Vëllezërit Çetiri: “Dinastia shqiptare e ikonografëve në shekujt XVIII-XIX”

Vëllezërit Çetiri ishin një grup piktorësh popullorë autodidaktë, të cilët e trashëguan artin e tyre nga brezi në brez, për 100 vjet (1762- 1853) dhe pikturonin kisha, por edhe shtëpi arkondësh. Vepra e tyre, nga pikëpamja sasiore është madhështore! Bëhet fjalë për afreske në disa mijëra metra katrorë, për ikona të panumërta kishtare, për disa dekorime tempujsh dhe ikonostase druri të pikturuara.

Portretet që ata kanë krijuar janë mbi 3.000. Cilësia e gjithë këtij krijimi artistik ka vlerë të madhe për regjistrimin e kulturës popullore të Myzeqesë gjatë shekullit XVIII dhe atij XIX.

Emri:  VellezeritCetiriIkonografi.jpg

Shikime: 584

Madhësia:  33.8 KB

Duke pasur parasysh këto vlera më 30 gusht, në trapezarinë e Manastirit të Shenjtë në Apolloni, u hap ekspozita fotografike e afreskeve pasbizantine nga kishat e Myzeqesë, të cilat i kanë pikturuar vëllezërit Çetiri. Në hapjen e ekspozitës, që u organizua nga Fondacioni Grek i Kulturës, Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Fierit, mori pjesë Mitropoliti i Beratit Ignati, Kryetari Bashkisë së Fierit z. Baftjar Zeqo, studiues e besimtarë etj.

Jorgos Jakumis, Drejtor i Vatrës së Tiranës të Fondacionit Grek të Kulturës, tha se “tematika e ekspozitës u përzgjodh me qëllim që të theksojë elementet popullore që kanë ndikuar pikturën pasbizantine ndërmjet shekullit të 18-të dhe atij 19-të, - një pikturë e cila sa më shumë distancohet nga spiritualiteti artistik i traditës bizantine, aq më tepër adopton ide të reja nga tradita popullore vendase e Myzeqesë”. Sipas tij, kjo traditë (e veshjeve, e instrumenteve muzikore, e zakoneve dhe e folklorit) ruhet nëpërmjet krijimit artistik të vëllezërve Çetiri në Myzeqe. “Ekspozita e fotografive nga vepra e vëllezërve Çetiri synon të promovojë thesaret e pikturës së shqiptarëve, gjithashtu ka si qëllim ndërgjegjësimin e popullsisë vendase dhe vënien në lëvizje të institucioneve përgjegjëse për të shpëtuar dhe mirëmbajtur këto monumente të kulturës vendase”.

E rëndësishme në periudhën midis shek. XVII-XIX është veprimtaria e ateliesë së mjeshtërve të kësaj familjeje. Ata realizojnë pikturimin e shumë kishave dhe ikonostaseve në Berat dhe Myzeqe. Këta mjeshtra pikturuan në të njëjtën atelie së bashku, duke e trashëguar mjeshtërinë në breza të tjerë. Piktorët e parë kanë qenë Gjergji dhe Joani, të cilët bashkëpunuan dhe me piktorët e brezit tjetër, Naumin dhe Nikollën. Në shek. XVIII realizojnë pikturën murale të kishës së Shën Kollit në Ardenicë dhe shumë ikona. Në atë periudhë kohore (për tre breza) familja Çetiri dekoroi mbi 12 kisha. Vepra e tyre me tablo të pikturuara tejkalon masën e 2500 m2. Ikonat që pikturuan janë të panumërta. Të shumta janë edhe gdhendjet në dru, ikonostaset dhe amvonat, të cilat i pikturuan me shumë mjeshtëri. Z. Jakumis vuri në pah edhe një tjetër qëllim të ekspozitës: “Mbi të gjitha, kjo vepër duhet të shpëtohet. Me këtë ekspozitë përpiqemi të trokasim portën e këtij ndërgjegjësimi”.

Ngjallja
Shtator 2012