4500 forca policie janë angazhuar në operacionin më të madh kundër emigrantëve klandestinë në Greqi, 2500 prej të cilëve janë vendosur në lumin Evro në kufirin greko-turk, për të penguar fluksin e klandestinëve, që hyjnë në Greqi nëpërmjet Turqisë dhe për t'i kthyer ata në shtëpi.

Në Evro, rojet kufitare kanë krijuar një “mburojë njerëzore”, e cila mbështetet nga 30 qentë në dispozicion për këtë qëllim, nga forca të aviacionit dhe mjete lundruese, të cilat do të patrullojnë ajrin dhe lumin.

Operacioni ka lidhje edhe me paralajmërimin për një valë të mundshme emigracioni nga Siria, të njerëzve që i largohen dhunës së regjimit të Basar Al Assad. Nga frika e fluksit masiv të emigrantëve nga Siria nëpërmjet Greqisë, ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Fritrich, i ka bërë thirrje Turqisë për të kontribuuar edhe ajo, që të ndalet emigracioni i paligjshëm në vendet e BE.

Ndërkaq, rreth 2000 forca policie operojnë në qendër të Athinës e më gjerë, duke kontrolluar shtëpitë, apartamentet, dyqanet dhe ndërtesat e braktisura, ku mund të fshihen klandestinët, të cilët dërgohen më pas në qendrat e grumbullimit të ngritura për këtë qëllim. Në mbrëmje do të nisen me fluturim çarter në Pakistan, 200 të huaj të arrestuar gjatë operacioneve.

Deri në mesditë u kontrolluan 52 banesa e lokale, u dërguan në policinë e Athinës 4900 persona të huaj për kontroll, nga të cilët 1130 u arrestuan, për shkak se nuk i plotësojnë kushtet ligjore për qëndrimin e tyre në vend.

Operacioni ka nisur me urdhër të kryeministrit Samaras, i cili ka deklaruar se "askush nuk duhet të mendojë se në Greqi është një "parajsë"". “Ne nuk do të lejojmë që qëndra e kryeqytetit të përfshihet nga kaosi dhe do të eliminojmë skena që fyejnë kulturën e Athinës, pasi vendi ynë nuk është një vreshtë pa zot”, tha ministri i Rendit Publik Nikos Dendias. “Kushdo që përpiqet për të hyrë në vendin tonë në mënyrë të paligjshme, do të zmbrapset në kufi”, tha ai dhe shtoi se "ky nuk është një operacion i përkohshëm, por një masë e përhershme".

Policia greke ka marrë udhëzime të qarta për të respektuar personalitetin, besimin fetar dhe çdo të drejtë tjetër të emigrantit të paligjshëm. Policia ka vënë në dispozicion edhe disa numra telefoni për ata klandestinë, të cilët dëshirojnë të kthehen në vendet e tyre.

"Sot është një ditë e mirë për policinë dhe shoqërinë greke, si për zhvillimin normal të aksionit “Xenios Zeus" ashtu edhe për zbulimin e krimit të tmerrshëm që ndodhi në ishullin Paros”, tha dje ministri grek i rendit, referuar ngjarjes së rëndë të një jave më parë, kur një i ri pakistanez dhunoi një 15 vjeçare duke i përplasur kokën në shkëmbinjtë e plazhit e më pas abuzoi seksualisht me të, pasi nuk mundi t’i merrte celuarin. Pas një jave hetimesh, pakistanezi u arrestua dhe pranoi krimin.

burimi