Në vitin 1925 në përvjetorin e 25-të të vdekjes së Naim Frashërit një grusht studentësh idealist, përfshi midis tyre edhe djalin e Avdylit, Mit-hat Frashërin, në një botim jubilar për poetin kombëtar në Grac të Austrisë, do të shkruanin, sipas meje, këto rrjeshta të “arta”, për Rilindjen tonë kombëtare dhe figurat më eminente, më të spikatura të saj. Me gojën e Mit-hat Frashërit do të na sillnin sa më poshtë: “Çdo popull ka një kohë në të cilën çfaqen për te njerëz të mbëdhenj, që bëhen udhëheqës dhe shembëll…që lënë gjurmat dhe vazhdën mbi karakterin dhe fatin e vendit…që bëhenë mendja dhe shpirti i atij kombi. Kjo kohë (fund i shekullit XIX pra të rilindjes së Shqipërisë) në çdo vend quhet: Shekulli i Madh.
Këto figura të dritshme janë:…Kristoforidhi, Hoxha Tahsini, Pashko Vasa, Efthim Mitko, Koto Hoxhi, Naim Frashëri, me të dy vëllezërit, Abdylin e Saminë, burra të tjerë pej gjaku dhe gjuhe arbëreshë, në Shqiptarët e Italisë…në Greqi…Hoxha Tahsini (i Filatit) dhe Koto Hoxhi (Qesarat), janë punëtorë të vlefshmë për rilindjen tonë, me influencën që vepruan dhe me frymën që inspiruanë…”. Pra midis figurave më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare rradhiten tre vëllezërit Frashëri dhe Profesor Tahsini (Hoxha Tahsini).
Për këto marrëdhënie flitet në mbi 100 faqe të volumit të parë të librit “Naimi në Kostandinopojë“. Këtu me disa penelata të shpejta, në mënyrë thelbësore, duke prekur momentet më të rëndësishme po flasim për raportet Abdyl-Tahsin, Naim – Tahsin e Sami – Tahsin dhe, në fund, në mënyrë konkludive të ndriçojmë të katër së bashku këto figura që prijnë në krye të karvanit të Rilindjes Shqiptare për mbi gjysmë shekulli. Të katër përfaqësojnë denjësisht brezin e rilindasve shqiptarë, janë në majat e Rilindjes shqiptare, përbëjnë yllin e karvanit të saj. Po më mirë pa u zgjatur të ndalemi në raportet konkrete midis tyre që patën veç e veç me Profesor Hasan Tahsinin dhe pastaj në fund të tre vëllezërit së bashku me të.
1 Abdyl Frashëri dhe Prof. Hasan Tahsini
Një nga krerët kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri ka pasur kontakte të shumta në kohë të ndryshme me Hasan Tahsinin. Sigurisht jemi të vetëdijshëm se ato kanë qenë shumë e më shumë se ç’njohim deri më sot. Burimet osmane e pastaj të tjera me radhë, në dorën e studjuesve të rinj të Rilindjes do të nxjerrin në pah se këto kontakte kanë qenë më të gjëra e më të thella nga ç’i dimë sot. Humbja e veprave të Abdyl Frashërit, ka qenë një dëm i pallogaritshëm që i është bërë historiografisë shqiptare, sidomos zhdukja e kujtimeve të Abdylit për kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ne jemi të ndërgjegjshëm që aty me siguri një vend të rëndësishëm do të kenë zënë edhe raportet e vëllait më të madh të Frashërllijve me Hoxha Tahsinin. Nga sa dimë e njohim sot nga literatura e burime të tjera arkivore e joarkivore për marrëdhëniet midis Tahsinit dhe Abdylit mund të thuhet sa më poshtë. Sigurisht me disa rezerva, pa përjashtuar takimet e tyre para formimit të Lidhjes Shqiptare me njeri-tjetrin, ata janë takuar në Shqipëri, në veri e në jug të saj plus edhe në Stamboll. Sipas një burimi, ata të dy kanë qenë në mbledhjen e themelimit të Lidhjes në Qershor 1878. Ndërsa Refat Frashëri, student asokohe në Stamboll, na flet për takimet e Komitetit të Stambollit, ku merrnin pjesë edhe Abdyli e Hoxha Tahsini e plot të tjerë. Këto mbledhje janë bërë në rajonin e Bejollës në Leh Sokak (Rruga e polakëve) dhe aty janë marrë vendime të rëndësishme për fatin e Shqipërisë, shqiptarëve e tokave shqiptare.
