Dedikuar miqve dhe sidomos armiqve të historisë shqiptare

ÇËSHTJA E ALEATËVE TË LËVIZJES KOMBËTARE NË PERIUDHËN E LIDHJES SË PRIZRENIT



Thoma Murzaku

Zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në kuadrin e ngjarjeve që po ndodhnin në Ballkan në kohën e Krizës Lindore të viteve '70 të shekullit XIX, kryhej në kushte kur populli ynë ishte i detyruar të ndeshej krahas me armikun shekullor, Perandorinë Osmane, edhe me armiq të tjerë të fuqishëm që synonin copëtimin e trojeve shqiptare.
Përballimi i një situate të tillë shtroi për zgjidhje para lëvizjes sonë kombëtare disa probleme që kishin lidhje me përpunimin e një strategjie politike të tillë, që të merrte parasysh raportin e forcave në arenën ndërkombëtare, për të arritur plotësimin e aspiratave çlirimtare të popullit shqiptar.
Ngjarjet ndërkombëtare e ballkanike sollën me vete ato rrethana që e detyruan popullin shqiptar ta zhvillojë luftën për çlirimin kombëtar në kushte shumë të vështira; i vetëm, kundër një koalicioni forcash i cili, me gjithë kontradiktat në gjirin e tij, mbante një qëndrim mohues e armiqësor ndaj çështjes shqiptare.
Në këtë situatë problemi i sigurimit të aleatëve eventualë për lëvizjen shqiptare nuk gjente kushte të favorshme, por sidoqoftë mbetej detyrë për udhëheqësit e kësaj lëvizjeje që të kërkonin rrugë për të siguruar rrethana sa më lehtësuese në këtë luftë shumë frontesh.
Ata nuk kishin iluzione por niseshin nga vlerësimi i mundësive objektive.Në vitet e Krizës Lindore (1875—1881) kur shqiptarët i gjejmë me armë në dorë në luftë kundër sunduesit osman, armikut të përbashkët të të gjithë popujve të Ballkanit, u bënë disa përpjekje për të vendosur lidhje me shtetet fqinje, me qëllim që të arrihej në një bashkëpunim ushtarak. Në vitin 1876 u zhvilluan bisedime midis përfaqësuesve të një komiteti patriotik që vepronte asokohe në Shkodër dhe Malit të Zi për vedosjen e lidhjeve, bisedime që u shoqëruan me aktivizimin e luftës së malësorëve shqiptarë kundër Turqisë.
I nisur nga i njëjti qëllim Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që ishte krijuar në Stamboll, zhvilloi bisedime me përfaqësues të Qeverisë Greke gjatë vitit 1877 e në fillim të 1878-ës. Por lidhjet e drejtpërdrejta, si me Greqinë ashtu edhe me Malin e Zi, jo vetëm që nuk u zhvilluan më tej, por u kthyen në të kundërtën e tyre, në konflikte të hapura sepse ato shtete nuk donin t'i njihnin shqiptarët si aleatë, por si të nënshtruar.
Të njëjtin fat pati edhe përpjekja për një aleancë shqiptaro-greke që u bë në vitin 1881, përpjekje që u përdor nga Athina si mjet presioni kundrejt Turqisë e Fuqive të Mëdha, pa pasur aspak ndërmend të respektonte zotimet që kishte marrë për ruajtjen e integritetit tokësor e njohjen e shtetit shqiptar.
Kontaktet midis Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e qarqeve qeveritare ballkanike, ishin rrjedhim i vlerësimit që i bëhej faktorit shqiptar, si faktor ushtarak i rëndësishëm dhe kjo shpjegon faktin pse ata donin t'i tërhiqnin shqiptarët në kombinacionet e tyre politike, por këto kontakte u zhvilluan në kushte kur atyre nuk iu njihnin të drejtat si komb.
Pra ishte politika ekspansioniste e qarqeve sunduese shoviniste të monarkive ballkanike fqinje të Greqisë, Malit të Zi e Serbisë ndaj tokave shqiptare që e bëri të pamundur vendosjen e lidhjeve të qëndrueshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me këto shtete, ndonëse objektivisht ekzistonin mundësi për realizimin e tyre.
Vënia në ankand e trojeve shqiptare, në fillim nga Rusia nëpërmjet Traktatit të Shën Stefanit, që e cungonte territorin e Shqipërisë në favor të Bullgarisë, Malit të Zi e Serbisë dhe pastaj nga të gjitha Fuqitë e mëdha evropiane nëpërmjet Traktatit të Berlinit, u dha mundësi qarqeve shoviniste të monarkive ballkanike të thellonin edhe më shumë politikën e tyre antishqiptare.
Qeveritarët e shteteve fqinje i quanin përfitimet territoriale që arritën në Berlin vetëm si pikënisje pushtimesh edhe më të mëdha në drejtim të trevave shqiptare, në rastin e prishjes së afërt të Perandorisë Osmane.
Mbështetur në vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit, sunduesit e Malit të Zi kërkonin territore jo vetëm më shumë nga ç'kishin pushtuar ushtarakisht, por shkonin aq larg sa që kufirin jugor të tij e shtrinin deri në lumin Drin, duke përfshirë krejt tokat midis Adriatikut e Gjakovës.
Qarqet shoviniste serbe, duke sjellë „argumente historike" pretendonin të realizonin ato aspirata aneksioniste që nuk i arritën as në Shën Stefan e as në Berlin: të shtinin në dorë Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, Dibrën dhe krejt Maqedoninë.
Greqia nga ana e saj, duke luftuar për realizimin e „Idesë së madhe" dhe duke u mbështetur gjoja në argumente historike e fetare, synonte të pushtonte Shqipërinë e Jugut, pa të cilën „helenizmi" deklaronin politikanët grekë, nuk do të ishte në gjendje të përballonte presionin sllav në Ballkan.
Në kushtet e këtij rreziku, kur Shqipëria po cungohej, populli shqiptar i udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit u detyrua të bënte një luftë për jetë a vdekje për mbrojtjen e tërësisë territoriale, për të garantuar ekzistencën e vet si komb jo më duke u drejtuar vetëm kundër armikut të parë, Perandorisë Osmane, por edhe kundër këtij fronti tjetër, rrezikut të copëtimit. Me plot të drejtë Dimitër Tucoviqi, një nga udhëheqësit më të njohur të lëvizjes punëtore serbe të fillimit të shekullit XX, duke përshkruar gjendjen e rëndë të popullit tonë në këtë kohë thekson se „shqiptarët u gjetën në mes të kudhrës e çekiçit, në mes të Turqisë, kundër zgjedhës të së cilës luftuan, dhe shteteve të vogla të Ballkanit që u sollën një zgjedhë të re".
Megjithatë, edhe në çastet jashtëzakonisht të vështira në të cilat ndodhej Lëvizja Kombëtare Shqiptare, ku kishte filluar pushtimi i tokave shqiptare, nuk munguan përpjekjet e thirrjet për t'u lidhur me fqinjët, të cilëve shqiptarët u njihnin të drejtat e tyre për të formuar shtete më vete, për të kryer bashkimin kombëtar. „Që popullsitë sllave të formojnë një ose më shumë shtete autonome, thuhej në memorandumin e 13 qershorit 1878 drejtuar kryeministrit të Anglisë Bikonsfild, është e drejtë dhe një politikë e mirë. Por është gjithashtu e drejtë... që shqiptarëve t'u konfirmohet dhe t'u njihet pavarësia e tyre". Në thirrjen e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, më 30 maj 1878 thuhet: „Ne dëshirojmë me gjithë zemër të jetojmë në paqe me mbarë fqinjët tanë, Malin e Zi dhe Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Ne nuk duam dhe nuk kërkojmë asgjë prej tyre, por jemi krejt të vendosur që të mbajmë atë që është jona".
Këto thirrje e angazhime të shpallura botërisht e të përsëritura në mjaft dokumente të tjera të mëvonshme të Lidhjes, ajo i respektoi pa asnjë lëkundje.
Me këtë qëndrim të vetin të parët tanë shprehën respektin e tyre ndaj popujve të tjerë dhe njëkohësisht vendosmërinë e patundur për të mbrojtur tokën amtare nga shovinistët fqinjë, të cilët iu përgjegjën këtyre ndjenjave e thirrjeve të shqiptarëve me pushtimin e trojeve, me masakrimin e dëbimin në masë të popullsisë.
Në kundërshtim me këtë qëndrim të sundimtarëve shovinistë, qarqet përparimtare ballkanike shprehën simpatinë e përkrahjen e tyre për luftën e drejtë që bënin shqiptarët. Gazetat serbe me tendenca përparimtare që botoheshin në këto vite jepnin gjykime të drejta për qëndresën e popullit shqiptar.
Gjendja ekzistuese në Ballkan gjatë kësaj kohe e bëri qëndresën shqiptare të udhëhequr nga Lidhja një faktor pozitiv që krijonte mundësi reale për zgjerimin e vatrave kryengritëse edhe në vise të tjera, e veçanërisht në Maqedoni. Përpjekjet e Lidhjes së Prizrenit në këtë drejtim nuk munguan, por megjithatë, me përjashtim të disa kontakteve e aksioneve të veçuara, rezultate të tjera nuk u arritën.
Udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit, duke qënë njohës të hollë te politikës së Fuqive të Mëdha, duke njohur mirë qëllimet politike të të gjitha forcave europiane që kishin interesa e vepronin aktivisht në ngjarjet e Ballkanit të kësaj periudhe, u përpoqën të vendosin gjithashtu kontakte me ato shtete, të cilat, duke u nisur nga interesat e tyre, mund të përkrahnin në momente të caktuara lëvizjen shqiptare.
Drejtuesit e Lidhjes Shqiptare e kuptonin qartë se qeveritë e Fuqive të Mëdha qëndronin përballë Shqipërisë si forca armike, të cilat në asnjë rast nuk i morën parasysh kërkesat legjitime të shqiptarëve, prandaj nuk ushqyen iluzione se ato mund të bënin ndonjë gjë për Shqipërinë. E megjithate, dihet se Lidhja iu drejtua shpesh herë qeverive të Fuqive të Mëdha me memorandume, thirrje e protesta, por këtë, siç del nga leximi me kujdes i këtyre dokumenteve, ajo e bëri në radhë të parë për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik e të diplomacisë europiane mbi problemin shqiptar dhe për t'u bërë të qartë atyre se populli shqiptar ishte i vendosur të luftonte deri ne pikën e fundit të gjakut për të mbrojtur të drejtat e tij.
Rilindasit tanë të mëdhenj, duke vepruar me mençuri, tejpamësi e shkathtësi politike, u përpoqën të përfitonin nga kontradiktat që ekzistonin midis Fuqive të Mëdha për të gjetur ata faktorë, për të shfrytëzuar ato momente, të cilat mund të shërbenin në të mirë të çështjes shqiptare.
Të nisur pikërisht nga interesat e kundërta që kishin në Ballkan Anglia me Rusinë, qarqet patriotike shqiptare u përpoqën të sigurojnë përkrahjen e të parës për të penguar realizimin e politikës antishqiptare të carizmit rus. Dihet se Anglia, si fuqi e madhe detare, nuk mund të lejonte kurrsesi që Ballkani të binte nën sundimin apo kontrollin rus dhe Rusia të dilte në Mesdhe. Politika angleze, për të ndaluar depërtimin rus në këto zona, u pa nga këto qarqe si një faktor që mund të shfrytëzohej në interes të lëvizjes shqiptare. Me anën e memorandumit të 13 qershorit 1878 dërguar kryeministrit anglez, lordit Bikonsfild, shqiptarët, pasi i bëjnë një analizë situatës në Shqipëri e në Ballkan, kërkojnë përkrahjen e qeverisë angleze, që ajo të marrë iniciativën për të shtruar e zgjidhur në favor të shqiptarëve Çështjen Shqiptare në tryezën e bisedimeve, në Kongresin e Berlinit.
Patriotët shqiptarë të Stambollit iu drejtuan Andrashit, Ministër i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, duke kërkuar për krahjen diplomatike të Vjenës. Udhëtimi i delegacionit të Lidh-jes nëpër Evropë, në vitin 1879, synonte gjithashtu që, nëpërmjet bisedimeve të drejtpërdrejta me krerët e diplomacisë evropiane, të manovronte në lëmshin e kontradiktave midis tyre, për të gjetur eventualisht përkrahës të kërkesave shqiptare.
Por edhe kjo veprimtari e shumanshme e Lidhjes Shqiptare nuk mundi të sigurojë përkrahje as në arenën ndërkombëtare për të realizuar programin e saj. Asnjë nga Fuqitë e Mëdha evropiane nuk i përfilli kërkesat e shqiptarëve dhe nuk e llogariti faktorin shqiptarë në politikën e vet ballkanike, sepse ai nuk hynte në kombinacionet e tyre politike në lidhje me gjendjen në Ballkan. Anglia nuk donte ta dobësonte më tej Turqinë, duke i shkëputur asaj Shqipërinë, ndërsa Austro-Hungaria nuk donte një zgjidhje që do ta zhvleftësonte hipotekën që ajo kishte krijuar mbi viset shqiptare me daljen e saj nëpërmjet Sanxhakut deri në portat e
Mitrovicës.
Në fund të fundit Shqipëria u trajtua prej Fuqive të Mëdfia si plaçkë tregu, si monedhë këmbimi për të kënaqur klientelën e vet, monarkitë ballkanike, që do t'u shërbenin si mbështetje për të qenë në çdo rast të pranishëm në Ballkan, në një nga zonat më strategjike të Evropës.
Një politikë të tillë konsekuente antishqiptare ndoqi veçanërisht Rusia, e cila nëpërmjet krijimit të Bullgarisë së Madhe në lindje të Ballkanit, dhe zgjerirnit të Malit të Zi në perëndim të tij, shtrinte në fakt kthetrat e veta thellë në tokat shqiptare dhe siguronte njëkohësisht baza të forta në Egje dhe në Adriatik, për të realizuar planet e veta hegjemoniste në Evropën Juglindore në të ardhmen. Rusia doli si faktor kryesor negativ i çështjes shqiptare në këto vite edhe në rastet e tjera kur janë shqyrtuar problernet ballkanike.
Fuqitë e Mëdha, duke mos e shtruar çështjen shqiptare si një çështje më vete e në mënyrë tërësore, në tryezat e bisedimeve diplomatike në Berlin e gjetkë, u detyraan të merren me të vetëm të shtrënguar nga lufta e armatosur e popullit shqiptar të udhëhequr nga Lidhja, që kundërshtonte me vendosmëri zbatimin e vendimeve të padrejta të tyre. Në këto raste çështja shqiptare nuk u zgjidh asnjëherë në të mirë të popullit shqiptar, por në prizmin e interesave të vetë fuqive.
Edhe e ashtuquajtura kthesë për një qëndrim më realist ndaj problemit shqiptar, e bërë nga Anglia në vitin 1880, ishte në të vërtetë një manovër diplomatike që i nevojitej politikës angleze në këtë kohë dhe që i shërbeu asaj, si për konsum të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Aksioni i diplomacisë angleze, që shpalli nevojën për një autonomi shqiptare, i shërbeu asaj për të shuar qëndresën e shqiptarëve, vazhdimi i së cilës nuk përputhej aspak me interesat e Londrës.
Interesimi i fuqisë tjetër, i Austro-Hungarisë, për çështjen shqiptare, ishte i lidhur vetëm me përpjekjet e saj për të përgatitur kushtet për një pushtim të ardhshëm të Shqipërisë, për t'i përdorur shqiptarët si një rezervë, kundër sllavëve. Siç del qartë, Austro-Hungaria tashmë kishte hequr dorë përfundimsiht nga mendimi që pat shprehur më 1876 e 1877 për krijimin e një shteti autonom shqiptar në rastin e prishjes së Turqisë. Prandaj ajo ishte e interesuar ta shuante atë vatër të qëndresës së armatosur që ishte krijuar në Shqipëri.
Në këtë mënyrë Lidhja udhëhiqte luftën e armatosur të popullit shqiptar duke u ndodhur e vetme përballë presionit të madh ushtarak dhe politik të Turqisë së sulltanëve. Por edhe në këto rrethana, duke u mbështetur në traditat luftarake dhe në vendosmërinë e patundur të popullit shqiptar, Lidhja e Prizrenit i doli me ndërgjegje vetë për zot çështjes së kombit, e mbajti lart flamurin e luftës për një Shqipëri të lirë të pandarë, duke shkruar një nga faqet më të lavdishme në historinë e popullit tonë.