Close
Duke shfaqur rezultatin 1 deri 16 prej 16
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    16,245

    Hetimi i Imamit, zbardhet letra e NATO-s për PS, rrëzohet kontrolli parlamentar

    Zyla :Si e zbulova se do kishte dhunë më 21 janar, e vërteta për përgjimet

    Ish-drejtori i SHIU u përgjigjet akuzave të PS.


    “Ia thashë kreut të SHISH, por ai s’e mori parasysh. SHIU nuk mund dhe nuk bën përgjime politike”

    Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla, për herë të parë rrëfen për gazetën “Panorama” arsyet e sulmeve ndaj tij nga deputetët e opozitës.
    Sipas Zylës, zanafilla e përplasjes ka nisur që me përfshirjen e SHIU-t në zbulimin e trazirave të 21 janarit. Ish-drejtori i SHIU-t u përgjigjet akuzave për përgjim të deputetëve dhe versionin e tij të ngjarjes së 21 janarit.

    Zoti Zyla, si i konsideroni akuzat nga ana e deputetëve të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj për veprimtari të paligjshme nga ana e SHIU-t?

    Kam ndjekur me vëmendje sulmet që janë bërë ditët e fundit ndaj meje personalisht, familjes sime, duke goditur në këtë mënyrë integritetin e institucionit të SHIU-t. Dëshiroj t’ju garantoj se Shërbimi Informativ Ushtarak e zhvillon veprimtarinë e tij brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore. Misioni i SHIU-t, sipas ligjit “Për Shërbimin Informativ Ushtarak”, është që të grumbullojë, analizojë dhe administrojë të dhëna për veprimtaritë që cenojnë sigurinë kombëtare, kërcënime të mundshme ose rreziqe ndaj Forcave të Armatosura, që vijnë nga jashtë ose shfaqen brenda vendit, për t’i paraqitur te autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura, për t’i mbështetur gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre. Në funksion të përmbushjes së misionit të tij dhe garantimin e sigurisë kombëtare, ndër të tjera, shërbimi në zbatim të ligjit të sipërcituar, SHIU grumbullon, analizon, dhe paraqet informacion për veprimtari që lidhen me spiunazhin, terrorizmin, sabotimin, subversionin në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes e të Forcave të Armatosura dhe për çdo veprimtari që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e shtetit. Për sa më sipër, më lejoni që të bëj me dije se e tërë veprimtaria e SHIU-t është e mbështetur në Kushtetutë dhe ligje, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut.

    Cili ka qenë roli i SHIU-t në ngjarjet e 21 janarit, pasi Kryeministri ka deklaruar se ju keni dhënë informacion paraprak për trazira të mundshme?

    Unë mendoj se informimi i SHIU-t për ngjarjen e 21 janarit është fillesa dhe arsyet e akuzave drejtuar SHIU-t. Duke qenë se për këtë ngjarje është folur shumë, më lejoni që ta informoj opinionin publik me rolin dhe aktivitetin e SHIU-t lidhur me këtë ngjarje. Paraditen e 21 janarit, nga burimet e SHIU-t, jam informuar verbalisht se elementë të inkriminuar që do të marrin pjesë në protestë, do të kryenin akte dhune ndaj Kryeministrisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe selisë së LSI-së. Këtë informacion, menjëherë e kam përcjellë te ministri i Mbrojtjes, i cili më autorizoi që këtë informacion ta ndaja me Shërbimin e Informativ të Shtetit. I kërkova takim drejtorit të SHISH-it dhe i bëra të ditur informacionin që kishim. Nga ana e drejtorit të SHISH-it ky informacion nuk u mor parasysh, duke më thënë se “ne nuk kemi informacione apo indikacione që të vërtetojnë se do të ketë dhunë gjatë protestës”. Pas takimit me drejtorin e SHISH-it, kam informuar ministrin e Mbrojtjes për gjithçka bisedova dhe më tha drejtori i SHISH-it. Ajo që ndodhi më 21 janar 2011 vërtetoi informacionin e SHIU-t. Më lejoni që të theksoj se SHIU nuk është investuar në ngjarjet e 21 janarit. Informacioni i ardhur është rastësor nga burime njerëzore dhe me indikacione të qarta për përdorim dhune. Në këtë situatë dhe në zbatim të ligjit, këtë informacion ia kemi përcjellë ministrit të Mbrojtjes dhe e kemi ndarë me Shërbimin Informativ të Shtetit.

    Si janë marrëdhëniet tuaja me SHISH-in?

    Kanë ndryshuar tërësisht dhe njëanshmërisht pas 21 janarit.

    A keni ju pajisje dhe a ka bërë SHIU përgjime të natyrës politike, siç deklaron kryetari i Partisë Socialiste?

    Unë e garantoj opinionin publik se SHIU nuk mund, nuk ka bërë dhe nuk bën, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, përgjime të kësaj natyre. SHIU funksionon brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të vendit, dhe kjo është e provueshme.
    Jeni akuzuar nga PS se ju dhe bashkëshortja jeni përfshirë në trafik armësh. Madje, zoti Gjoni ka përmendur edhe një biznesmen serb si ortak të bashkëshortes suaj.
    Siç dhe e theksova më lart, unë mendoj se i gjithë sulmi ndaj SHIU-t bëhet për shkak të 21 janarit. Unë dhe familja ime nuk jemi të përshirë në asnjë lloj tregtie armësh. Lidhur me konfliktin e përfolur të interesit, i jam drejtuar zyrtarisht Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke i kërkuar interpretim nëse kemi të bëjmë me konflikt interesi, dhe për këtë mund të drejtoheni edhe ju tek Inspektorati për të marrë një përgjigje.

    Përse është refuzuar kontrolli parlamentar në institucionin që keni drejtuar? A mund të kryhet kontroll parlamentar në një institucion si SHIU?

    Në një shoqëri demokratike, të gjitha institucionet janë dhe duhet të jenë të kontrollueshme. SHIU, bazuar në nenin 18 të ligjit 9074, datë 29.05.2003 “Për Shërbimin Informativ Ushtarak”, është subjekt i kontrollit nga Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Ministri i Mbrojtjes raporton për veprimtarinë e SHIU-t para këtij komisioni të paktën një herë në vit, siç ka ndodhur në shtator të 2011-s, si dhe sa herë kërkohet nga ana e Komisionit, duke pasur parasysh ruajtjen e burimeve dhe informacionit të klasifikuar, sipas legjislacionit që normon këtë marrëdhënie. SHIU nuk ka pasur kërkesë dhe nuk ka refuzuar asnjë kontroll nga asnjë institucion që është ngarkuar nga ligji për të kontrolluar dhe mbikëqyrur veprimtarinë e SHIU-t.

    Ju keni ofruar dorëheqjen para Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes. Partia Socialiste është shprehur se ka diçka që fshihet pas kësaj dorëheqjeje. Çfarë fshihet sipas jush?

    Është e vërtetë që unë i kam ofruar dorëheqjen ministrit të Mbrojtjes dhe Kryeministrit, si një akt qytetar dhe civil, sipas motivacionit që unë e kam bërë publik. Pas këtij akti fshihet morali dhe integriteti i familjes sime dhe i imi personalisht. Ky akt i ndërmarrë nga ana ime u bë për të mbrojtur integritetin e SHIU-t si një shërbim inteligjence i një vendi anëtar i NATO-s.

    Ka shprehur NATO-ja ndonjë shqetësim për veprimtarinë e SHIU-t dhe cilat janë marrëdhëniet e këtij institucioni me strukturat e Aleancës?

    SHIU ka marrëdhënie të shkëlqyera me strukturat e inteligjencës së NATO-s, duke kontribuuar me personel dhe informacion; është anëtar i të gjitha strukturave të inteligjencës së NATO-s dhe kontributi që SHIU ka dhënë është vlerësuar nga drejtuesit më të lartë të inteligjencës së NATO-s. Veçanërisht që pas anëtarësimit të vendit në NATO, janë ndërmarrë reforma strukturore në funksion të integrimit të të gjitha kapaciteteve tona të inteligjencës ushtarake në funksion të përafrimit dhe ngritjen e standardeve të SHIU-t, të barabartë me strukturat e Aleancës.

    Ylli Zyla dha dorëheqjen pas akuzave për trafik armësh
    Vetëm pak ditë më parë, drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, kolonel Ylli Zyla, u paraqiti dorëheqjen Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Mbrojtjes Imami. Në motivacionin që ka shoqëruar këtë dorëheqje, kolonel Ylli Zyla shprehet: “Unë, i nënshkruari kolonel Ylli Zyla, me detyrë drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, nisur nga disa sulme të pamoralshme dhe të pabazuara që më janë bërë mua dhe familjes sime në një të përditshme, për të ruajtur integritetin dhe moralin e familjes sime, integritetin e institucionit të SHIU-t si shërbim inteligjence i një vendi anëtar i NATO-s, marrëdhëniet e shkëlqyera të SHIU-t me shërbimet partnere strategjike të inteligjencës, si dhe për të garantuar vijueshmërinë normale të veprimtarisë dhe operacioneve të SHIU-t, më lejoni t’ju paraqes dorëheqjen nga funksioni i drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak”.

    Panorama

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    16,245
    PS: Kemi indicie për përgjimet


    Deputeti i PS, Ilir Gjoni, kërkon që opozita të lejohet të kontrollojë në Ministri
    “Tregti korruptive armësh dhe përgjime të paautorizuara”


    Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ilir Gjoni, e akuzoi dje ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, se po shkel Kushtetutën duke mos lejuar kontrollin parlamentar ndaj këtij dikasteri. Deputeti i PS-së theksoi se opozita disponon indicie të qarta për tregtinë e armëve të kryera nga Ministria e Mbrojtjes dhe tejkalimin e kompetencave të Shërbimit Informativ Ushtarak në përgjimin e deputetëve të majtë. Gjoni kërkoi më tej nga ministri Imami që të kërkojë shpjegime nga ish-drejtori i SHIU-t, Ylli Zyla, për përfshirjen e tij në tregtinë e armëve. “Indiciet e qarta të dhëna nga disa burime, siç janë mediat, vetë punonjësit e institucioneve të sigurisë, deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve të lartë, siç ishte rasti i Berishës më 21 janar kur deklaroi se i vetmi burim i informacionit kishte qenë SHIU, dhe vetë fakti që Ministria pengon mbikëqyrjen e Parlamentit, na forcojnë bindjen se elementë të caktuar të kësaj ministrie kanë dalë jashtë kornizave ligjore e kushtetuese duke u përfshirë në tregti korruptive armësh e municionesh, madje ndoshta deri në përdorimin e strukturave të specializuara të kësaj ministrie për kryerjen e aktiviteteve të rënda antikushtetuesve, siç mund të jenë dhe përgjimet e paauto-rizuara. Ministri Imami, para se të dalë me deklarata publike, bën mirë ta pyesë ish-drejtuesin e SHIU-t apo bashkëshorten e tij se kush është partneri serb në një prej kompanive ku ajo zotëron aksione që tregton municione e armatime shqiptare”, theksoi dje Gjoni.

