Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Emathia Maska e MaDaBeR
    Anëtarësuar
    20-05-2003
    Vendndodhja
    Në çdo vend ku ka jetë
    Postime
    5,321

    Luftërat që bëjnë komunistët në Shqipëri

    Luftërat që bëjnë komunistët në Shqipëri

    Pëllumb Kulla

    Në fushën e historisë së shqiptarëve njerëzit me tituj doktorësh dhe profesorësh përdorin me endje Dr-të dhe Prof-ët, pa i lidhur me titujt e punimeve shkencore që ua dhanë ato grada. Gradat janë jetëgjata, punimet që sollën gradat jo dhe aq, mjerisht. Veprat e tyre kanë qenë pak a shumë deklarata dashurie për Hoxhën, të llojit “Epërsia e taktikave partizane në mposhtjen e makinës luftarake naziste”, apo “Diplomacia e Enver Hoxhës në përballje të fuqive të mëdha”, apo ca të tjera me ngjyra folklorike e me preteza shkencore që tani janë mbyllur në harrim me shtatë palë kyçe.

    Megjithatë, janë njerëz që nuk lëshojnë as gradat dhe as istikamin ku janë strehuar për aq e aq dhjetëvjeçarë. Tërë jetën patën në dorë arkivat dhe dokumentet, por ama e bënë historinë me stilin “në djall e vërteta, por shkruaj një rresht dhe vështro lart!”

    Historia jonë zyrtare kutërbon servilizëm tranzitor. Ajo na shfaqet me një makijazh të rënduar, ngallosur gjithë mite dhe maksimalizma. Gjen aty mitin e nacionalizmit, mitin e besës dhe besnikërisë, maksimalizmin e therorisë dhe atë të tradhtisë. Nuk shikon asnjë dritë rishikimi, afrimi apo revizionimi të arsyeshëm.

    Subjektivizmi në trajtimin e historisë dhe në interpretimin e saj është vështirë të shmanget, por doktorët tanë militantë nuk fshehin dot as urrejtjen që u turbullon arsyen dhe u dëmton autoritetin shkencor. Nuk e shpjegoj dot më mirë se zoti Ardian Ndreca, ca muaj më parë, në një artikull në faqet e kësaj gazete të nderuar. Ish një shkrim sa shprehës aq dhe çarmatosës mbi operatin e Arben Putos në kërkimin e burimeve, që këtij profesori në vend t’ia shuajnë, ia përshkënditnin urrejtjen e ia bëjnë edhe më shkumëzuese se ajo që e pat frymëzuar gjatë periudhës komuniste. E çuditshme!

    Para ca ditësh profesor Pëllumb Xhufi shpjegonte se duheshin respektuar rregullat ndërkombëtare të shfrytëzimit të arkivave dhe periudhat e maturimit. Ai thosh se vjetrimi i bën mirë historisë, sikurse vitet e shumta që e bëjnë verën më të mirë e më të sigurt. “Ka ligje”, thosh tekstualisht profesori, “që nuk na lejojnë që ne sot të mundim të lexojmë dokumentet e viteve 1990 apo 1960. Mirëpo ne nuk do mund të mësojmë kurrë të vërtetën, p.sh., e prishjes së marrëdhënieve të Enver Hoxhës me Kinën, më 1977,” vazhdon ai, “apo atë të ‘ngrohjes’ së marrëdhënieve të Sali Berishës me Greqinë, pas vitit 2002”

    Është interesant se si këta ligje nuk vlenin asnjë grosh më 1945, për ta nxirosur Mustafa Krujën, nxirrje që zoti Xhufi e vazhdon edhe sot pa asnjë sitë dhe pa asnjë filtër. Historianët e ’45-s nuk i lanë as tre vjet kohë verës të bëhej e mirë dhe e sigurt! Të skandalizon respekti i afatit kohor për të marrë vesh bëmat e Hoxhës apo Berishës dhe nuk u qaset njeri “pas maturimit të bollshëm të verës dhe dokumenteve” për të parë në çfarë rrethanash e kushtesh u angazhua në krye të administratës së vendit të pushtuar një patriot antizogist dhe intelektual i klasit të parë? Ku ishin synimet e tij? Kruja e mori atë detyrë në të mirë të Shqipërisë apo të Italisë? A u vuri ai kushte autoriteteve të pushtimit? E bëri këtë kërkim në arkiv tani, pas 70 vjetësh, profesor Xhufi, apo nuk ish e nevojshme ngaqë akoma i vjen për mbarë opinioni i Enver Hoxhës?

    I pyetur në një intervistë TV, sesi do ta gjykonte sot figurën e Enver Hoxhës, më i vjetri nga historianët e atyre viteve, profesor Kristo Frashëri, tha se liderit komunist i duheshin vënë në peshore të mirat dhe të metat. Si të meta, zoti Frashëri i faturoi rrënimin ekonomik dhe Luftën e Klasave, kurse në të mirat, ai përmendi udhëheqjen e Luftës Nacionalçlirimtare dhe tha se kjo e fundit ka peshë dhe vlerë më të madhe dhe e ngre Enverin në dritë pozitive. Vetëm me këtë përgjigje shkencëtari Kristo Frashëri dëshmon se rrënimi i vendit e paska lënë indiferent, se nuk e paska marrë vesh kurrë se çfarë ishte Lufta e Klasave dhe sa jetë shqiptarësh mori ajo! E mburr Enverin në një luftë kundër pushtuesve, ku më shumë se udhëhoqi e udhëhoqën dhe e lehtëson nga një luftë ku luftoi shqiptarët me ashk dhe mizori! E lartëson në një luftë ku ishte shërbëtor dhe eviton gjykimin e plotë të tij në një luftë ku ishte Zot!

    Në fakt gjykime si këto kanë qenë dhe shtytja kryesore për këtë shkrim. I kërkoj lejë lexuesit të endem në ca përsëritje të njohura e të pranuara në të shumtën e tyre nga të gjithë.

    Natyrisht nuk do të shënoj këtu referenca dhe adresime faqesh e datash. Ky shkrim fokusohet mbi pushtimet dhe çlirimet, por nuk është as punë shkencore dhe as dëshmi për gjyq.

    Dihet se komunistët nuk e pritën pushtuesin me pushkë. Ata nuk, kishin kurrfarë organizimi, as si parti dhe as si klasë punëtore, të cilën e deklarojnë si bazë të tyre. Robëria e vendit nuk u prishte punë aspak.

    Me pushkë nuk e pritën fashizmin as nacionalistët. Edhe ata mendonin se luftërat kundër pushtuesve mund të fillonin me fjalime dhe me memorandume. Për një kohë të gjatë nuk shënohet asnjë aksion me peshë kundër italianëve që pushtuan vendin. Ngjan sikur urrejtja për pushtuesin lindi me vonesë. E duket sikur ajo nuk lindi nga atdhedashuria, por nga nevoja të pikësynimeve politike. Pas shumë vjetësh të dyja palët do të riktheheshin në hapësirën e paqtë kohore të 1939-’43-it për të qëmtuar e nënvizuar ndonjë përpjekje me pushtuesin, ku do të regjistronin a posteriori veten si pjesëmarrës apo shtytës. Manifestimet kundër Zogut me moton “duam armë!”, që thonë se ishin të shumta, fryhen dhe pompohen, për t’i krehur bishtin popullit, si gjoja më atdhedashës nga sa ishte mbreti i tyre. Pompimet nuk fshehin dot se shqiptarët kishin nëpër hatulla me qindra mijëra armë me të cilat vrisnin njëri-tjetrin. Kronikat nuk shënojnë vatra të rezistencës së improvizuar me ato armë.

    Pushtuesit pësuan humbje, por jo aq nga kundërvënie të atdhetarëve shqiptarë me ngjyra dhe pa ngjyra sesa nga grushtet e forta të ushtrisë greke, e cila i ngjeshi ngojëzën ulkonjës së Romës. Grekët e vunë përpara ushtrinë butaforike italiane, ia shtynë lart kufirin e pushtimit të territoreve shqiptare dhe u vendosën vetë në atë ngastër Shqipërie, nga ku patën qëruar trupat fashiste. U tërhoqën që andej vetëm për t’u prerë rrugën gjermanëve që po u hynin nga Traka e që nuk i ndalën dot. Veç Greqisë, gjermanët i dhanë fund dhe okupimit të Jugosllavisë dhe italianëve u erdhi mbarë t’u përshkëndisin ëndrrat nacionalistëve shqiptarë duke lëvizur kufirin zaptues të perandorisë së Viktor Emanuelit edhe përmbi ato krahina shqiptare, që qysh nga 1913, i njiheshin padrejtësisht Jugosllavisë. Tani Shqipëria ishte bërë një shtet i plotë i organizuar me prefektura dhe nënprefektura. Ishte një njësi administrative e gjerë, bash ajo e ëndërruara, me kryeqytet Tiranën! Radiot dhe gazetat përhapnin lajme me kronika nga krahinat, me një volum të barabartë njoftimesh si për Vlorën, ashtu edhe për Pejën e Gostivarin, duke gëzuar për këtë situate të re vlonjatë, pejanë dhe gostivaras tok. Nën pushtim vërtet, por dukej se padrejtësitë e Londrës me kufijtë e shqiptarëve po ndreqeshin si me magji. Me armët e të tjerëve!

    Ishte kjo hartë e re që vizatoi lufta ajo që i shtyu jugosllavët të gjenin te komunistët shqiptarë ca forca të brendshme dhe t’ua kundërvinin nacionalistëve të Mithat Frashërit, të cilët pushtimin italian, pa e thënë me zë të lartë, nuk po e luftonin pikërisht si mirënjohje të kësaj…dhurate! Rezultoi më vonë se ky iluzion u solli kosto politike dhe hapi shumë varre.

    Në urdhëratën e fundit të një dokumenti orientues me dhjetë pika, ballistët deklaroheshin për luftë kundër okupatorit, por çetat e tyre të rregullta morën jetë vetëm në prag të kapitullimit të ushtrive të Romës. Ishin ata muaj që edhe formacionet partizane filluan të shumohen me shpejtësi.

    Ndihej nevoja e një marrëveshjeje të urtë të këtyre çetave, udhëhequr nga dashuria për një atdhe të lirë, të bashkuar e demokratik.

    Për këtë qëllim, u mblodhën në Mukaj figurat kryesore të dy organizatave politike dhe bënë atë marrëveshje që dihet. Mungonte Enver Hoxha, por në atë kohë mosprania e Enver Hoxhës nuk bënte përshtypje. Ai ishte thuajse i panjohur dhe mendohej që më të mëdhenjtë e komunistëve qenë atje. Kjo mungesë i dha epërsi atij të vihej totalisht në shërbim të “mësuesve” jugosllavë që u ngritën në alarm kundër kësaj marrëveshjeje me zotime për bashkimin e trojeve etnike. Mosprania në Mukaj i dha Hoxhës krah të godiste shokët që vajtën atje si të deleguar firmëtarë. Që këtej nis edhe seriali i pafund i kokëprerjes së shokëve më të afërt, që mbahet mend në rekordet gjakatare të Enver Hoxhës.

    Shkyerja e marrëveshjes ndodhi aq shpejt sa ballistët nuk patën kohë as të mbushnin dyfekët për aksionet, që ata nuk i patën fort për zemër, por që marrëveshja ua kërkonte të bënin. Balli e dënoi prapaktheun e palës komuniste dhe e pati fare të lehtë të fshikullonte arsyetimin enverian, se kjo bëhej ngaqë nacionalistët ishin tradhtarë dhe marrëveshjen nuk e aprovoi Qendra e PK. “Sa për arsyen që Qendra e Përgjithshme nuk e aprovoi mbledhjen”, thuhej në një trakt të Ballit, “atë e besojmë sepse kjo Qendër e Përgjithshme, e cila nuk gjendet në Shqipëri, nuk mund të aprovonte një lidhje që merrte përsipër të përpiqej për një Shqipëri Ethnike!”

    Shpjegimi i atëhershëm komunist, sado çalaman, mbeti i vetmi. Më pas Enveri dhe historianët me grada shkencore rreth tij, nuk iu ngjitën asaj të përpjete. Mjaftoheshin me theksimin e tradhtisë balliste dhe aq. Veç, ama, Balli duhej të ish po aq tradhtar ditën që u mblodh me komunistët në Mukaj sa edhe ditën kur u shkelmua marrëveshja. Përkëdhelja e ëndrrave komuniste për pushtetin e ardhshëm, të pandarë me të tjerë, e kish të domosdoshme këtë pabesi.

    Nga kjo pabesi nis dhe fillimi i luftës së armatosur shqiptaro-shqiptare, luftë që vite më vonë mori atë emrin tjetër me “klasa” brenda. Në forma të ndryshme këto luftëra zgjatën pesëdhjetë vjet dhe mund të themi pa lëkundje që në versione edhe më të djallëzuara po vazhdojnë ende.

    Është thënë qartë atëherë dhe thuhet edhe tani, se trupat gjermane ishin përkohësisht te ne, të detyruara të zinin hapësirat që muaj më parë i patën mbuluar italianët. Balli mbahej fort pas kësaj arsyeje të mirëkuptueshme të gjermanëve dhe natyrisht kështu justifikon mosaksionet, fsheh me zor strehimin prapa forcave të Vermahtit, kur nuk i përballte dot njësitë gjithnjë më të organizuara partizane, të cilat bëheshin për ditë e më të egërsuara ndaj tij, duke e vlerësuar de facto atë armikun kryesor. Se pushtetin e ardhshëm komunistëve nuk ia kërcënonin gjermanët që kishin marrë tatëpjetën.

    Që nga ndarja përfundimtare e palëve, muaj pas muaji fitorja nisi të anonte nga pala që e prishi marrëveshjen. Kjo tregon qartë dritëshkurtësinë e Frashërllinjve të kohës dhe ideologëve të tjerë. Me një vizion më të qartë dhe me lëvizje politike më të shkathëta, krerët e nacionalizmës mund t’ia kishin kursyer popullit shqiptar zgjedhën e egër komuniste të Enver Hoxhës, më gjakataren që pa Europa në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi. Pozicioni gjeografik e favorizonte këtë. Në ndryshim nga komunistët jugosllavë, që organizuan dhe zhvilluan luftime të ashpra në territoret e tyre, këta tanët me brigadat e shumta vetëm sa e shoqëruan tërheqjen gjermane.

    Historianët e Akademisë së Shkencave thonë me plot gojën – dhe nuk gënjejnë aspak! – se nga të tëra vendet e bllokut lindor, ky i yni ishte i vetmi që, për t’u zbrazur nga trupat hitleriane, nuk pati nevojë për ndërhyrjen e ushtrisë së Moskës. Vetëm nuk pohojnë e të thonë, që nuk na nevojitej çlirimi i Shqipërisë nga Moska, ngaqë këtë na e bëri Berlini!

    Sa qe gjallë diktatori nuk mund të rrije pa vënë buzën në gaz kur shihje trajtimin që i bëhej historisë. Ishte zbavitëse të shikoje historianët me grada të hipur në anijen enveriane, kur ajo anosej dhe i hidhte ata të vraponin grumbull sa në njërin krah të anijes në tjetrin, sa herë ai dridhte timonin në interpretimet e kundërta të tallazit të ngjarjeve dhe figurave të Nolit, Haxhi Qamilit, Nako Spirut apo Mehmet Shehut.

    Luftën për pushtet brenda asaj të Përbotshmes, Enveri me të vetët e fitoi dhe këtu timoni nuk lëvizi. Por buza në gaz vihej kur dëgjoje të thuhej se u luftua ashpër okupatori nazist! Duhej frenuar gazi edhe kur thuhej se gjermanët u vunë përpara drejt Veriut! Në vend të thuhej “i vumë përpara”, më e mira dhe më e sakta do ishte të thuhej se “ne iu qepëm prapa”! Thuhej se forcat e Çlirimtares goditën disa herë kolonat e okupatorit gjatë tërheqjes drejt Gjermanisë dhe këto qenkëshin bërë për të shpejtuar çlirimin! Kish ama plot njerëz që fshehurazi arsyetonin se disa jetë të rinjsh shqiptarë me bustina me yll – të udhëhequr vërtet nga patriotizmi dhe jo djallëzitë politike – mund të ishin kursyer. Po të mos qenë goditur kolonat që udhëtonin drejt Veriut, gjermanët nga Shqipëria do të kishin ikur më shpejt! Kështu konfliktin aktual qesharak dhe të tejzgjatur të ditës së çlirimit sot do ta kishim të zgjidhur e mund ta festonim atë së toku, më 23, apo 24 nëntor! Veç, ama, ishte e bezdisshme të dëgjoje për dyzeteca vjet përrallën se si e qysh “nazistët i dëbuam përtej kufijve dhe i hodhëm tutje, në Mal të Zi!” Është tjetër gjë kur dimë se ata kishin urdhër të ktheheshin urgjentisht në vendin e tyre, tashmë të katandisur në gërmadha nga bombardimet e aleatëve. A mund ta quajmë dëbim atë kur autokolonat ushtarake largohen me ngut?! A mund të quhet luftë çlirimtare ajo, kur vendit ia sjell lirinë, krahinë pas krahine, me 100 kilometra në orë?!

    Është e famshme ajo anekdota që qarkullonte atypari, sikur shkodrani nuk duroi dot gjirokastritin që i mburrej duke i thënë “ju, shkodranëve, na ua sollëm lirinë!”. Dhe shkodrani ia ktheu: “po, mor ta marrsha të keqen, se gjermanët dulne kah Hani i Hotit! Të kishin pasë urdhën me dalë kah Kakavia, tash ju kishim pasë çlirue na ju!”

    Zoti Kristo Frashëri ngul këmbë akoma se për çlirimin e vendit i detyrohemi Enver Hoxhës. Zoti të na falë, por kushdo mund të mbyllë sytë dhe të përfytyrojë gjëmëmadhin e Palortosë, sikur për katër vjet të mos kishte dalë fare nga shtëpia e kunatit Bahri Omari, ku fshihej hera herës. E le të merret me mend sikur të gjithë luftëtarët, e çetave të mos kishin lëvizur nga vatrat dhe sinoret e tyre!

    A thua do të ishim akoma edhe sot nën pushtimin gjerman?!…
    Për inad të Djallit dhe Shqyptarëvet, Zoti ka me mbajtë Shqypninë më kambë me nder e me lumni

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    nuku i thon MUKAJ por MUKJE..

    bukur e ka shkruar Pellumbi ..

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •