INTERVISTA/ Flet poeti, ish-trajneri i të rinjve të Dinamos në volejboll, Petrit Shehu

Kam marr pjesë me dy tekste në Festivalet e RTSH
Ja si e bleu Sali Berisha librin tim
Asllan Rusi i bleu një pallto Pranvera Hoxhës
Në Athinë shkuam në kinema pasi morëm leje tek oficeri sigurimit


Albert ZHOLI

Kur e takon ndihesh mirë. Flet me sinqeritet dhe me dashuri për poezinë dhe volejbollin. Këto kanë qenë dhe janë dy hobet e tij që e kanë shoqëruar tërë jetën. Ka bërë më shumë se 60 tekste këngësh, ka botuar gjashtë libra, por njëkohësisht ka qenë dhe trajner volejbolli me të rinjtë e Tiranës. Një nga librat e tij e ka blerë Kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të rrugës së Petrelës ndërsa për volejbollin ndeshja më e bukur ka qenë Dinamo –Panathinaikos, ku ai ishte zëvendëstrajner dhe Dinamo i fitoi të dy ndeshjet.

Cila është poezia juaj e parë që ka marrë pjesë në Festivalet e RTSH-së?

Poezia e parë është “Shpëtimi i gjelbër” dhe “Fjalori i zemrës”. Këto dy poezi kanë qenë pjesëmarrëse në Festivalet e RTSH-së. Këngën e parë e ka kënduar Valbona Mema ndërsa këngën e dytë e ka kënduar Ermira Babaliu. Por dua të them se unë kam shkruar më parë shumë poezi të tjera që janë kënduar nëpër estrada të ndryshme, koncerte ndërmarrjesh apo të qyteteve të ndryshme. Pra nga tekstet e mia janë kënduar mbi 60 këngë.

Cilët kanë qenë kompozitorët me të cilët ju keni pasur bashkëpunim më të mirë?

Kompozitorët e mi të preferuar kanë qenë Vladimir Kotani dhe Enver Shëngjergji. Të dy kanë qenë dhe mbeten ndër kompozitorët më të mirë shqiptarë. Me ta kam bërë më shumë se 20 tekste këngësh të muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Por siç thashë nuk kanë munguar dhe tekstet e këngëve për fëmijë. Por në kompozimet për fëmijë dua të veçoj bashkëpunimin me Avni Mulën. Thuajse të gjitha këngët me fëmijë i kam bërë me të. Avniu ishte shumë kërkues në punë, strikt, por shumë miqësor. Me të kishe qeft ë bashkëpunoje. Në Festivalet e Këngës për fëmijë kam marrë disa çmime, midis të cilave dhe një çmim të parë.

Po me këngëtarët popullorë, cili ka qenë bashkëpunimi më i frytshëm?

Ka qenë me këngëtarin e mirënjohur tiranas Lutfi Muça. Me të kam bërë më shumë se 12 këngë shumica me karakter epik. Zëri i tij i veçantë dhe autoriteti dhe fansat që ai ka pas në Tiranë ka qenë si shtysë që unë punoja më shumë me të.

Gjithë krijimtaria juaj, ku është përmbledhur?

Unë gjithë krijimtarinë time e kam përmbledhur në gjashtë libra. Këto e kanë zanafillën e fillimit të krijimeve të mia që në vitet 1970. Pra i kam mbledhur dhe i kam botuar. Mes tyre janë dhe tekstet e këngëve që janë kënduar në Festivalet e RTSH.

Çfarë do të veçoje ndonjë të veçantë nga librat e tu?

Një nga librat e mi e ka blerë dhe Kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të rrugës së Petrelës. Unë jam me origjinë nga Petrela dhe shkoj shpesh në fshatin tim të dashur. Aty në librari kam lënë dhe gjithë librat e mi për ti shitur. Ishte një rast i veçantë që atë ditë Berisha hyri dhe në librari dhe mori librin tim. Libri që mori Kryeministri titullohet “Petrela -në gjurmët e historisë dhe traditave të saj”.

Cili është libri juaj i fundit?
Libri i fundit është “Historia e Volejbollit shqiptar në vitet 1945-2010”. Një libër që kam punuar dy vjet e gjysmë. Të dhënat kryesore i mora nga Federata Europiane e Volejbollit. Unë nëpërmjet federatës tonë i dërgova se çfarë kërkoja dhe ata më dërguan tetë faqe faks me të gjitha detajet duke thënë në fund “FLM që na u drejtuat ne”. Asnjë nga këto të dhëna nuk ishte në Federatën tonë. Aty mund të gjesh çdo gjë që i duhet historisë së volejbollit shqiptar.

Ju keni qenë dhe trajner i volejbollit për të rinjtë e Dinamos?

Po. Kam qenë trajner për disa vite. Shumë prej sportistëve që kanë luajtur me ekipin e parë të Dinamos i kam nxjerrë unë. P.sh mund të përmend lojtarin talentuar Leonard Tase, i cili u përgatit nga unë. Dua të theksoj se trajneri i të rinjve në ndeshje ndërkombëtare dilte direkt trajner i dytë i të rriturve. Pra, sa herë luante Dinamo i të rriturve ndeshje ndërkombëtare unë isha trajner i dytë i ekipit të të rriturve.

Nga ndeshjet ndërkombëtare, cila ndeshje e Dinamos ju ka bërë më shumë përshtypje?
Ndeshja me Panathinaikosin e Athinës. Ishte një ndeshje e madhe. Konkretisht kemi luajtur në vitin 1970. Ndeshja e parë u luajt në Tiranë. Ishte nj ndeshje e jashtëzakonshme e volejbollistëve tanë. Stadiumi i lojërave me dorë ishte mbushur plot e përplot. Fituam 3-0. Gjatë gjithë ndeshjes spektatorët na shoqëronin me brohoritje “Dinamo, Dinamo. Fituam me meritë me rezultat të pastër.

Po ndeshjen e kthimit?
Po. Edhe ndeshjen e kthimit e fituam me rezultatin 3-1. me këtë rast unë pata shansin të dal jashtë shtetit. Grekët ishin mobilizuar për të na rrahur me çdo kusht. Stadiumi ishte mbushur por nuk ishte ajo atmosferë e Tiranës. Tifozët tanë ishin ku e ku. Dua të përmend këtu lojën e jashtëzakonshme të Asllan Rusit. Ai ishte i papërmbajtshëm. Loja e tij e mobilizoi ekipin. Grekët nuk kishin lojtar të këtij kalibri. Po kështu mund të them edhe për Zan Bonatin një lojtar kalibri që më vonë e hoqën nga Dinamo për arsye biografie.

Si ju duk Greqia?
Ato kohë në Greqi ishte në krye Junta ushtarake e kolonelëve, por megjithatë tregu ishte i mbushur. Na bënë përshtypje shumë gjëra. Sidomos reklamat e filmave.
U befasove në Greqi?
Pashë ndryshimin në disa gjëra, në llamburitjen e reklamave, pasi ne nuk mund të lëviznim lirshëm.

Patët ndonjë episod në Greqi?
Pasi dolëm nga ndeshja afër hotelit ku flinim ishte reklama e një filmi. Asllan Rusi ishte shumë i pasionuar pas filmave. Mu lut që të shkonim. Por atëherë nuk shkoje dot pa marrë leje nga shoqëruesi i Sigurimit të Shtetit. Shkova tek shoqëruesi dhe i thashë për filmin. Ai më tha do shkoni nis me ta do jesh dhe ti, ndryshe asnjë s’ka punë. Dakord i thashë. Shkova në dhomë dhe i thashë Asllanit se mund të shkonim. Ai u hodh dhe më përqafoi. Shkuam të tre, unë Asllan Rusi dhe Terihati.

A dolët shëtitje pas filmit?
Po. Dolëm nga tregu. Kishte shumë gjëra të bukura. Asllani i vuri syrin një palltoje të bukur me gëzof. Do e marr këtë tha t’ja jap Pranvera Hoxhës. Të lutem mos ja thuaj njeriu. Ata ishin shumë miq me Pranverën, kishin një shoqëri të pastër. Pranvera luante volejboll me të rejat e Dinamos.

Shkoni shpesh në Petrelë?
Më parë shkoja çdo të shtunë të diel. Sidomos kur isha i ri. Aty kishim dhe një grup teatral ku bënim prova çdo fundjavë. Madje, njëherë po përgatisnim të vinim në skenë dramën “familja e peshkatarit”. Kishte shumë jetë artistike në atë kohë në fshat. Sot ka humb ajo gjallëri. Ka vetëm lokale dhe shumë familje kanë zbritur në Tiranë.