    Kontrolli
    Mbikëqyrja e punës së Ministrisë së Mbrojtjes, sipas Ilir Gjonit, do të bëhet me çdo kusht dhe refuzimi i kontrollit parlamentar është një kosto shumë e rëndë për vendin. “Refuzimet e përsëritura nga ana e drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes për të mos pranuar mbikëqyrjen parlamentare janë shenja të qarta të arrogancës së pushtetit, e cila, në gjykimin tonë, buron nga një kulturë mbisunduese papërgjegjshmërie para ligjit, fodullëku korruptiv dhe pandëshkueshmërie. Për Këshillin e Miliarderëve të Saliut më shumë vlerë ka diskrecioni i tyre, sesa ligji”, theksoi deputeti i PS. Më tej, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë kërkoi nga Kryeministri Berisha të mos e trajtojë Ministrinë Mbrojtjes si një pronë private, por të lejojë mbikëqyrjen e Legjislativit. “Ministria e Mbrojtjes nuk është pronë as e Saliut, as e Arbenit. Ajo u përket gjithë shqiptarëve, është simbol i unitetit tonë. Ajo ka qenë dhe duhet të jetë krenaria e vendit. Ushtarakët dhe nëpunësit e përkushtuar të këtij dikasteri nuk e meritojnë këtë damkë antikushtetuese që po u vënë drejtuesit e papërgjegjshëm të saj. Dua t’i garantoj qytetarët shqiptarë se do apo nuk do ministri i Mbrojtjes apo Saliu, deputetët e Kuvendit do ta kryejnë detyrën e tyre. Komisioni i Sigurisë, edhe në mbledhjen e djeshme rikonfirmoi vullnetin e tij për të ushtruar funksionet e veta siç ia njeh ligji e Kushtetuta, për ta rifutur në hullitë kushtetuese këtë institucion kaq të rëndësishëm të shtetit që është kapur nga një klan abuziv e antikushtetues”, theksoi deputeti i PS.

    Rama: Imami përgjon deputetët e PS

    Kryetari i Partisë Socialiste hodhi akuza të forta ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, se po përgjon deputetët e opozitës. Gjatë fjalës së tij para deputetëve socialistë, Rama tha se përgjuesit do të përgjigjen pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Ashtu sikundër kemi informacione të besueshme nga brenda Ministrisë së Mbrojtjes se trafiku i sapozbuluar i armëve është vetëm maja e ajsbergut të një veprimtarie të paligjshme që shtrihet deri në përdorimin
    e mjeteve të Ushtrisë për përgjime me natyrë politike ndaj opozitës. I siguroj përgjuesit se do të përgjigjen në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Rama para deputetëve socialistë.

    Panorama

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    16,245
    Imami: Mbikëqyrja nuk është “kontroll punëtor”

    Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka reaguar dje lidhur me akuzat e opozitës për tregti armësh dhe përgjime të natyrës politike. Deklaratën e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, ministri i Mbrojtjes e ka cilësuar si një korrigjim të deklaratës së kryetarit të opozitës. Imami, në reagimin e tij kërkon nga deputetët e PS-së që të tregojnë durim dhe të presin seancën dëgjimore në Komisionin e Sigurisë. “Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, mirëpret korrigjimin që deputeti Ilir Gjoni i bëri sot kryetarit të tij duke u tërhequr nga akuzat për trafik armësh në atë për tregti armësh, nëse kjo e fundit mund të konsiderohet akuzë. Zoti Gjoni foli për dyshime, të cilat do të marrin shpjegimet përkatëse në seancën dëgjimore të kërkuar nga Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare me ministrin e Mbrojtjes javën e ardhshme. I bëjmë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste dhe ndihmësve të tij të kenë durimin dhe qetësinë për të dëgjuar me vëmendje shpjegimet që do të japë ministri i Mbrojtjes”, thuhet në reagimin e Imamit. Ministri i Mbrojtjes e cilëson si jo normal kontrollin, sipas tij, kërkon të realizojë opozita. “Njëkohësisht, ndihemi të detyruar të sqarojmë për të disatën herë se mbikëqyrja parlamentare nuk përputhet me “kontrollet punëtore” që rëndom organizoheshin një herë e një kohë. I kujtojmë zotit Gjoni në veçanti se Revolucioni i Madh Kinez ka mbaruar. Po ashtu, kryetari i Partisë Socialiste është i lutur të ndikojë sipas mundësive në përmirësimin e fjalorit dhe etikës së komunikimit publik të vartësve të tjerë”, thuhet në qëndrimin e ministrit Imami.

    Imami më 16 korrik raporton në Kuvend
    Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, do të raportojë në Kuvend më datë 16 korrik për akuzat e opozitës për tregti armësh dhe abuzime me strukturat e Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Deputeti i PD-së, Luan Skuqi, propozoi në Komisionin e Sigurisë që për të gjitha pikat e kërkesës hetimore, t’i kërkojë Ministrisë së Mbrojtjes që të sjellë dokumentacionin zyrtar dhe më pas të dëgjojë raportimin e Arben Imamit. Por, kjo kërkesë për të hequr dorë nga mbikëqyrja në institucion dhe kalimi i hetimit vetëm në rrugën shkresore në Komision është cilësuar nga opozita si tentativë për të shmangur kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Lutaj: Topalli të marrë pjesë në Komision
    Deputeti i PS-së, Pirro Lutaj, kërkoi dy ditë më parë që në Komisionin e Sigurisë të merrte pjesë dhe kryerja e Kuvendit, në mënyrë që të vihej në dijeni për përplasjen institucionale me Ministrinë e Mbrojtjes. “I bëj thirrje kryetares së Kuvendit të mos bëjë të paditurën, por të marrë në analizë këtë çështje, të jetë e pranishme në Komisionin e Sigurisë, të njihet me praktikën për shkak të vakancave që ka marrë jashtë shtetit dhe të bëhet udhëzuese e deputetëve për të ushtruar një të drejtë kushtetuese dhe ligjore”, deklaroi Lutaj.

    FATION BINJAKU
    Panorama

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    16,245
    Klosi: SHIU është më i fuqishëm se SHISH, mund të përgjojë me pajisje dixhitale

    Ish-shefi i SHIK komenton akuzat e opozitës.

