Berisha: Do sjellim në Shqipëri eshtrat e Sami Frashrit dhe kokën e Ali Pashë Tepelenës
Publikuar më 24.12.2012 | 14:17
Në mbledhjen e Komitetit të 100-vjetorit të Pavarësisë, kryeministri i vendit, Sali Berisha, i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës që të punojë për kthimin në atdhe të eshtrave të Sami Frashrit dhe kokën e Ali Pashë Tepelenën.
“Sami Frashri është gjeni i doktrinës së shqiptarësisë, si doktrinë perëndimore. Libri i tij është dokumenti themelor i të sotmes dhe të ardhmes shqiptare. Problemi është me familjarët dhe së dyti është personalitet shumë i rëndësishëm për vendin mik, Turqinë, pasi ka dy vepra themelore të një rëndësie të veçantë për gjuhën e tyre. Sidoqoftë do të bëjmë përpjekje serioze për rikthim ne tij në Shqipëri. Duhet të bëjmë gjithçka të bindim familjarë, se ai vërtet është krenari më e madhe për ata familjare, por ai është për një komb”, tha Berisha.
Edhe pse e pranoi edhe vetë se kjo kërkesë është e çuditshme, kryeministri tha se në atdhe duhet të kthehet edhe koka e Ali Pashë Tepelenës.
“Është një nga figurat dhe personalitetet me peshën më të veçantë, nuk mund të them në historinë tonë kombëtare se ai ishte histori tjetër, por nëse marrim historinë, pas vdekjes së Skënderbeut, historia jonë u transferua në tërësinë e saj në Stamboll, ne po shkonim drejt harresës historike. Ali Pasha me të gjithë veprimtarin e tij, u dëshmoi botës se shqiptarët nuk kanë vdekur. Se janë një komb i pamposhtur. Jo rastësisht më i fuqishmi i asaj kohe, Napoleoni do të tregonte interes shumë të madh për pashain e Janinës, që filluan ta shpallin si Bonapartin e Ballkanit”, u shpreh Berisha.
“Sulltani kërkoi kokën e tij, t’ia çonin në tepsi në Stamboll dhe kjo ndodhi nuk është legjendë. E bëri që të sigurohej se është vrarë por kjo pak rëndësi, por rëndësi ka që ne duam të kthejmë kokën e tij. A do ta varrosim në Tepelenë apo në Muzeun Kombëtar kjo duhet të vendoset”, ka shtuar kryeministri.
Ai gjithashtu kërkoi që të punohet për kthimin dhe të eshtrave të Mit’hat Frashërit, të cilin e cilësoi “një nga njerëzit më menje ndritur të historisë sonë” dhe të bashkëshortes së Ismail Qemalit.
Për realizimin e këtyre angazhimeve nuk ka përqindje sigurie por e sigurt është se do të përhapin debat. Ashtu si në deklaratën e vitit 2009, kur shprehu angazhimin për rikthimin në atdhe të eshtrave të Nënë Terezës dhe India e kundërshtoi me forcë, edhe deklarata për eshtrat e Sami Frashrit pritet të sjellë reagim nga ana e Turqisë.
/Shekulli Online/Përgatiti: F.S./
Krijoni Kontakt