Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968

    Aspekti ndërkombëtar i Lëvizjes Kombëtare Greke

    ASPEKTI NDËRKOMBËTAR I LËVIZJES KOMBËTARE GREKE


    Një nga problemet kryesore në diplomacinë e përgjithshme evropiane, gjatë viteve 1820, u bë revolta greke. Ndërhyrja nga jashtë do të ishte më ndikuese në përcaktimin e rezultateve përfundimtare sesa veprimet e vetë prijësve grekë. Në të njëjtën mënyrë, evolucioni i jetës politike greke që do të pasonte, do të mbetej thellësisht i varur nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha.

    Hapat e parë të drejtpërdrejtë drejt revolucionit qenë ndërmarrë nga grekët që rronin jashtë Greqisë, tregatrë në qytetet dhe komunitetet e Detit të Zi dhe Mesdheut, fanariotët e Kosntandinopojës dhe grekët që rronin në principatat. Këto grupe qenë bashkuar nga disa prej parive dhe nën klerin e Greqisë. Sapo revolucioni po niste në Peloponez dhe Rumeli (Greqia kontinentale), ai përfshiu ushtarakë dhe pasues fshatarë.

    Veprimet e grekëve jashtë vendit u përqëndruan në atë pjesë që ishte më e shquar dhe më e susksesshme në organizimet revolucionare ballkanike, Filike Hetaria ose Shoqëria e Miqve. Themeluar nga tre tregtarë të rrënuar në Odesë më 1814, ky grup siguroi mbështetje të gjerë, veçanërisht mes tregatrëve dhe grupimeve profesionale në nivelin e ulët.

    Shpërthimi i revolucionit grek tronditi status kuonë që ishte vendosur në Evropë nga Kongresi i Vjenës dhe Lidhja e Shenjtë. Ai gjeti të papërgatitura Fuqitë e Mëdha për të përballuar krizën ndërkombëtare në Lindje. Ky revolucion u konsideruar si një çështje e ndërlikuar politike.


    LËVIZJA GREKE PËR PAVARËSI DHE POLITIKA E FUQIVE TË MËDHA

    Kongresi i Vjenës nuk bëri ndryshim në statusin e popujve të Ballkanit. Teorikisht, Perandoria Osmane, e ruajti të paprekur tërësinë territoriale, por në të vërtetë autoriteti i saj u trondit fort gjatë kohës së luftërave të Napoleon Bonapartit.

    Kryengritja e popullit grek kundër sundimit osman kish karakteristikat e një lëvizjeje nacionale. Ajo ishte protestë spontane e një popullsie e cila, për nga gjuha, feja, kujtesa historike, ndjenjat, interesat ekonomike ndryshonte shumë nga Perandoria Osmane. Intelektualët në Greqi ishin të ndërgjegjshëm për epërsinë e trashëgimisë së tyre kulturore, ndërsa fshatarët vuanin nga një regjim diskriminues fiskal për të krishterët, si dhe nga një regjim agrar, ku 2/3 e tokës u përkasin pronarëve osmanë.

    Tregtarët grekë, të cilët u pasuruan me vendet Levantine gjatë luftërave napoloniane, ankoheshin për tekat sfilitëse të administratës perandorake. Protesta e tyre u nxit nga një varg faktorësh:
    • Nga veprimtaria e “vatrave greke” në Stamboll dhe në Bukuresht, që luajtën një rol me rëndësi në jetën ekonomike të vendit;
    • Nga kontakti i popullsisë greke të ishujve jonianë me ide liberale (Kështu ishujt pas vitit 1815 ishin nën regjimin anglez);
    • Nga mbështetja e kolonive të emigrantëve grekë të vendosur në Odesë, Trieste, Vjenë, Paris etj.
    Shenjat e para të një lëvizjeje kombëtare u dukën që kur Kongresi i Vjenës mori përsipër misionin për “rindërtimin” e Evropës. Në shtator të vitit 1814, tre tregtarë –Ksantos nga ishulli Patmos dhe dy nga Epiri, Skufas nga Arta dhe Cakallov nga Janina- formuan në Odesë shoqërinë e fshehtë Filiqi Heteria (Shoqëria e Miqve), që duke qenë kështu e fshehtë frymëzohej nga modeli masonik me betimin, ritualin, gradat përkatëse dhe pozicionet në vijë të drejtë me politikën tradicionale ruse, e cila kish si qëllim ta çlironte Greqinë nga sundimi osman, ose të paktën t`i siguronte autonominë nën një princ të krishterë. Një nga drejtuesit e saj, Aleksandër Ipsilanti, nga familja e njohur e gospodarëve të Vllahisë, adjutant i car Aleksandrit, pasi formoi një trupë prej disa qindra ushtarësh në territorin rus, në shkurt të vitit 1821 kapërceu kufirin osman, duke dhënë kështu shenjën e fillimit të Revolucionit grek.

    Me gjithë përkrahjen e dobët të elementëve grekë në provincat danubiane dhe të mosinteresimit nga ana e carit rus, lëvizja u përhap shumë shpejt në territorin grek. Peshkopi i Patrasit, Germanos, kishte bërë thirrje për revoltë e cila u shtri në të gjitha trevat dhe në ishujt grekë, si: Hidra, Psara, Specia. U çlirua Peloponezi dhe Atika. Pastaj në janar të vitit 1822 kuvendi i mbledhur në Epidaur, hartoi një kushtetutë sipas modelit francez të vitit 1795, e cila i jepte pushtetin ekzekutiv një qeverie me në krye fanariotin Aleksandër Mavrokordato. Kështu ishte shpallur pavarësia e Greqisë.

    Lufta me Portën e Lartë qe e ashpër dhe u shoqërua me masakra nga të dyja palët. Drejtimi i saj mori një rrjedhë tjetër, kur sulltani i bëri thirrje pashait të Egjiptit, Mehmet Aliut, i cili në vitin 1825 zbarkoi në Peloponez, pushtoi Misolongjin në prill të vitit 1826, ku kishte selinë qeveria greke dhe në qershor 1827 mori edhe Athinën. Me këtë rast dëmtoheshin interesat e fuqive evropiane, të cilat reaguan në favor të grekëve.


    INTERESAT E PALËVE NË KONFLIKT

    Lëvizja për pavarësinë e Greqisë shtronte një çështje parimore në politikën e fuqive të mëdha. Kështu, fuqitë kontinentale, duke respektuar parimet e Lidhjes së Shenjtë për të ruajtur status quonë, e dënonin çdo lloj përpjekje kryengritëse të popullsive kundër sovranëve të tyre “të ligjshëm”.

    Por grekët, si një popullsi e krishterë që ish ngritur kundër sundimit mysliman, po gjenin kudo simpati dhe përkrahje, madje edhe në atë pjesë të opinionit publik evropian të lidhur fort pas idesë së “ruajtjes së rendit” dhe të respektit të ligjshmërisë, një mbështetje që nuk e kishin fituar lëvizjet e tjera kryengritëse. Por kjo çështje parimore nuk luajti rol me rëndësi në procesin e vendimmarrjes të qeverive evropiane. Reagimi i shteteve të mëdha u përcaktua nga interesat e tyre: suksesi i lëvizjes greke për pavarësi çoi në dobësim të Perandorisë Osmane dhe ndoshta në shembjen e saj.

    Rusia ishte në favor të kryengritjes greke dhe dëshironte suksesin e saj. Në orientimin e politikës ruse, interesat ekonomike luanin një rol të dorës së dytë. Tregtarët dhe lundërtarët grekë deri në vitin 1821 ishin partnerët kryesorë në tregëtinë ruse në Detin e Zi; prej fillimit të kryengritjes, aktiviteti i tyre kombëtar ishte ndalur; marrëdhëniet tregtare ruse në këtë zonë ishin paralizuar. Kjo përbënte dhe arsyen që qeveria e carit të dëshironte një zgjidhje të shpejtë të konfliktit. Por kjo zgjidhje duhej të ishte në përputhje me interesat e Perandorisë Ruse dhe fitorja e grekëve u shërbente këtyre interesave, meqenëse Rusia ishte ajo që mund të përfitonte më tepër në pikëpamje politike e territoriale nga shpërbërja e Perandorisë Osmane.

