Hetuesi i Kadaresë: Si u fut shkrimtari në dosjen e Mehmet Shehut dhe Llambi Ziçishtit
Ferit Sula,ish-hetuesi i diktaturës që u “fshihet” kujtimeve
Një lojë e vërtetë si macja me miun ishte takimi me hetuesin Ferit Sula. Për ata që nuk e njohin, emri i tij haset jo rrallë në dosjet hetimore të Ministrisë së Brendshme, në hetime të bujshme e më pak të bujshme të kohës së komunizmit. Në arkivin e Ministrisë së Brendshme në kërkim të emrit të tij gjen shumë dosje të tilla. Mes tyre është dhe dosja hetimore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë dhe mjekut të njohur Llambi Ziçishti, i cili u arrestua më 1982 dhe pushkatua në vitit 1983. Së fundmi, dosjes së ish-ministrit që u akuzua si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut, i është shtuar edhe një procesverbal ku i pandehuri Llambi Ziçishti deponon kundër shkrimtarit Ismail Kadare, duke e bërë pjesë të grupit komplotist të ish-kryeministrit të vetëvrarë Shehu. Shumë pikëpyetje janë ngritur pas publikimit të këtij procesverbali. Vërtet hetuesia kishte të dhëna se po përgatitej një komplot i madh që udhëhiqej nga ish-kryeministri Mehmet Shehu, apo psikoza e armikut te dera ishte aq e madhe sa të arrinte deri në fabrikimin e një komploti, duke përfshirë edhe emrin e një shkrimtarit të njohur siç ishte Ismail Kadare?! Kush mund të na zbulonte diçka nga e vërteta e këtij procesverbali më mirë sesa vetë hetuesi Ferit Sula. Ai, në fakt, jeton që prej viti 1992 në Gjermani bashkë me familjen. Para se të largohej, u ul dhe shkroi një artikull te Rilindja Demokratike. Artikulli ishte një lloj mea-cupla e një hetuesi që kishte qenë pjesë e sistemit më të egër komunist në Europë. Sula rrallë herë vjen në Shqipëri dhe në këto vizita të pakta vjen dhe ikën pa rënë në sy. Takon ata pak miq që ka në Pogradec, vendi i tij i preferuar për të kaluar disa ditë pushime në Shqipëri. Akomodohet thuajse gjithmonë në të njëjtin hotel dhe shëtitjet e tij në Pogradec janë shumë të limituara. Kontaktet me të thuajse janë të pamundura. Nuk lë kurrë numrin e tij të telefonit, por të siguron se po t’i lësh tëndin ai do të të marrë vetë (gjë që nuk ndodh asnjëherë). Kështu, e vetmja rrugë për të kontaktuar me të mbetet takimi gjoja i rastësishëm përmes një miku të përbashkët. Në këto rrethana ndodhi dhe takimi ynë me hetuesin Ferit Sula. Ai ishte i ftohtë kur tregonte dhe nuk shfaqte shenja nervozizmi as atëherë kur pyetja provokonte akuzë ndaj tij. Ferit Sula gjatë gjithë kohës fshihej pas harresës. “Kanë kaluar 30 vjet dhe është e vështirë të mbahen mend të gjitha”. Madje në fillim as procesverbalin nuk arrinte ta sillte ndërmend. U kujtua pasi e lexoi disa herë dhe vetëm atëherë filloi të rrëfente rrethanat në të cilat ishte marrë ai deponim. Sipas tij, Llambi Ziçishti mund të jetë i vetmi i pandehur në dhomat e hetuesisë që nuk i është prekur as fija e flokut. “As një sharje nuk i thoje dot atij njeriu që të impononte respekt”- thotë hetuesi Sula. Ai i shmanget thuajse në të gjitha rastet implikimit të emrave konkretë në listat që projektoheshin në pyetje-përgjigjet e dhomave të hetuesisë. Me ftohtësi ai u devijonte edhe pyetjeve rreth “komplotistit” Ismail Kadare, që Llambi Ziçishti e përmend disa herë në procesverbalin e hetuesisë. E njëjta harresë kësaj radhe e ndihmonte në “fshirjen” e imazheve, fjalëve të dëmshme nga fjalia, e fjalive të rrezikshme, e rikthimit tek protagonistët e atij procesi. Rrëfimi i hetuesit sigurisht që nuk arrin të zbardhë shumëçka nga dhomat e hetuesisë së regjimit komunist, aq më tepër ku vetë ai është personazh në ngjarje, por gjithsesi Ferit Sula është zëri që vjen nga skutat më të errëta, ku fabrikoheshin komplote, përpiloheshin listat e pushkatimeve, përndjekjeve e burgosjeve për “armiqtë e popullit”.
Hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ferit Sula, zbulon për herë të parë pas 30 vjetësh se çfarë ndodhte brenda dhomave të hetuesisë së diktaturës. Si përgjohej hetimi nga kupola e regjimit dhe si funksiononte mekanizmi i fabrikimit të komploteve, duke përfshirë emra ish-kryeministrash si Mehmet Shehu, ministrash si Llambi Ziçishti, intelektualë si Todi Lubonja e Fadil Paçrami e shkrimtarë të njohur si Ismail Kadare.
Zoti Sula, në librin e saj “Koha e pamjaftueshme” Helena Kadare ka një pjesë ku publikon për herë të parë një procesverbal nga hetuesia e Llambi Ziçishtit dhe në fund të dokumentit është firma juaj. A e kujtoni këtë procesverbal?
Duhet të shoh dosjen. Nuk e di a ekziston procesverbali me shkrimin e Llambi Ziçishtit.
Ekziston në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Si u hetua ai? Çfarë ju kujtohet nga hetimi, në të cilin Llambi Ziçishti, sipas dokumentit, përmend edhe emrin e Ismail Kadaresë si pjesë e grupit komplotist të Mehmet Shehut kundër Enver Hoxhës?
Kur ne hynim në dhomën e hetimit ishte i pandehuri, siç quhet në gjuhën juridike, dhe hetuesi. Në tavanin e dhomës ishte një kamera që filmonte gjithçka dhe biseda incizohej. Incizimi bëhej në një dhomë tjetër afër me atë ku zhvillohej biseda mes të pandehurit dhe hetuesit. Nëse nga biseda dilte ndonjë fakt apo emër i rëndësishëm, pa na vënë në dijeni në dhomën ngjitur vinte ministri apo zv.ministri ose ndonjë zyrtar tjetër i lartë që ndiqte hetimin në figurë dhe zë. Edhe ne vëzhgoheshim se çfarë pyetjesh bënim, çfarë nuk bënim, biseda që zhvillohej, lëvizjet, pra gjithçka. Edhe ne hetuesit ndodheshim nën vëzhgim…
Si është trajtuar Ziçishti gjatë procesit hetimor? Është ushtruar presion ndaj tij?
Llambi Ziçishti është i vetmi njeri, ndoshta, që nuk është cenuar nga hetuesia. As një sharje nuk është lëshuar në drejtim të tij, jo më të përdorej dhunë apo t’i bëhej presion. Ai të impononte respekt.
Gjithçka që ai ka shkruar në këtë procesverbal, sipas jush, është shkruar dhe firmosur me ndërgjegje të plotë nga ana e tij?
Absolutisht. Ai ka shkruar gjithçka me ndërgjegje të plotë. Se çfarë ka bërë Fiqiret Shehu në atë kohë, unë nuk e di. Për të sqaruar këtë, duhet parë dosja e Fiqiret Shehut, nëse ajo e ka konfirmuar rrëfimin e Ziçishtit apo jo.
Emrat që përmend Ziçishti në këtë hetim, si pjesëtarë të grupit të Mehmet Shehut, janë disa, si Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Bashkim Shehu. Të tre këta, ndërkohë, vuanin dënimin me burg. I vetmi emër që del në këtë hetim, që nuk ishte inkriminuar ende nga regjimi, është ai i shkrimtarit Ismail Kadare. Nuk ju bëri përshtypje kjo gjë?
Unë nuk e kam fiksuar fare këtë proces hetimor e aq më shumë emrin e Ismail Kadaresë.
Si ka mundësi kjo? Kadare nuk ishte emër i panjohur…
Absolutisht nuk i kam kushtuar rëndësi këtij hetimi. Tani që ju ma dhatë ta lexoj më vjen ndërmend ky hetim. Por ky procesverbal mund të jetë lexuar nga shumë njerëz asokohe. E kam fjalën për zyrtarë të lartë që kishin të bënin me proceset hetimore. Mund të jetë lexuar nga zv.ministri Zylyftar Ramizi.
Si ka qenë bashkëpunimi juaj me Zylyftar Ramizin?
Jemi zënë me qindra herë bashkë.
Për çfarë arsyesh?
Tentonin të arrestonin njerëz për të cilët unë nuk bindesha se ishin fajtorë.
A ka të drejtë Kadare të mendojë se me këtë hetim ishte vënë dhe ai në shënjestër dhe se shumë shpejt do t’i vinte radha dhe atij?
Ai të drejtë ka. Por duhet kuptuar se asokohe mekanizmi ishte i tillë; hetimet që bëheshin nga ana jonë kalonin nëpër ingranazhe të tjera, siç ishte Sigurimi me në krye Zylyftar Ramizin. Ata merrnin në shqyrtim dhe verifikonin çfarë thuhej gjatë hetimit nga të pandehurit. Siç thashë, me Ramizin kam patur gjithmonë marrëdhënie jo të mira, aq sa shpesh debati ynë shkonte deri në kërcënime. Në fillimet e demokracisë kam botuar një shkrim te RD-ja ku kam thënë se Lufta e klasave ka qenë shumë e egër dhe se Sigurimi i Shtetit e maste punën e hetuesve me arrestimet që bëheshin.
Ishte si punë me norme do të thuash? Sa më shumë inkriminonit, aq më shumë vlerësohej puna juaj?
Po. Nëse një hetues kishte punuar sipas vijës së partisë, matej me dosjet hetimore të tij.
A ka qenë ky hetim pjesë e ndonjë dosjeje që po përgatitej për Kadarenë?
Kanë kaluar 30 vjet dhe, siç të thashë, nuk e kisha fiksuar fare këtë procesverbal. Po ta kisha gjetur në rrugë këtë letër, me siguri do mendoja se është e falsifikuar, se nuk më ka mbetur në kujtesë. Nuk më ka lënë asnjë mbresë.
Llambi Ziçishti duhet t’ju ketë lënë mbresa besoj… Ai u dënua me vdekje?
Ai po, sepse ishte njeri shumë i kulturuar, i sjellshëm. Me të kisha krijuar disi njohje, sepse në dhomën e hetuesisë ishim vetëm unë dhe ai tek për tek, ndryshe nga Fiqiret Shehu.
Të kthehemi dhe një herë te pyetja nëse po përgatitej dosja e Kadaresë…
Ne si hetuesi as që na shkonte mendja të hartonim dosje të tilla. Nëse ka, ato i përgatiste Sigurimi i Shtetit.
Emri i tij doli vetëm gjatë hetimit të Ziçishtit?
Po, po, vetëm aty. Por edhe për këtë nuk mund të hapej çështje, sepse Ziçishti e kishte informacionin nga burim tjetër, që ishte Fiqiret Shehu. Por edhe sikur ai të ishte burim direkt, sërish do të merrej me rezerva.
Përse do të merrej me rezerva? Nuk u ballafaquan thëniet e tij me Fiqiret Shehun?
Si rregull, duhet të jetë bërë ballafaqimi. Duhet kërkuar në arkiv. Ka gjëra që nuk mund të fshihen, si për shembull gjyqi i Llambi Ziçishtit, një gjyq publik, ku njerëzve u janë shpërndarë ftesa për ta ndjekur. Në libër Helena thotë se ai është dënuar pa gjyq, por kjo nuk është e vërtetë. Ka incizime, filmime dhe dosje që nuk mund të fshihen.
Ky hetim nga kush është vëzhguar?
Po, e kanë ndjekur dhe të tjerë. Të gjitha dëgjoheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe ata merrnin nga hetimi çfarë u interesonte.
Po kanë emra këta persona?
Ju thashë dhe një herë që kanë kaluar shumë vite dhe, siç jua përmenda, nuk i kam kushtuar rëndësi këtij hetimi. Nuk mbaj mend detaje. Por di të them se Helena në këtë libër mua më ka akuzuar pa të drejtë.
Procesverbal i pyetjes sË tË pandehurit
Tiranë, më 24.9.1982
Unë, Ferit Sula, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, rimora në pyetje të pandehurin Llambi Ziçishti.
Pyetje: Vazhdo i pandehur të shpjegosh se cilët janë personat e tjerë, që tradhëtari Mehmet Shehu, i ka marrë në shërbim të punës tuaj armiqësore.
Përgjigje: Mehmet Shehu që drejtonte grupin tonë armiqësor, kishte parashikuar, që përveç sektorëve të tjerë, që unë kam shpjeguar më parë, të godiste vijën e Partisë edhe në art e letërsi. Kështu, në një nga bisedat e shumta armiqësore që kam bërë me Fiqret Shehun, kam mësuar se në këtë drejtim kishte përpunuar me detyra edhe Ismail Kadarenë. Konkretisht, për këtë person, unë do të shpjegoj ato gjera që më ka treguar Fiqret Shehu.
Po bisedonim në një rast me Fiqret Shehun në shtëpinë e saj, për filmin shqiptar “Skëterrë ‘43”, ku skenarist ishte djali i saj Bashkim Shehu. Fiqreti më tregoi se edhe Ismail Kadareja ishte prej kohësh në pozicion armiqësor. Përpunimin e tij, më tha ajo, e ka bërë Todi Lubonja, me të cilin Ismaili kishte shoqëri të ngushtë dhe pasi Todi Lubonja me Fadil Paçramin u zbuluan nga Partia për veprimtarinë e tyre kundër saj, Ismail Kadareja ishte marrë në mbrojtje nga Mehmet Shehu, duke e paraqitur Ismailin si viktimë të tyre. Ky është momenti, më ka thënë fiqret Shehu, që u shfrytëzua për ta vënë Ismail Kadarenë në shërbim të punës tonë. Pastaj Fiqreti më ka treguar se Ismail Kadareja ishte porositur që të godiste vijën e Partisë në letërsi dhe në art, duke shkruar tregime e romane me dykuptime, nganjëra anë të dukej se mbronte e zbatonte vijën e Partisë, ndërsa nga ana tjetër, pa dalë hapur, ta godiste atë.
Gjithashtu, Ismail Kadareja ishte ngarkuar që të punonte sa më shumë me shkrimtarët dhe artistët e rinj e gradualisht t’i përpunonte ata e duke bërë sa më shumë të tillë, të formonte një rrymë liberale disidentësh, që do të përdoreshin kur të vinte koha. Për ta pasur më afër Ismail Kadarenë, më ka thënë Fiqret Shehu, është porositur djali i tyre Bashkim Shehu, që të krijonte shoqëritë ngushtë me të dhe t’i justifikoheshin plotësisht hyrjet e daljet e tij të shpeshta në shtëpinë tonë. Në një rast, më ka treguar ajo, kishte qenë edhe vetë e pranishme, kur Mehmet Shehu kishte biseduar me Ismail Kadarenë. Në këtë rast, Mehmeti e porositi Ismailin që të punonte me kujdes dhe të mos dilte hapur kundër vijës së Partisë, sepse kështu rrezikonte veten. Realizmit socialist, i tha Mehmeti, po i kalon koha dhe së shpejti do të vijë dita që shkrimtarët dhe artistët t’i shprehin gjerat hapur dhe pa ndrojtje, atëherë dhe letërsia dhe arti te ne, do të përparojnë dhe do të pëlqehen edhe nga bota e jashtme. Kjo, i tha Ismailit, Mehmet Shehu, do të bëhet kur të ndryshojë sistemi politik në Shqipëri.
Këto janë disa nga momentet e veprimtarisë armiqësore, që më kujtohen se ka kryer Ismail Kadareja, për të cilat, siç shpjegova më sipër, m’i ka thënë Fiqret Shehu.
Procesverbalin e shkrojta vetë dhe thëniet i vërtetoj me firmën time.
I pandehuri Hetuesi
Llambi Ziçishti Ferit Sula
(firma) (firma)
Kush është Ferit Sula
Ferit Limon Sula, lindur më 1 janar 1942 në Batër të Burrelit.
Në radhët e PPSh-së kishte kushëririn e parë Selim Sulën, Hysen Dedën dhe dajën Sul Domi. Babai kishte qenë partizan.
Shtresë e varfër, kanë pasur një shtëpi, 3 dynym tokë dhe 20 kokë bagëti.
Më 1949 – 1945 kryen filloren në Batër.
Më 1953 – 1956 uniken në Burrel.
Më 1958 – 1960 të mesmen në Kavajë.
Më 1960 – 1961 centralist në Shkopet.
Më 1961 – 1964 ndjek kursin e shkollën së MPB-së të policisë.
Më 1964 – 1966 shef i policisë në postën e policisë Bulqizë.
Më 1966 – 1967 i plotfuqishëm i policisë.
Më 1967 – 1971 hetues në Degën e Punëve të Brendshme Dibër.
Më 1971 – 1974 kryehetues në Degën e Punëve të Brendshme Dibër.
Më 1974 – 1978 zv.shef i hetuesisë në Degën e Punëve të Brendshme, Pogradec.
Më 1978 – 1983 oficer drejtimi i parë i Degës së Parë të Drejtorisë së Hetuesisë në MPB.
Më 1983 zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Hetuesisë në MPB dhe kryetar i
Degës së Parë.
1983 – 1991 hetues civil.
Më 1982 – 1983 ndjek shkollën e partisë “V.I. Lenin” pa shkëputje nga puna
Aida Tuci - MAPO
Krijoni Kontakt