Odhise Grillo


Odhise Grillo ka lindur në Vuno të Himarës në 1933. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës më 1962. Ndërkaq, ai ka punuar edhe para se të diplomohej, si gazetar në organe të shtypit. Eshtë dalluar si poet dhe prozator për të vegjlit dhe ka botuar një numër të madh vëllimesh.
Ka krijuar në prozë, në poezi, në dramaturgji e në kritikën letrare dhe ka marrë me dhjetra cmime kombëtare. Ndër veprat e tij më të njohura janë: "Ai që mundi perandorinë", "Balada e burrave të Vunoit", "Balada e lirisë" (poema), "Një zog e një lule", "Zërat e fëmijërisë" (përmbledhje me vjersha), "Njeriu i nates", "Pushkë në bregdet" (novela), "Camcakëzi", "Një njeri u bë majmun", "Përtacukët" (poema humoristike), "Historia e Skënderbeut", "Lahuta e malsisë", "Tradhti në sarajet Topiase", "Don Kishoti i Mancës" (romane sipas veprave të N. Frashërit, Gjergj Fishtës, Jeronim De Radës e Servantesit, përshtatur për fëmijë) etj.


Kryefjala e Fjalëve

I mora A-në atit,
në të ishte dhe nëna,
i mora T-në tokës,
në të ishte dhe zemra,
i mora D-në detit,
në të ishte dhe qielli,
i mora H-në hënës,
në të ishte dhe dielli,
i mora E-në erës,
në të ishte dhe shiu,
i mora U-në ujit,
në të ish dhe njeriu...
I lidha të gjitha bashkë
dhe si ylber shkëlqeu
e para kryefjalë
e fjalëve:
ATDHEU!

Ç'ëndërrojnë vogëlushët

Ç'ëndërrojnë vogëlushët,
që shëtisin rrëzë malit?
Eh, të kishim për qeleshe
pak nga bora e Korabit.

Ç'ëndërrojnë vogëlushët
që po lozin në lugina?
Eh, të kishim ne në faqe
portokallet që ka Vrina.

Ç'ëndërrojnë vogëlushët,
që mrizojnë rrëzë bjeshkës?
Eh, të kishim ne për sytë
pak nga ujërat e Prespës!

Ç'ëndërrojnë vogëlushët,
që shtegtojnë pas kopesë?
Eh, t'i kishim ne këmishat
porsi fusha e Myzeqesë!

Ç'ëndërrojnë vogëlushët,
që po ngjiten majë kodrës?
Eh, t'i kishim ne fustanet
si qilimat e Kosovës!

Blerta na harroi gërshetat

Nëna dhe babai
na e pyesin:
- Blertë,
Çfarë vizatove
përmbi atë fletë?

- Vizatova veten,
a nuk e shikoni?
Ju jeni të rritur
si nuk e kuptoni?

-Po ç'ke ngatërruar
bletë edhe qershi
flutur e kalem
mollë dhe kuti?

Jo asgjë, asgjë
nuk kam ngatërruar,
në fletore veten
unë kam vizatuar!

Po habitet nëna
babai bën çudi...
- Ti nuk je kalem,
ti nuk je kuti!

Mollë edhe qershi
ti nuk je, moj Blertë,
pastaj këtu ç'duan
një flutur,
një bletë?

- Jua thotë gjyshja
pritni kur të vijë...
- Kur s'e dimë ne
gjyshja s'mund ta dijë!

- Jo e di, e di!
Gjyshe moj, vrapo,
se ç'kam vizatuar,
eja na trego.

Ja ku erdhi gjyshja,
vizatimin pa...
- Kjo këtu është Blerta! -
prindërve u tha.

Se, kur afron mbrëmja
edhe do të flerë,
i këndoj një këngë,
që gjumi ta zerë.

Gjumi mbi qepalla
vete edhe vjen
unë, një këngë, mbesës
nis edhe i them:

"I ke faqet mollë,
sytë si qershi
hundën si kalem,
gojën si kut".
Pa, i them: "Je bletë"
Pa i them: "Je flutur",
se është punëtore,
sepse është e bukur.

Pra në vizatim
është vetë Blerta
veçse ka harruar
të bëjë... gërshetat!

Në fletoren ku ti shkruan


Në fletoren ku ti shkruan
zë e ndihet një sëpatë...
Ai zë është i druvarit,
që rend pyllit nëpër natë.

Në fletoren ku ti shkruan
zë e cicërin një zog...
Ai zë është i bilbilit
që me lisin ishte shok.

Në fletoren ku ti shkruan
ndrit një rreze përmbi flete...
Është rrezja diellore
që e mbante lisin në jetë.

Në fletoren ku ti shkruan
gurgullima uji nisin...
Ai zë është i burimit
ku ka shuar etjen lisi.

Në fletoren ku ti shkruan
pena nis cijat patjetër...
Është zëri i fabrikës
që e bëri lisin letër.

Iku lisi që nga pylli
dhe fletore na u bë...
Prandaj ndihet një zë sëpate,
ndaj këndon një zog në të,
ndaj një rreze nis shkëlqen
edhe zbardh si dëborë,
prandaj pena nis këndon
për druvarë e punëtorë.

Ndaj burimi gurgullon
rrëzëllejne pika djerse...
Në fletoren ku ti shkruan
ja pse ndihen zëra jete!