    Përspektivat e kryengritjes greke qenë të rënda për Austrinë, meqenëse ajo nuk mund ta linte Ballkanin nën ndikimin e Rusisë. Por ato ishin shqetësuese edhe për Britaninë e Madhe, epërsia e së cilës në Mesdhe tronditej drejtëpërsëdrejti. Gjithashtu britanikët i frikësoheshin edhe një depërtimi rus në rajonin e Lindjes së Mesme, që vinte në rrezik sigurimin e Indisë. Britanisë mund t`i vinte për mbarë një dobësim i Perandorisë Osmane, në qoftë se ajo siguronte një epërsi në ndikimin mbi shtetin e pavarur grek. Në këtë mënyrë interesat britanike nuk përputheshin me ato austriake.

    Ndikimet e lëvizjes greke për pavarësi ishin më pak shqetësuese për Francën. Statusi territorial i Evropës u vendos më 1815, pa marrë parasysh interesat franceze, madje dhe në kundërshtim me to. Në këto rrethana, shembja e Perandorisë Osmane mund të shërbente për t`i hapur rrugën ndryshimeve këtij statusi për Francën, ku, me anë të të një sitemi kompensimesh midis fuqive të mëdha, mund të krijoheshin rrethana të favorshme për t`i rishikuar pjesërisht traktatet e Vjenës.

    Çështja greke, në vetvete, nuk shkaktonte tensione në marrëdhëniet ndërkombëtare, por pasojat që mund të kishte ajo në fatin e Perandorisë Osmane, përbënin shqetësim për fuqitë e mëdha. Porta e Lartë ishte e ndërgjegjshme për këto pasoja. Në politikën ndaj lëvizjes greke për pavarësi, ajo shpresonte se fuqitë e mëdha nuk do të guxonin të merrnin masa që do të vinin në rrezik qenien e perandorisë dhe, nëse ndonjëra prej tyre do të vepronte në këtë drejtim, atëherë do të ndeshej në rezistencën e fuqive të tjera. Qeveria osmane mbante shpresa të mëdha në kontradiktat midis Rusisë, Austrisë dhe Britanisë, si dhe në dëshirën e tyre për të mos e lënë çështjen greke të shkaktonte një konflikt të përgjithshëm.

    Gjatë tetë vjetëve që zgjati zgjidhja ndërkombëtare e çështjes greke, ajo shërbeu si rast për manovra të ndryshme diplomatike, ku, me gjithë ndikimin e lëvizjes filohelenike që u shfaqën në Rusi, Francë dhe Angli, interesat e revolucionarëve grekë peshuan fare pak në politikën e qeverive evropiane. Ndërkohë nismat ruse ndikuan në drejtimin e zhvillimit të konfliktit dhe përcaktuan qëndrimin e fuqive të tjera ndaj tij.


    POLITIKA E FUQIVE TË INTERESUARA PËR ÇËSHTJEN GREKE

    Deri në vitin 1825 (Atë vit vdiq car Aleksandri) politika ruse nuk ishte e angazhuar seriozisht në zgjidhjen e çështjes greke. Në një kongres që u mbajt në Lubjanë të Sllovenisë në janar të vitit 1821, cari rus ishte në një mendim me Meternikun që kryengritësit grekë t`i trajtonin si rebelë dhe të mos i ndihmonin. Nën ndikimin e ngjarjeve të marsit 1821, kur në Stamboll ditën e Pashkëve u masakruan priftërinj dhe shumë të krishterë grekë, qeveria ruse u detyrua të vepronte, për të mos e humbur ndikimin mbi ortodoksët grekë. Duke u bazuar në të drejtat që i jepte Traktati i Kuçuk Kajnarxhisë (1774), me anë të një note më 21 korrik 1821 ku bëhej fjalë për lirinë e kultit dhe për rindërtimin e kishave greke të shkatërruara, qeveria ruse e kërcënoi Portën e Lartë me ndërhyrje. Megjithatë, car Aleksandri nuk mendonte të ndërmerrte seriozisht veprime konkrete.

    Kujdesi i carit qe i nevojshëm, pasi Austria dhe Britania e treguan vullnetin e tyre për t`iu kundërvënë ndërhyrjes ruse dhe për të shmangur një luftë ruso-turke, e cila do ta vinte në rrezik ekuilibrin evropian. Meterniku dhe Kasëlrei nuk e dëshironin zgjerimin e fuqisë ruse në Ballkan, prandaj, me anë të një memorandumi më 22 tetor 1821, ata përcaktuan bazat e një politike të përbashkët: ruajtjen e status quosë në Lindjen e Afërme. Ndërkohë cari i ofroi Francës mundësinë për një plan të përbashkët veprimi në Mesdhe, me qëllim që të shmangej rezistenca austro-britanike. Por diplomacia franceze nuk dëshironte të angazhohej në një aventurë të tillë.

    Për ta evituar luftën, Rusia duhet të tërhiqej; më 9 dhjetor 1821 cari deklaroi se “i kushtoj më shumë rëndësi unitetit të qeverive evropiane, sesa çështjes greke”. Rusia u mjaftua me përpjekjet për të organizuar një aksion diplomatik kolektiv. Kështu, me anë të një projekti, në janar 1824, ajo -sugjeroi sipas modelit të Moldavisë dhe Vllahisë- formimin e tri principatave autonome nën sovranitetin e sulltanit, në vend të një shteti të pavarur grek. Ishte e qartë se projketi parashikonte protektoratin rus mbi principatat. Porta e Lartë e gjykoi si të papranueshëm projektin e qeverisë ruse, ndërsa grekët si të pamjaftueshëm; Mavrokordati protestoi duke thënë se nuk mund ta pranonte një “gospodarizim të Greqisë”.

    Në këto rrethana, nuk ishte e vështirë që diplomacia evropiane ta sabotonte projektin rus, i cili u mënjanua nga Austria dhe Britania. Car Aleksandri nuk nguli këmbë dhe në shkurt 1825 deklaroi se “nuk do të ndahem nga Evropa” dhe se nuk do të bënte luftë me Turqinë. Në këto rrethana, Porta e Lartë, me ndihmën e flotës dhe të ushtrisë së vasalit të saj egjiptian, rivendosi sundimin e saj në Greqi.

    Por po atë vit (1825) tre faktorë përcaktuan përmbysjen e papritur të situatës në favor të grekëve, të cilët, të dërrmuar dhe me forca të shterura, ishin në prag të nënshtrimit.

    1. Në dhjetor të 1825 hipi në fron car Nikolla I, i cili u tregua më i vendosur se paraardhësi i tij, duke i dhënë një kurs të ri politikës ruse. Ai nuk pranoi të vepronte në bazë të solidaritetit evropian, por ndoqi një politikë sipas interesave ruse, të cilat e orientonin drejt një ndërhyrjeje energjike në Ballkan. Carit të ri nuk i interesontë çështja për të cilën luftonin grekët; njëlloj si kancelari austriak, ai i konsideronte ata rebelë. Nikolla I dëshironte vetëm vendosjen e ndikimit rus mbi principatat danubiane dhe për këtë arsye i dërgonte sulltanit, më 17 mars 1826, një ultimatum në lidhje me ato principata - një çështje që nuk i prekte drejtpërdrejt interesat britanike në Mesdhe. Kështu doli në pah rreziku i mundshëm i një lufte ruso-turke me pasoja serioze për ekuilibrin në Evropë.

    2. Reagimi i fuqive të mëdha u kushtëzua nga një fakt i ri: zhvillimi i filohelenizmit, që e detyroi diplomacinë evropiane ta merrte parasysh opinionin publik. Faktorë të ndryshëm ndikuan në simpatitë e shumllojshme për çështjen greke: adhurimi i kulturës antike, dëshira romantike për aventura ekzotike te shumë individë, pas mbarimit të luftërave napoloniane, përhapja e ideve liberale, thirrja për një kryqëzatë kundër islamit etj. Çështja greke e bëri për vete opinionin evropian, liberal dhe konservator së bashku. Kështu shkrimtarë të njohur, si: Hygo, Bajron, Lamartin etj, shkruan vepra të ndryshme, që nxitën entuziazmin e shumë vullnetarëve evropianë dhe amerikanë për t`i ndihmuar kryengritësit grekë.

    3. Forca me të cilën grekët bënë thirrje për ndihmë, nxiti dhe ndërhyrjen evropiane. Që në verë të 1825-ës, përfaqësues të lëvizjes greke kërkuan mbrojtje në formën e një protektorati nga Britania e Madhe; më vonë (Prill 1826) iu lutën ambasadorit britanik në Stamboll për ndërmjetësim në zgjidhjen e konfliktit. Forcat politike greke qenë të prira për ta njohur suzerenitetin e sulltanit, por qeveria osmane, e pakënaqur nga ndërhyrja evropiane në punët e saj të brendshme, nuk pranoi.

    Në këto kushte, politika britanike mori një orientim të ri, duke iu përshtatur situatës së re. Sekretari britanik, Kaning, e kish shprehur vullnetin e tij “për ta ruajtur Perandorinë Osmane”, por aq kohë sa kjo mund të bëhej pa shkaktuar një konflikt të përgjithshëm. Në vend që të përpiqej t`i kundërvihej Rusisë, duke formuar aleancë me Austrinë, ai mendoi se mjeti më i mirë për ta “frenuar” politikën ruse, ishte një marrëveshje me carin.

    Bisedimet anglo-ruse, që u zhvilluan nga misioni i dukës Uelington në Shën Petërburg, përfunduan me nënshkrimin e një protokolli më 4 prill 1826. Me anë të tij Britania dhe Rusia i ndanin rolet në Ballkan; kështu:
    • Rusia do ta rregullonte vetë çështjen danubiane;
    • Britania do të vepronte në Mesdhe, duke shërbyer si ndërmjetëse mes Portës së Lartë dhe kryengritësve grekë, një përpjekje që do të mbështetej nga Rusia.

    Qëllimi kryesor i protokollit ishte që Greqisë t`i sigurohej statusi i autonomisë: shtet vassal i Perandorisë Osmane, i qeverisur nga vetë grekët; kreu i tij do të miratohej nga Porta e Lartë.

    Kështu, diplomacia britanike besonte se ua kish lidhur duart rusëve dhe i kishte frenuar ambiciet e tyre. Ajo ia doli mbanë ta izolonte çështjen greke, d.m.th. të evitonte rrezikimin e evidencës së Perandorisë Osmane dhe, siç shkruante Kaningu, ta pengojë Rusinë për ta plaçkitur.

    Franca ndoqi një politikë të kujdesshme në fillim ndaj çështjes greke, por që shprehte më shumë simpati ndaj perandorisë sesa ndaj kryengritësve grekë. Motivet e këtij qëndrimi lidheshin me përkrahjen franceze ndaj bashkësisë katolike, përballë asaj ortodokse, që kishte një pozitë më të mirë në perandori; politika franceze në Mesdhe e kishte drejtuar shënjestrën mbi Egjiptin, ku pashai shqiptar Mehmet Aliu kishte filluar riorganizimin e administratës shtetërore me ndihmën e specialistëve francezë.

    Diplomacia franceze e shihte Mehmet Aliun si një personalitet që mund të merrte në dorë drejtimin e Perandorisë Osmane. Pas vitit 1825, me aktivizimin e opinionit publik, qeveria franceze u detyrua ta rishikonte politikën e saj në Ballkan. Porta e Lartë u këshillua të bënte lëshime ndaj Rusisë në çështjen e principatave danubiane. Franca, e cila nuk dëshironte të mbetej jashtë protokollit të 4 prillit 1826, kundër të cilit kishte protestuar në Londër dhe në Shën Petërburg, synonte të rivendoste çështjen greke në planin e vendimeve në nivel evropian. Ndërkohë Britania, e cila donte t`i shmangej një politike ballë për ballë vetëm me Rusinë, i mirëpriti propozimet franceze.


    KONFLIKTI DHE ZGJIDHJA E TIJ

    Në këto rrethana të komplikuara, qeveria osmane, nga ana e saj, u përpoq të manovronte dhe t`i përçante kundërshtarët e vet. Me anë të konventës Akerman, e përfunduar më 7 tetor 1826, Porta e Lartë i plotësoi kërkesat ruse për principatat danubiane (Pëlqimi i Rusisë për heqjen e gospodarëve të zgjedhur nga bojarët vendës, liria e tregtisë nëpër Detin e Zi dhe në Ngushticat turke, si dhe premtimi për autonominë e Serbisë), por nuk e pranoi ndërmjetësimin për çështjen greke. Megjithatë kjo qe manovër e kotë, pasi me traktatin e nënshkruar në Londër, më 6 korrik 1827, Britania, Rusia me të cilat u bashkua dhe Franca, vendosën t`u diktonin, me anë të një bllokade detare, turqve dhe grekëve përfundimin e armëpushimit.

    Traktati parashikonte:
    - sovranitetin e sulltanit mbi Greqinë, kufijtë e së cilës do të caktoheshin më vonë;
    - që tri fuqitë të ofronin ndërmjetësimin e tyre në zgjidhjen e konfliktit, por pa marrë pjesë vetë në konflikt.

    Demonstrimi detar i flotës anglo-franceze në gjirin e Navarinos në Peloponez, ku ishte përqëndruar flota turko-egjiptiane, u shndërrua më 20 tetor 1827 në një ndeshje, ku flota perandorake u shkatërrua plotësisht. Ushtria egjiptiane e shkëputur nga prapavijat e saj, u paralizua në Greqi.

    Ndërmjetësimi paqësor u shndërrua kështu në një ndërhyrje të armatosur kundër Perandorisë Osmane. Për grekët kjo do të thoshte çlirim, ndërsa te turqit ngjalli një zemërim të madh. Flota turke u shkatërrua nga fuqitë me të cilët Porta e Lartë ishte në paqe. Stambolli u përfshi nga një valë e fuqishme fetare antiperëndimore, sulltani bëri thirrje për “luftë të shenjtë” kundër të krishterëve. Në marrëdhëniet mes fuqive të mëdha pasojat ishin të rënda.

    Ngjarjet në Navarin, të cilat u konsideruan të “papëlqyeshme” në Londër, i thelluan divergjencat midis Britanisë që kërkonte ta ruante status quonë dhe të mbronte integritetin e Perandorisë Osmane, si dhe Rusisë, që ishte e prirë për një aksion të menjëhershëm dhe vendimtar. Në pranverën e vitit 1828, kur Rusia i shpalli luftë Turqisë, përpspektiva e një konflikti anglo-rus dukej mjaft e afërt. Diplomacia franceze përfitoi nga rasti dhe ndërmjetësoi midis Londrës dhe Shën Petërburgut për të arritur një kompromis. Plani francez i përpunuar nga ministri i Jashtëm Laferone, artizan i rimëkëmbjes së Francës në vitet e fundit të Restaurimit, i sugjeronte Britanisë që t`i linte Rusisë liri veprimi në rajonin danubian, por ta privonte atë nga rregullimi i çështjes greke. Për këtë mjaftonte të dërgohej një ekspeditë ushtarake franko-angleze që t`i detyronte trupat egjiptiane të largoheshin nga Peloponezi.

    Në këtë mënyrë ndahej fusha e veprimit. Franca dhe Britania do të luanin një rol mbizotërues në rregullimin e çështjes greke dhe do të ekuilibronin veprimtarinë ruse në Ballkan. Rusia, duke mos pasur asnjë mundësi për ta imponuar vullnetin e saj në zgjedhjen diplomatike-ushtarake të situatës, më 19 korrik 1828 u detyrua t`i pranonte këto propozime.