    “Sot me pajisje dixhitale mund të përgjosh kollaj, në kohën time kishte central analog”
    Ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi, në një intervistë për “Panorama” shprehet se prej kohësh Shërbimi Informativ i Ushtrisë është fuqizuar dhe ka marrë në rrugë jo ligjore kompetenca të frikshme. Përgjimet, sipas Klosit, janë lehtësisht të realizueshme edhe falë dixhitalizimit të mjeteve të komunikimit. Ish-drejtuesi i Shërbimit Informativ Kombëtar (aktualisht quhet SHISH) shprehet me tone kritike ndaj moslejimit të kontrollit parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes. Klosi rrëfen dhe mënyrën e pajisjet që duhen për të realizuar një përgjim telefonik qoftë dhe atë fizik.
    Zoti Klosi, kryetari i opozitës ka deklaruar që deputetët e opozitës përgjohen nga Shërbimi Informativ Ushtarak (SHIU). Ju, si njohës i mirë i strukturave informative dhe si ish-kryetar i Shërbimit Informativ, si e gjykoni këtë deklaratë dhe a ka tagër ligjor që të bëhet një përgjim i tillë nga SHIU?
    Nga eksperienca ime, do të thosha se edhe mund të jetë e vërtetë. Në filozofinë e vet Kryeministri, që dikur ka qenë president i vendit, por që i kishte të dyja funksionet, dhe të Presidentit dhe të Kryeministrit njëkohësisht, e ka pasur këtë filozofi. Opozita në atë kohë është përgjuar dhe kur e morëm ne Shërbimin, megjithëse jam i sigurt që ishin bërë shumë rregullime për të mos lënë gjurmë, por atëherë teknikat e përgjimit ishin shumë të vjetra dhe ishin harruar disa lidhje dhe ne gjetëm të lidhur me përgjues shumë numra telefoni të eksponentëve të opozitës së atëhershme që janë dhe në opozitën e sotshme, dhe këto lidhje kishin mbetur të lidhura. Kryetari i maxhorancës kërkon të dijë gjëra që nuk i di, dhe kërkon t’i marrë vesh nga ky lloj përgjimi. Kjo është një shkelje e rëndë e ligjit. Sepse nuk u tha që përgjimi u bë nga SHISH, por nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe kjo është në linjë me atë që është deklaruar, meqenëse Kryeministri nuk e vuri dot nën kontroll Shërbimin Informativ Shtetëror, edhe pse me ligj e ka, por ai nuk ka qejf që ta ketë në kontroll kur njerëzit që janë aty nuk janë të tërët të tij. Ai, me të ardhur Kryeministër, tha që do ta çonte SHISH-in në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe po ta kishte bërë këtë lëvizje do ta kishte pasur nën kontrollin e plotë. S’e bëri dot këtë kalim, atëherë u mundua ta hiqte shefin e SHISH-it, s’e bëri dot dhe heqjen e kreut të SHISH-it, dhe atëherë vendosi të sajojë një shërbim tjetër informativ, po kaq të fuqishëm, SHIU-n, dhe mund të them mbase më të fuqishëm se sa SHISH.
    A mendoni se Shërbimi Informativ Ushtarak i ka mundësitë dhe pajisjet për të ndërmarrë përgjime të tilla ndaj deputetëve apo kujtdo qoftë tjetër?
    Mundësitë sot janë dhe relativisht të thjeshta. Pse? Sepse sot të gjitha informacionet janë dixhitale. Centrali i telefonit në kohën tonë ishte analog dhe ne detyroheshim të vendosim fisha në bornet e secilit numër që do të përgjohej. Kurse sot, duke kaluar në sistemin dixhital, është e tëra e kompjuterizuar dhe të gjitha centralet, qoftë ai i numrave fiks dhe qoftë centralet e operatorëve të telefonisë celulare, e kanë të përgatitur që në prodhim vendin e daljes së informacionit që i shërben shtetit. Problemi është se si i përdor shteti këto informacione. Ta marrësh këtë informacion është shumë kollaj, me një linjë të thjeshtë me fibra optike apo radiorele, mund të rrish para kompjuterit dhe të vendosësh se cilin numër do të përgjosh nga ç’kohë deri në ç’kohë, apo ai përgjim të regjistrohet, apo ta dëgjosh në kohe reale. Pra, këto gjëra sot janë teknikisht të zgjidhura, sigurisht që të përgjosh duhet bashkëpunimi me operatorët celularë, por nuk e quaj të zorshme këtë gjë. Kontratat e tyre në kohën time, ata kishin këtë detyrim që të bashkëpunonin dhe për nevojat e shtetit të lejonin të bashkëpunonin, për transmetimin e informacionit të nevojshëm nga një operator në një institucion shtetëror.
    Edhe në rastet kur konsiderohet se po shkelet ligji?
    Në kohen time, ishte Prokuroria ajo që kishte të drejtën ekskluzive dhe na delegonte ne të drejtën për të përgjuar. Kurse sot gjërat mund të kenë ndryshuar dhe duke ditur marrëdhëniet e Kryeministrit me Prokurorinë nuk jam i sigurt që, me kompanitë flet Prokuroria. Pra e quaj që kompanitë celulare apo ato fikse janë të detyruara t’i binden qeverisë. Pastaj ku e çon këtë informacion qeveria? Ja dërgon SHISH apo ia ka deleguar SHIU-t, ky është një problem i qeverisë. Prandaj e quaj teknikisht një problem jo të zorshëm.
    Në dijeninë tuaj, një përgjim i tillë i celularit apo telefonit a lë gjurmë apo identifikohet?
    Një përgjim i tillë, në qoftë se do të kërkonte të linte gjurmë, do t’i linte ato gjurmë, por nëse bëhet kundra ligjit, sepse njerëz e menaxhojnë, çdo gjë është e planifikuar. Softi që përdoret është në dorë të njerëzve dhe në qoftë se ai përdoret me kujdes, ai program nuk lë gjurmë. Në qoftë se ata zbatojnë rregullat që përgjimet të lënë gjurmë, sepse dhe sistemi që na erdhi ne atëherë u porosit dhe u programua me një shërbim informativ partner, u programua në mënyrë që të linte gjurmë, në mënyrë për ta kontrolluar Shërbimin Informativ Shtetëror, që ai të kryente shërbimet dhe jo të përdoret si mjet për të arritur qëllime politike.
    Këto kompetenca për të realizuar përgjime a i ka pasur më parë Shërbimi Informativ Ushtarak?
    SHIU nuk ka pasur fare kompetenca të realizojë përgjime. Sepse SHIU kishte për detyrë që të ndiqte veprimtarinë e Ushtrisë dhe të mos cenonte sigurinë kombëtare brenda Ushtrisë. SHIU është një institucion që ka një territor të caktuar të veprimtarisë së tij dhe deputetët janë jashtë këtij territori. Po të jetë e vërtetë, është absolutisht e paligjshme.
    A ka dublim të punës së Shërbimit Informativ Shtetëror në Shqipëri?
    Unë mund të them që po dublohet SHISH-i dhe po lihet mënjanë. Dhe detyrat e SHISH, natyrisht jo me ligj, sepse nuk mund të bëhet me ligj se do ishte skandal, por urdhra ose me udhëzime, mbase edhe gojore, për të mos lënë gjurmë, po ia kalojnë kompetencat Shërbimit Informativ Ushtarak. Në qoftë se është i vërtetë përgjimi i deputetëve, është një provë që Shërbimi Informativ i Ushtrisë është bërë goxha i fuqishëm dhe ia ka kaluar Shërbimit Informativ Shtetëror.
    SHISH a ka mundësi, qoftë edhe pa leje, të përgjojë deputetët?
    SHISH nuk ka të drejtë të përgjojë deputetë. Në qoftë se në punën e SHISH-it do të dilte emri i një deputeti dhe ia vlente që të shtyheshe pak më tutje, atëherë duhet të merrje leje në Parlament për një deputet dhe te Kryeministri për të përgjuar një ministër, dhe kjo leje nuk është dhënë ndonjëherë e SHIK-u e ka mbyllur si çështje. Ka pasur raste që mund të trajtoheshin në punë operative në lidhje me një deputet ka qenë e prerë, jo nuk jepet leje për ta kontrolluar.
    Disa javë më parë, pas akuzave në media, ka dhënë dorëheqjen drejtori i SHIU-t. Si e konsideroni këtë dorëheqje?
    Akti i dorëheqjes është gjithnjë pozitiv, tregon integritet. Sepse praktikisht pranon që është fajtor për një problem dhe jep dorëheqjen për të mos u bërë më pjesë e akteve të gabuara. Në një farë mënyrë, i jep mundësi edhe Drejtësisë të veprojë. Sepse ai është titullar i një institucioni dhe nuk është aq kollaj të hetohet duke qenë në detyrë, se ka në dorë të gjitha levat që të zhdukë “provat”. Kështu aktin e dorëheqjes së tij, po të jetë i lidhur me këtë problem, e quaj pozitiv.
    Opozita e ka quajtur si një tentativë për të shmangur përgjegjësitë. Sa gjasa ka të ndodhë kjo?
    Jo. Sepse problemi i përgjimeve, nëse ka ndodhur, nuk ka ndodhur sot, ky është një problem që mund të ketë ndodhur vitin e fundit dhe në qoftë se jep dorëheqje javën e fundit, atëherë ke brenda muajt e tjerë. Nuk shmanget përgjegjësia me dhënien e dorëheqjes. Nëse ka ndodhur që të jenë përgjuar deputetët, atëherë kjo është një vepër penale shumë e rëndë, dhe jo administrative. Nuk shpëtohet nga të tilla përgjegjësi.
    Lidhur me përgjimet, opozita ka hedhur akuza se përdoren dhe makina të posaçme për të realizuar përgjime qoftë në ambiente të ndryshme, qoftë në zyra. A është e mundur të ndodhë kjo?
    Shërbimi Informativ ka një sektor të veçantë për këtë problem dhe ai sektor mund të ngrihet në çdo shërbim, po t’i japësh detyrë. Problemi është t’i jepen paratë dhe t’i jepen detyra. Në një farë mënyrë, kur i jepen detyra, duhet t’i jepet mbështetje, sepse kemi të bëjmë me diçka të paligjshme. Bashkë me financimin, do t’i jepet mbështetja, një siguri që nuk do t’i gjejë gjë ata njerëz, në qoftë se do ta ngrenë një shërbim të tillë të përgjimit fizik. Por që mund të bëhet, për të zbuluar me kë u takua, për çfarë u takua. Përgjimi i telefonatave e besoj se mund të ndodhë, sepse njerëzit flasin shumë në telefon. Në qoftë se përgjohen, bëhet me telefonat, nuk besoj te ketë ndonjë përgjim fizik, mbase dhe ajo bëhet, se nuk ka ndonjë gjë të vështirë, mbase nëpër zyra.
    Lidhur me debatin në Komisionin e Sigurisë për të mbikëqyrur punën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe kërkesa për të ushtruar kontroll parlamentar ndaj ministrit Imami, si e gjykoni faktin që nuk janë lejuar deputetët të zhvillojnë këtë mbikëqyrje?
    Në qoftë se nuk janë lejuar, atëherë kjo do të thotë që aty ka diçka për t’u fshehur. Unë nuk kam guxuar kurrë që të mos lejoj kontrollin parlamentar, në ato pak raste që më është kërkuar në punën e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe që me ligj është shkruar që është një punë sekrete. Nuk mund të ndalohen deputetët. Ne kishim këtë rregull, që Komisioni i Sigurisë kishte një nënkomision që përbëhej nga më pak deputetë të besuar, dhe unë atyre nuk mundet t’u fshihja asgjë. Refuzimi i një kontrolli të Komisionit të Sigurisë, për mua është e rëndë.

    FATION BINJAKU

    Panorama

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    16,245
    PS: Po përgjohen dhe diplomatët

    Gramoz Ruçi akuzon ministrin e Mbrojtjes për përgjime të paligjshme dhe trafik armësh
    Imami: S’lejoj kontroll punëtor fshatar në Ministri


    Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, e akuzoi dje sërish ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, se përveç opozitës, ky dikaster po përgjon edhe diplomatët e huaj. Duke folur në Parlament, Ruçi replikoi me ministrin edhe sa i përket trafikut të armëve dhe kontrollit që kërkon të bëjë opozita.
    Përgjimet
    Sipas Ruçit, diplomatët e akredituar në vendin tonë përgjohen nga Ministria e Mbrojtjes. “Ka mbi tri javë që një komision i këtij Parlamenti për dy çështje shumë të rëndësishme, siç është përgjimi i opozitës dhe i diplomatëve dhe siç është trafiku i armëve nga Ministria e Mbrojtjes, dhe kundërshtohet vendimi i Komisionit Parlamentar për të bërë kontrollin civil mbi Ekzekutivin. Ju duhet të ndërhyni me urgjencë sepse ky është përdhunim i parlamentarizmit të një vendi që është anëtar i NATO-s dhe institucioni i Ministrisë së një vendi anëtar të NATO-s bën përgjime opozitarësh dhe diplomatësh”, tha Ruçi. Në përgjigje të akuzave për përgjimet, ministri i Mbrojtjes tha se është opozita ajo që përgjon Ministrinë. Sipas tij, dikasteri i Mbrojtjes është nën sulmin e pakicës parlamentare. “Në fakt, nga deklaratat e z. Rama dhe ato të z. Gjoni, kuptohet se kush është i përgjuari. Qartazi, Ministria e Mbrojtjes është nën një sulm. Është e kuptueshme kjo. Është PS që po përpiqet të mbledhë informacion në rrugë të kundërligjshme për problemet e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo është për të ardhur keq. Kjo nuk është rruga me të cilën veprohet. Kjo është rruga e vjetër e spiunëve dhe e mbledhjeve të bashkëpunëtorëve dhe informacioneve në rrugë të kundërligjshme”, u shpreh Imami.

    Kontrolli

    Kreu i Grupit socialist kërkoi ndërhyrjen e parlamentares Topalli lidhur me kontrollin që kërkojnë të bëjnë deputetët në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas tij, “Një vend anëtar i NATO-s që bën trafik armësh, një vend që aspiron për të marrë ftesën në vjeshtë dhe mungon kontrolli parlamentar mbi Ekzekutivin. Prandaj ne jemi opozitë, për të trajtuar këto çështje, për të përmbushur rolin tonë si parlamentarë dhe si opozitarë, por edhe juve, si drejtuese e Parlamentit, duhet të ushtroni të gjitha atributet tuaja kushtetuese dhe parlamentare që ministrat të përmbushin rolin e tyre”. Por, në përgjigje të këtyre deklaratave, Imami tha se nuk do ta lejojë këtë kontroll për shkak se ai është antikushtetues. “Nuk do të ketë kontroll punëtor në asnjë shumicë dhe me asnjë opozitë në Shqipëri. Shqipëria është një vend demokratik ku sundon procedura. Në qoftë se disa deputetë, të cilësdo parti qofshin, qoftë edhe të Partisë Demokratike, nesër në mëngjes do të dëshirojnë të futen në cilëndo ministri për të ushtruar kontroll, kjo është antikushtetuese, kjo është thelbësisht antikushtetuese”, tha ministri i Mbrojtjes.

    Replikat
    Erjon Braçe: Shko ore mbushu! Kujt i thua fshatar ti? Deputetëve të opozitës?
    Arben Imami: Nuk do të ketë kontroll.
    Erjon Braçe: Do të ketë ore, do të ketë.
    Arben Imami: Kam pasur gatishmërinë e plotë, u jam përgjigjur me shkrim pyetjeve të deputetëve të opozitës. Dhe propozoj të ngrihet një nënkomision i Komisionit të Sigurisë me 3 apo 4 veta që betohen për sekretet shtetërore.
    Erjon Brace: (Pyetje pa mikrofon Arben Imamit) Ç’i duan kopsat përgjuese që kanë blerë? Po çakmakët me përgjues për çfarë i do? Edhe pullat për çfarë i do? Na trego pra.

    Rama
    Lidhur me replikat e ditës së djeshme ka reaguar nga Selaniku edhe kreu i PS-së, Edi Rama, i cili ka shkruar në Twitter: “Në Ministrinë e Mbrojtjes janë përgjuar opozitarë e diplomatë të huaj, dhe sot Arben Imami nuk e fshehu dot përzierjen e tij në atë batak. Moslejimi i kontrollit parlamentar të opozitës dhe sulmet banale ndaj saj janë përpjekje të kota për të fshehur atë që tanimë është zbuluar”.

    Bizhga: Qeveria i shiti Malit të Zi armë për regjimin e Gedafit
    Deputeti i PS: Imami, lidhje me biznesmenët serbë


    Deputeti i PS-së, Gazmir Bizhga, deklaroi dje në Kuvend se ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, duhet të japë shpjegime për tregtinë e armëve me Malin e Zi dhe të shpjegojë lidhjet e tij me Damir Fazlliçin. “Kërkesës sonë se si shpjegohet që për dy vjet Shqipëria i tregton Malit të Zi 210 mijë predha të kalibrit të rëndë 80-120 mm, me destinacion përfundimtar përdorimi Malin e Zi, kur vetë ky vend me 500 mijë banorë nuk ka aq kapacitet për ta depozituar këtë armatim e jo më ta përdorë dhe që kalon disafish kapacitetin e saj mbrojtës, ministri i përgjigjet se nuk më duhet mua se çfarë bëjnë ata. Ky armatim, kolegë, ka vajtur për regjimin e Gedafit dhe është ai që u kap në portet libiane në mesin e luftës e që u denoncua nga Euronevws dhe Nevv York Times. Kërkesës sonë më datën 21 mars të vitit 2011 se përse Ministria e Mbrojtjes tregton me Jemenin armatim të rëndë, kur ky vend është në luftë civile, ministri na u përgjigj se kjo nuk do të ndodhë, pasi ne si rregull nuk tregtojmë me vendet që janë në luftë, ndërkohë që në datën 31 mars 2011, Ministria e Mbrojtjes i shet Jemenit 20 mijë predha 120 mm, në kulmin e luftës civile. Kërkesës sonë se çfarë e lidh ministrin e Mbrojtjes me tregtarin qeveritar, serbo-boshnjakun Damir Fazlliç, ministri i përgjigjet se e ka një mik të hershëm të tijin. Tani unë po ju pyes, z. Ministër: Ju jeni ministri i Mbrojtjes së shqiptarëve, apo përfaqësuesi i interesave të tregtarëve serbë të armëve?”, deklaroi Bizhga.

    ADI SHKEMBI
    Panorama

  6. #6
    Perjashtuar Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,056
    Shume vende te botes demokratike kane nje numer me te madh se 1, sherbimesh inteligjente.
    Fatos Klosi nuk eshte ekspert i sigurise dhe inteligjences. Posti i tij si kreu i SHIK ishte totalisht politik. Gjate qeverisjes se PS, Klosi u shkarkua nga detyra. Aktualisht kreu i SHISH eshte ai i zgjedhur nga PS.
    Ne asnje vend te Europes nje deputet mund t'i thote ministrit te mbrojtjes, na thuaj per çfare te duhen, kopsat, kopacet apo çakmaket qe keni blere. Eshte ABSURDITET TOTAL.
    Nuk e kuptoj friken e PS nga nje SHIU i afte ?!? Po punojne "nen rrogoz" apo çfare ???

    Meqe pergjimi, ndjekja dhe humintel qekan tashme te kollajte, kushdo mund te krijoje nje njesi inteligjence, edhe PS apo kushdo tjeter qe ka fondet e mjaftueshme financiare.

    Maskaralliqet e bllokqenve te PS nuk do te perfundojne ndonjehere, po nuk u ngordhi komplet rraca ...

  7. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    12-02-2011
    Vendndodhja
    Antarkdite
    Postime
    527
    Problemi eshte se duke qene se SHISH-i nuk deshi te funksiononte dhe nuk funksionoi per 21 Janarin, atehere dikujt i "dhemb" sepse sherbimi ushtarak ka informuar institucionet e shtetit se cfare do te ndodhte ate dite.
    moj Evrope moj k*rve qemotit, ndave tokat e Shqipnise me ushqye kelyshet e Rusise

  8. #8
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,701
    Klani gjonaj "godet" salijevin me "jashte kontrollit" ... (?!)


    SHEKULLI ONLINE

    Gjoni: "Berisha të bëjë transparente transaksionet nga Lindja e Mesme deri në Gjeorgji!"
    Ilir Gjoni

    Më poshtë po japim fjalën e plotë të deputetit socialist, Ilir Gjoni sot në Kuvend, mbi shqetësimet mediatike që ai ka ngritur kohët e fundit për përgjimet që po kryen Ministria e Mbrojtjes në mënyrë të paligjshme.

    “Bisha ka dalë jashtë kontrollit” citonte gazeta prestigjioze New York Times, të cilën kryeministri ynë qibar e ka cilësuar si “letër higjienike” të ketë thënë një sekser armësh, duke iu referuar dhe nënkuptuar lidhjet e Familjes në trafikimin e armëve. Përveç figurës letrare të gjetur, fakti është se kjo histori vazhdon. Ne po e shohim qartë se si “bisha” herë me fytyrë aktori, e herë shtetari të karfosur, herë si burrë-grua, e herë si gjeneral në bunker, herë si maço burrë, e herë si kokorosh, shkëpurdhet pas frazave boshe e të fryra, për të mbuluar mëkatin e përsëritur. Ministria e Mbrojtjes, strumbullari i superskandaleve në historinë e re të Shqipërisë, është përfshirë në një qerthull sa kriminal, aq dhe antikushtetues, sa gangster, aq dhe antiligjor.", u shpreh Gjoni.

    "Për shqiptarët kjo në fakt nuk përbën habi, pasi ky kryeministër, i cili më parë foli për ‘besnikëri’, por që në fakt përkthehet në ‘Omerta’ mafioze, është personi që ka iniciuar për herë të parë tregtinë ilegale të armëve përmes thyerjes së embargos së OKB-së ndaj regjimit të Milosheviçit, gjë të cilën e ka pohuar vetë, i detyruar nga rrethanat, e jo nga sinqeriteti, në disa raste si në deklarimet e tij në median e shkruar e vizive vendase e ndërkombëtare, ndonëse, si demagog që është, mundohet dëshpërimisht ta fshehë pas patriotizmit."

    "Nisur nga faktet e sipërcituara dhe mjaft të tjera të bëra publike gjatë këtyre viteve, është e qartë që kontrolli ndaj procedurave të ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes jo vetëm për shitjen e armatimeve, por dhe tërë procesin e demontimit dhe shitjes së skrapit apo metaleve me ngjyrë që përftohen nga demontimi duhet të jenë transparente dhe t’i bëhen të ditura publikut, pasi janë mall publik, e jo mall i babait të Familjes, e nuk përbëjnë asnjë sekret shtetëror. Për më tepër, moslejimi i kontrollit parlamentar ndaj veprimtarisë së dyshimtë të Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe dyshimet e bazuara, se ky institucion ka dalë jashtë hullive kushtetuese, e rëndojnë më tej situatën. Asnjë qeveri e një vendi anëtar të NATO-s nuk do të mund ta konceptonte apo ta çonte ndër mend të refuzonte kontrollin e legjislativit ndaj veprimtarisë së shërbimeve inteligjente. Kjo është një “sine qua non” i funksionimit demokratik të institucioneve në një shtet demokratik, aq më tepër anëtar i kësaj organizate.

    Mbikëqyrja dhe llogaridhënia garantojnë ushtrimin e misionit nga ana e institucioneve të inteligjencës me kompetencë, brenda kuadrit ligjor, duke përdorur burimet e taksapaguesve në mënyrë efikase dhe efektive. Mbikëqyrja është thelbësore për tërë komunitetin e inteligjencës, pasi pjesa dërrmuese e veprimtarisë së tyre zhvillohet nën petkun e sekretit shtetëror, që nuk është subjekt i shumë prej garancive tradicionale, që përdoren për agjencitë e tjera qeveritare. Kjo është arsyeja themelore, përse nuk lejohet të zhvillohet mbikëqyrja parlamentare. Ky është një skandal i vërtetë. Është një shkelje e rëndë e mëvetësisë dhe autoritetit të Kuvendit si pushtet legjislativ, një arrogancë e tejskajshme e qeverisë dhe shpërfillje e saj ndaj parlamentit dhe një përpjekje mjerane për të fshehur, pa sukses, bëmat e kësaj ministrie dhe kësaj qeverie. Ky, pa mëdyshje, është një puç kushtetues. Por kjo situatë është akoma më e rëndë."

    “Së pari kjo ka nxjerrë në pah impotencën e Kuvendit të Shqipërisë për të konsoliduar e afirmuar autoritetin e vet si pushtet i mëvetshëm. Kuvendi, përfaqësuesit e shumicës dhe kryetarja e Kuvendit, me këtë ndodhi, e provuan se nuk janë gjë tjetër veçse një apendiks i Ekzekutivit, e thënë shkoqur e thjesht, bishti i Sali Berishës.”

    “Së dyti, fshehja e veprimtarisë së këtij institucioni kaq të rëndësishëm të vendit siç është Ministria Mbrojtjes, cënon rëndë imazhin e vetë këtij institucioni, por akoma më rëndë të vendit tonë si vend anëtar i NATO.

    Së treti, mungesa e llogaridhënies dhe mbajtja e përgjegjësive janë simptoma të rrezikshme që paralajmërojnë një zhvillim ogurzi për vetë nivelin e demokracisë në vendin tonë. Filli mes demokracisë dhe tiranisë është shumë i hollë, kur arroganca e qeverisë, e ushqyer nga korrupsioni endemik dhe lufta e paskrupullt për pushtet bashkohen në një të vetme.”

    “Qeveria e Sali Berishës duhet t’i bëjë transparente publikut, a ka vënë në shërbim të partisë së tij institucionet e sigurisë? A janë blerë pajisje përgjimi dhe për çfarë janë përdorur ato? A është përgjuar opozita dhe a janë shfrytëzuar këto shërbime për interesat e Familjes? Të bëjë transparente transaksionet e dyshimta, me firmat fantazmë që nisin nga Lindja e Mesme, në Sejshelle e përfundojnë në Gjeorgji. Ish-shefi i SHIU të sqarojë përse në deklarimin e pasurisë nuk ka fshirë të dhënat për pronësinë e aksioneve të bashkëshortes së tij në një kompani private të tregtimit të armëve.”, përfundoi fjalimin e tij, deputeti Ilir Gjoni.

    MA

  9. #9
    Perjashtuar Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,056
    Pallavrat dhe mashtrimet e zagareve te Vrromes do te perfundojne vetem nqs kapin "kolltuqet" ...

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    16,245
    Rama: Imami na përgjon me pajisjen që kushton 400 mijë euro, e bleu 1.6 mln

    Kreu i PS akuzon ministrin e Mbrojtjes për përgjime të paligjshme të deputetëve e diplomatëve.

    “Bleu 1.6 milionë euro pajisjen që kushton 400 mijë”


    Kreu socialist, Edi Rama, e akuzoi dje ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, për veprimtari kriminale. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist, Rama tha se në këtë ministri po përgjohet opozita dhe diplomatët e huaj në mënyrë të paligjshme nga Shërbimi Informativ Ushtarak. “Ministria e Mbrojtjes duhet të hapë dyert e mbyllura arbitrarisht për kontrollin parlamentar të kërkuar nga deputetët e opozitës. Duhet të vërë në dispozicion jo vetëm të deputetëve të opozitës, por dhe të gjithë publikut, dokumentacionin e blerjes së njësisë së përgjimit. Duhet të lejojë inspektimin e kësaj njësie nga ana e deputetëve të opozitës dhe duhet të japë të gjitha sqarimet e nevojshme për të arritur në përfundime të plota dhe të qarta lidhur me këtë veprimtari, e cila për momentin, me aq sa jemi të informuar, ka vetëm një emër: veprimtari kriminale”, tha Rama. Sipas tij, ka qenë vetë Imami që ka urdhëruar blerjen e pajisjeve me vlera të fryra financiare, duke shkaktuar një tjetër skandal në këtë ministri. “Është personalisht ministri i Mbrojtjes që ka urdhëruar në shkurt të vitit 2011 blerjen e një pajisjeje me vlerë 1 586 000 euro për të përgjuar kundërshtarët e qeverisë.
    Kjo pajisje, në fakt, kushton vetëm 400 000 euro dhe blerja e përdorimi i saj nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë është në kundërshtim të plotë me ligjin shqiptar për përgjimet. Përtej abuzimit me vlerën si abuzim me Kushtetutën dhe me ligjin, është përsëri vepër e mirëfilltë penale”, u shpreh Rama. Por, për kryesocialistin, nuk është përgjuar vetëm opozita, por dhe diplomatët e huaj në Tiranë. “Në botën demokratike, kjo as që mund të parafytyrohet. Në Shqipëri kjo është absolutisht e ndaluar me ligj. Por, faktikisht është bërë dhe bëhet përditë, madje duke futur në përgjim edhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve aleate të Shqipërisë në NATO nëpërmjet një njësie përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Rama. Duke folur për qëndrimin e PS-së për imunitetet e zyrtarëve të lartë, Rama i kërkoi Kryeministrit t’i hapë rrugë transparencës. “Përpara se sa të kërkojë nga opozita votën për ndryshimin e Kushtetutës mbi imunitetin, Kryeministri duhet të bëjë transparencë të plotë për cenimin e imunitetit të kundërshtarëve politikë përmes përgjimit të paligjshëm nga njësia e ngritur në Ministrinë e Mbrojtjes mbi një shkelje flagrante, që përbën një vepër antikushtetuese dhe penale”, tha Rama.
    Për heqjen e imuniteteve, Rama kërkoi një proces diskutimi dhe debati të gjerë me grupet e interesit. “Qëndrimi ynë është i qartë dhe i palëkundur: jemi dakord me nevojën për kufizimin e imunitetit dhe do ta votojmë kufizimin e imunitetit pasi të jetë realizuar një proces publik, transparent, gjithëpërfshirës për ndryshimin e Kushtetutës. Nga ana tjetër, ne nuk do të bëhemi pjesë e asnjë goditjeje të përqendruar për një arnim të ngutur kushtetues dhe as do të lejojmë që kufizimi i imunitetit të bëhet shtysë për hapjen e një sezoni të ri gjuetie shtrigash në prag të zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh Rama.

    Imami, sot në Kuvend
    Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, do të raportojë sot në orën 11:00 para Komisionit të Sigurisë për akuzuat e bëra nga opozita për përgjim të jashtëligjshëm të deputetëve të PS-së dhe diplomatëve, gjithashtu dhe për akuzat për trafik armësh. Prania e Imamit është konfirmuar zyrtarisht dhe nga Kuvendi, që ka nxjerrë njoftimin përkatës. “Seanca dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, z. Arben Imami, për çështjen ‘Plani i përhapjes së FA-së, si dhe ndryshimet strukturore që i janë bërë këtij plani’”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

    Panorama

  11. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    16,245
    Kontrolli, Imami: Parlamenti të respektojë limitet e tij

    TIRANE- “Cështja e llojit të kontrollit nuk është cështje e ministrisë, por e parlamentit që duhet të ketë të qartë limitet e tij”. Kështu është shprehur ministri Imami pas pyetjes së gazetarëve për kontrollin parlamentar të kërkuar nga PS në ministrinë që ai drejton.

    Sipas tij duhet që më parë të ketë në dorë dokumentin për kontrollin së bashku me programin e punës.

    “Pasi të kem një copë letër ku të ketë një program pune të caktuar, përndryshe unë i kam pritur dhe përcjellë sa herë ka qenë e mundur. Kontrolli parlamentar është shumë i rëndësishëm, por shkelja e limiteve është precedent i keq, që nuk do ta lejoj”- tha ai.

    Panorama

  12. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    16,245
    Imami: Të ngrihet komision për përgjimet

    TIRANË-Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka mohuar akuzat e opozitës për përgjime ndaj saj dhe diplomatëve të huaj, duke theksuar se kjo është një tullumbace që do të plasë shpejt, njësoj si ajo e trafikut të armëve.

    “Nuk ka të tilla gjëra, por për cdo element që është i lidhur me konfidencialitetin dhe sekretin, do të duhet të ngrihet një komision me njerëz të besuar që të betohen për sekretin dhe të dalin me deklaratë të përbashkët. Të ngrihet komision, drafti është gati dhe të vërtetohet që ne nuk punojmë në këtë drejtim, punojmë kundër terrorizmit me ushtri të NATO. Nuk i kemi këto kapacitete. Sa i takon provokimeve që janë përgjuar edhe diplomatë nuk shkon, nuk jemi në kohën e traktatit të Varshavës, por edhe kjo tullumbace e dytë do të plasë”- tha ai.



    Komisioni i Sigurisë, Imami në seancë dëgjimore


    Debate ne Komisionin e Sigurise Kombëtare gjate raportimit te Ministrit te Mbrojtjes, Arben Imami per “Planin e përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndryshimet strukturore që i janë bërë këtij plani”.

    Deputeti i PS-se, Ilir Gjoni ka kerkuar shpjegim nga ministri per arsyet e bllokimit te kontrollit parlamentar ne institucionin qe ai drejton.

    Mbledhja shoqerohet me debate e akuza, pasi PS se fundi e ka vene ne qender te akuzave ministrin per pergjimin e opozites dhe diplomateve te huaj permes nje pajisjeve, qe sipas kreut te socialisteve Edi Rama kushton 400 mije euro dhe Imami e bleu per 1.6 milione.

    Deputetet e PS kane kerkuar prej ditesh nje kontroll parlamentar ne kete ministri, per nje sere ceshtjesh qe nga gradat e deri ne akuzat per trafik armesh, por nje gje e tille nuk eshte lejuar.

    Panorama

  13. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    16,245
    Debati me ministrin e Mbrojtjes, Imamin: Zbardhet seanca sekrete në Kuvend

    Përgjimet, gazeta publikon të plota dy orët e bisedës me dyer të mbyllura mes deputetëve dhe ministrit të Mbrojtjes.

    Gjoni: Nuk duam sekrete, por buxhetin e SHIU. Imami: Jap garanci, s’ka përgjime e trafik armësh.

    Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka zhvilluar dje seancën dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, i cili raportoi lidhur me akuzat e opozitës për trafikun e armëve dhe përgjimet. Që në fillim të mbledhjes, ministri i Mbrojtjes kërkoi nga kryetari i Komisionit, Leonard Demi, që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave, pasi informacioni që do të paraqitej për deputetët e Komisionit të Sigurisë ishte konfidencial dhe, si i tillë, nuk mund të bëhej publik. Gazeta “Panorama” ka arritur të sigurojë debatin e plotë të zhvilluar në ambientet e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku u debatuan për rreth tri orë për akuzat e opozitës për përgjimet. “Panorama” ofron sot për lexuesit debatin ekskluziv dhe që pas një defekti në aparaturat e regjistrimit të Kuvendit, nuk është mundur të sigurohej një kopje për “konsum” të brendshëm edhe nga vetë stafi i Komisionit të Sigurisë.

    Akuzat
    Pas largimit të mediave nga salla e Komisionit, ministri Imami i ka sqaruar anëtarët e Komisionit të Sigurisë se nuk ka përgjime nga Shërbimi Informativ Ushtarak. Për ministrin, ushtria nuk ka kapacitetet e nevojshme për të realizuar përgjime. “Jap garanci të plotë. Nuk ka as përgjime, sepse nuk ka Shërbimi Informativ Ushtarak kapacitet, aq më shumë për të përgjuar opozitën. Nuk përgjohen diplomatët, se nuk është Traktati i Varshavës, dhe për këtë ju siguroj”, deklaroi ministri i Mbrojtjes. Imami ka kërkuar që dy deputetë të certifikohen dhe të kërkojnë informacion pranë Shërbimit Informativ Ushtarak, që sipas ministrit, nuk është në varësi të tij, por është një shërbim inteligjent, pjesë e NATO-s. Ministri pohoi se deputetët nuk mund ta kontrollojnë SHIU-n, pasi puna e tij është sekrete. Por, për nënkryetarin e Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, PS-ja nuk kërkon sekretet, por të kontrollojë buxhetin e SHIU-t dhe kuadrin ligjore mbi të cilin ka vepruar. Ndërkaq, deputeti Fatos Hoxha ka kujtuar rastin e kontrollit ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror dhe faktin që i është kërkuar nga kryetari i saj, Bahri Shaqiri, që disa deputetë të certifikohen dhe të njihen me materialet sekrete. Ndërkaq, Gjoni ka hedhur dyshime se ish-drejtori SHIU-t, Ylli Zyla, është ende në detyrë dhe firmos dokumentacion. Sipas Gjonit, Zyla nuk duhet të këtë akses në informacione deri në sqarimin e kësaj çështjeje. Në përfundim të mbledhjes, kryetari i Komisionit theksoi se Ministria do të njoftohet me një shkresë të dytë për orarin dhe takimin që do të ketë nga grupet e mbikëqyrjes së Komisionit të Sigurisë.

    PATOZI
    Anëtari i Komisionit të Sigurisë, njëherësh nënkryetar i PD-së, Astrit Patozi, debatoi dje ashpër me anëtarët e opozitës lidhur me legjitimitetin e kërkesës së miratuar nga Komisioni i Sigurisë për të mbikëqyrur punën e Ministrisë së Mbrojtjes. “Për gjithçka, çdo dyshim, çdo interes që ju keni, do të ketë një përgjigje institucionale. Kudo që ju doni të rrëmoni, i keni dyert të hapura. Duhet ta bëni në mënyrë institucionale. Ky komision nuk jua heq të drejtën e dyshimit, por duhet ta bëni në rrugë institucionale. Duhet të shkojmë bashkë, dhe jo në mënyrë të njëanshme. Ju kërkoni Watergate”, tha Patozi.

    Imami: Deputetët të mos u thonë as grave për SHIU-n

    Ministri kërkon një grup të besuar ligjvënësish për kontroll

    Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pas debatit në Komisionin e Sigurisë me deputetët e opozitës, i ka mohuar kategorikisht para mediave përgjimet ndaj diplomatëve dhe deputetëve nga Shërbimi Informativ Ushtarak. Për Imamin, deputetët e opozitës, për të mbikëqyrur shërbimin inteligjent të Ushtrisë, më parë duhet të certifikohen dhe të garantojnë sekretin shtetëror. Sipas tij, deputetët e opozitës nuk duhet informojnë për ato që do të mësojnë te SHIU as kryetarët e partive dhe as bashkëshortet e tyre. “Lidhur me përgjimin, ju them se nuk ka gjëra të tilla, por për çdo element që është i lidhur me konfidencialitetin dhe sekretin, sikurse e thashë edhe në Parlament, ua përmenda edhe sot zotërinjve të nderuar të këtij Komisioni. Duhet të ngrihet një nënkomision me tre apo katër njerëz të besueshëm të grupeve parlamentare që të betohen për sekretin së pari, dhe kur të dalin nga ai Komision, të dalin me një deklaratë të përbashkët dhe të mos informojnë as kryetarët e partive se çfarë kanë parë, as gratë e tyre, por të thonë ka apo nuk ka përgjime. Unë jam i interesuar në këtë moment më tepër se kushdo tjetër për këtë lloj kontrolli. Të ngrihet ky komision i mbështetur në ligj, drafti është gati, dhe të hyhet menjëherë e të vërtetohet gjithçka. Ne nuk punojmë në këtë drejtim. Ne punojmë kundër terrorizmit, ne punojmë së bashku me shërbimet e tjera dhe me ushtri të tjera të NATO-s. Duhet mbajtur në mendje që shërbimi i inteligjencës ushtarake është një nga shërbimet partnere të vendeve të NATO-s. Nga ana tjetër, dua të nënvizoj që provokimi që janë përgjuar edhe diplomatë nuk shkon. Nuk jemi në kohën e Traktatit të Varshavës që të përgjohen diplomatët e vendeve të Perëndimit. Kjo është një çështje e së shkuarës, por edhe kjo tullumbace e dytë shumë shpejt do të plasë”, deklaroi Imami.

    Kreu i Komisionit Demi: Gati drafti për kontrollet
    Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi, deklaroi dje se kontrolli në Ministrinë e Mbrojtjes do të realizohet kur të miratohet drafti i paraqitur nga OSBE-ja për kontrollin e shërbimeve inteligjente. “Ne kemi bërë një draft se si kontrollohen me procedurë, dhe këtë draft ia kemi paraqitur kryetares së Kuvendit për diskutim. Kur të miratohet drafti, ne do të vemi për të kontrolluar apo për të mbikëqyrur institucionin, siç e kanë të gjitha vendet. Drafti është hartuar nga ekspertë perëndimorë me mbështetjen e OSBE-së dhe, kur ta miratojë kryetarja, do të fillojmë procedurën”, tha Demi.

    DEBATI PA MEDIAN NE KOMISION

    Leonard Demi: Ky Komision asnjëherë nuk është penguar dhe nuk do të pengohet në të ardhmen për të kryer punën e vet. Dhe këtë të drejtë ia jep neni 18, 36 dhe 102. Edhe vetë ministri e pohoi këtë gjë në seancë plenare dhe sot ministri ka ardhur sot këtu, në bazë të kësaj Rregulloreje, prandaj kualifikimet emocionale nuk i shërbejnë qëllimit tonë. Për sa i përket çështjes që ju ngritët, ne e kemi në planin tonë dhe, kur të marrim vendim për të vajtur do të vemi, por ju lutem mos debatoni dhe të dëgjojmë ministrin.
    Fatos Hoxha: Problemi është i thjeshtë, unë e kuptoj dëshirën për protagonizëm dhe është normale për deputetët, sidomos në këtë vit elektoral. E mira është që ta përshkallëzojmë sipas hierarkisë dhe jo ta tejkalojmë njëri-tjetrin, sepse kjo nuk ka vlerë. Zoti kryetar, ju keni shkelur disa herë Rregulloren, sepse keni dhënë urdhër që mediat të dalin jashtë dhe kjo nuk po zbatohet.
    Asllan Dogjani: Kjo s’ka kuptim që të flas për planin e përhapjes, këtu janë përgjuar të gjithë.
    Mbledhja fillon pa praninë e medias
    Arben Imami: Së pari, unë ju siguroj se nuk ka trafik armësh dhe do jua them sot dhe nesër dhe pasnesër, unë ju siguroj që nuk ka trafik armësh. Dhe për këtë unë jap garanci të plotë. Nuk ka dhe nuk do të ketë. Nuk ka as përgjime, sepse ne nuk ka Shërbimi Informativ Ushtarak kapacitet, aq më shumë për të përgjuar opozitën. Nuk përgjohen diplomatët, se nuk është Traktati i Varshavës dhe për këtë ju siguroj. Megjithatë, ne jemi më të interesuar se kushdo tjetër dhe kuptoni sepse midis jush ka ish- ministra, punonjës që kanë punuar në fushën e sigurisë dhe mund ta vazhdoni këtë luftë politike dhe nuk ju ndalon kush. SHIU nuk është në këtë mes, por ju kërkoj që të caktoni dy veta dhe të shkojnë dhe të kontrollojnë më shumë sesa di vetë ministri. Por sigurisht që është jashtë logjike, ose ngrini komision parlamentar hetimor.
    Asllan Dogjoni: Po ju duhet të merrni përgjegjësi për përgjimet.
    Arben Imami: Unë po ju jap garanci, dhe po ju them që nëse ka dikush kontroll ai jam unë, por ky kontroll nuk mund të bëhet jashtë procedurave. Unë do t’i lutesha këtij Komisioni të mblidhet dhe të caktojë një projekt për kontrollin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, bëjeni dhe hyni. Unë kur kam hyrë te SHIU vetë, një toger i thjeshtë më ka thënë: “Zoti ministër qëndro, dhe kam qëndruar”. Dhe kam kuptuar që disa gjëra nuk duhet t’i di as unë. Megjithatë po ju them, ngrini këtë nënkomision me njerëz seriozë dhe më të besuar, me përvojë nga të dyja palët. SHIU është një shërbim inteligjence ushtarake brenda NATO-s. Këtë mbajeni mend, sepse mund të na dëmtojë. Çdo kontroll është i nevojshëm, është i domosdoshëm.
    Xhemal Qefalia: Nuk kam për të krijuar debat, diçka që nuk e thashë para mediave, ma lini ta flas këtu. Personalisht zoti ministër njihemi dhe kemi punuar, sinqerisht jam i habitur nga qëndrimi juaj, sepse po merrni mbi vete përgjegjësi që ndoshta nuk ju takojnë. Kemi punuar bashkë në një institucion jo pak të rëndësishëm dhe jeni treguar shumë liberal në mënyrën e trajtimit të problemeve në punën e rendit, por është e pafalshme për ju, si ministër dhe si Arben Imami, që të krijosh një farë ironie therëse për deputetët. T’ju vijë keq juve që shpreheni në media, që mua po më vjen keq për deputetët që ishin në mes të vapës dhe çova një punonjës për t’i futur në Ministri.
    Arben Imami: Dhe prapë ta them, që ju ishit aty pa njoftuar.
    Xhemal Qefalia: Po ta them personalisht, jeni duke marrë përgjegjësi më shumë seç ju takon, duke mos lejuar mbikëqyrjen. Ju thoni krijoni, por këtu ka një vendim të Komisionit të Sigurisë dhe është marrë me shumicë votash. Leonard Demi: Zoti Imami, merrni fjalën dhe mos e lëshoni më!
    Arben Imami: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një nga ngjarjet më të rëndësishme në kushtet e politikave të sigurisë të Shqipërisël; Anëtarësimi në NATO ka detyruar për një rishikim të thellë të strategjisë dhe strukturave më të rëndësishme në Forcat e Armatosura. Plani i përhapjes nuk ka ndryshuar dhe ndryshimet e bëra janë në nivelin e dytë apo të tretë organizativ.
    (Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sandër Lleshi, fillon prezantimin me slideshow të ristrukturimit të FA-së dhe planit të përhapjes të Forcave Ajrore, Detare, Tokësore).
    Arben Çuko: Gjatë këtyre 750 shkurtimeve që janë bërë në forcat ushtarake, mund të më thoni sa janë rekrutuar për këto struktura që keni ju në varësi?
    Arben Imami: Ne nuk e kemi nisur për të bërë shkurtime, ne e kemi nisur që çdo njësi ta masim nga produkti që ajo jep. Në qendrën e personelit kemi bërë një mbledhje dhe kemi bërë një përmbledhje sa njerëz kemi, ku i kemi, çfarë pune bëjnë. Doli që qendra kishte mbi 60 njerëz nëpër rrethe, të cilët që merreshin me rekrutimin. Ne kemi marrë afërsisht të njëjtin numër dhe kemi caktuar që do të kemi një zyrë të vogël në të 12 prefekturat, që do të kryejë të gjithë këtë funksion. Lidhur me dokumentacionin dhe lidhur me rekrutimin, kemi marrë të gjithë dokumentacionin dhe e kemi sjellë në qendër që të mos ruhej me ushtarë. Me internet transmetohet informacioni sa herë i duhet qytetarit dhe vjen në qendër kërkesa, përgatitet dhe kthehet përgjigjja. Ne kemi arritur që të kemi 12X2, pra 24 njerëz të shpërndarë. (Prishet aparatura e regjistrimit në Komisionin e Sigurisë)
    Leonard Demi: Zoti Ministër, është prishur pajisja dhe nuk po regjistrohet. Duhet ta regjistrojmë, se në mbledhjet e kaluara zoti Hoxha na ka bërë vrenjtje pse nuk është regjistruar dhe e kishim me dyer të mbyllura, por nuk del në website, por regjistrohet. Zoti ministër, po thotë një deputet i opozitës që nga Komisioni i Sigurisë ka dalë Presidenti, dhe zoti Skuqi ka zënë vendin e zotit Nishani dhe ne këtu kemi dy kandidatë për President, juve zoti Imami dhe gjeneralin Lleshi.
    Ilir Gjoni: Gjenerali është njeri jo politik.
    Leonard Demi: Gjithsesi, ne e dëgjuam nga ju si kandidat.
    Piro Lutaj: Po të ishe bërë President ti, do e kishim kontrolluar Ministrinë tani.
    Arben Imami: Po unë po ju lë ta kontrolloni. Shërbimi Informativ i Ushtrisë është strukturë sekrete, bëni komision dhe shkoni atje, unë s’kam punë fare dhe mos u hidhni qoshe më qoshe. Ju e dini mirë që atë ditë që erdhët unë kisha 6-mujorin dhe thashë ka mundësi të vijë vetëm Ilir Gjoni si nënkryetar i Komisionit dhe ai nuk deshi.
    Ilir Gjoni: Ju ka ardhur shkresa e kryetarit dhe ju thotë: Më datë 27 në orën 10:00, do ju vijë një grup deputetësh t’ju takojë. Unë kam marrë kontakt me sekretarin e Përgjithshëm tuajin, kemi biseduar normalisht se si do të procedojmë dhe shkresa juaj erdhi…
    Xhemal Qefalia: Ka pasur aparaturën e përgjimit, prandaj s’na la të hyjmë.
    Luan Skuqi: Kjo vegla nuk punon, problemet dolën, e mbyllim më mirë.
    Leonard Demi: Dua të them diçka për kontrollin e shërbimeve inteligjente për këta që janë të rinj në Komision. Ne nuk mund të shikojmë në shërbimet inteligjente, sepse ka shumë të drejtë ministri pasi ka një procedurë për këtë punë. Ne kemi bërë një draft se si kontrollohen me procedurë dhe këtë draft ia kemi paraqitur kryetares së Kuvendit për diskutim. Kur të miratohet drafti, ne do të vemi për të kontrolluar apo për të mbikëqyrur institucionin, siç e kanë të gjitha vendet. Drafti është hartuar nga ekspertë perëndimorë me mbështetjen e OSBEsë dhe, kur ta miratojë kryetarja, do fillojmë procedurën.
    Ilir Gjoni: Ministri në Parlament tha që ju nuk mund ta bëni këtë punë.
    Arben Imami: Unë po ju kërkoj të bëni procedurat, unë s’ju thërras dot të vini, sepse e dini fare mirë që kapacitetet, metodat, operacionet janë sekrete. Dhe unë s’të them as po, as jo.
    Ilir Gjoni: Kush po t’i kërkon operacionet dhe metodat?
    Arben Imami: Çdo gjë është operacion, në qoftë se t’i thua unë kam bërë një operacion të tillë apo të atillë, është operacion, ça është?
    Ilir Gjoni: Po jo mor zotëri, ne detyrën kryesore dhe mënyrën se si Kuvendi të kontrollojë shërbimet inteligjente, e kemi vetëm 1, që është buxheti. Dhe për buxhetin e mbani mend shumë mirë që e kemi dhe në procesverbal, e kemi ngritur dhe ju kemi thënë, cili është buxheti i Shërbimit Informativ Ushtarak? Ka qenë Ylli Zyla në Komision…
    Arben Imami: Ilir, caktoni dy anëtarët dhe mësoni ato që di unë dhe më shumë se ato që di unë.
    Ilir Gjoni: Nuk i duam sekretet, nuk i duam. Unë dua të di buxhetin dhe me këtë dua të di nëse ti e ke përdorur brenda atyre normave që duhen. Kaq dua të di.
    Arben Imami: Buxheti vetëm brenda normave përdoret.
    Ilir Gjoni: Zoti ministër, nuk po hyjmë në sekrete, ne duam të ulemi dhe të bisedojmë çfarë problemesh kemi. Ju e dini shumë mirë që ky Komision në mandatin e kaluar ka bërë një nga punët më të mira dhe ka një nga dokumentet më të mira që ka dalë nga ky Parlament. Mbikëqyrja që është bërë në të gjitha depot e armatimit dhe municionit! Është kështu, apo jo?
    Fatos Hoxha: Ne jemi deputetë dhe jo çdo gjë duhet ta prekim me dorën tonë në terren. Unë do jap një rast konkret, unë kam qenë pjesë e disa komisioneve hetimore parlamentare. Me shumë të drejtë, kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror ,zoti Bahri Shaqiri, kur ne i kemi kërkuar dokumente, na ka thënë që stop ne nuk ju japim se ju nuk jeni të certifikuar, certifikohuni dhe unë t’ju jap dokumentet. Jo gjithçka që na shkon nëpër mendje mund ta bëjmë, jo se jemi deputetë dhe mund të na besohet gjithçka. Duhet të certifikohemi të gjithë, gjithsecili ose vetëm katër veta të certifikohen dhe të behën pjesë e kontrollit dhe jo 24, në qoftë se duhet t’i shërbejmë kombit.
    Leonard Demi: Zoti Bizhga ka bërë një vërejtje se kërkon kafe dhe unë them t’i kërkojmë Erandës (sekretarja) që t’i thotë asaj zonjës (kamerieres) të na marrë porosinë.
    Piro Lutaj: Nuk kemi paragjykuar asnjë strukturë që keni paraqitur ju, nuk kemi paragjykuar asnjë konflikt që keni pasur ju me drejtues të MBsë, qoftë me gjeneralët dhe kolonelët. Meqë përmendet një gjeneral, s’keni fare dobësi për atë si person, keni dobësi që nxorët tre gjeneralë në rrugë pa i thënë as udhë të mbarë, as punë të mbarë. Çështja tjetër është, kur kemi parashikuar ne që të vijmë dhe të mbikëqyrim Ministrinë e Mbrojtjes, ka qenë janari i vitit 2012. As kishin dalë iluzionet nëpër media se çfarë behët në Ministrinë e Mbrojtjes, a ka përgjime a s’ka përgjime, a ka trafik armësh apo jo, por qëndrimi që mbajtët, krijoi hapësirat që secili fliste në hesap të vet. Ju keni ardhur dhe në interpelancë dhe unë jua kam thënë qëndrimin tim sipas këndvështrimit tonë, çfarë shqetëson opozitën lidhur me FA-në. Kemi probleme të paketës ligjore të FA-së, është jashtë kohe, po bëjnë 4 vjet që jemi anëtarë të NATO-s dhe nuk keni bërë asgjë. Ne nuk kemi asnjë tendencë për të hedhur baltë mbi Forcat e Armatosura, nëse iniciativa jonë për të mbikëqyrur MB-në është konsideruar si tentativë për të hedhur baltë mbi ju dhe gjithkush pas jush e ka gabim. Zoti ministër, duhet të merremi me thelbin, por ju dhe askush nuk mund të cenojë dinjitetin e anëtarëve të Komisionit të Sigurisë.
    Ilir Gjoni: Dua të riafirmoj që ne nuk vijmë të kërkojmë materiale që përbëjnë sekret shtetëror. Po të kërkonim dokumente të tilla do të ndiqnim procedurat ligjore, për të marrë certifikatën e nevojshme që të marrim ato informacione. Pikat e kërkuara për t’u mbikëqyrur kanë qenë të qarta, shqetësimet kryesore kanë qenë për gradat dhe karrierën dhe jo SHIU-n e MEICO-n. Unë besoj se në ato që thatë ju, zoti Demi si përfaqësuesi ynë do t’ju drejtohet me një shkresë tjetër për të marrë kontakt me ju dhe për grupin që do të vijë. Për fushat e ndryshme, qoftë për kontaktet me Shërbimin Ushtarak të Ushtrisë, dhe dua ta theksoj dhe një herë me SHIU-n, nuk duam të hyjmë në sekretet operacionale. Interesi im dhe i kolegëve është zbatimi i buxhetit dhe zbatimit të direktivave hierarkike, si organizohet puna, dhe sa është ai në përputhje me ligjin që rregullon veprimtarinë e SHIU-t. Në momentin që drejtuesit e SHIU-t do na thonë që po kaloni cakun, atëherë ne do të tërhiqemi dhe, në qoftë se do të gjykojmë se do të duhet informacion shtesë, do të kërkojmë nga ju verbalisht dhe në rrugë shkresore për të marrë informacione.
    Ilir Gjoni: Çfarë ju shqetëson juve për të pritur në dikasterin tuaj deputetët, për t’u dhënë atyre akses në dokumentacionin që është domain publik dhe jo sekret për të marrë kontakte direkte me strukturat drejtuese të kësaj Ministrie? Për të zhvilluar bashkëbisedim dhe jo hetim, sepse ju e dini shumë mirë që ne të vetmin mekanizëm për hetim kemi komisionin hetimor, por ne nuk e kemi kërkuar atë. Dhe nuk e kërkojmë, për sa kohë që jemi në të drejtën tonë dhe duam ta konsumojmë këtë hap që ka në themel dëshirën tonë për të bashkëpunuar dhe për të rregulluar atë që mund të rregullohet, asgjë tjetër. Komisionet hetimore e dimë shumë mirë se çfarë efektesh kanë, qoftë mediatike, qoftë në opinion dhe gjendjen psikologjike të ministrisë X. Së fundmi, në lidhje me Shërbimin Informativ Ushtarak dhe akuzat që kanë dalë në shtyp dhe që janë artikuluar dhe nga opozita, t’i bëhej e qartë publikut nëse ish-drejtori i SHIU-t, kolonel Zyla, ka dhënë dorëheqje… A është dorëhequr përfundimisht, a është marrë vendimi… Nuk e di si janë praktikat. Por nëse është kështu edhe për shkak të atyre praktikave për të ruajtur kredibilitetin e atij institucioni, ai nuk duhet të ketë akses në dokumentacion apo në strukturën e SHIU-t. Por ama nuk mund të firmosë si drejtor.
    Ardian Turku: Do ketë apo jo akses, këtë s’e vendosim ne. Ai ka dhënë dorëheqje.
    Luan Skuqi: Unë nuk e di nëse është normale që ne të shkojmë atje dhe të marrim në pyetje punonjësit, kur shumë mirë mund të kërkojmë informacione apo dokumentacione nga Ministria. Nuk mund të shkojmë ne dhe të kërkojmë përgjigje.
    Piro Lutaj: S’e paske kuptuar fare objektin e çështjes së miratuar.
    Leonard Demi: Zoti ministër, ne do i sqarojmë të gjitha këto shqetësime, do t’ju drejtohemi me shkrim dhe do t’jua bëjmë të qartë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
    Gazmend Oketa: Unë dua të bëj dy komente para se të largohem. Nuk do të kisha ndonjë pyetje specifike, sepse shumë gjëra morën përgjigje nga prezantimi dhe jam njohur me këtë material konfidencial. Ka pasur një procedurë, që ka shoqëruar të gjithë këtë dokumentacion për strukturimin dhe, a është bërë brenda rregullave, këtë do ta shqyrtojmë kur të kemi në dispozicion dokumentacionin në vijim. Unë do të shprehja shqetësim për pjesën e parë se si u zhvillua mbledhja për qëndrimet tona si anëtarë të Komisionit të Sigurisë për çështje të cilat përbëjnë një ndjeshmëri qoftë për opinionin publik, qoftë për sigurinë kombëtare. Unë nuk mendoj që duhet të mësoj kolegët se si duhet të flasin, sepse secili mban përgjegjësi për komentet e veta. Nuk besoj se mund të ecim përpara duke vazhduar t’u referohemi thashethemeve apo zërave që mund të dëgjojmë. Përkundrazi, ne duhet t’u japim mbështetje Forcave të Armatosura që janë pikërisht ushtarakët shqiptarë që kanë përgatitur një dokument dhe ia kanë paraqitur zinxhirit, por besoj se duhet të lirohemi nga këto komplekse, pse lirohet ky objekt apo pse nuk lirohet një tjetër. Vijmë nga një histori 22-vjeçare, nga një ushtri e stërmadhe dhe ndaj duhen reformat që të caktohet kush duhet apo kush nuk duhet. Do të dëshiroja që situata e krijuar sot në Komisionin e Sigurisë të mos përsëritet më në prezencë të mediave dhe do të doja që të konkludonim sot në një procedurë normale, sepse ka precedentë të tjerë ky Komision lidhur me mbikëqyrjen parlamentare përkundrejt Ministrisë së Mbrojtjes dhe besoj se kemi plot çështje të tjera për të zhvilluar luftë politike dhe debate politike dhe jo çështje që unë gjykoj se cenojnë imazhin e vendit. Referuar pozicionit që Shqipëria ka si anëtare e NATO-s.

    FATION BINJAKU
    Panorama

  14. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    16,245
    Eshte detyra e opozites qe t'i beje opozite pushtetit, ashtu sic eshte detyra kushtetuese e Kuvendit qe t'iu kerkoje llogari gjithe njerezve te ekzekutivit. Por ajo qe nuk eshte normale ne kete debat, ajo qe e diskretiton komplet qendrimin e opozites, eshte menyra se si po politizojne nje proces kaq delikat, sic eshte sekreti shteteror. Diplomatet e huaj ne Tirane, dhe ne mbare kancelarite e botes, hapin syte dhe nuk u besojne vesheve kur degjojne kreun e opozites shqiptare, qe sulmon nje institucion sekret si SHIU me akuza nga me qesharaket: "trafik armesh" e "pergjime".

    Dikush duhet ti mesoje Rames e kompani qe cdo shtet i botes qe ka arme shet arme, dhe kjo nuk e ka emrin "trafik armesh", e ka emrin tregti armesh. Transaksionet e shitjeve te armeve jane sekrete per publikun por monitorohen nga vete qeverite e botes nepermjet kanaleve te tyre diplomatike apo te sigurise. Persa i perket pergjimeve, sigurisht qe nje institucion sekret si SHIU merret me pergjime, pasi kjo eshte detyra e tyre, qe te jete e informuar per cdo situate qe mund ti kanoset sigurise se vendit, qofte nga brenda vendit, qofte nga jashte. Nese Rama do te ishte burre me mend, ai nuk bente publike akuzat per pergjime, por perdorte privilegjin e hetimit qe Kuvendi gezon per hetuar punen e institucionit perkates, dhe pasi te ishte bere hetimi, mund te bente nje deklarate perkatese e te mbante nje qendrim politik. Kjo rruge do te ishte me efikase per opoziten e majte, qe te fitonte vemendjen e publikut shqiptar e te huaj per kete ceshtje.

    Edhe ne kete episod, opozita zgjedh qe te vendosi karrocen perpara kuajve. Dhe demi me i madh qe opozita i ben vetes ne opinionin nderkombetar me keto qendrime eshte se u tregon atyre se ajo nuk eshte aspak serioze per te ardhur ne pushtet neser. Asnje opozite serioze nuk sulmon institucionet e shtetit ne kete menyre, kur e di shume mire kur neser mund te jete vete ne pushtet.

    Albo

  15. #15
    Drinbach Maska e DYDRINAS
    Anëtarësuar
    17-02-2005
    Postime
    6,834

    PS si Enveri - 4 llafe për tetë pika!

    PS letër NATO-s, ankohet për Arben Imamin

    14 Tetor, 2012 | Postuar në: Aktualitet,Politika | Shkruar nga: TemA Online


    Partia Socialiste i drejtohet me një letër selizë qendrore të Aleancës së Atlantikut për të denoncuar moslejimin prej më shumë se 2 muajsh të kontrollit të Parlamentit ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. Letra drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen mban firmën e deputeteve të Komisionit të sigurisë kombëtare Pirro Lutaj dhe Armando Prenga, të cilët ngrenë shqetësimin për kundërshtimin sipas tyre pa asnjë arsye racionale të Ministrisë së Mbrojtjes për mbikqyrje parlamentare, raporton Ora News.

    “Ne kete kuader, nje Grup Pune, i perbere nga deputet te Komisionit per Sigurine Kombetare, i autorizuar nga autoritetet perkatese, qe prej dy muajsh, duke zbatuar te gjitha rregullat, procedurat standarte zyrtare dhe i paisur me autoritetin e nevojshem, tentoi te kryej nje mbikqyrje parlamentare te aktivitetit te Ministrise se Mbrojtjes. Fatkeqesisht, deri tani kryerja e ketij kontrolli ka qene e pamundur. Kjo ka ndodhur per shkak te kundershtimit te vazhdueshem dhe kembengules, pa asnje arsye racionale, te Ministrit te Mbrojtjes, Zotit Arben IMAMI.

    Duke e konsideruar kete nje situate absurde dhe nje shkelje flagrante te kontrollit parlamentar demokratik-civil te FA, deputetët kerkojne nga sekretari i përgjithshem Ramsusen konsiderimin e nje mbeshtetje te mundshme racionale per zgjidhjen e kesaj situate.

    Për dijeni letra i është derguar edhe presidentit të nderuar Zotit NISHANI,
    E nderuar Zonja TOPALLI,
    I nderuar Zoti BERISHA,
    I nderuar Zoti IMAMI,” thuhet në letrën e PS.

    Dy muaj më parë Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi kontrollin parlamentar ndaj Ministrisë se Mbrojtjes lidhur me akuzat e PS-së për trafik armësh dhe korrupsion.

    tema

  16. #16
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    16,245
    Hetimi i Imamit, zbardhet letra e NATO-s për PS, rrëzohet kontrolli parlamentar

    Fejzi Braushi

    Mazhoranca i thotë jo kërkesës së një grupi deputetësh socialistë për të ngritur një komision hetimor parlamentar për zbatimin e ligjit nga Ministria e Mbrojtjes. Qëndrimi i të djathtëve është bërë i ditur dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku kjo çështje ka shkaktuar jo pak debate mes shumicës dhe pakicës parlamentare. Siç bëhet e ditur demokratët e kanë kundërshtuar atë si të pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi objekti i kërkesës është shumë i gjerë dhe jo për çështje specifike. Ndërsa opozita ka kundërshtuar këtë pretendim me argumentin se kërkesa në fjalë ka një objekt specifik, pasi kërkon të hetojë zbatimin e ligjit mbi të cilin funksionon Ministria e Mbrojtjes. Pavarësisht qëndrimit kundërshtues të shumicës së djathtë, do të jetë seanca ajo që do të vendosë këtë kërkesë, megjithëse tashmë merret me mend lehtë fati i saj.

    Konferenca

    Konferenca e Kryetarëve është mbledhur dje për të shqyrtuar kërkesën e grupit parlamentar socialist për ngritjen e një komisioni hetimor “Për kontrollin e zbatimit të ligjit në veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturave të saj për periudhën janar 2010 – tetor 2012” si dhe Programin e punës për periudhën 5 nëntor- 27 dhjetor 2012, si dhe Kalendarin e punimeve të Kuvendit, 5 nënor -22 nëntor. Lidhur me pikën e parë mësohet se konferenca ka diskutuar gjatë, ndërsa nuk kanë munguar që për shkak të qëndrimeve të kundërta palët të përfshihen edhe në debate të forta mes njëri- tjetrit. Kështu mësohet se përfaqësuesit e mazhorancës në këtë mbledhje, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i grupit demokrat, Astrit Patozi, nënkryetari Ardian Turku apo edhe kreu i komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Jemin Gjana, ndërsa kanë respektuar të drejtën e opozitës për të kërkuar hetim parlamentar, janë shprehur kundër përmbajtjes së kërkesës objekt shqyrtimi. Kundërshtim që siç mësohet ata e kanë mbështetur në dy argumente, së pari se nisma në fjalë vjen në kundërshtim me ligjin për komisionet hetimore, i cili përcakton se hetimi parlamentar duhet të jetë për një çështje të veçantë dhe jo për një sërë çështjesh të cilat paraqiten në kërkesën e socialistëve. Por sipas përfaqësuesve të majtë në këtë mbledhje, nënkryetarit Namik Dokle dhe nënkryetarit të grupit Erion Braçe, kërkesa nuk bie në kundërshtim me ligjin, pasi objekti i saj ka të bëjë pikërisht me një çështje specifike siç është kontrolli i zbatueshmërisë së ligjit të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe se katër çështjet që shtrohen për hetim janë nënpika të saj dhe për të cilën duhet të vendosë vetë komisioni. Ndërkohë mësohet se demokratët kanë pretenduar se kërkesa në fjalë bie në kundërshtim edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit kërkohet që për të realizuar një hetim kërkohen fakte e grup fakte.

    Kërkesa

    Ndaj, bazuar në këto argumente, demokratët i kanë kërkuar përfaqësuesve të opozitës që ta tërheqin kërkesën e tyre dhe ta hartojnë atë në përputhje me ligjin dhe duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Lidhur me kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor, kryetarja e Kuvendit ftoi Grupin parlamentar të PS-së ta rishohë atë, në mënyrë që të jetë në përputhje me ligjin dhe Vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, – thuhet edhe në njoftimin e Kuvendit lidhur me këtë mbledhje. Kërkesë kjo që nuk është marrë parasysh nga socialistët, të cilët kanë kërkuar që për këtë çështje ashtu si edhe e parashikon procedura të vendosë seanca me votë. Tashmë do të jetë seanca ajo që do të vendosë për këtë kërkesë, ku pritet dhe rrëzimi i saj. Kërkesa e PS-së e firmosur nga 36 deputetë në brendësi të saj përmban 4 nënkërkesa të tjera, midis të cilave kërkohet hetim për veprimtarinë e ShIU-t, shitjen e armëve apo edhe shitjen e pronave të ushtrisë.

    MAPO

Ruaj Lidhjet

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •