EDHE DIÇKA RRETH PASTËRTISË SË GJUHËS SHQIPE



Fjala e shqipes, e kësaj shqipes sonë të bukur, ka filluar të përbyket e të përzdralet (të mbushet me zdralë) me fjalë të huaja.Kjo mburojë e popullit tonë ka filluar të errësohet, të zbehet e besa edhe të zhduket nga pakujdesi i gjuhëtarit tonë, i intelektualit tonë, i shkollarit tonë. Ç‘turp, se? Ajo, sipas këtij moti, do të passhpinet e pasgardhet (kupto- braktiset), ndërsa fjala e huaj do t’ia zërë vendin asaj pa pikë mëshire në cilindo mjet të informacionit.Ç‘djall do të ruajë atë kur s’e ruajnë bijtë e saj?

Do-dove s’po ua ndien bira e veshit për zhdukjen e fjalës shqipe dhe si për habi (bind)më me ëndje e përdorin fjalën e burimit të huaj.Kjo të shpie në theqafje, në theqafje të përgjithmonshme. Ne nuk e dimë dhe nuk mund të marrim me mend sesi disa gjuhëtarë e edhe do intelektualë të tjerë shkojnë e marrin guxim pa kurrfarë turpi duke e bërë parësore dhe ballësore fjalën e huaj, ndërsa dytësore dhe të nëpërkëmbur fjalën e vet, e shqipes së vet. Një dëm tepër i dëmshëm.Një poshtërsi e farës së vet.

Kur mendojmë për fjalën shqipe gjithnjë na dalin para rilindësit tanë, të cilët patën punuar me aq përkushtim dhe me aq përkujdesje për ruajtjen e fjalës shqipe, për pastrimin e saj prej fjalëve të huaja.. Ata jo vetëm që e zdritën fjalën e gjuhës shqipe, por edhe e shtatuan atë, duke u mbështetur në truallin e të folmeve popullore. Ata ia ditën peshën fjalës së shqipes, sepse e dinin, fort mirë e dinin, se përmes saj ruhet shqipja, kombëtarja, Atdheu.Ç‘atdhetarizëm, se!

Njëvjeçari i fundit solli shumëçka të re në këtë copë Kosovë.Solli forca ndërkombëtare e bashkë me to një valë të re fjalësh të huaja. Ky vërshim fjalësh ka filluar t’i mbulojë fjalët e shqipes sonë. Po s’i dolëm zot dhe në pritë këtij vërshimi fjalësh të huaja, atëherë fjalësi (kupto- leksiku) i shqipes do të shëmtohet, do të gjymtohet, do të varfërohet.Fjalës së shqipes duhet t’i dalë zot i madh e i vogël.

Për t’u bindur se me ç‘hov ka filluar vërshimi i fjalëve të huaja mbi fjalën shqipe, do t’i marrim disa shembuj praktikë, që po përdoren si në të folurit e përditshëm ashtu edhe në mjetet e tjera të informacionit.Kështu, qerthulli i fjalëve me burim anglez - trajnim-i, si emër, -trajnoj- + trajnohem, so folje dhe -i, e trajnuar-, si mbiemër ka filluar të vërshojë keqas e me të vërsulur secilin mjet të informacionit.Për këtë qerthull të huaj fjalësh shqipja e ka qerthullin e vet. Kështu, për emrin -trajnim- shqipja e ka emrin e vet -aftësim-i, për foljen -aftësoj-aftësohem dhe për mbiemrin -i, e aftësuar. Druajmë se edhe pakëz ditë qerthulli me burim të shqipes do të zhduket fare.Çfarë mjerësie, se?!

TVSH-ja vonë-vonë ( dhe jo- tash së voni) edhe disa mjete të informacinit (sidomos gazetat) këtu në Kosovë përditë kanë filluar t’i përdorin fjalët e burimit italian - divorc-i, si emër, divorcohem-, si folje dhe - i, e divorcuar, si mbiemër. Shqipja i ka fjalët e veta -ndarje-, si emër, -ndahem-, si folje, dhe - i, e ndarë-, si mbiemër. Atëherë do të pyesnim se për ç‘arsye TVSH-ja e edhe disa gazetarë të Kosovës i përdorin këto fjalë të huaja pa pikë mbëhie?

Ende sot e kësaj dite do-dove s’ua vrasin veshin fjalët e burimit sllav - vadit - si folje, - vaditje-si emër, i, e vaditur - si mbiemër dhe -prashit- si folje, - prashitje- si emër dhe i, e prashitur - si mbiemër. Për të gjitha këto fjalë shqipja i ka pasur të vetat që në lashtësi. Kështu, për -vadit- shqipja e ka -ujit-; për - vaditje e ka ujitje dhe për i, e vaditur e ka - i, e ujitur.Ndërsa për -prashit- e ka foljen - mih-; për prashitje e ka emrin - mihje ( a të mihur-it) dhe për mbiemrin - i,e prashitur e ka mbiemrin e saj - i, e mihur.

Ajo çerdhja e fjalëve të burimit sllav - bisedoj- si folje, bisedë e bisedim , si emra dhe ndërtimet e tjera, formuar me siparashtesën -bashkë ( bashkëbisedoj, bashkëbisedues, bashkëbisedë dhe bashkëbisedim) ka lëshuar rrënjë në shqipet jo vetëm në të folurit e përditshëm, por edhe në të gjitha mjetet e tjera të informacinit.Për foljen - bisedoj- shqipja e ka të vetën - flas, ndërsa për atë - bashkëbisedoj- e ka -bashkëflas. Për bashkëbisedues e ka bashkëfolës. Për këto fjalë me burim të sllavishtes mund t’i përdorim edhe huazimet latine -kuvendoj, kuvendim, kuvendues, bashkëkuvendues, bashkëkuvendoj, bashkëkuvendim etj. Huazimet latine në shqipet janë më të vjetra dhe, si të tilla, nuk dëmtojnë shumë sa ato sllave.

Edhe ajo çerdhja tjetër e fjalëve me burim sllav që fillon me fol. dobësoj- dobësohem, vijon me emrat - dobësi- dobësim dhe mbaron me mbiemrin -i, e dobët ende po përdoret në të gjitha mjetet e informacionit e edhe në të folurit e përditshëm. Besa, shkollarët e kanë sjellë këtë çerdhe fjalësh dhe ata e përdorin, se në pjesën dërmuese të folmeve të shqipes përdoren vetëm fjalët me burim të saj..Kështu, për foljet - dobësoj- dobësohem- shqipja i ka pasur dhe gjithnjë i ka foljet e veta - ligështoj- ligështohem; për emrat - dobësi e dobësim- i ka emrat e vet - ligësi e ligështi + ligështim dhe për mbiemrat - i, e dobët+ i, e dobësuar - shqipja i ka mbiemrat e vet - i, e ligët; i, e ligështuar. Do përmendur këtu se edhe për ndajfoljen e mënyrës - dobët- ( që ka përdorim në shkollat tona) shqipja e ka ndajfoljen e vet të mrekullueshme - ligsht. Ai po flet ligsht. Ai paska mësuar ligsht. Ai po rri ligsht. Me fjalë të tjera, kjo çerdhe fjalësh sllave do hequr sa më parë prej faqeve të Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe dhe nuk duhet përdorur prej asnjë mjeti të informacionit, sidomos prej gjuhëtarëve. Doni Zot e i ndërgjegjësoni këta gjuhëtarët shqiptarë, se kanë marrë udhë pa krye!!!

Emri - nevojë- f. ( nga sllavishtja - nevolja) dhe mbiemrat - i nevojshëm- e nevojshme kanë burim sllav.Prof. Xhuvani bashkë me të madhin Çabej moti kanë porositur që të mos përdoret fjala sllave - nevojë-, përderisa shqipja e ka të vetën - mbëhi- si dhe të mos përdoren mbiemrat e sllavishtes - i nevojshëm- e nevojshme, përderisa shqipja i ka mbiemrat e vet - i mbëhishëm- e mbëhishme. Ja disa fjali, ndërtuar me fjalët e parapërmendura. Nuk kemi mbëhi, tash për tash, për ty. Nuk e shohim të mbëhishme ( dhe jo - të nevojshme) të flasim për gjëra dytësore. A e shihni të mbëhishme të kuvendoni për to?Po, po e shohim të mbëhishme.

Ne nuk e dimë sesi marrin guxim disa gjuhëtarë dhe e përdorin edhe sot e kësaj dite ndajf. me burim grek - tani - e edhe shprehjen (lokucionin) ndajfoljore - tani për tani- , përderisa shqipja i ka pasur të vetat qëmoti -tash- (tashti, tashi) dhe - tash për tash-.Pra, të mos harrojmë jo - tani, por tash dshe jo- tani për tani- , por - tash për tash-. Edhe ndajfolja - akoma- ka burim grek, prandaj nuk duhet të përdoret në asnjë mjet të informacionit. Për këtë greqizëm shqipja i ka dy sinonime ndajf. - ende dhe - edhe. Prandaj do të themi e do të shkruajmë : “ Petriti ende s’kishte ardhur. Ose- Petriti edhe s’kishte ardhur” dhe jo- “ Petriti akoma s’kishte ardhur”.

TVSH-ja bashkë me TVK ( dhe jo - Kukës TV) përditë e përdorin gabimisht fol. - u zbardh- në vend të - u ndriçua a u zdrit. Shpesh na bie rasa të dëgjojmë nga këto mjete të informacionit : “ U zbardh çështja”. Për shkak mode edhe disa gazetarë të Kosovës kanë filluar të përdorin pa vend foljen - u zbardh në vend të foljeve -u ndrçua, u zdrit.Pra, çështja nuk mund të zbardhet, por mund të ndrçohet a të zdritet.Na e merr mendja se fol. - u zbardh- (zbardhet) për del në shesh , qitet në dritë (zdritet- ndriçohet) është një përkthim sllav ( nga sllavishtja - obelodaniti), sepse te Fjalori i gjuhës së sotme shqipe nuk kemi mundur të ndeshim me këtë kuptim. Paj, gazetarët e Kosovës gjithnjë e kanë përdorur foljen - u ndriçu- çështja, mirëpo vonë-vonë u ndikuan nga gazetarët e Tiranës pa e ditur se ata janë ndikuar nga sllavishtja ( obelodaniti).Mbytuni shqiptarë me fjalë të huaja, mbytuni! Ngihuni me to, ngihuni!

Bukur kavjet (moti) ka filluar të vërshojë në shqipet çerdhja e fjalëve neolatine - hezitoj-si folje jokalimatre, - hezitohet- si folje vetvetore dhe - hezitim-i, si emër.Vetëm shkollarët na e sollën këtë çerdhe fjalësh të huaja, sepse shqipja i ka të vetat: - ngurroj- ngurrohet dhe - ngurrim.Prandaj do të flasim e edhe do të shkruajmë : “Mos ngurro, po fol!” dhe jo- “Mos hezito, po fol!”. Apo “ Agimin e kapte njëfarë ngurrimi në të folur” dhe jo- “ Agimin e kapte njëfarë hezitimi në të folur”.Ne nuk e dimë se për ç‘arsye disa shkojnë e përdorin fjalë të huaj, kur atyre, së pari, s’ua dinë kuptimin e lëre më përdorimin e tyre nëpër konstrukte të ndryshme fjalish.

Në kohët e fundit edhe fjala e burimit italian -konsensus- ka filluar të marrë turr e të përdoret në secilin mjet të informacionit. Për këtë fjalë shqipja i ka dy sinonime të saj, mirëpo shqiptarët i çon djalli te fjala e huaj se te fjala e huaj. Kështu, për fjalën e huaj - konsensus- shqipja i ka sinonimet- bashkëpëlqim e mirëkuptim. Prandaj është mirë të thuhet e të shkruhet: “Çështja u zgjidh me mirëkuptim a me bashkëpëlqim” dhe jo- “ Çështja u zgjidh me konsensus”.

Te FGJSSH ( shih f. 1927) për termin e gjuhëve neolatine -maternitet-i (term i mjekësis) është dhënë togfjalëshi- Shtëpi e lindjes.Na thotë mendja se në disa spitale të Kosovës është dhënë më drejt, është dhënë me burim të shqipes, pra- Lindtore- dhoma ku lindin gratë. Po e çoj gruan në lindtore. Isha në lindtore.