    Pasi u largua ushtria egjiptiane, e komanduar nga Ibrahim Pasha, pa pritur ardhjen e trupave franko-angleze, në ishullin grek të Poros u mblodh më 12 dhjetor 1828 Konferenca e Ambasadorëve të tri fuqive të mëdha, ku mori pjesë dhe një delegacion grek i kryesuar nga Kapo D`Itria. Konferenca vendosi formimin e shtetit grek nën vasalitetin e sulltanit. Vija që shkonte nga gjiri i Artës nën gjirin e Volos shërbente si kufi verior i këtij minishteti grek. Të tri qeveritë, pas disa debatesh miratuan më 22 mars 1829 në Londër një protokoll mbi bazën e vendimeve të marra në Poros. Shteti i ri grek u konceptua si një monarki e trashëgueshme, që do t`i paguante Portës së Lartë një tribut vjetor si shenjë vasaliteti ndaj sulltanit; aty u parashikua dhe një shkëmbim i mundshëm i popullsisë myslimane me grekë.

    Këto rezultatte iu paraqitën qeverisë osmane në formën e një ultimatumi, e cila në fillim i refuzoi. Qeveria britanike hezitoi ta detyronte palën turke, pasi ajo ishte kundër zgjerimit të territorit grek karshi ishujve Joninanë, ku gjendej baza detare britanike. Ky ishte rasti që priste Rusia për të vepruar vetëm, e cila, duke luftuar me Turqinë, merrte rolin e protektorit të çështjes greke.

    Franca luajti një rol aktiv në zgjidhjen e konfliktit. Operacionet në Peloponez, të parashikuara si një ekspeditë franko-britanike, u realizuan vetëm nga trupat franceze. Përspektivat që hapeshin në politikën ndërkombëtare për diplomacinë franceze, ishin më të rëndësishme se fati i Greqisë. Që në Konferencën e Poros u dukën shenjat e një nisme franceze, e cila në momentin kur ushtria ruse kërcënonte Stambollin (Shtator 1829), mori tiparet e një projekti për ndarjen e Perandorisë Osmane, kryesisht në favor të Rusisë dhe Austrisë. I hartuar nga qeveria e ultra-monarkistit Polinjak, plani shoqërohej me rregullime territoriale në Evropën Qendrore dhe në Renani, duke synuar t`i rishikonte traktatet e 1815-s dhe ta lehtësonte kështu pozitën e Francës.

    Por plani dështoi, pasi binte ndesh me interesat e Britanisë dhe të Prusisë, të cilat e shihnin atë si një iniciativë aventureske dhe të paparanueshme. Madje dhe Rusia, kundërshtari më i vendosur i osmanëve, nuk e shihte me interes faktin që Bosfori dhe Dardanelet të zotëroheshin nga një shtet i ri, në vend që të mbeteshin nën një perandori të pafuqishme në prag të rënies dhe e prirë për t`i bërë lëshimë carit.

    Në Traktatin e Adrianopojës, i nënshkruar më 14 shtator 1829, Perandoria Osmane, e thyer nga lufta me Rusinë, u detyrua t`i pranonte kërkesat e tri fuqive të mëdha. Kështu:
    - Rusia fitoi avantazhe të rëndësishme territoriale në Armeni dhe Kaukaz;
    - Rusia fitoi privilegje tregtare: anijet ruse lejoheshin të kalonin Ngushticat turke;
    - Rusia siguroi përfitime politike: Moldavia dhe Vllahia u bënë autonome nën protektoratin e Rusisë, por vasale të sulltanit;
    - Bregu i djathtë i Danubit u çmilitarizua.

    Çështja greke u rregullua sipas vendimeve të protokollit të 22 marsit 1830, ku Britania, e shqetësuar nga statusi i shtetit të ri grek dhe afërsia e tij me ishujt jonianë, sugjeroi një zgjidhje përfundimtare. Në Traktatin e nënshkruar në Londër më 3 shkurt 1830, Greqia siguroi pavarësinë, por me një zvogëlim të territorit kombëtar, e përqëndruar kryesisht në Atikë, Beoti, Peloponez dhe në disa ishuj, ku banonte një popullsi prej 800.000 banorësh, ¼ e popullsisë greke që banonte në tërë Perandorinë Osmane.

