Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker Në një intervistë në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në Top Channel, ai kritikoi tonet nacionaliste në vend.
Çfarë e shqetëson Uashingtonin për nacionalizmin tonë?
Mendoj se nuk është habi që nacionalizmi dhe retorika nacionaliste është diçka që ne rrokim. Të gjithë e kemi parë se në çfarë gjëje mund të çojë nacionalizmi. Kushdo që ka studiuar histori në këtë rajon ose në Europë më gjerë, mund të shohë papërgjegjshmërinë e retorikës nacionaliste dhe ajo sjell shpërqendrim nga fokusi i vërtetë, që duhet të jenë reformat. Duhet të jenë reformat për stabilitet për ndjekjen e shtegut europian, për përmirësimin e ekonomive në mënyrë që të krijohen mundësi më të mira për qytetarët, si dhe që të punohet së bashku për marrëdhëniet e mira të fqinjësisë, që është kritike. Në të vërtetë, Shqipëria ka festuar 100-vjetorin e pavarësisë së saj dhe kemi qenë të kënaqur se si sekretarja Klinton ka pasur mundësinë të vijë në Tiranë e të fliste përpara Parlamentit, të fliste për të ardhmen e ndritur që ekziston përpara. Duke menduar atë që ju keni arritur në këta 100 vjet, ka shumë gjëra që mund të thuhen, por ajo që ju mund të arrini gjatë këtyre 100 viteve të ardhshme, harta e Europës është e përcaktuar, kufijtë janë të përcaktuar dhe SHBA janë të palëkundshëm kundër çdo lloj ndryshimi kufiri. Thirrja për të bashkuar shqiptarët ose grupet në bazë të etnive apo nacionalizmave është kundërproduktive, është e papërgjegjshme dhe ne do të flasim kundër kësaj sepse kjo shpërqendron nga përparësitë për rajonin. Ambasadori Arvizu ka bërë një punë në shkëlqyer në prezantimin e mesazheve nga Uashingtoni për atë se si ndihemi për këtë, duke u kërkuar të gjithë udhëheqësve në Shqipëri, të gjithë udhëheqësve nga i gjithë rajoni që mund të përmbahen nga retorika e panevojshme nacionaliste dhe të përqendrohemi në atë që ka me të vërtetë vlerë, që do të përmirësojë me të vërtetë jetën e qytetarëve, atë që do t’u japë mundësi më të madhe qytetarëve sot, fëmijëve nesër dhe nipërve dhe mbesave në të ardhmen.
Kryeministri Berisha ka deklaruar se nacionalizmi ynë nuk cenon fqinjët tanë. Në Kushtetutën tonë flitet për aspiratën e bashkimit kombëtar. Çfarë e bën atë të papranueshëm për SHBA, ndërkohë që është i ligjshëm për shqiptarët?
Kufijtë në Europë janë të përcaktuar, dhe ajo ku gjendet Europa tani është Bashkimi Europian. Është një përvojë e jashtëzakonshme, e cila ka sjellë nivele të stabilitetit të begatisë në të gjithë Europën. Kjo për shkak se kanë lënë mënjanë retorikën nacionaliste dhe në vend të kësaj kanë ndjekur një bisedë reformash të përbashkëta, respektin për shtetin ligjor dhe të punuarit së bashku në vend që të mund të ndiqen nga fantazmat e nacionalizmit të së shkuarës, që të punojnë më mirë për të ardhmen e tyre. Kush do e kish menduar që Gjermania dhe Franca do ishin partnere kaq të ngushta? Ne shikojmë të njëjtën mundësi këtu në rajon. Ballkani është pjesë e Europës dhe politika e SHBA ka qenë që ta shohë Europën të plotë në paqe, dhe kjo ka qenë politika në 70 vitet e fundit e që do të vazhdojmë ta ndjekim këtë politikë. Për këtë arsye ne kemi mbështetur Shqipërinë që ajo të mund të bëhej aleate e NATO-s, jemi krenarë për këtë. Kjo ka qenë një arritje e jashtëzakonshme, ne do ta mbështesim Shqipërinë në shtegun e saj europian. Gjithashtu, mbështesim Kosovën sepse kufijtë e saj janë të përcaktuar, integriteti i saj territorial, sovraniteti i saj. Gjithashtu mbështesim edhe Serbinë drejt shtegut të saj europian, sepse vetëm kështu të gjitha vendet e Europës janë pjesë e kësaj Europe të plotë dhe të lirë dhe ndiejmë se ky projekt është përmbushur. Në vend që të shpërqendrohemi prej diskutimeve të panevojshme mbi nacionalizmin, ne duhet të përqendrohemi në vendet që kemi me atë që këto vende duhet të bëjnë për të ecur përpara se çfarë duhet të bëjnë për të punuar në mënyrë konstruktive së bashku në partneritet dhe si aleatë për një të ardhme më të mirë./panorama
Krijoni Kontakt