Shpirti i vrarë i bregasve të bregdetit të sipërm

Nga Besnik VELAJ

Bashkë me mikun tim Petro Milo, udhëtojmë në Rivierën e Himarës që laget nga ujërat e detit Jon. Shkojmë për në Palasë, Vuno dhe Ilias. Ato formojnë një zonë bregdetare më vehte, e cila dallohet për veçoritë e saja origjinale të klimës dhe bimësisë subtropikale. Palasa, Vunoi dhe Iliasi si rrëza e Llogorasë, quhet Riviera e Bregdetit të Sipërm. Nga ana veriore e veriperëndimore kufizohen me Luginën e Shushicës dhe Dukatit.

Rrugës për në Bregdetin e Sipërm

Ecim në Qafën e Llogorasë me lartësi 1027 metra mbi nivelin e detit. Kjo qafë shquhet për bukuritë madhështore, me pamje plot kontraste të detit, borës, gjelbërimit të përjetshëm, burimeve me ujë të pijshëm që shëron edhe Perënditë. Nga gjithë të tjerat shquhet një pishë, e cila quhet "Pisha Flamur" nga forma dhe kurora e saj. Ka mbetur për shekuj me radhë si një Flamur gjigant kjo pishë, sepse për të mbrojtur nderin e fjamurit dhe me armë e flamur në dorë i ka parë kjo qafë gjatë gjithë historisë banorët e këtyre anëve, e cila si vend shumë strategjik është bërë simbol i betejave legjendare. Kjo pasuri hyjnore e falur nga i Madhi Zot, është një perlë për zhvillimin e turizmit të kaltërt, blu dhe të bardhë. Sot nga qeverisja e keqe e PS janë shkatërruar pyjet përreth Llogorasë, parku i saj e ka humbur mbi 50 për qind funksionin si kullotë dhe një pjesë e konsiderueshme nga zjarri dhe më tutje janë djegur 500 ha me pishë të zezë. Shprehim indinjatën, zemërimin për Malet e Rimnit të qethur zero nga vjedhja, zjarri sëpata e banditëve të papërgjegjshëm të 1997. Jemi në rrugën Qafë Llogora-Palasë, 17 km e gjatë. U fol e shkruar shumë për të si rrugë e "re" e ndërtuar nga ish -Presidenti Meidani me ushtarë pa pagesë. Lind pyetja: Si është gjendja e saj reale? Traumatizohesh nga një zhgënjim gati total e pa rrugëdalje. Makina udhëton me vështirësi në rrugën e prishur. Nga ana perëndimore e malit të gërmuar bien materiale inerte sepse nuk u bënë betonime. Drama e udhëtimit tonë shtohet më shumë nga vështirësitë që na krijojnë agjentët atmosferikë si shiu dhe mjegulla. Nuk po sjell në shkrim origjinalin e fjalorit të pakontrolluar,të pakëndshëm të shprehjeve të popullit kundra gërshërëve të inaugurimit të ish- Presidentit steril Rexhep Meidani. Në këto kohë e rrethana mbase i pranon Drejtoria e Rrugëve që paguan 3 punëtorë të saj të mirëmbajtjes së rrugëve dhe ata s'bëjnë asnjë punë. Po të kishin gjak bregasi do të jepnin sinjalin SOS për rrugën e prishur. Banorët e Bregdetit të Sipërm mund të izolohen nga Labërija nga mbytja e ç'shtetit të Vlorës dhe nga dalja jashtë gravitetit e njerëzve të administratës Bashkisë Himarë, Prefekturës. Çdo njeri që e pranon veten për shqiptar e pranon Shqipërinë për Atdhe. Duke e veçuar Atdheun nga forcat në pushtet i themi Prefektit të Vlorës-Sarandës-Delvinës, zotit Shpëtim Gjika e Kryetarit të Bashkisë së Himarës, zotit Viktor Mato, për të marrë masa që elementë të papërgjegjshëm mos të ushqejnë dëshira antikombëtare, për të realizuar ngritje flamurësh grekë, shkolla greke apo nga AMC të ketë thirrje antikushtetuese me celular:"Mirëseardhët në tokën greke"...!?

Udhëtim nën dritën e natës

Jeta brenda fshatrave Palasë, Vuno, Ilias nga më të bukurit që u ka "bota sevda", është bërë e vështirë. Banorët nuk ndihmohen nga qeveritarët e korruptuar. Eshte pothuajse natë. Duhet të kesh instiktin e lashtë të vëndësve për të gjetur rrugën. Petrua thotë se ne ecim në "dritën e natës". Vështrojmë larg. Dallojmë konturin e vargmaleve me emrin "Akereokeraune" që do të thotë:"Male të vetëtimës". Qielli është pus i zi. Një hënë plot dritë shfaqet dhe humbet midis reve si për të na përshëndetur. Diku, si një njeri i mirë hëna hapi perden e disa reve dhe na ndriçoi rrugën për në Vuno. Ja çatitë e majave madhështore të Çikës, përtej qafës Llogorasë ngrihet maja e Thanasit (1353 metra) pika më e lartë e maleve të Rimit me majën e Shëndëlliut (1398 metra) maja e Ali Hilës (1318 metra) mbi nivelin e detit. Pjesa perëndimore e Bregdetit të Sipërm bie thikë mbi bregdetin Jon që është tipik shkëmbor e i copëtuar nëpërmjet abrazionit detar. Në prag të Kryengritjes 1912, Ismail Qemali, kaloi nëpër këto vende e deri në Dukat. Ai në Ravenë mori takim me barinjtë dhe popullin, të cilët shprehën gatishmërinë për luftë kundër Turqisë. Drita e Hënës iu shtua "dritës së natës". E gjithë pamja pasqyrohet në ujërat e Detit Jon. Nga poeti, rapsodi, njeriu i thjeshtë, udhëtari ju fal shpirtit poetik të pamjeve nga më të bukurat, hyjnoret të hedhura e të shkruara në librin e Zotit! Me Zotin janë vunjotasit palasikotët, Iliasi por pushtetarët janë mohues të tij si më 1967. Me në krye Fatos Nanon (Fotiadhin) presin nga jashtë... nga Greqia të na "drejtojnë e organizojnë" thotë me ironi Petro Milua?! Fillon ta kundërshtosh të debatosh për këto mendësi... por për atdhemohuesit, këto shprehje kanë pasoja për Bregasit e Bregdetit të Sipërm. A nuk ka një kontrast të dukshëm që Korfuzi përkarshi që Zoti si ka dhënë as minerale, as ujëra si Bregdetit të Sipërm, të ketë drita e në vendin e këngëve të Neço Mukës, Odise Kasnecit, Thanas Benit të orientohen me dritën e natës dhe Hënës. Kolonia e errësirës PS në kohën e qeverisjes PD e kishte ndriçimin llamburitës, por revolucionarët e 1997 me kallashnikov prishën hidrocentralet e Dhërmiut, Qeparoit dhe tani lakohet në shkallën sipërore kriza e dritave. A nuk është ky një vetëshkatërrim? Para disa kohësh Prefekti i Vlorës-Sarandës-Delvinës, zoti Shpëtim Gjika u premtoi 600 banorëve, se do të ketë drita 24 orë. A mund të jetohet si në kohën e dreqit e sot të birit kur drita ka vetëm 10 orë? Faturat e dritave paguhen 100 për qind na thotë Kryeplaku i Vunoit, Vasil Cakalli dhe kryeplaku i Palasës, Milo Petromilo. Faturat e dritave priten aforfe. Midis pagesës reale dhe aforfesë, për çdo familje diferenca është 400 lekë. Për çdo muaj ndërmarrja elektrike u vjedh 600 familjeve 140 000 lekë.Banorët e Bregut të Bregdetit të Sipërm kanë mbetur nën mëshirën e Hidrocentralit të Smokthinës. Punonjësit ngaqë s'marrin rrogat në rregull prej 2 vjetësh e kyçin, çkyçin çelësin sipas kontradiktave, revoltave, grevave kundra administratës së korruptuar që nuk do të operojë vetëdijen, ndërgjegjen. Nga ky qëndrim i papërgjegjshëm profesional nga tensioni i madh, banorëve u janë djegur pajisjet shtëpijake. Janë 9 familje që presin zhdëmtim nga çshteti i Vlorës dhe Bashkija e Himarës, por hiç-hiç e mos gjë deri më sot. Bashkija e Himarës nuk e zhvendos ndërgjegjen në kahjen e interesave të fshatarëve të kësaj zone por mbi gjithçka favorizojnë 3 firma ndërtimi të gurë-zhavorreve që e paguajnë qiranë e dritave së bashku sa një familje e thjeshtë... mbi gjithçka interesi i militantëve socialistë.

Pushtetarët e babëzisë premtojnë aq sa për bregasit s'quhen më "premtime" por deri mashtrime ku përfitojnë vjedhësit e padukshëm të soit biologjik të tyre.

Kusarët e lengut të jetës

600 banorë të Bregut të Bregdetit të Sipërm, vuajnë edhe për ujin e pijshëm. Investimet për zonën e thellë malore dështuan. Shqetësimi është përcjellë deri tek pushtetarët vendorë, gjithmonë nën presionin e Këshilltarëve Demokratë në Komunë dhe kryepleqësitë e fshatrave, Bashkinë e Himarës për firmat që fituan tenderin e zbatuan projektet. Ujësjellësi Dhërmi-Ilias ishte planifikuar ta merrte ujin nga Petrasuna mbi malin e Dhërmiut. Distanca është 4 km. Projekti për ndërtimin e ujësjellësit kapin vlerën 200 milionë lekë, vlerë e sponsorizuar nga një shoqatë e huaj dhe Bashkia Himarë. U "gërmua" dhe gropa e rezervuarit të ujit.Në terrenin mjaft të thepisur nga burimi i ujit e deri tek konsumatori në qendër të fshatit kanë ngelur vetëm kanalet e hapura uji që s'erdhi në çezmat e shtëpive dhe fondet e vjedhura. Përballë një fakti të tillë janë edhe vunjotasit. U gjet mundësia që uji i pijshëm të vinte nga Spiridhoni tek shkolla e të ngjitej lart në fshat me gjatësi 600 metra. Uji deri më sot ka munguar. Shkaku? Linja duhej të bëhej më tubo xingate por u zëvendësua nga dashakeqësia me tubo naftësjellësi. Lëngu i jetës që do të shuante etjen e banorëve "erdhi" por me erë të keqe, ngjyrë të kuqe nga ndryshku. Vunjotasit ankohen por Bashkia e Himarës bën të paditurin. S'kemi ligj të dënojmë mafiozët që vodhën 120 milionë thotë kryetari i Bashkisë Viktor Mato. Ç'është ky ligj që s'është bërë akoma"... deri sa ka ligje për të denoncuar, vepruar si Shpata e Demokleut dhe dënuar hajdutët në Pushtetin Lokal që vodhën në përbashkësi 320 milionë lekë.

A mund të jetohet vetëm duke shkatërruar?

Në Bregdetin e Sipërm, djajtë neokomunistë nuk ndikojnë në ndalimin e shkatërrimit por përkrahin dhe janë vetë iniciatorë. Çfarë di dhe ka parë populli sheshit? Eshte prishur në Palasë ura e saj. Në Dhrale pritet për dru zjarri një plantacion prej 40 ha valanidh që bashkejeton me ullirin. Ndërmarrja Pyjore s'ka kujdes fare. Në drejtim të plantacionit të zhdukur, drejtojnë akoma njerëz partiakë e jo profesionale. Propaganda e majtë po thellon krizën e besimit për mos punuar në bujqësi, por nxitet emigracioni i rinisë. Toka si burim jetese është braktisur. Fermerët që merren kryesisht me ullij, vreshta janë para dilemës për të shtuar, zgjeruar sipërfaqet me dru frutorë apo vajorë. Jo vetëm mungojnë mjetet mekanike por dhe ato që janë kanë tarifa të larta nga çmimet e larta të karburanteve. Po të përdoren mjetet primitive kanë rendiment të ulët. Po kështu ka mungesa të fidaneve të zgjedhura, plehrave kimike. Askush nga pushtetarët që vodhën votat nuk punon që të kthehen njerëzit në punë. Ata tregojnë pazotësi, prezantojnë paaftësi. Kultura tradicionale është ulliri. Iliasi ka 5 000 rrënjë, Vunoi 20 000 rrënjë. Në fushën e Vunoit nuk shikon që prej 5 vjetësh vunjotasit por vetëm të huajt që vijnë për të grabitur prodhimet e stinës si ullij, fruta në Lluka, Kare Theodhos. Ç'mund të bëjnë pleqtë, plakat kur të rinjtë janë në emigracion? Në aprovimin e ligjeve për të ndihmuar fermerët kudo shfaqet fizionomia e indiferentizmit. Pse mos të jepen fonde për të rregulluar rrjetin e kanaleve vaditëse që janë dëmtuar? Shteti që prej 5 vjetësh nuk ka dhënë fonde për rikonstruksionin e sistemit ujitës të fshatrave. Bregu i Bregdetit të Sipërm, ballafaqohet edhe me çështjen e pronësisë së tokës, sepse ka specifika të veçanta në zbatimin e ligjit. Në këtë zonë ka kullota, toka bujqësore të ndara me ligjin 7501 dhe me vetëgjyqësi duke shkuar në kufijtë e vjetër,privatizime të pafrytshme të objekteve ushtarake disa kompensime nga kthimi i Pronave të Bashkisë Himarë. Ku janë grabitur tokat? Deri në kufi me Dhërmiun janë ndarë 7 ha tokë. Tre ha janë dhënë për disa krerë të PD që i kanë kthyer krahët asaj. Katër ha janë marrë nga krerët socialistë, ku përfshihen 4 ministra socialistë dhe tre funksionarë të lartë partie. Në Spile thuhet se ka marrë tokë një shok i afërt i Kryeministrit, i cili ka filluar nga sheshimet ku do të ndërtohen hotelet lluksoze mbi një kodër 500 metra larg nga deti. Të gjithë thonë se aty ka pjesë edhe Kryeministri. Në vjedhje marrin pjesë edhe anëtarët e AKP, ZRPP, disa gjyqtarë. Po të shkojë prona tek i zoti, në këtë zonë të bukur bregdetare do të ngrihen hotele turistike si në bregdetet e vendeve të tjera. Bregdetasit, si pronarë të saj, do të merren me turizmin privat. Ligji sot nuk është i aftë për zhvillimin turistik. Prapë shteti me institucionet e tij nuk e ka reklamuar Bregun e Sipërm si mrekullinë e mrekullive të Zotit. Vazhdimi me të këqijat e tjera që i kanë rënë zonës bregdetare i çon banorët në një mosbesim ndaj qeverisjes socialiste. Problemet sociale nuk kanë fund. Ato nuk mund të zgjidhen me ndihmën ekonomike, pensione skllavëruese greke të vogla në trajtën e asistencës. Edhe për këtë vit, veç pensionistëve edhe rinia gjendet nën një dëshpërim të thellë pasi nuk sheh ndonjë rrugëdalje. Pushtetit Lokal mund t'i bëhet apel për rikonstruksionin e ambulancave, ndërtimin e rrjetit telefonik. Ato aktualisht nuk ekzistojnë fare. Njerëzit mund të shkojnë në qytet për të bërë një gjëlpërë apo një telefonatë. Pushtetarët kanë 5 vjet që nuk flasin hapur me popullin. Ata rrijnë larg si komandantët e ushtrisë me zborristët, pavarësisht se popullit i vodhën votat. Ata vetëm premtojnë dhe gënjejnë. Çfarë kanë bërë për arsimin? Realiteti me vështrim demokratik të ngjall keqardhjen se nuk është bërë asgjë. Në Palas, shkolla është braktisur për t'i bërë qejfin fanariontëve. Drejtoria Arsimore me të njëjtën dashuri perverse nuk mirëmban shkollën, pasi nxënësit mungojnë. Nxënësit duhet të jenë "anëtarë të PDNJ" që të fitojnë këtë të drejtë për të mësuar në vendlindjen e tyre. A mund të privohen 20 nxënës që të shkojnë në këmbë, në kushte atmosferike të rënduara të çdo stine në Dhërmi për të bërë mësim? Më zi e më keq është mësimdhënia në shkollën e Vunoit. 6 mësuesit e shkollës janë pa arsim përkatës dhe mësimi zhvillohet sikur të jetë koha e "komisarëve" të dritës. Banorët e Bregdetit të Sipërm, qoftë edhe si elektorat të çdo krahu politik tani janë të privuar edhe nga të drejta të tjera. Mungesa më të mëdha paraqiten në furnizimin me ushqime të banorëve dhe çmimet e larta të tyre. Bregasit janë mësuar me tregtinë, mirëpo s'i ndihmon shteti. Janë të detyruar të blejnë me çmime tavan. Vaji ushqimor blihet me shumicë 150 shitet 300 lek, sheqeri blihet 55 lek-shitet 70 lek, orizi blihet 60 lek shitet 75 lek, fasulja 100 lek shitet 250 lek. Diferenca me 150 lek ruhet edhe për perimet si mollë, spinaq, presh, qepë etj. A kanë fuqi blerëse banorët e bregdetit për të përballuar çmime kaq të larta kur varfëria është ulur këmbëkryq? Mbasi na shpjegoi për problemet e rënda social-ekonomike, Petro Milo vazhdon edhe më tej për gazetën "55": Bregdetasit e Bregdetit të Sipërm duan ndihmë edhe për probleme të fesë. Të vdekurit nuk futen në tokën mëmë sipas ritualeve, respektit që meritojnë për në banesën e fundit. Prifti i Dhërmiut Kozma Papasava nuk vjen në procesione me preteksin se vunjotasit, palasikotët, Iliasi janë socialistë e demokratë.... nuk e duan Greqinë, ndaj nuk duhen varrosur në territorin e Kishës. A nuk u veprua me plakën Neno Dhimgjoka që s'iu bë respekti? Duke mos besuar tek Greqia sipas at Papasavës) të vdekurit duhet të shkojnë në Ferr?! A mund të jetë normale kjo për një prift me veladon?Prandaj edhe punët e fesë për ortodoksit e bregut venë keq. Siç pikojnë catitë e koshave nga një vesë e hollë, priftërinjve u është përmbysur fare catia nga dashuria perverse për Greqinë. Prifti Kozma Papasava nuk e pranon rolin e bariut të Zotit por rolin e shërbëtorit politik si filogrek. Kryeministri Fotiadh Nano i shoqëruar nga Kryetari i PS Theodhori Shija, vjen shpesh në këto anë të Ilirisë Poshtme "kur piqen" fiqtë e parë dhe të dytë. Bashkë me deputetin Zabit Broka a mund të ndikojnë në parlament që qeveria, pushteti lokal të mos diskriminojë me fonde, kredi dhe investime si këto 6 vjet bregasit e Bregdetit të Sipërm edhe pse ata votojnë për Partinë Demokratike?

Nuk jam simpatizant i asnjë partie e as asaj Demokratike, megjithë respektin për gjithë partitë përfshirë edhe Demokratiken.
Çfarë mund dhe duhet që shqiptarët atje ta detyrojnë AMC ta heq menjëherë atë mirëseardhje, si dhe si mund ti tërheqin këtij prifti vërejtjen që të ndryshoj qëndrim apo edhe ta heqin fare në qoftë se prapë vazhdon në këtë mënyrë.
Shpresoj dhe kam besim të plotë që edhe problemet ekonomike atje shumë shpejt do të tejkalohen, duke pasur parasysh edhe vet bukurinë e rrallë natyrore të kësaj riviere si dhe perspektivën ekonomike të gjithë trojeve shqiptare.
Përshëndetje
Rrofshin Shqiptarët e Bashkuar dhe Shqipëria e Bashkuar