Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1

    Naim Frashëri (Letërsi për fëmijë)

    Naim Frashëri


    Figura qëndrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit, është Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur "Zosimea". Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjtër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.
    Gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.
    Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizerenitmë 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë "Shqipëria", në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar.
    Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm në vitin 1886 ai botoi veprat "Bagëti e Bujqësia", "Vjersha për mësonjtoret e para", "Histori e përgjithshme" dhe poemën greqisht "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve", "E këndimit çunavet këndonjëtoreja". Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht "Tehajylat" (Ëndërrimet) më 1888 botoi "Dituritë", më 1890 "Lulet e verës", më 1894 "Parajsa dhe fjala fluturake", më 1898 "Historia e Skënderbeut" dhe "Qerbelanë" dhe më 1889 "Historia e Shqipërisë". Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun dhe me brengën që s'e pa dot të lirë.
    Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostulin e shqiptarizmës, poetin e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin e shprehu bukur elegjia e Çajupit, që niste kështu:
    Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
    moj e mjera Shqipëri,
    mendjelarti, zemërtrimi,
    vjershëtori si ai.



    Poezi për të vegjëlit nga Naim Frashëri


    Të vegjëlit

    Lerini gjithë të vijnë
    të vegjëlit pranë meje.
    Ah! mos i bëni të qajnë,
    kurrë të mos mallëngjehen,
    sytë ulur të mos i mbajnë
    dhe të meken e të ndehen,
    po të qeshin, të nxitojnë,
    të bredhin e të gëzohem,
    të prehen e të këndojnë
    e kurrë të mos mendohen.
    Më të vjen keq t'u mardhë dora
    e faqëza bukuroshe,
    kur bie e shkreta dëbora,
    dhe këmbëza vogëloshe.
    Më k'ënda t'u mbaj në duar...
    ................................................
    N'atë sy kurrë mos shtjerë
    lotin e hidhur e të shkretë
    dhe mos e lerë të bjerë,
    po falu në buzët gaz
    dhe në sythit bukurinë,
    e rriti cazë nga cazë
    duke u dhënë urtësinë.
    Epu jetëzën e gjatë
    edhe mos i lerë kurrë
    pa mëmëzë e pa atë
    dhe në brengë e të sëmurë.
    S'mund t'i shohë të mallëngjyer
    a të varfër e të mjerë!
    Dhe të grisur e të shqyer
    kurrë, kurrë mos i lerë!
    Falu gjithë mirësitë,
    të rrojnë me nder në jetë,
    të mësojnë dituritë,
    të bëhen të vërtetë
    të ndërtojnë mëmëdhenë,
    vlerat t'ia lartësojnë,
    mbi gjithë botën ta ngrenë,
    si lule ta zbukurojnë!

    Maçoku dhe minjtë

    Tregojnë se një maçok
    ish i fortë sa s'kish shok,
    kur dilte të gjatonte,
    asnjë mi nuk' i shpëtonte,

    minjt' e gjorë desh u shuan,
    ca të pakët që shpëtuan,
    në vrimë rrinë të tërë
    nga frika se mos i zërë,

    maçi përgjon nat' e ditë,
    po s'dalin nga vrima mintë,
    rrinë ndënë prak.
    Po për këtë shkak,

    maçi, një mëngjes,
    shtiret sikur vdes
    dhe në një litar
    nga këmbët u var,

    as tundet, as flet,
    mitë, me të parë,
    pandejnë vërtet
    se, maçokn' e kanë vrarë,

    Në dhomë, guxojnë
    qasen mengadale,
    nga gazi këndojnë
    dhe kërcejnë valle,

    i vdekuri qeshi,
    (u ngjall si Lazari)
    dhe ra nga litari,
    zuri minj sa deshi,

    ata që shpëtuan
    me vrap u larguan.
    "Tekdo që të vini,
    thosh maçi me vete,

    shpëtim nukë kini
    se di marifete,
    di të them të rreme,
    di të bëj llagëme."-

    Maçi një të diel.
    U lye me miell.
    Minjtë këtë dhunë,
    Nuk' e kupëtuan

    dhe ju afruan,
    një nga një u zunë.
    Një mi plak me mënd,
    i ditur, i vuar,

    s'u qas n'atë vënd:
    "Të kam kupëtuar,
    dhe miell në ke
    s'të bie në duar,

    se të di kush je
    sot s'më gënjen dot, s'më qesh
    dhe thes me miell të jesh,
    nuk qasem, mos ki shpresë."

    Tha miu dhe iku.
    Armikut, kush s'i vë besë,
    shpëton nga rreziku.

    Në dashtë zoti

    Nastradini ish qetuar
    Dhe po rrij duke mejtuar;
    Po përnjëherë u xgjua,
    Së shoqes i tha: "O grua,

    Nesërë jam për në veshtë,
    Se s'kam vatur këtë vjeshtë,
    Sindëkur vinja qëmoti."
    Plaka tha: "Në dashtë zoti."

    Nastradini i tha: "Unë
    S'e këllas zotnë në punë,
    E shoh vetë punën time,
    E nuk e vë nër mundime,

    Që të doj' a të mos dojë,
    Se nukë më flet me gojë."
    Kështu the, o jetëgjatë!
    Papo u ngrite me natë,

    More shportat e gomarë,
    Po s'të vate udha mbarë!
    Për rrush del njeriu i mjerë
    E sjell shkarpa shumë herë.

    Gjithë bota po punonin
    E udhëtë po ndrejtonin.
    Nastradinë kur e panë,
    E zun' e më nuk e lanë:

    Gjithë ditën gur' i gjori
    Mbajti edhe pagë s'mori.
    I këputur, i drobitur,
    I lodhur, i kahënitur,

    Natën në t'errët u kthye,
    Me pluhurë mbi qyrdye!
    Erth më der' e trokëlliti,
    E shoqja nga shkalla xbriti,

    Tha: "Kush ësht' aty më derë?"
    Pa tha Nastradin' i mjerë:
    "Në dashtë zoti, jam unë,
    Që vajta e s'bëra dot punë!"

    Zogu dhe djali

    Një zog të vogël zuri një djalë,
    Ai po dridhej dhe i thosh' ca fjalë,
    Nuk të vjen keq se jam i mitur,
    Si ty i vogël dhe s'jam rritur,

    Më pret im' më si ty jot' ëmë,
    Të mos i vete, ç'bëhet prëmë?
    Fjalët e zogut djali i dëgjoi,
    Qau, e puthi, pastaj e lëshoi.

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Askusho për postimin:

    shigjeta (18-12-2013)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •