bezdisur nga ideja e konsumimit të tyre.

Në mënyrë dërrmuese, konsumimi i mishit të kalit qe përqendruar në dy rajone, në Paris dhe në veri. Pas Luftës së Dytë Botërore filloi rënia por ajo u përshpejtua pas viteve 1980. Sot është e dukshme se shumica e klientëve te kasapët e kuajve janë 60 vjeç ose më të moshuar, gjë që sugjeron se të rinjtë e kanë të vështirë të tresin idenë e konsumimit të mishit të kafshës fisnike.

Megjithatë, kasapët janë të bindur se cilësitë e mishit të kalit janë të tilla që do të garantojnë mbijetesën e këtij tregu. “Me mishin e kalit ti e di se çfarë po blen”, thotë ai. “Kafshët e tjera ushqehen me lloj-lloj plehrash, ndërsa kuajt konsumojnë vetëm tërshërë, elb dhe bar të thatë”.

Natyrisht shumë ferma për rritjen e kuajve janë zhdukur përgjithmonë. Kuajt nuk përdoren më në kontinentin europian si kafshë pune në fushë apo në miniera, siç kanë qenë përdorur gjithmonë. Rrjedhimisht konsumimi i mishit të kalit shihet edhe si një mënyrë mbijetese për shumë raca kuajsh në epokën e traktorit dhe motorit elektrik.

Franca prodhon aktualisht rreth 18 mijë tonë mish kali në vit. Por një pjesë e madhe eksportohet në Itali, ku konsumohet dy herë më shumë se sa në Francë. Italianët pëlqejnë kuajt e rinj, ndryshe nga francezët që pëlqejnë mishin e kuajve të rritur.

“Unë kam ngrënë mish kali që kur isha fëmijë”, thotë një zonjë te kasapi. “Është shumë i butë, nuk ka dhjamë dhe është përplot me minerale. E pse duhet të vrasim mendjen për faktin që është kalë? Ne hamë pula, lepuj dhe qengja. Ku është diferenca?”

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/0...e-e-shtrenjte/