Shqiptari Mario Peqini, pastiçieri më i mirë i vitit në Itali
ROMË - Mario Peqini, djali 25 vjeç nga Durrësi, që prej disa vjetësh punon në restorantin “Il luogo di Aimo e Dania” në Milano, është shefi pastiçier më i mirë i Italisë për vitin 2013. E thotë “Identità Golose”, guida e përvitshme e restoranteve më të mira të Italisë, Europës dhe Botës që vlerëson kuzhinën dhe pastiçerinë e nivelit më të lartë.
Sipas guidës “Identità Golose”, Mario Peqini “Ka jetuar gjysmën e jetës në Shqipëri, nga ku u largua bashkë me familjen kur ishte vetëm 13 vjeç. Me babanë magazinier dhe nënën rrobaqepëse, me pengesën e parë italishten, ka studiuar fort për t’ia dalë mbanë. Në stafin e ‘Il luogo di Aimo e Dania’, krijon ëmbëlsirat në sintoni të plotë me pjatancat e kripura të ofruara nga restoranti”.
Mario është nga Durrësi dhe aty ka kaluar fëmijërinë e tij. Më pas, “për një sërë arsyesh të forta” siç thotë ai vetë, u transferua në Milano, ku jeton edhe sot, me babanë nënën dhe një motër më të vogël. Si shumicës dërrmuese të emigrantëve, edhe prindërve të tij iu desh të bënin sakrifica për të mbajtur familjen, për të çuar fëmijët në shkollë.
Mario ka ndjekur një shkollë hotelerie dhe është diplomuar si kuzhinier teknolog. "Ky i imi është një pasion që kam qysh kur isha fëmijë, dëshira që të gatuaj për të tjerët më vjen nga brenda". Pas shkollës ka bërë një stazh me Aimo Moronin, u specializua në pastiçeri në Chioggia, dhe ja tani tek bën pikërisht atë që dëshironte që i vogël.
Në këtë periudhë krize, veçanërisht në punësimin e të rinjve, Mario është një nga ata djem me fat që jo vetëm ka një punë, por gjen kënaqësi në të, e ka pasionin e vet. "Në rrugën time kam pasur fatin të takoj gjithnjë persona të drejtë" thotë ai.
(er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt