JORGO TELO


Jorgo Telo është lindur në Konckë të Zagorisë (Gjirokastër), më 6 janar 1945. Ka mbaruar shkollën e lartë për gjuhë – letërsi – histori dhe ka shërbyer si mësimdhënës në shkolla tetëvjeçare e të mesmën e krahinës. Njëkohësisht është marrë me punën kulturore e folklorike gjithë kohën e veprimtarisë së vet deri edhe detyrën e përgjegjësit të kulturës në krahinën e Zagorisë.
Krahas krijimatrisë në poezi e prozë për të rritur, Jorgo Telo ka botuar katër vëllime për fëmijë e ky është i pesti. Ka botuar 14 libra, nga të cilët 4 për fëmijë.

Botimet për fëmijët të autorit Jorgo Telo:
“Babushi dhe Dikushi” (poemë, rrëfenja në vargje) – 1999
“Babi keq mos të të vijë!” (poezi për fëmijë) – 1999
“Kush e gjen, “Të lumtë!” – i them” (Gjëegjëza) – 2007
“Sfidanti legjendar” (poemë) – 2005
“Bulëza dhe gogëlza” (Vjersha për parashkollorë) - 2010


KUR U LINDA

“Kur të lindi mami
(Më tregon gjyshja)
përmatanë xhamit
Rrinte dallëndyshja.”

Ajo qe e para
Dëgjoi qarjen time.
Ajo qe e mbara;
Ndaj rroj me gëzime.

Tani që u rrita,
Jetën e shoh ndryshe.
Dua rreth shtëpisë
Të vinë dallëndyshe.

DUART E MIA

Sa isha i vogël,
siç thotë teta Selvia,
i merrja për lodër
të dy doçkat e mia.

Kur doja qumësht të pija,
në gojë i fusja të dyja.
Qysh bebe nisën qortimet
Nga babi e gjyshja ime…
Tani s’jam më çilimi.
Si të tjerët ha e pi.

BUQETËZA ME LULE

Paqësisht më pret natyra,
Si të jem e mira bletëz.
Zgjedh nga lulet më të mira
Dhe me to pleks një buqetëz.

Plot gëzim vrapoj te nëna
E buqetëzën ia jap.
I shpreh fjalët më të ëmbëla.
Porsi bleta kur jep mjaltë.

O ç’gëzim i madh për prindëritt,
Kur fëmijët janë të mbarë!
Ç’fat i madh për ne fëmijët
kur nderojmë mëmën, babanë!

MIQTË E SHTËPISË

Sa herë na vijnë disa miq,
tek unë e hedhin vështrimin.
Më japin rrush edhe fiq,
pastaj nga pyetjet nisin:
Pyesin, me radhë, pa radhë;
Kujt t’i përgjigjem më parë?!

“Pa na thuaj, o shpirt,
kë ke xhan më shumë:
Mamin apo babin?
E çfarë t’u them unë?
Dhe u flas:
“Uaa, sa çudi!
Unë prindërit e mi
i kam xhan që të dy…!”

KUJTIMET

Nuk mbaj mend ,si jam rritur
e në këmbë si jam ngritur.

Po nuk mbushen katër vitet,
zor se mbahen mend
kujtimet…

Sot që di shkrim e lexim
Rri, mendoj për fatin tim…
A do jem, kur të jem rritur,
Siç janë prindërit shumë të ditur?

FJALËT E PARA

Tani ne jemi kopshtarë.
Vjet në çerdhe ishim “bebe”.
“Maa!” e “baa!” – folëm më parë.
Më pas emrat e të tjerëve.

O sa fjalë mësojmë përditë!
Gjuha jonë mban gjithë stolitë…
Kur flas unë e kur flet ti,
Na dëgjojnë me dashuri.
Kur përdorim fjalë të rënda,
S’na dëgjojnë as gjyshja as nëna.

ËNDRRAT

Sapo më del gjumi,
ngrihem, rri i heshtur.
Porse kohët e fundit
jam zgjuar i qeshur.
Nga që gjumin kam të lehtë,
më vjen mami qetë –qetë.

Diç më thotë, duke më puthur:
“Do kesh parë ëndërr të bukur…”
- Si e pe ëndrrën e bukur? –
Pyesin gjyshi dhe gjyshja.
- M’u duk vetja si një flutur
e me krahë po shetisja…
- Kur dëgjon babanë, nënën,
e mbarë të vjen çdo ëndërr.
Ëndrrat që më pëlqejnë fort,
i tregoj e qesh me lot.
Ëndrrave që trembin gjumin,
asnjëherë s’ua di fundin.

LODRAT

Lodrat lloje – lloje i kam në shtëpi.

Në kopsht s’numërohen.
Lëre - ç’mrekulli!
Kuvendoj me to.
Me to qaj e qesh.
S’i hedh dosido;
I pastroj më shpesh.