Edhe emri - urgjencë-a, f. mbiemri - urgjent-e dhe ndajfoljet - uregjent- urgjentisht po përdoren shpesh në mjetet tona të informacionit. Kjo çerdhe fjalësh të huaja ka burim nga italishtja. Te FGJSSH (shih f. 2O93) për -urgjencë-a është dhënë fjala shqipe - ngutësi- ose edhe - me ngut.Ne do të shtonim edhe sinonimin tjetër - shpejtësi- me shpejtësi. Le të shkojë me shpejtësi.Për mbiemrin - urgjent-e në shqipet ekzistojnë sinonimet -i, e shpejtë, i ngutshëm, i menjëhershëm.Ndërsa për ndajfoljet - urgjent e urgjentisht- në shqipet ka plot sinonime, si: ngutësisht, menjëherë, rreptas-rreptazi, ngutas- ngutazi, shpejt dhe shprehja (lokucioni) shpejt për shpejt. Kush thotë se shqipja nuk ka fjalë të saj, iu vërbofshin sytë!. Do ditur se për shumë fjalë të huaja më shumë ka sinonime në shqipet ( po të vileshin të gjitha të folmet popullore) se në ato gjuhë, por, për fat të keq, shqiptari zgjohet vonë për shumëçka e edhe për fjalësin e vet, i cili ka mbetur i paprekur në shumë të folme popullore.

Te TVSH-ja përditë na bie rasa të dëgjojmë fjalën e burimit frëng -frakturë-, e cila përdoret në fushën e mjekësisë e aty-këtu edhe në fushën e matematikës.Ç‘ prej se ka ditur të flasë shqiptari gjithnjë e ka përdorur fjalën e vet, e shqipes së vet - thyerje. Te TVSH-ja shpesh dëgjojmë: I sëmuri kishte një frakturë në këmbë.Në popull rron fjala e shqipes - thyerje. Gjithkush thotë: - E kam thyer këmbën. Kam thyerje në krah. E kam një thyerje të rëndë në këmbë. Mjekët kosovarë, për fat të mirë, e përdorin fjalën e shqipes - thyerje.Edhe këtë fjalë të huaj e kanë sjellë në shqipet shkollarët, atëherë shkollar, përdore fjalën tënde - thyerje- dhe jo të huajën - frakturë!

Ne nuk e dimë se për ç‘ arsye e mundojnë vetveten shqiptarët (disa syresh) dhe shkojnë e përdorin pa kurrfarë mbëhie fajlën me gurrë neolatine - gratis- , kur dihet se shqipja gjithmonë e ka pasur të vetën - falas.Kjo - gratis- mbase po i bën “më të dishëm “disa shqiptarë.Kushedi, ka të ngjarë???!!! Edhe fjala tjetër e gjuhëve neolatine - gjeneratë- në shqipet ka lëshuar rrënjë si në të folurit e përditshëm ashtu edhe në mjetet e informacionit.Për fjalën gjeneratë shqipja e ka fjalën e vet prej kohësh - brez- a sinonimin - brezni. Besa në shumë të folme popullore na ka rënë rasa t’i dëgjojmë edhe dy sinonime me burim të shqipes.Kështu, rrethet e Pejës e përdorin fjalën - shokë-(brez- gjeneratë). Shoka jo:n e pat. Gjithandej përdoret edhe sinonimi tjetër - korë-. Kora jo:n asht rrallu:.Me fjalë të tjera, shqipja ka fjalë të vetata, por, për fat të keq, s’u kanë rënë mbrapa shqiptarët atyre. Ato po i rrah moti i lig, po i kap ligështia, sepse jemi të ligj vetë ne shqiptarët. E lëmë një thesar të nëpërkëmbet, të nëpërbaltet, të shkilet prej stinësh, motesh. E lëmë, vetëm ne dimë të lëmë. Këto gabime nuk na i fal shqipja, shqiptarizma, Atdheu.Këto gabime nuk na i fal askush; askush nuk do t’ i falë për jetë të jetëve. Doni Zot e i mbushni mend shqiptarët!!! Këto vitet e fundit ka filluar të përbirohet në të gjitha mjetet e informacionit e edhe në të folurit e përditshëm ajo çerdhja e fjalëve me burim të gjuhëve neolatine - implikoj e implikohem si folje, implikim- si emër dhe i, e implikuar si mbiemër.Për krejt këtë çerdhe fjalësh shqipja i ka pasur që nga ditët e pra të saj. Kështu, për foljet -implikoj e implikohem shqipja i ka foljet e veta - përziej- përzihem dhe sinonimet e tjera - ngatërroj e ngatërrohem.Për emrin - implikim- shqipja i ka dy sinonime të saj- përzierje e ngatërrim, ndërsa për mbiemrin - i, e implikuar shqipja i ka gjithashtu dy sinonime - i, e përzier a i, e ngatërruar.

Këto vitet e fundit kanë marrë turr e po përdoren në të gjitha mjetet e informacionit fjalët : - spërkat, si folje kalimtare- spërkatem, si folje vetvetore, -spërkatës-e, si mbiemër dhe - spërkatkje si emër.Ky qerthull fjalësh ka zënë vend edhe te Fjalori i gjuhës së sotme shqipe. Na thotë mendja se gjithë kjo çerdhe fjalësh e ka rrënjën te fjala sllave - prskati.Pse e mundon shqiptarin veteveten me fjalë të huaja, kur dihet se shqipja i ka moti të vetat? Kështu, për foljen kalimtare - spërkat- shqipja e ka foljen e vet kalimtare - stërpik-, për foljen vetvetore spërkatem- shqipja e ka të vetën - stërpikem; për mbiemrin - spërkatës-e shqipja e ka mbiemrin e vet - stërpikës-e dhe për emrin - spërkatje- e ka emrin e vet - stërpikje. Te folja -stërpik- rrënjori - pik- (dalë nga një - prek, kështu sipas referimeve të të madhit Çabej. Shih për këtë te -Studime gjuhësore, II, Prishtinë, l976) është me burim të shqipes, ndërsa parashtesa - stër- është me burim të huaj. Deri vonë këtu nnë Kosovë askush nuk e ka përdorur foljen - spërkat-, por vetëm stërpik me të gjitha rrjedhojat e saj - stërpikje, stërpikës-e, - stërpikem,- i, e stërpikur. Kushedi një ndikim nga TVSH-ja.

Edhe fjala e burimit - frëng - surprizë- ka marrë këmbë e po përdoret pa ndërprerje në mjetet tona të informacionit prej do gjysmagjelash.Për këtë fjalë shqipja e ka pasur të vetën qëmoti - e papritur. Pra do të themi e do të shkruajmë : “ Kjo është një e papritur për mua “ dhe jo “ Kjo është një surprizë për mua”.

Merreni me mend se me ç‘shpejtësi u përbirua dhe fillojë të vërshojë në shqipet ai qerthulli i fjalëve frënge - ekzaktësi-i, si emër, -ekzakt-e, si mbiemër dhe -ekazaktësisht -, si ndajfolje. Për secilën fjalë të këtij qerthulli shqipja i ka nga dy sinonime të saj, si: - saktësi a përpikëri, për emrin - ekzaktësi; - i, e përpiktë a i, e saktë, për mbiemrin - ekzakt-e dhe - përpikërisht a saktësisht, për ndajfoljen - ekzaktësisht.Shiheni, këqyreni mirë se sa e pasur dhe sa e bukur kjo gjuha jonë, kjo shqipja jonë! Kapërthuru shqiptar, për fjalë të huaja, kapërthuru!Ngatërrohu shqiptar në to, ngatërrohu! Thyeje qafën në to, thyeje!

Fjala e burimit turk - bosh -, si mbiemër, aq ka lëshuar rrënjë në shqipet, saqë me vështirësi do të çrrënjoset prej saj, edhe pse i ndjeri Xhuvani moti ka pasë porositur që në vend të saj të përdoren fjalët e shqipes: - i, e lirë, - i, e kotë dhe - i, e thatë. ( Shih për këtë te- Për pastërtinë e gjuhës shqipe, Prishtinë, 1968, f. 17). Prandaj do të themi : - enë e thatë ( dhe jo -bosh a e zbrazët- nga sllavishtja - prazno): thes i thatë ; dhomë e thatë ; vend i thatë ( kur duam të ulemi). Te Xhuvani, po aty, thuhet : - fjalë e kotë , mirëpo në të folmet e Kosovës , në pjesën dërmuese, përdoret mbiemri - e thatë.Pra, kudo dëgjojmë : “Ai të ngin me fjalë të thata”. Ose “ Na ka rrasë me fjalë të thata” e të tjerë shembuj. Ende edhe sot e gjithditën në të gjitha mjetet e informacionit po përdoret folja e burimit turk - braktis ( nga turq - brak-ma), mbiemri - i, e braktisur dhe emri - braktisje. I ndjeri Xhuvani moti ka porositur që shqipja për foljen - braktis- e ka të vetën - lë , ose shprehjen - lë pas dore. Edhe për mbiemrin - i, e braktisur në shqipet mund të përdoret mbiemri - i, e lënë, ose - i, e lënë pas dore. Vonë - vonë në Burojë të Drenicë për foljen -braktis- na ka rënë rasa të ndeshim në dy sinonime të bukura me burim të shqipes- në - masga:rdh (me) dhe masshpi:n dhe mbiemrat - i , e masgardhun; i, e masshpinun-nme. Emri do të dilte vetiu - masshpinje, masgardhje ose asnajësit - t’ masgardhun-it, t’masshpinun-it. Edhe ajo fjala e burimit turk - baksuz- e , si mbiemër, ka gjetur përdorim të dendur gati në të gjitha të folmet e Kosovës e edhe më gjerë. Në viset shqiptare të Malit të Zi, pikërisht në lagjen e Pasmalit të Kojës së Kuçit dhe në Triesh kemi ndeshur në fjalën me burim të shqipes - hijezi- hijezezë.Shqipja, pra, na paska fjalë të veta , por sa vlen kur shqiptarët s’u bien mbrapa atyre.



Në të përfunduar të këtij vështrimthi rreth pastërtisë së gjuhës shqipe do të shtonim se vetëm me fjalën tënde mund t’i dalësh botës para dhe t’i thuash asaj- ja ku më ke, në truallin tim më ke; me fjalën time më ke; me gjuhën time më ke dhe me kulturën time më ke!Me fjalë të huaja nuk mund t’i shesësh mend botës, prandaj përpiqu që ta ruash fjalën tënde, ta pastrosh prej mykut të huaj; ta dëlirësh mirë e mirë, siç e dëlirnin dikur rilindësit tanë (he ndjesë paçin!},; ta shtatosh atë përditë, përvjet dhe nëpër shekuj, duke u mbështetur gjithnjë në brumin e të folmeve popullore, në gurrat e saj. Me fjalë të tjera, fjala e ghuhës sate është me interes edhe për të huajin, sepse ai është ngopur me fjalët e tij, atëherë, shqiptar, mos u ngatërro kot e kot në litar të fjalëve të huaja, kur i ke fjalët e tua, e gjuhës sate, e gjuhës sate të bukur, shumë të bukur! Na thotë mendja se dëm dhe rrezik më të madh për një popull nuk ka kur bijtë e tij e përdorin fjalën e huaj në vend të fjalës së gjuhës së vet. Për veten tonë këta s’ do t’ i quanim bij të saj. Fjala e kësaj shqipes sonë duhet ruajtur , duhet dëlirur, duhet shtatuar nëpër mote e nëpër shekuj në vijimësi dhe pa shkëputje nga brezi në brez, në mënyrë që t’u bëjë ballë fjalëve të huaja, ndikimeve të huaja.Ajo mund të rrojë e lirë, nëse bijtë e saj punojnë rreth kësaj çështjeje me një përkujdesje të përgjithmonshme, për ruajtjen e saj, për pasurimin e saj. Doni Zot!!!




Dr. Abdullah Zymberi
Prishtinë, më 22.02.2001