    Traktati i Londrës ishte marrëveshja më e rëndësishme për formimin e shtetit modern grek. Tri fuqitë përcaktuan kufijtë dhe vendosën formën e qeverisjes. Me nxitjen britanike, u vendos që shteti të mos ishte autonom, por i mosvarur. Diplomacia britanike druhej se mos Greqia binte nën ndikimin rus. Gjasat për këtë ishin më të vogla, po të shkëputeshin të gjitha lidhjet mes Greqisë dhe Portës së Lartë. Për këto arsye u kërkua dhe kufizimi i skajshëm i territorit të shtetit. Për të ruajtur interesat e tyre, të tri fuqitë vendosën të bëheshin mbrojtëse dhe garante të shtetit të ri grek.

    Në vitin 1832 Greqia u shpall monarki me në krye princin Oto nga oborri bavarez dhe është i pari shtet ballkanik që fitoi pavarësinë nga Perandoria Osmane. Greqia e pavarur ndryshonte shumë nga Greqia e ëndërrave të nacionalistëve grekë për një ringjallje të perandorisë bizantine, ideal jo vetëm i fanariotëve por edhe i shumicës së udhëheqësve politik grekë.


    Në planin ndërkombëtar, zgjidhja e çështjes greke i dha një goditje Aleancës së Shenjtë, sepse traktatet e saj nuk u zbatuan ashtu siç kishte vendosur ajo. Rusia, Britania e Madhe dhe Franca nuk ndoqën politikë unike ndaj çështjes greke, të gjithë vepronin konform interesave të tyre dhe iu përshtatën situatës së krizës. Rolin kryesor ndaj kësaj çështje padyshim se e luanin Rusia dhe Britania, të cilat u tërhoqën përballë rrezikut të një konflikti të përgjithshëm. Anglezët mund të konsideronin në përparësinë e tyre se evituan shembjen e Perandorisë Osmane. Ndërsa Rusia edhe pse nuk përfitoi aq, ajo vazhdonte me këmbëngulje të gjente pretekste që të vazhdonte presionin dhe rrugën e saj drejt ngushticave të shumëlakmuara prej saj. Franca e luante rolin e ndërmjetëses duke forcuar edhe më pozitën e saj në rolin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Greqia u bë e pavarur në sajë të përkrahjes nga jashtë të Fuqive të Mëdha. Ajo futi në funksion Fuqitë e Mëdha (Rusinë, Britaninë e Madhe e Francën), që të merrnin veprime konform interesave të tyre politiko-strategjike. Përfundimisht, ishin këto forca politike që kurorëzuan revolucionin grek me pavarësinë e plotë të Greqisë dhe shkëputjen e saj nga sundimi shekullor osman.


    LITERATURA:

    AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË, Instituti i Historisë – Histiria e Pupullit Shqiptar I. Toena, Tiranë, 2002.

    Castellan, Georges. Histori e Ballkanit (shekulli XVI-XX). ÇABEJ, 1991.

    Charles dhe Barbara Jelavich, Themelimi i Shteteve Kombëtare të Ballkanit, 1804-1920. DITURIA, Tiranë, 2004.

    Glenny, Misha. HISTORI E BALLKANIT 1804 – 1999 Nacionalizmi, Luftërat dhe Fuqitë e Mëdha. TOENA, Tiranë.

    Jelavich, Barbara, Historia e Ballkanit (Shekulli i tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë), Volumi I, Përpjekja, Tiranë, 1999.

    Kissinger, Henry, Diplomacia, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë, 1999.

    Mullai, Abaz. Historia e Ballkanit shek. XIX-1918. SHBLU, Tiranë, 2008.

    Murzaku, Thoma. HISTORIA E VENDEVE TË BALLKANIT II. Universiteti i Tiranës – Fakulteti Histori-Filologji. Tiranë, 1973.

    Nathanaili, Petrit. Marrëdhëniet ndërkombëtare nga origjina deri më sot. Vëllimi i parë. FILARA, Tiranë, 2009.

    Rich, Norman, Diplomacia e Fuqive të Mëdha (1814-1914), TOENA, Tiranë, 2006.

    Schevill, Ferdinand. BALLKANI – HISTORIA DHE QYTETËRIMI. EUGEN, Tiranë, 2002.


    Dar_di
    Ndryshuar për herë të fundit nga Dar_di : 10-07-2012 më 08:52
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    15-08-2011
    Postime
    146
    artikull mjaft interesant pergezime

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •