Gjermanët duhet “të rikthehen” në Ndërfanë

blog | 6 nëntor, 2012 - 09:47 | Nga Dedë Shkurti


Ndërfana është pjesa qëndrore e Mirditës. Është shumë e njohur; më e njohur se vetë treva që e përfshin, e cila tre shekuj më vonë është pagëzuar me një emër përshëndetës, pa guxuar t’i trashëgojë asaj emrin dhe historitë famëmëdha.

Në Ndërfanë ka sunduar familja e njohur shqiptare e Blinishtëve, një lagje e epërme e së cilës mban emrin e njërit prej pinjollëve të saj, Kalenianit. Këtu, burrat e Shtetit të Arbërit, Dhimitri e Progoni, kishin qendrën e tyre, çfarë e dëshmon Stema e gdhendur në gur, e gjetur për herë të parë në rrënojat e kishës në Gëziq.

Historia dhe lavdia e Ndërfanës e motërzuar me gojëdhëna dhe legjenda është ende e shtresëzuar në koren e tokës. Si dëshmi e qenies aty, e patjetërsueshme por, edhe si kumt për kë do ta dëgjojë e kuptojë, ajo ka më shumë se njëmijë vjet që ushqen rrënjët e një lisnaje të shëndetshme që , siç e thonë mirditasit:- “merr lang në mars, në pranverën e parë” dhe “e lëshon gjethin në shën Demetër, në fundin e vjeshtës së dytë”. Pjesa e re e saj, ende një kronikë e ngatërruar me veprime (aksione), data, dokumente e interpretime, më shumë sipas frymës së regjimeve se sa sipas logjikës historike, i ngjan një vere që vlon në fermentim e sipër; që shpesh herë i ka dehur dhe vënë në gjumë ithtarët e saj.
Ka një episod tragjik historia moderne e Ndërfanës: lëngu i kuq nuk është mushti i vjeshtës së dytë në fermentim. Ai është gjak i pastër ndërfanënorësh dhe gëziqasish, i derdhur nga një verbëri dhe egërsi kanibaleske në vitet dyzet të shekullit të shkuar.

Në fundin e tetorit të vitit 1944 trupat e ushtrisë gjermane të Luftës së Dytë Botërore kanë masakruar trembëdhjetë fshatarë të Ndërfanës dhe Gëziqit. Afërsisht, brenda harkut të një viti, masakra e Borovës u përsërit, ndoshta jo në sasi por, u tejkalua në cilësinë e saj të makabritetit.

Ushtria gjermane kishte pesëdhjetë ditë që ishtë përzënë nga Tirana, kryeqyteti i vendit, me luftë, me “downtown war”. Juglindja, nga hyri e ku dogji, vrau e poqi ishte lënë prapa e nuk mund të kthehej edhe njëherë. Rrjedhja e detyruar e lumit të disfatës ishte në kahjen e lumit më të madh çlirimtar, të Drinit shqiptar, drejt veriperëndimit, drejt Shkodrës. Se ç’mendje kolonelësh në panik e devijuan djathtas në luginën e Fanit është ende në përmasat e një misteri. Ajo që dihet është se pikërisht aty ku dy Fanët përqafojnë Ndërfanën, me 22 tetor, krisi pushka e Brigadës së Shtatë partizane.
Komandanti i saj, strategu i shquar i luftës, mirditasi Gjin Marku: ai që me kokën e vet kishte bërë aktin më të pashembullt në të tërë Europën , duke i lënë gjermanët të kalonin pa luftë në Beratin 2350 vjeçar, për arsyet që s’u arsyetuan as për Parisin (veprim të cilin do ta paguante shumë shtrenjtë me humbjen e lirisë së vet) nuk mund ta përsëriste në djepin e tij. Ndryshe nga Berati, Ndërfana i kishte të mbrojtura thesaret e veta, nën rrënjë lisash. Mbi tokë në atë kilometër katrore të teatrit të luftës kishte një tempull të Zotit, me kryq dhe disa stane sepse, pothuajse të gjitha shtëpitë ishin poshtë, në vërri.

Beteja ka zgjatur pesë ditë dhe, siç përmendet në dokumentet e njëanëshme të kronikës luftarake, ka qenë ndër më të përgjakshmet e luftës që është bërë më gjermanët në Shqipëri.

Kjo është logjika e çdo lufte dhe mirditasit si pjesë natyrore e rodit të shqipeve,të qetë dhe shqisëmprehur ju nënshtruan asaj; s’bëhet luftë pa gjak, s’bëhet luftë pa varre.(Ka një përkim interesant të fjalës shqipe: “varr”, pikërisht më luftën, se si ja thonë emrin në gjuhën më të folur të botës).

Në rastin e Ndërfanës, logjika e kësaj lufte e kaloi në shumëfish absurdin. Pasi u përleshën për njëqindenjëzet orë ushtarët luftëtarë, duke vënë në përdorim të gjitha mjeshtritë e luftës nga përpunimi me artileri e deri tek luftimi trup me trup, të mundurit nga ushtria vendase çlirimtare ju kthyen popullsisë civile: burrave, e plakave, çobanëve që ruanin e kullosnin bagëtinë në stanet e tyre.
Asnjëri nga të trembedhjetët që u masakrua nuk kishte asnjë lidhje me luftën përveçse ajo rrugë e mallkuar e hapur me ngut po për qëllime lufte nga ushtria pushtuese paraardhëse, që u binte përmes staneve të tyre.

Në majën e një kodre qe një kishë, gjysmë e rrënuar, pjesa stoike e mbetur nga një ansambël i tërë kishtar i groposur, nuk u kursye dhe u qëllua me artileri. Kryqi i Thyer nuk e kishte të nevojëshme me sa duket t’u jepte mundësi edhe kryqtarëve të vet të luteshin tek jepnin shpirt përpara kryqit të vërtetë, ndoshta edhe për të vërtetën e njohur se kishin bërë aq shumë mëkate, sa shpirti i tyre ishte i sigurtë në ferr.
Ka sy që e kanë parë atë masakër. Edhe afro shtatëdhjetë vite më vonë kujtesa sado e traumatizuar, është ende e freskët. Të mbijetuarit thonë që nuk ka pasur asnjë paralajmërim për t’u larguar e strehuar diku më larg (siç i thonë në gjuhën e sotme, evakuim) por, të afërmit e tyre që u vranë i kanë jetuar orët e fundit në rutinën e zakonshme të një shtëpiaku, bujku a çobani, në një ditë vjeshte ku mblidhej bereqeti, zihej rakia dhe përgatiteshin për Ditën e të Vdekurve.

Egziston edhe një e vërtetë tjetër që, ndonëse ka patur një zell kriminal për ta varrosur bashkë me të vrarët, koha po e davarit dalëngadalë: Të masakruarit jo vetëm që nuk e kanë prishur qëtësinë dhe rendin e punëve të tyre por, kur i kanë parë gjermanët në oborre, kanë bërë gjestin e mikpritësit, u kanë hapur dyert e kasolleve për t’u dhënë bukë dhe strehuar. Për këtë të vërtetë ka dy fakte gjërësisht të njohura:

Dy vjet pas masakrës, shteti komunist arreston dhe burgos një ndërfanas, zotin e të vetmes kullë të ndodhur më pranë sheshbetejës, me pretekstin e armëbajtjes pa leje por, në fakt , për të parandaluar një gjakmarrje të mundëshme. Sipas shtetit, objekt i gjakmarrjes do të ishin dy djem të mbijetuar nga masakra e tetorit ’44, ku u ishin vrarë katër prindërit e tyre. Në gjyqin e organizuar në Shkodër burri i Ndërfanës ka deklaruar pa ju dridhur syri:

-“Zotni gjykatës i shtetit, e kam dit’ se do të më lidhni se kam qenë i sigurtë se njëra bukë ka pas’ për të na vrarë. U dhamë bukë partizanëve. U kemi dhënë bukë edhe gjermanëve. Shokët e mi i vrau buka e gjermanëve dhe unë nuk kam punë me ta. Mue, me sa po shoh, po më vret buka që u dhashë shokëve tuaj. Unë nuk ju a bëj haram. E kam dhënë me shpirt. Në qofshi bukëshkalë jeni për veten tuaj”.
Në të njejtën ditë të masakrës gjermane të Ndërfanës, pak kilometra në të djathtë, në fshatin Shpërdhazë, në të vetmen kullë që nxirrte tym nga oxhaku, trokasin dy ardhës të paparë ndonjëherë. Ishin dy ushtarë gjermanë që në gjuhën e tyre kërkonin diçka.. me sa duket.. një drejtim rruge, pasi në gjermanishten e tyre e vetmja fjalë që u kuptua ishte Shkodra. I zoti i shtëpisë (babai i shkruesit të këtyre radhëve) kishte qenë për më shumë se tre vjet ushtar i ushtrisë aleate, deri në kapitullimin e saj që koincidonte dhe me afatin e mbarimit të shërbimit. Nuk e kishte parë të udhës as të dezertonte e as të bashkohej me Naçional- Çlirimtaren dhe ishte kthyer tek shtëpia e tij.

Me një italishte të mësuar në luftë u shpjegoi dy ushtarëve gjermanë se, një natë më parë në këtë shtëpi kishte qenë shtabi i Brigadës së Shtatë dhe majori Gjin Marku, se në ç’drejtim ishte Shpali, nga ku dëgjoheshin krismat e luftës, se ku ndiqet rruga për në Shkodër. Ndau në dysh një misërnike, dy mshere (topa të shtypur djathi) dhe u mbushi dy paguret e tyre me kos. Pa dalë në kufi të fshatit u dëgjuan krisma pushkësh. Duke marrë me mend se ç’mund të kish ndodhur vrapoi tek vendi ku ishin dëgjuar krismat. I gjeti të dy gjermanët të vrarë… I ka marrë dy trupat e tyre dhe i ka varrosur në pronën e vet afër një Lteri të shenjtë duke e mbajtur të fshehtë deri në fillim të vitëve nëntëdhjetë. …

I radhitëm këto dy fakte se, në atë luftë të mallkuar nuk qe i gjithë populli luftëtar.Sjellja me italianët e kapitulluar është e njohur botërisht. Po aq denjësisht shqiptarët janë sjellë edhe me robërit gjermanë. Ndërfanorët e varfër por, fisnikë dhe bujarë e kanë tejkaluar gjestin e bujarisë, dhe të fisnikërisë.

Bukës së dhënë , gjermanët ju përgjigjën më majën e bajonetave dhe zjarrin e mitrolozëve.

…Me mbarimin e luftës por, edhe pas vendosjes dhe konsolidimit të Pushtetit të Ri, për të masakruarit fatkeqë të Ndërfanës kishte një konfuzion dhe hezitim të pashpjeguar. Për disa vite u konsideruan si .. viktima .. të luftës. Në një periudhë të shkurtër kohe, në tribunat e përvjetorëve të çlirimit, krahas përmendjes emër për emër të herojve dhe dëshmorëve partizanë u artikuluan me gjysmë zëri edhe “trembëdhjetë dëshmorët e Gëziqit”. Erdhi një kohë kur familjarët dhe të afërmit e të masakruarve jetonin pa ndonjë ndjenjë krenarie e as triumfi. Baballarët dhe të afërmit e tyre ishin vrarë në shtëpitë dhe arat e veta, ishin vrarë nga lufta pa qenë pjesë e saj. Akoma më e rëndë dhe e papërcaktuar u bë statusi i tyre pas triumfit të demokracisë ku, raportet e shtetarëve të rinj demokratikas dhe jo vetëm.. me Luftën e Dytë por edhe me Protagonistët e saj Humbës ishin të paqarta.

..Ka më shumë se njëzet vite që jo vetëm trashëgimtarët e ligjshëm të trëmbëdhjetë burrave e grave ndërfanas, të masakruar nga ushtria gjermane por, dhe një opinion gjithënjë dhe më i gjërë bëjnë seri (habi) se, si në Jubiletë Europiane të Nëntë Majit nderohen të rënët nga Normandia e deri në Perl Harbër e, po ashtu kërkohet në mënyrë të përsëritur falje për viktimat e të gjitha llojeve. Në ish kufirin gjermano-polak, Odër-Naise, Burrat e sotëm të Shtetit Polak vazhdojnë të drejtojnë gishtin dhe, Kancelarët të përkulen dhe kërkojnë prapë falje të përsëritur. Ndërsa tek ne, në Shqipëri, kujtesa ka vdekur, gjaku është bërë ujë.

Një penë mirditase e njohur kombëtarisht, për një masakër serbe të kryer ne Orosh në vitin 1915, ku u groposën në një shpellë akulli shtatë burra oroshas ka shkruar:- “koha, akujt po don për me i shkri / por gjaku s’po don për me u ngri”.

Kur kujtesa historike, të cilën e mbajnë gjallë në radhë të parë institucionet e një shteti serioz, mjegullohet duket sikur gjaku i derdhur “shkon hupë”.
Burrështetëria jonë është infantile dhe diplomacia, po aq folklorike dhe servile. Për një shtrëngim dore dhe një fotografi, për një fjalë të mirë për t’na pranuar pa e merituar në institucionet e Bashkimit Europian, për një vizitë tranzit disa orëshe, që të shënohet në rekordin e Pushtetit të radhës, shtetarët tanë instalojnë trutë e gomarit dhe injorojnë interesat jetike te qytetarëve të vet.

Shqiptarët e thjeshtë, ndër të cilët renditen me dinjitet edhe mirditasit, ushqejnë një respekt shumë domethënës për popullin dhe shtetin gjerman. Ata i shohin me shumë simpati, si veprimet protokollare, si edhe ato njerëzore që shteti gjerman demonstron për të respektuar historinë e të tjerëve si dhe për të treguar se ka nxjerrë mësime nga e kaluara e zymtë para treçerekshekullore.

Ata shohin nëntëdhjetë vjecarët nazistë të stehuar në Amerikën Latine që pas shtatëdhjetë vitesh dalin përpara drejtësisë dhe marrin dënimet për krimet e tyre, shohin shtetin e fuqishëm gjerman të rikthehet në vendet që dikur i ka shkelur me çizmen e hekurt, si një investitor, ndërtues dhe paqëtues i shpirtrave kolektive dhe individuale të lënduara.

Do të ishte në nderin dhe dinjitetin e tyre që gjermanët të rikthehen edhe në Ndërfanë, aty ku njerëzit e saj të varfër e të papërzier në mekanizmin ndjellvrasë të luftës, deshën t’u jepnin bukë dhe në vend të mirënjohjes morën vdekjen. Ka gjashtëdhjetetetë vjet që nga Ndërfana e Shtetit tetëqinvjeçar të Arbërit, ashtu si ndërrimi i gjetheve të lisnajës, përsëritet e njëjta pyetje: Cila bukë nga ajo që dhamë atë vit, ’44, na ka vra?!.

Rreth autorit »
Dedë Shkurti.

ditari i respublica322 lexime