I begatë ka qenë për kontaktet Abdyl – Tahsin viti 1879. Konfirmime për këtë kemi nga disa anë. Në revistën “Mexhmua-i Ulum…(e Diturisë) bëhet fjalë për atë që profesori nga Kosova Skender Riza do ta quante “Akademia e dijetarëve shqiptarë të Stambollit“, e kryesuar nga H. Tahsini. Ky nuk qe gjë tjetër, veçse një emër për shoqërinë kulturore-arsimore që ka hyrë në historinë tonë si “Shoqëria e Stambollit”. Dihet që ajo u krijua në nëntor 1879. Në atë kohë doli edhe revista diturake e Hoxhë Tahsinit Një e dhënë me interes që e kemi gjetur në arkivin tonë të shtetit është pjesëmarrja e dyshes Abdyl-Tahsin krahas të tjerëve në Kuvendet e Frashërit.
Më vjen ndër mend se edhe në një material arkivor të kaluar në duart e mija përmendet figura e Abdylit që më pas u godit ashpër nga sulltani i kohës Abdylhamiti i Dytë, krahas një mori anëtarësh eksponentë, drejtues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, rilindas shqiptarë të shquar, midis të cilëve figuron edhe emri i Profesor Hasan Tahsinit.
Sigurisht, këto marrëdhënie midis këtyre dy figurave qendrore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e të krejt Rilindjes sonë Kombëtare meritojnë një studim të posaçëm. Ne me këto dy-tre fakte apo të dhëna që permendëm shkarazi vetëm sa kemi ngritur siparin, sepse jemi të bindur se midis tyre ka pasur lidhje të shumta, të shumëllojta, njerëzore, vëllazërore, politike, e në fusha të tjera si ato të arsimit, kulturës etj. etj.
2 Naimi dhe Hoxha Tahsini
Për raportet midis tyre ne kemi folur gjërë e gjatë siç e përmendëm më sipër, në studimin tonë “Naimi në Konstandinopojë“, bile me të hapet ky studim i yni. Janë tre momente të dhjetëvjeçarit të fundit të jetës së Profesor Tahsinit që unë mendoj t’i ndaj nga të tjerat, që flasin shumë për të dy.
Viti 1872: Naimi me të vëllanë Samiun shkelin për herë të parë në Stamboll. Ai që u bëhet krah, i ndihmon, i përkrah, u jep mësime diturie e shkence në medresenë e vet është pikërisht Hoxha Tahsini. Të dy vëllezërit 20-25 vjeçarë marrin dije të ndryshme, por edhe “mbillen” tek ata idetë atdhetare. Të kultivuar edhe nga një mësues i standardeve më të larta jo thjesht të Stambollit po edhe të Parisit, siç qe Profesor Hoxha Tahsini, ata më pas do të bëheshin dy korifej të Rilindjes sonë Kombëtare.



Viti 1874: Të dy takohen në Sarandë. Naimi në pozicionin e një nëpunësi perandorak, si drejtor i doganës së Sarandës dhe Hasan Tahsini si mësues shëtitës, si grumbullues folklori dhe si propagandues i ideve atdhetare për një Shqipëri republikane e demokratike, për të cilat regjimi sulltanist nuk do të vononte ta përplaste në burg në fillim në Janinë e, më pas, në Stamboll.Ajo që ka rëndësi për ne është se ata janë takuar poshtë e lart në Delvinë, Sarandë e gjetkë në Çamëri dhe veprimtaria e tyre ka qenë në favor të çështjes kombëtare, për hartimin e një alfabeti të gjuhës shqipe, për përhapjen e saj në popull, për çeljen e shkollave shqipe, për një shoqëri kulturore-arsimore – botuese etj.
Viti 1881: Në Stamboll Naimi thurr një poezi-elegji, ku ai ngre në qiell figurën e Hasan Tahsinit, ku zbulon se ç’vend të rëndësishëm zinte Hasan Tahsini në jetën e tij. Ai na paraqet respektin e jashtëzakonshëm që ka për këtë figurë madhore, për këtë personalitet të madh të kombit tonë që e kish njohur personalisht, kish qenë nxënës i tij e njëkohësisht bashkëpunëtor nga më të ngushtit e tij. Për të Hoxha Tahsini ishte dhe mbeti sa qe gjallë një burim frymëzimi, një etalon për t’u marrë shembull, një ideator i Rilindjes Kombëtare që i pat shokët e rrallë. Ndaj poezinë vajtuese për vdekjen e tij do ta hapë me fjalët kumbuese:
O Hasan Tahsin! O trëndafil qiellor!
3 Samiu dhe Hoxha Tahsini
Samiu është njeriu që e bëri të pavdekshme figurën e Hasan Tahsinit të paktën në tre shkrime të tij.
Së pari. Eshtë ai që shkroi nekrologjinë e zgjeruar për vdekjen e tij në revistën “Hafta” (Java) që nxirrte vetë në Stamboll në dy numra të saj më 1881. Ajo qe bazë për shkrimet e tjera që u botuan nga autorë të ndryshëm pas vdekjes së tij.
Së dyti. Samiu qe ai që e pavdekësoi figurën e Hoxha Tahsinit, duke e futur në Enciklopedinë e vet. Ajo u bë shkas që sot figura e Profesor Tahsinit figuron pothuajse në çdo enciklopedi që del në Republikën e Turqisë. Aty futi të vëllanë Abdylin (Abdullah Hysni Frashëri) dhe vehten si autor i enciklopedisë, ndërsa Naimin jo.
Së treti. Ka botuar dhe një shkrim për Hoxhë Tahsinin në vitet 90 të shekullit XIX në revistën “Servet-i funun” (“Thesari i shkencës”’) po ne nuk e kemi pasur në dorë këtë artikull jo shumë të gjatë. Thuhet se ka pasur edhe shkrime të tjerë për Hoxha Tahsinin, pa folur që emri i Tahsinit “shëtit” andej këndej në veprën e tij prej mijra faqesh. Me respekt ai flet për mësuesin e vet. Nxënësi më besnik e njeriu që s’iu nda atij gjatë jetës në dekaden e fundit qe pikërisht Shemsedin Beu (Sami Frashëri). Ishin kontakte të pandërprera gati të përditshme dhe mund të themi me plot gojën se ka qenë njeriu që e njohu më mirë personalitetin e karakterin e rilindasit Hoxha Tahsini. Samiu eci hap pas hapi në gjurmët e tij edhe pasi vdiq Tahsini.
Samiu e ka shfrytëzuar bibliotekën e pasur të Hoxha Tahsinit. Libra prej kësaj biblioteke me vulën e Tahsinit filozofi shqiptar Riza Tefiku kish gjetur në bibliotekën vetjake të Sami Frashërit kur këtë e nxorën në ankand për ta shitur. Hoxha Tahsini qe njeriu që çmoi më shumë në jeten e vet e që ndikoi e la gjurmët më të thella në jetën e tij. Samiu mori mësime nga një njeri Enciklopedi dhe vetë shkroi Enciklopedi, pikërisht enciklopedinë e parë turke. Samiu u shkollua në një vatër diturie siç qe gjimnazi në gjuhën greke “Zosimea” në Janinë. Ai pati fatin e rrallë të marrë mësime direkt nga një ish rektor universiteti që kish të paktën diplomat e 2 fakulteteve të Universitetit të Sorbonës të Parisit në Francë, pra të një universiteti perendimor dhe ish lauruar me tre doktorata.
Dhe, tash së fundi, po i kthehem prapë Mitat Frashërit. I biri i Abdylit e dinte shumë mirë jo nga jashtë por nga “brenda” se kush qenë vëllezërit Frashëri. Atë e rriti Abdyli, u burrërua në shtëpinë e ungjit të vet Samiut dhe u frymëzua nga Naimi, të cilit pas vdekjes i kushtoi një libër. Ai e dinte mirë kush qe dhe Hoxha Tahsini, siç dinte kush qenë rilindasit dhe ç’përfaqësonin i ati dhe ungjit e vet në Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Të katër ishin në maje të saj, ishin majat e saj, ishin male si vetë malet shqiptare. Një raport sekret i një funksionari të lartë osman Esejid Eminit, i cili i kish njohur personalisht vëllezërit Frashëri dhe Tahsinin i përmend si ajkën e nacionalizmit shqiptar.
Si konkluzion duhet të themi se bashkëpunimi i tyre veç e veç dhe pastaj i të katërve së bashku në rrethana e kohë të ndryshme në vitet 70 të shekullit XIX, ka qenë në fusha të ndryshme si në fushën e arsimit për krijimin e një alfabeti të shqipes etj., në fushën e kulturës në përpjekjet dhe realizimin e një shoqate kulturore – letrare, në fushën e politikës për jetësimin e shtetit shqiptar dhe në fushën e mbledhjes së folklorit, krijimit të një letërsie kombëtare shqiptare. Vëllezërit Frashëri ishin nxënës e kolegë të mëdhenj të një mësuesi të madh, të një paraprirësi të rilindjes shqiptare si Prof. Hasan Tahsini që vunë në jetë me devocion e përkushtim detyrat e trashëguara. Puna dhe lufta bëri që emri i tyre të fitojë pavdekësinë.

Dr Laurant BICA