Si e ripushtoi Serbia, Shqipërinë e Mesme, për ta shpëtuar
Esat Pashën nga rrethimi shtatëmujorë në Durrës?
“Ekspedita shqiptare”, siç u quajt pjesa e ushtrisë serbe që u ngarkua për të kryer invadimin në Shqipëri, numronte 10 deri në 20 mijë veta. [78] Operacionet për pushtimin e trevave shqiptare i udhëheqte drejtpërsëdrejti ministria Ushtarake e Serbisë.
Kjo ekspeditë pushtuese komandohej nga gjeneral Damian Popoviçi, anëtari njohur i organizatës serbe “Dora e Zezë” (Crna Ruka), dhe përbëhej nga tri reparte në rang regjimenti, nga ai i Prizrenit, i Drinit dhe i Ohrit. [79] Para se të niset ushtria serbe në operacionet pushtuese, Ministria e punëve të jashtme të Serbisë ia kishte dërguar tekstin e një proklamate komandantit të ushtrisë serbe Millutin Mishkoviq që u drejtohej shqiptarëve. Kjo proklamatë që mbante datën 2 qershor 1915 ( 20 maj 1915 me stilin e vjetër) ishte nënshkruar nga komandantët e njësive të ushtrisë serbe që do të futeshin në Shqipërinë e Mesme, nga kolonelët Petar Mishiç i njësive të Ohrit dhe Milutin Mishkoviç i njësive të Drinit.
Në proklamatë ndër të tjera thuhet: “Ju veproni kundër vetes që me ndikimin e Austrisë dhe Turqisë e sulmoni kufirin tonë (…) Ju nuk mundeni ta shpëtoni as Turqinë, as Austrinë derisa kundër tyre është tërë Evropa (…) Bashkohuni me ne, që ta pastrojmë atdheun tuaj nga njerëzit e këqinj dhe të sigurojmë paqë si në shtëpitë tuaja, ashtu edhe në kufijt tonë.” Në fund të proklamatës thuhet: “…Pasi t´i zëmë dhe dënojmë kryengritësit, neve do të kthehemi prapë, kurse qeverisjen e vendit tuaj do t´ia lëmë në dorë birit të Shqipërisë Esat pashës, i cili dëshiron të rrojë ndë paqtim me kombin fqinj. Atij që është bashkë me ne po i sjellim paqtim dhe dashuri, po atij që është kundër nesh (po i sjellim) kordhë. Bëhuni të urtë edhe ruani vendin edhe kombin tuaj edhe mos dëgjoni intrigantët e Stambollit e të Vjenës.” [80]
Kah fundi i majit 1915 në Sektorin e Ohrit kishin filluar provokimet për gjoja “sulmet shqiptare” përreth kufirit të Shën Naumit dhe Qafës së Thanës. Më 29 maj njësitë serbe iu vërsulën Pogradecit për ta pushtuar dhe për të depërtuar në Malin e Mokrës kah Liqeni i Maliqit, që të vijnë në kontakt me vijën kufitare të Greqisë. Më 30 maj ministria e jashtme e Serbisë kërkoi nga Sektori ushtarak i Ohrit që të pushtohej sa më parë Elbasani dhe të vihej kontakt me Esat Toptanin. Qëllimi i operacioneve
ishte të bëhej lidhja dhe bashkimi i trupave serbe të nisur nga veriu me ato të lindjes që kishin cak Elbasanin, Tiranën dhe Durrësin. [81]
Më 31 maj nga Cetinja u bë me dije se Rusia i kishte dërguar Serbisë armë, municion, veshmbathje dhe material tjetër luftarak. Njoftohej se Rusia i dërgoi Malit të Zi 1000 pushkë manzerë turke me 120 000 fyshekë, 20 000 palë rrobe, 40 000 palë çizme, 40 000 tenda, 2000 gjuajtës të topit me kalibër 15 cm 300 kuaj tërheqës dhe shumë qerre. [82]
Më 1 qershor komanda serbe nga sektori i Ohrit nisi operacionet pushtuese, ndërkohë që kishin filluar edhe operacionet ushtarake serbe edhe në krahun e Prizrenit në bashkëveprim me forcat malazeze. Pas thyerjes së një rezistence të kryengritësve fshatarë në krye me Haxhi Qamilin te “Guri i Pishkashit”, më 2 qershor u pushtua Qukësi. Elbasani u pushtua më 6 qershor ndërsa më 7 e 8 qershor forcat serbe marshuan për në Tiranë. Më 9 qershor në mëngjes ushtria serbe hyri në Tiranë dhe ndaj kryengritësve fshatarë u morën masa ta ashpra. Filloi çarmatimi si masë e egër pushtuese. U çarmatos Shijaku, Kavaja, Peqini etj., si qerdhe të njohura të kryengritësve si dhe u vunë në ndjekje të krerëve të kryengritjes. Pas disa ditë ndjekjesh më 11 korrik 1915 përveç krerëve tjerë, arritën ta zënë në pabesi edhe komandantin e kryengritjes fshatare Haxhi Qamilin. Atë e arrestuan ushtarakët serb në bashkëpunim me mercenarët esadistë në fshatin Sharrë afër Tiranës. Për t´i denuar ata, Esat pasha ngriti një gjyq të veçantë në Durrës, të kryesuar nga Xhelal Zogu. Të gjithë u denuan me vdekje dhe një muaj më vonë më 16 gusht 1915, pas një torture mizore Haxhi Qamilin e varën në Durrës. [83]
Esat pashë Toptani i shprehu falënderime komandantit të ushtrisë serbe të Ohrit, Petar Mishiqit, që e shpëtoi nga rrethimi 7 muajsh në Durrës. Më 12 qershor 1915 Esati dërgoi atij një letër në Tiranë, ku jepte shënime për patriotët e shquar si kundërshtarë të qarqeve sunduese serbe dhe të vet Esatit. Në letër i shkruante edhe për Hasan Prishtinën, Bajram Currin e të tjerë që ndodheshin në Shkodër. Esati kërkonte që ushtria serbe e cila depërtonte nga Prizreni ta çarmatos Malësinë dhe Mirëditën, meqenëse ishin armiqtë e tij të përbetuar. Ai kërkonte nga koloneli Mishiq që ta njohtojë Pashiqin dhe t´ia dërgojë 2000 palë rrobe për gjandarmërinë e vet, të cilat duhej të ishin me ngjyrë të njëjtë me ato serbe e të dallohen vetëm kapelat. [84]
Më 23 qershor 1915 konsulli serb Gavrilloviq nga Durrësi ia dërgonte komandantit të vet në Tiranë, kolonelit Mishiq, listën e përpiluar nga Esat pasha prej 45 vetash, nga qytetet Tiranë, Elbasan, Pogradec dhe Qukës, si të rrezikshëm për Esatin dhe për borgjezinë serbe. [85] Ndërsa në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut 1915, me urdhër të Esat Pashës vetëm në Durrës dhe në Shijak u varën 30 njerëz. [86]
Më 10 qershor 1915 edhe forcat e armatosura malazeze pushtuan krahun e djathtë të Bunës si edhe Malin e Taraboshit, duke zënë vend në portat e Shkodrës nga ana veriore e qytetit. Ushtria malazeze e rrethoi Shkodrën edhe nga anët tjera dhe e pushtoi më 27 qershor. [87]
Pas pushtimit të Shqipërisë së Mesme…nga forcat serbe, përfaqësuesit e komandës ushtarake serbe në krye me kolonelin Millutin Mishkoviq, filluan bisedimet me Esat pashën lidhur me rregullimin e pushtetit në viset e pushtuara të Shqipërisë. Për këto bisedime bën fjalë raporti i prefektit të Ohrit Qirkoviq, i cili personalisht ka marrë pjesë në ato biseda, bashkë me Gavrilloviqin dhe me komandantin Mishkoviq.
Qirkoviq në raport shkruan se Esat pasha ka kërkuar, si vijon:
“1. Që nënpunësit e tij të jenë vetëm pro-forma (formalisht), kurse serbët ta marrin qeverisjen dhe vendosjen e rregullit. Në Elbasan për prefekt të emrohet njeri i Esatit, por punët t´i kryejë njeri i caktuar i Serbisë.
2. Në Tiranë kajmekamin do ta emërojë Esati, kurse punët do t´i kryejë njeriu i Serbisë.
3. Në Çermenikë Esati do të vendosë njerëz të vet, kurse instruktorët do të jenë serbë.
4. Në Qukës kryetari do të emërohet nga serbët, kurse ndihmësi i tij shqiptar. Esati lutet që kjo të jetë sa për formën e jashtme, kurse pushteti faktikisht të jetë në duar tona (serbëve).
5. Në Peshkopi Esati kërkon të mbetet qarku, dhe prefekt i qarkut të bëhet Jusuf beu, e jo Hysen beu, të cilin ne e kemi pas caktuar në këtë detyrë edhe me herët.
6. Esati kërkon të fillojmë mbledhjen e taksave në viset që i kemi okupuar, kurse të hollat të shpenzohen për nevoja të ushtrisë në këto vise.” [88]
Në gjysmën e dytë të qershorit 1915 ushtria serbe kishte vendosur pushtetin në viset e pushtuara shqiptare si dhe kishte bërë ndarjen administrative. Kështu aradha e Ohrit në teritorin që kishte pushtuar
formoi 50 komuna, aradha e Podrimes 21 komuna dhe aradha e Prizrenit 13 komuna. [89]
Të gjitha organet e këtij pushteti ishin nën kontrollë të plotë të komandës ushtarake serbe. Koloneli Millutin Mishkoviq në Mat kishte caktuar nipin e Esat pashë Toptanit, Ahmet bej Zogun si “kryeshef të pushtetit ushtarak serb”, sepse gjatë operacioneve pushtuese oficeri Mlladen Stamatoviqi, Zogut ia kishte besuar detyrën për çarmatosjen e popullsisë së kësaj treve. Në një dokument serb thuhet se “Armët e mbledhura Ahmet Beu (Zogu) duhej t´ia dorëzonte komandantit serb në Qafë të Bulqizës ose të Murrës. [90]
Marrëveshja e Esat Pashë Toptanit me ministrin Luba Jovanoviq, në qershor 1915 në Tiranë.
Kah fundi i qershorit qeveia serbe shpejtoi të lidhë edhe një marrëveshje me Esat pashë Toptanin, për t´i vërtetuar mirë planet dhe qëllimet e intervenimit kundër populllit shqiptar në përgjithësi. Në gjysmën e dytë të qershorit në mënyrë të fshehtë në Tiranë arriti Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë Luba Jovanoviq, që bashkë me Esat pashën, të “bisedojë” dhe t´i precizojë disa çështje që nuk ishin paraparë me marrëveshjen e 17 shtatorit 1914.
Nga procesverbali i shkruar mund të konstatohet se takimi Toptani - Jovanoviq është mbajtur më 14 (27) qershor 1915, ku është bërë plotësimi i marrëveshjes së përmendur edhe me 17 pika të reja, që mund të konsiderohet edhe si marrëveshje e re.
Siç vihet në dukje në marëveshjen e 28 qershorit 1915, Esat pashë Toptani pranonte të shkelet (në favor të Serbisë), jo vetëm pavarësia politike e Shqipërisë, por edhe tërësia e saj teritoriale. Ta zëmë me nenin I, parashihet që Serbia ta mbrojë Shqipërinë nga coptimi, për ta coptuar ajo vet në një kohë të përshtatshme. Kufijtë politikë shtetërorë të vendosur më 1913 nga gjashtë fuqitë e mëdha, Serbia i konsideronte si të diktuara nga Austria, prandaj në bazë të marrëveshjes me Esat Toptanin ato do të ndryshoheshin në favor të Serbisë. Pogradeci me rrethet e Gollobërdos, Malësia e Dibrës, Luma dhe Hasi deri në Spaç të Mirditës, do t´i kalonin asaj. [91] Edhe në ato vise që do të jenë brenda kufijve të Shqipërisë, pushteti i Esat pashës ishte krejtësisht formal, dhe kjo duket qartë në nenet
V, VI, VII e VIII të kësaj marrëveshjeje. Madje jo vetëm Esat pasha, por edhe të gjitha organet shtetërore që do të zgjidheshin duhej të vepronin sipas planeve të Serbisë.
Në marrëveshjen e 28 qershorit 1915, parashikoheshin edhe tri çështje të tjera. Financimet që ishin derdhur nga Serbia në dobi të Esat Toptanit ose ato që do të derdheshin në të ardhmen për të, do të shkonin për llogari të Shqipërisë; ushtria serbe do të qëndronte në Elbasan dhe në Tiranë për aq kohë sa do ta shihnin të arsyeshme të dy palët. Përveç kësaj në rast se do të rrezikohej Durrësi nga ushtria italiane, Esat pasha do të thërriste menjëherë në ndihmë ushtrinë serbe, për ta pushtuar atë më parë. [92]
Sipas procesverbalit të dalur nga ky takim ëshët arritur kjo marrëveshje:
Marrëveshja Toptani- Jovanoviq,
më 27 qershor 1915
I
Qeveria mbretërore serbe do të veprojë në atë drejtim, që asnjë fuqi e jashtme mos ta pushtojë Shqipërinë, dhe nuk do ta lejojë coptimin e saj, por ajo të mbetet si tërësi shtetërore, e cila për jetë do të jetë në aleancë dhe bashkësi me Serbinë në bazë të marrëveshjes së mëparshme, si dhe në bazë të dispozitave të këtij protokolli.
II
Pasi që kufijt midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk janë të natyrshëm, por janë vendosur sipas dëshirës së Austrisë e cila ka dëshiruar të krijojë konflikte dhe shqetësime të përhershme midis këtyre dy shteteve fqinjë. Kufiri i tanishëm do të përmirësohet, kështu që Serbisë do t´i takojnë Pogradeci me rrethet e Gollo Brdos, Malësia e Dibrës, Luma dhe Hasi deri në Spaç. Derisa ky kufi i ri të mos caktohet nga fuqitë ndërkombëtare, Serbia në viset e përmendura do të mundet me vendos pushtetin e saj.
III
Ekselenca e tij Esat pashë Toptani do ta kryejë sa më parë organizimin e pushtetit në Shqipëri, dmth do të formojë komuna, nahi (rrethe) dhe qarqe, duke patur parasysh sa të jetë e mundur ndarjen e vendit nëpër fise. Do të emërojë për nënpunës njerëz të vet e miq të Serbisë. Serbia do t´i vejë në dispozicion njerëzit e saj për këtë punë.
IV
Ekselenca e tij Esat pasha do të fillojë menjëherë organizimin e ushtrisë dhe gjindarmërisë. Për udhëheqës dhe instruktorë të ushtrisë dhe gjindarmerisë qeveria mbretërore serbe do të vejë në dispozicion njerëz të vet, si dhe një numër të konsideruar gjindarmësh.
V
Pasi ta kryej organizimin e komunave, rretheve dhe qarqeve E.T Esat pasha do të fillojë zgjedhjet e deputetëve për kuvend dhe do të kujdeset që në Asamble të vijnë njerëz të besueshëm dhe ithtarë të tij dhe të Serbisë. Në këtë punë Serbia do ta ndihmojë Esat pashën.
VI
Po sa të bindet se e ka shumicën e ithtarëve E.T Esat pasha do të konvokojë mbledhjen e Asamblesë, e cila do ta zgjedh për sundimtar me titull princ.
VII
Sa të zgjedhet për princ, Esat pasha do t´i paraqesë Asamblesë projekt Kushtetutën e Shqipërisë, e cila më herët do të përgatitet në marrëveshje me qeverinë mbretërore të Serbisë. Pasi që Asambleja ta aprovojë Kushtetutën, Esat pasha do ta formojë qeverinë nga njerëzit që përkrahin idenë e bashkimit serbo – shqiptar.
VIII
E.T Esat pasha obligohet që pas kësaj, në momentin e përshtatshëm ta aplikojë në jetë, me anë të Asamblesë unionin real me Serbinë, sipas të cilit Serbia dhe Shqipëria do të kenë ushtri të përbashkët, union doganor, përfaqësues të përbashkët jashta vendit, entet e përbashkëta të tregëtisë dhe komunikacionit, një sistem finansiar dhe bankën popullore. Gjyqet, arsimi, punët fetare, taksat dhe të ardhurat tjera të dedikuara për nevoja të enteve të veçanta shqiptare, do të jenë thjesht shqiptare.(Esat pasha do të mundet lirisht të qeverisë me punët e brendshme).
IX
Deri sa të arrihen këto, Esat pasha do t´i marrë në duar të veta të gjitha gjymriqet, kurse për drejtor do ta pranojë një nënpunës të doganës serbe, i
cili tani do ta zbatojë sistemin turk, e më vonë do ta rregullojë doganën sipas ligjeve serbe, që të mund t´i dakordojë legjislacionin doganor serb.
X
Pasi të kryhen të gjitha këto që u përmendën, do të realizohet unioni doganor. Nëse më vonë nuk aprovohet marrëveshje e re, që me të ardhura doganore e të tjera të përbashkëta të plotësohen shpenzimet e përbashkëta (ushtria, përfaqësitë jashtë vendit etj), të ardhurat doganore do të ndahen sipas destinimit të mallit, pasi të heqen shpenzimet e regjisë.
XI
Që të mund të sigurohet komunikacioni sa më i plotë ekonomik midis Serbisë dhe Shqipërisë, Esat pasha do të kujdeset që më vonë t´i përshtatë shpenzimet monopolike dhe të taksave në atë mënyrë që të dakordohen me ligjet serbe mbi monopolet dhe taksat (brenda mundësive).
XII
Me kërkesën e E.T Esat pashës qeveria mbretërore serbe do t´i vejë në dispozicion ekspertët që do t´i ndihmonin ta zbatojë dhe përsosë organizimin e qeverisjes dhe të enteve të nevojshme për shtetin shqiptar.
XIII
Për të bërë të mundur një komunikacion sa më të fortë midis Serbisë dhe Shqipërisë, menjëherë do të fillojë ndërtimi i rrugës prej kufirit serb gjer në Elbasan, e prej andej një vijë do të shkojë për në Durrës, kurse tjetra për në Tiranë.
XIV
Ndihmën që qeveria mbretërore serbe ia ka dhënë, ose pas tashti do t´ia japë Esat pashës, shkon në llogari të borgjeve të Shqipërisë.
XV
Gjatë kohës së punëve të përmendura (gjersa të gjitha punët mos të kryhen), ushtria serbe do të mbetet në Elbasan, eventulisht edhe në Tiranë. Kur të paraqitet nevoja e të lejojnë kushtet, ajo në marrëveshje me Esat pashën dhe komandantin e ushtrisë serbe do të ndërmarrë ndjekjen dhe shpartallimin e kundërshtarëve të vet dhe të Esat pashës, duke bërë lëvizje sipas marrëveshjes reciproke.
XVI
Nëse E.T Esat pasha heton se Italia mendon ta okupojë Durrësin, menjëherë për këtë do ta lajmërojë qeverinë mbretërore serbe dhe do të thërras ushtrinë mbretërore serbe, që në emër të tij ta okupojë Durrësin, para se Italia ta bëjë këtë.
XVII
Nëse E.T Esat pasha e sheh të nevojshme të kërkojë një numër ushtarësh serb, të cilët si gjindarmë do t´i mbajë në Durrës, komandanti i ushtrisë serbe do t´i vejë në dispozicion. [93]
Më 15 (28) qershor 1915 Kryetari i qeverisë Esat pasha
Edhe kjo marrëveshje është shkruar në turqisht me shkrim arab, si dhe në gjuhën serbe. Në këtë marrëveshje Esat pasha me dorë të vetë e ka shkruar këtë vërejtje: ”Qukësi do të mbetet jashta kufirit të përmendur, dmth mbetet i Shqipërisë.”
Si u ndihmua tërheqja e ushtrisë serbe nëpër Shqipëri
nga Esat Pashë Toptani, më 1915/16?
Qveria serbe gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1915 përgatitej që marrëveshjen e nënshkruar me Esat Pashë Toptanin, ta realizojë edhe praktikisht. Këshilli ministror i Serbisë në seancën e mbajtur më 15 (28) shtator 1915, kishte vendosur që në bazë të marrëveshjes me shefin e qeverisë shqiptare për t´i siguruar njësitë ushtarake të okupacionit, konstaton se që tani duhet përgatitur organizimin e pushtetit të përbashkët dhe atij autonom të Shqipërisë. Lidhur me këtë duhej filluar ndërtimin e rrugës për Durrës, vendosjen e linjave postë-telegrafike dhe ushtarake. Për t´i realizuar këto, thuhet në vendime, duhet të kemi në Durrës organe ndihmëse pranë shefit të qeverisë shqiptare një përfaqësues të qeverisë, nga një inspektor të policisë, të finansave, të ndërtimtarisë, të cilët do të jenë organizatorë të pushtetit të përbashkët dhe atij autonom, si dhe instruktor të personelit administrativ në Shqipëri.[94]
Akoma pa u vënë mirë themelet e administratës pushtuese në Shqipëri. në vjeshtën e vitit 1915 në Ballkanin e trazuar, nga palët në konflikt u krijuan raporte të reja të cilat sollën rrjedhoja të paparashikueshme në këtë
gadishull. Më 6 shtator 1915 në Plles, Bullgaria nënshkroi konventën ushtarake, për hyrjen e saj në luftë përkrah bllokut austro-hungarez. Një muaj më vonë, më 6 tetor 1915 Austro-Hungaria i filloi operacionet ushtarake kundër Serbisë, ndërsa më 14 tetor edhe ushtria bullgare nisi një operacion të ngjashëm kundër Serbisë.
Natën e 13/14 tetorit forcat e Armatës së Parë dhe të Dytë bullgare e kalojnë kufirin në tërë vijën, nga Danubi deri te Liqeni i Dojranit. Më 16 tetor bullgarët depërtojnë në luginën e Moravës Jugore dhe e pushtojnë Vranjën, duke e shkëputur hekurudhën Nish-Shkup, me të cilën lidhej Serbia me jugun. Më 20 tetor pushtohet Kumanova, kurse Shkupi më 22 tetor 1915. [95]
Pas kësaj disfate, ushtrisë serbe iu ndërpre përfundimisht rruga natyrore për të dalë në Detin Egje. Krahas depërtimit të ushtrisë bullgare në luginën e Moravës Jugore dhe kah Kosova, edhe nga veriperëndimi depërtonte ushtria austro-hungareze-gjermane. Zbarkimi në tetor 1915 në Selanik i forcave të Antantës të njohur me emrin ”Armata e Lindjes”, dhe hapja e frontit të ri nuk e shpëtuan ushtrinë serbe nga rrethimi e shkatërrimi.
Pas disfatave të njëpasnjëshme të forcave serbe në frontet e luftës, kryeshefi i komandes supreme të ushtrisë serbe R. Putnik, i ndodhur në mes dy rrugëzgjidhjeve: dorëzimit apo tërheqjes, zgjodhi të dytën tërheqjen, dhe më 4 nëntor 1915 Komanda Supreme serbe vendosi për tërheqje. Ndonëse rrugët që të shpiejn drejt Selanikut në jug ishin tanimë të bllokuara nga ushtria bullgare (e cila ato ditë kishte marrë Maqedonin Perëndimore) merret vendim i detyruar që ushtria serbe, të tërhiqet nëpër Kosovë në drejtim të Shqipërisë për të dalur në bregdetin Adriatik. [96]
Më 21 nëntor 1915 ushtria serbe nisi tërheqjen e saj nëpër Kosovë.
Tërheqja e ushtrise serbe u bë në drejtimet:
1. Rrafshi Kosovës – Pejë – Deçan – Gjakovë - Qafë e Prushit - Vau i Spasit – Shkodër - Lezhë;
2. Rrafshi i Kosovës – Prizren – Lumë - Ura e Vezirit – Mirditë - Durrës dhe
3. Nga Struga e Dibra për Elbasan –Tiranë - Durrës. [97]
Për tërheqjen e mbretit serbë dhe ushtrisë së tij ndihmesë të pakursyer dhanë forcat mercenare të renegatit Esat Pashë Toptani dhe grupe tjera shqiptarësh. Qysh më 7 nëntor 1915 konsulli serb Gavrilloviq së bashku me kolonelin Mishkoviq biseduan me Esat Pashën që të ndërmerret diç në Shqipëri, me qëllim që të shërbej si bazë e sigurt për Serbinë në atë situatë të ndërlikuar. Esat Pasha padronëve serbë ju ka premtuar se, do t´i jep ndihmë të pakursyer ushtrisë serbe gjatë tërheqjes nëpër Shqipëri. Esati, ndonëse kishte rreth vetit afër 1.500 mercenarë të Pashiqit, kërkoi që një pjesë e tyre të dërgohet sa më parë që të sigurojnë rrugën për Shkodër nga Spasi kah Puka dhe Ndërfusha e Fanës. Pastaj, mundohej të siguronte bartjen e miellit të dërguar nga aleatët për ushtrinë serbe. [98] Ato ditë, Gavrilloviqi i telegrafonte Pashiqit për disponimin e Esat Pashës karshi qeverisë serbe. Ai, madje e”siguronte” që mund të hyjë “lirisht” në Shqipëri. [99]
Nëpër Shqipëri kaluan Qeveria serbe në krye me Nikolla Pashiqin dhe oborri mbretëror në krye me Petar Karagjorgjeviqin. Qeveria serbe nga Prizreni u nis më 14 nëntor dhe më 25 nëntor arrinë në Shkodër. Ndërkohë mbreti P.Karagjorgjeviç kalon nëpër Grykën e Carralevës, në Qafë të Duhlës, Suharek, Prizren, Zhur, Kulla e Lumës [100] për të vijuar më tej kah Ura e Vezirit, Va-Spas, Pukë dhe më 28 nëntor mbrriti në Shkodër, ndërsa më 6 dhjetor u vendosën në Lezhë. Ndërkaq, parlamentarët serbë në grupe kishin arritur në Shkodër para ushtrisë. [101]
Për këto shërbime, qeveria serbe dedhte para për mercenarët e Esat Pashës. Kështu, më 29 nëtor 1915 Esat Pasha dërgoi në Lezhë dhe në Shkodër, Ahmet Gjulin, që të merrte paratë nga qeveria serbe për t´ua shpërndarë mercenarëve të vet. Po atë ditë, Esati së bashku me Gavrilloviqin kërkuan që, për shkak të lëvizjeve të disa grupeve shqiptare në Mirëditë, të dërgohet një batalion ushtarësh serbë në Orosh për ta qetësuar situatën dhe për ta bërë të mundshme tërheqjen sa më lehtë të ushtrisë. Gjithashtu, u kërkua që edhe në Lezhë të dërgohen një batalion ushtarësh serbë për t´u siguruar rruga Shkodër - Durrës. [102]
Qeveria serbe ato ditë të vështira për Serbinë, ka kërkuar edhe ndihmen e aletëve të saj të mëdha. Pashiqi, më 3 dhjetor i drejtohej Parisit, Londrës, Petrogradit dhe Romës, me shkresë që të bënin hapa vendimtarë në ndihmën aleate për shpëtimin dhe riorganizimin e ushtrisë serbe në Shqipëri dhe në Malë të Zi. [103] Në favor të kërkesës së Pashiqit Cari rus
intervenoi ashpër dhe energjikisht, duke iu kërcënuar aleatëve të mëdhenj se nëse nuk shpëtohet ushtria serbe, do të dalë nga aleanca. Rusia kërkoi që ushtria angleze dhe franceze t´ia sigurojnë ushtrisë serbe ushqimin dhe ta organizojnë bartjen e saj. [104]
Më 11 dhjetor 1915 u përhap lajmi për hyrjen e trupave bullgare në Shqipëri dhe për rrezikun e bllokimit të rrugës Shkodër - Durrës. Gavrilloviqi dhe Esat Pasha urgjentisht kërkuan tërheqjen e qeverisë serbe së bashku me mbretin nga Tirana për në Durrës. [105]
Më 16 dhjetor 1915 Gavrilloviqi njoftonte se nëse nuk arrihet një forcë e aleatëve në Durrës prej 20.000 vetave, do të jetë e pashmangshme katastrofa për ushtrinë serbe dhe mercenarët esadistë. [106] Më 18 dhjetor Pashiqi, nëpërmjet përfaqësuesve të vet pranë aleatëve, bënte me dije që ushtria austro-hungareze nga veriu dhe ajo bullgare nga lindja, janë duke bërë presion të madh në drejtim të Durrësit dhe se nuk kishte siguri as në vende të tjera të Shqipërisë. [107]
Po atë ditë, delegati ushtarak në Paris lajmëroi për vendimin definitiv për tërheqje dhe bartje të ushtrisë serbe me anije nga Shqipëria në vendin e caktuar, në Korfuz. Pas lajmit për vendimin për tërheqje të ushtrisë serbe nga Durrësi, vendosi të tërhiqej edhe Esat Pasha. Mirëpo, Pashiqi i shkruante Gavrilloviqit (më 19 dhjetor) që Esati ka obligim moral ta mbrojë ushtrinë serbe gjatë tërheqjes dhe se nuk duhet ta dorëzojë Durrësin pa luftë. [108]
Më 29 dhjetor 1915 flota austro-hungareze bombardoi për herë të parë Durrësin dhe i shkaktoi dëme të mëdha materiale. Në fillim të janarit 1915 u vendos definitivisht që ushtria serbe të bartet dhe të vendoset në Korfuz. Për këtë insistuan sidomos francezët. U vendos që të kenë sa më afër Selanikut, me qëllim që ushtria të angazhohet në të ardhmen. Komanda supreme serbe më 5 janar 1916 ia paraqiti gjeneralit francez Mondezir numrin e ushtarëve dhe materialin tjetar luftarak, rreth 145. 000 veta, 95 topa, 170 mitralozë, 55. 000 pushkë etj. Gjatë muajit janar, ushtria serbe e rraskapitur tërhiqej nëpër tokë dhe ujërave detare të Shqipërisë për në Korfuz. Reparteve të ushtrisë serbe, që tërhiqeshin në këmbë në drejtim të Vlorës, të Sarandës për Korfuzë, iu prinin zakonisht mercenarët e Esat Pashës. Rreziku nga pushtuesit austro-hungarezë i detyroi ushtarët serbë
dhe aleatët e vet që tërheqja me anije të bëhet jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga limanet në veri të Shqipërisë.
Në ujdhesën e Korfuzit u bartën dhe zbarkuan rreth 140. 000 ushtarë serbë. Afër 10. 000 të sëmurë e të plagosur u dërguan për shërim në Afrikë dhe në Francë. Fëmijët e gratë u vendosën në Korzikë dhe në qytetet kryesore të Francës. Një pjesë shkoi në Zvicër .[109] Forcat Serbe, në Korfuz me ndihmën e francezëve, riorganizohen për të marrë pjesë në Frontin e Selanikut.
Kështu tërheqja e ushtrisë serbe nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme përfundoi në janar dhe në shkurt të vitit 1916, por nga viset jugore vazhdoi edhe në muajin mars. Më 5 prill, në anije u ngarkua edhe Komisioni Mbikëqyrës për tërheqjen e ushtrisë në Vlorë. Kështu, Përfundoi odisejada e ushtrisë serbe nëpër Shqipëri në dimrin e viteve 1915-1916.
Si u largua bashkë me ushtrinë serbe edhe Esat Pashë
Toptanit nga Shqipëria për në Greqi?
Bashkë me largimin e ushtrisë serbe, në janar 1916 nga Durrësi u largua edhe Esat pashë Toptani. Esat Pasha, fillimisht zbarkoi në Korfuz, dhe pastai shkoi në Itali e prej aty në Paris. Në Paris me ndërmjetësimin e Qeverisë franceze merret vesh me qeverinë greke e serbe, për formimin e një qeverie të përkohshme në Selanik. Pasi vetë qëndronte në Paris, Toptani në Selanik kishte lënë Faik Kodrën si zëvendës të tij. Ai kishte formuar gjithashtu një batalion ushtarësh nën komandën e Halit Lleshit, i cili bashkë me ushtrinë franceze do të marrë pjesë në luftën e Malit të Thatë e në Mokër.
Në kujtimet e tij Sejfi Vllamasi, shkruan: “Halit Lleshi figuronte në kuadrot e ushtrisë frënge si major. Esati në Selanik kishte një gardë të vogël. Kur erdhi një herë në Selanik, iu bë një pritje madhështore prej gjeneral Seralit. Në pritje kishte dalë edhe mbreti Aleksandër I-rë i Serbisë. Esatin e muarën në automobil dhe e shpunë në pallatin e tij. Për sa kohë ndenji në Selanik i bënte nderimet e rastit një kompani ushtarësh e përbërë prej një tog të çdo shteti aleat. Gjatë Konferencës së Paqes Esati qëndroi në Paris. Derisa “Qeveria” e tij ishte në Selanik, në Dibër kishte një komitet të përbërë prej Ymer Efendiut, sekretar i Esat Pashës, Hysen Kuqit, Hafis Hasës (Mat) e tjerë dhe një fuqi prej 1000 vetësh me
komandant Halit Lleshin dhe me nënkomandantë Taf Kazinë, Dine Hoxhën, Osman Memën dhe Jusuf bej Çelën.” [110]
Qeveria serbe edhe gjatë vitit 1916 e mbajti Esat Pashën me subvencione të mëdha financiare, (përafërsisht nga 60. 000 dinar në muaj, duke e bërë pagesën herë në Paris e herë në Selanik). Madje, Esati në vjeshtë të vitit 1916 kërkonte t´i rritej ky subvencion [111] dhe prej 14 nëntorit Esat Pashës iu rrit ndihma edhe për 8. 500 franga në muaj. Vetëm prej muajit mars deri në dhjetor 1916 qeveria serbe në adresë të Esat Pashës pagoi 420. 000 franga. Në Paris iu dorëzuan 240. 000, ndërsa në Selanik 180. 000 franga. [112]
Në vjeshtë të vitit 1916, pas depërtimit të ushtrisë franceze nga jug-lindja e Shqipërisë, në drejtim të krahinës së Korçës, Nikolla Pashiqi ishte i interesuar që në Shqipëri të depërtojë edhe Esat Toptani. Më 7 tetor 1916 Esat Pasha takohet me mbretin serb, me qëllim që t´i koordinojnë punët e përbashkëta. Në këtë periudhë, planeve antikombëtare të Esat Pashës, u bënte rezistencë Lëvizja Kombëtare Shqiptare, sidomos patriotët Themistokli Gërmenji nga Korça dhe Sali Butka nga Kolonja. Më 1 nëntor 1916 Pashiqi kërkoi që në Korçë të vendoset pushteti i përbashkët i Esat Pashës dhe grekëve, me qëllim gjoja që t´u ndërprehet rruga pushtuesve italian në atë drejtim. [113]
Duke parë një interesim dhe një koncentrim të forcave të ndryshme në rrethin e Korçës, në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit 1916, komandanti francez i zonës së Korçës, koloneli Deskuan, (sipas udhëzimeve të komandës së “Armatës së Lindjes”), vendosi të largonte nga Korça venizelistët grekë dhe hyri në bisedime me udhëheqësit e lëvizjes shqiptare. Më 10 dhjetor 1916 koloneli Deskuan nënshkroi me përfaqësuesit e Korçës një protokoll, sipas të cilit qyteti i Korçës me rrethet Bilisht, Kolonjë, Gorë dhe Opar, ku ishte shtrirë ushtria franceze, formon një krahinë ”autonome”, ( të ashtuquajtur “Republika e Korçës”) që do të administrohej mga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze. [114] Administrimi i krahinës ( që përfshinte 124 fshatra) i besohej një organi Administrativ “Këshillit të Republikës së Korçës” të përbërë prej 14 vetash. Si kryekomandant i pushtetit ushtarak u emrua koloneli francez Deskuan, ndërsa kryeshef i xhandarmërisë u zgjodh Themistokli Gërmenji. [115]
Formimi i “Republikës së Korçës” nga francezët nuk u mirëpritë nga Esat Pasha dhe qeveria serbe. Themistokli Gërmenji meqë ishte kundër Esat Pashës, i detyroi të largoheshin “tre emisarët” e pashait toptanas që kishin ardhur nga Selaniku në Korçë, për të zhvilluar propagandë në favor të Serbisë. Esat Pasha në bashkëpunim me qarqet serbe, më 31 janar 1917 bëri protestë te qeveria fraceze, lidhur me veprimtarinë e Themistokli Gërmenjit dhe formimit të “Republikës së Korçës”. [116] Esat Pasha qysh në mars 1917 humbi çdo shpresë për t´u kthyer në Shqipëri, sepse ushtaraku francez, De Fontenej, i tha troç se lidhjet e tij me qeverinë serbe kishin kaluar çdo kufi të “baskëpunimit të sinqert”.
Pas hyrjes së Greqisë venizeliste në luftë kundër bllokut Qëndror, në verën e vitit 1917, komanda ushtarake franceze në Korçë e ndryshoi qëndrimin e saj ndaj kërkesave dhe të drejtave të popullsisë shqiptare dhe të “Republikës së Korçës”. Menjëherë pas këtij ndryshimi, organet ushtarake franceze, më 2 nëntor 1917 e arrestuan në mënyrë të fshehtë, Themistokli Gërmenjin dhe e dërguan në Selanik. Duke u mbështetur në dëshmitë shpifëse, të bëra kundër Gërmenjit, gjyqi ushtarak i “Armatës së Lindjes” në Selanik e akuzoi atë “si konfident të fuqive qëndrore”, ku e dënoi me vdekje, dhe në mëngjesin e 9 nëntorit 1917 ai u pushkatua. [117]
Si u largua Esat Pashë Toptani nga Selaniku (nëpër
Beograd) për në Paris?
Në verën e vitit 1917 në mesin e mercenarëve të Esat Pashës dhe “qeverisë”së tij kukull në Selanik plasi sherri i përçarjes. “Ministri i brendshëm i qeverisë Toptani” Shahin bej Dino, më 10 gusht 1917 dha dorëheqje, meqë dy muaj më parë kishin filluar kundërthëniet midis Esatit dhe Shahin Beut. Esati, me sugjerimin e qeverisë serbe, në vend të Shahinit cakton Mihail Gjurashkoviqin nga Durrësi, [118] i cili ishte konfident i qeverisë serbe qysh nga koha e Turqisë. Antonijeviqi nga Roma kërkonte që të merren masa ndaj Shahin Beut që gjendej në Korfuz, pasi që ishte përhapur lajmi për kalimin e shpejt të tij në Itali. Përfaqësuesi serb brengosej, sepse tek Shahini gjenden dokumente sekrete të marrëveshjeve të Esat Toptanit me Serbinë dhe Greqinë, prandaj kërkohej që Shahin Beu të internohej në Prevezë, për çka pajtohet edhe Pashiqi. [119]
Ndonëse Shahin Beu, ka bashkëpunuar edhe me italianët, prej kohësh i kishte treguar atyre të gjitha sekretet që ka ditur, rreth këtyre marëveshjeve të Esat Pashës. Me shpërthimin e konfliktit në mes të Shahinit dhe Esatit, qeveria italiane vendos që Shahin Beu të shkoi në Itali, së bashku me gruan e tij e cila ishte italiane. Këtë gjë e konfirmon edhe përfaqësuesi serb në Romë. Në mars të vitit 1918 Antonijeviqi nga Roma telegrafonte për Shahin bej Dinon, që prej disa ditësh ka arritur në Romë dhe qeveria italiane i kishte caktuar subvencionin financiar prej 1. 500 lirash në muaj. [120]
Në verën e vitit 1918 Esat Pasha shkoi në Paris, ku qëndroi disa muaj atje, ndërsa zëvendës të vetin e la Ymer Efendiun. Në muajt korrik-shtator 1918 u zhvillua nj ofensivë e madhe nga fronti i Selanikut dhe ushtria austro-hungareze u detyrua të tërhiqet nga teritoret e pushtuara të Shqipërisë. Pikërisht, në kohën kur po i afrohej fundi luftës së parë botërore, kah fundi i tetorit 1918 me kërkesën e qeverisë serbe Esat Pasha nga Parisi kthehet në Selanik, me qëllim të futjes së Esatit me mercenarët e tij në Shqipëri, për të punuar për interesat e Serbisë. Në këtë kohë Franca ishte kundër kthimit të Esat Pashës në Shqipëri, prandaj komanda e ushtrisë franceze me kohë kishte marrë masa për shpartallimin e mercenarëve të Esdat Pashës.
Pos Italisë dhe Francës, më 26 tetor 1918 bëhej me dije që edhe Anglia pajtohet me të dy aleatët, që Esat Toptanit të mos i lejohet kthimi në Shqipëri. Madje, u kërkua që të mos dukej as afër kufijve të Shqipërisë. Në këtë situatë, Esat Pasha i humbi shpresat se do të mund të hyjë në Shqipëri dhe përfundimisht kah fundi i dhjetorit 1918 nga Selaniku shkoi (nëpër Shkup) në Beograd, prej nga pastaj kthehet sërish në Paris.
Esat Pashë Toptani mbrojtës i interesave serbe në
Konferencën e Paqes në Paris.
Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore (nëntor 1918) Shqipëria u gjend e coptuar politikisht dhe e pushtuar ushtarakisht. Kështu, në fund të tetorit 1918, forcat italiane, në ndjekje të ushtrisë austro-hungareze, pushtuan edhe Shkodrën dhe u shtrinë në veri e veri-lindje të Shqipërisë, deri në Dri të Zi. Në zonën e Korçës e të Pogradecit qëndruan forcat franceze. Ushtria serbe pasi e ripushtoi Kosovën, aneksoi edhe një pjesë të Dibrës
(Peshkopinë), Lumën, Hasin, Malësinë e Gjakovës e Kelmendin dhe u vendos në të ashtuquajturën “vijë strategjike”. [121]
Më 18 janar 1919 në Paris filloi punimet Konferenca e Paqes, organizuar nga pesë Fuqitë e Mëdha (fituese të LPB-së): SHBA, Anglia, Franca, Italia dhe Japonia, për të përfunduar Traktatin e Paqes me fuqitë tjera të mundura në LPB. Për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Paris shkuan delegacioni i Qeverisë Durrësit, delegacioni i qeverisë së Tiranës i dalë nga Kongresi i Lushnjës, si dhe disa delegacione nga mërgata shqiptare jashtë atdheut. I mbështetur drejtpërdrejt nga Qeveria serbe në krye me Nikolla Pashiqin dhe me përkrahjen e qeverisë franceze, në Paris po qëndronte edhe Esat Pashë Toptani me pretendimin se ishte përfaqësuesi i vetëm legjitim i popullit shqiptar.
Esat Pasha, duke pretenduar se ishte kryeministër i shtetit shqiptar, në vend se t´i mbrojë interesat e Shqipërisë, ai u vu në shërbim të Serbisë, dhe kështu ka vazhduar rrugën e tij antikombëtare të trasuar prej kohësh.
Madje, më 19 prill 1919 në Paris, në cilësinë e kryeministrit, Toptani ka shkruar një memorandum ku shpjegonte arsyet se përse e meritonte këtë pozitë të lartë shtetërore. Sipas Esat Pashës, me të filluar Lufta e Madhe, (kështu quhej atëherë Lufta e Parë Botërore – Sh.B), duke qenë aleat i Serbisë, ai u bashkua me Antantën kundër Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Kur Turqia u fut në luftë për krah Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, u dënua prej saj me vdekje në mungesë. Më tutje, gjatë Luftës së Madhe u shtrëngua të largohej nga Shqipëria së bashku me qeverinë dhe u vendos së pari, në Korfuz e pastaj në Selanik, i shoqëruar nga 600 ushtarë besnikë që u rreshtuan me urdhër të ministrit të Luftës të Francës krahas forcave franceze në Frontin e Lindjes. Atje, për merita të veçanta, kryekomandanti i forcave franceze, gjenerali Sarraj e dekoroi me yllin e Legjionit të Nderit. Lufta tani ka mbaruar. Forcat e Antantës janë fituese ndaj forcave të Bllokut Qendror. Shqipëria radhitet me shtetet fituese e si pasojë, edhe ai, si aleat i Antantës, ka të drejtë të jetë kryetar i qeverisë shqiptare... [122] - shkruan në memorandum Toptani.
Përkujdesja e Nikolla Pashiqit për Esat Pashë Toptanin nuk ka munguar asnjëherë, madje ndihma e tij ka vazhduar edhe gjatë qëndrimit të Esatit në Paris. Këtë fakt e dëshmojnë shumë dokumente arkivore. Nikolla Pashiqi për kontributin e Esat Pashë Toptanit dhënë, në kuadër të Fuqive të
Antantës në Frontin e Selanikut, më 30 janar 1920 i dërgon një letër Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris z.Aleksandër Mileran, i cili ishte edhe kryeministër i Francës.
Krijoni Kontakt