Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968

    Britania e Madhe dhe çështja shqiptare 1875-1913

    Pasqyrimi i marrëdhënieve britaniko-shqiptare



    Libri “Britania e Madhe dhe çështja shqiptare 1875-1913” i autorit Frashër Demaj, i cili u promovua të premten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës trajton qëndrimin e diplomacisë britanike ndaj shqiptarëve dhe Ballkanit, tentimin e krijimit të shtetit shqiptar dhe mospërkrahjen e kësaj ideje nga fuqitë e mëdha.

    Rencenzenti i librit, Ferid Uka ka thënë se ky libër është një produkt konkret i një pune të gjatë e që sipas tij ky punim plotëson zbrazëtinë e temave sa i përket çështjeve historike që kanë lidhje me shqiptarët.

    “Frashër Demaj është një kërkues i zellshëm i cili ka arritur që çështjet e historisë të mos i vrojtoj në vështrime të ngushta por t’i vështrojë në një aspekt më të gjerë sa i përket politikës britanike dhe interesat e saj në Ballkan. Ky studim hap një horizont të ri sepse ka një tematikë interesante”, ka thënë Uka.

    Ndërsa publicisti Fehmi Rexhepi duke folur për përmbajtjen e librit, e quajti atë një studim serioz dhe një monografi të mirëfilltë. Sipas tij, ky libër hap një kapitull të ri në historiografinë shqiptare duke nxjerrë në pah qëndrimet e diplomacisë britaneze karshi shqiptarëve.

    “Kapitulli i parë shpjegon qëndrimin e Britanisë si garant i Perandorisë Osmane dhe interesat e saj në Ballkan, e më pas flitet për krizën lindore e si pasojë e kësaj shqiptarët detyrimisht ishin pjesë e kësaj krize. Në libër po ashtu flitet edhe për Traktatin e Shën Stefanit si një padrejtësi e cila iu bë shqiptarëve, pastaj formimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës deri me finalizimin e Shpalljes së pavarsisë se Shqipërisë”, ka thënë Rexhepi.

    Autori i libri Frashër Demaj ka thënë se puna e tij është modeste por që hap një debat të gjerë sa i përket politikës së Britanisë gjatë viteve 1875-1913.
    Sipas tij Britania mbronte lidhjet e saj me Perandorinë Osmane por nuk ishte kundër krijimit të shtetit shqiptarë nëse otomanet pajtoheshin me këtë gjë. Frashër Demaj është bashkëautor i afër 15 teksteve shkollore. Ndërsa ky është studimi i dytë monografik i tij.

    Feim AZEMI (kosova.info)
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968
    Qëndrimi diplomacisë britanike ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

    Shkruan: Prof. asoc. dr. Frashër DEMAJ

    Formimi i Lidhjes Shqiptare te Prizrenit shënon fazën më kulmore të ngritjes së vetëdijes kombëtare shqiptare në periudhën e formimit të shteteve kombëtare. Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte e ndikuar nga idetë perparimtare evropiane dhe nga shembulli i luftës për clirim e bashkim kombëtar në Gjermani, Itali dhe vende tjera të Ballkanit dhe Evropës.
    Lidhja e Prizrenit, si rrjedhim i natyrshëm i zhvillimit të shoqërisë shqiptare, u krijua në rrethana të vështira dhe të ndërlikuara si brenda ashtu edhe jashtë.[1] Rrethanat ndërkombëtare ushtarake, politike e diplomatike ishin krejt të pavolitshme sepse politika ndërkombëtare kishte qëndrim jo të favorshëm, kurse ajo e shteteve ballkanike kishte pretendime shoviniste ndaj tokave shqiptare.[2]

    Lidhja kishte ndikuar drejtpërdrejt në kultivimin dhe avancimin e mendimit politik dhe të vetëdijes shtetformuese te shqiptarët. Lëvizja Kombëtare Shqiptare në këtë periudhë shërbeu si një argument i qëndrueshëm që kundërshtonte pretendimet e popujve fqinj për pushtimin e tokave të tyre dhe njëkohësisht sinjalizonte Portën e Lartë se shqiptarët nuk do të qëndronin duarkryq përballë pushtetit të tyre dhe pazarllëqeve që bëri Porta me Rusinë me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit. Po ashtu kjo ngjarje vuri në lëvizje edhe diplomacinë e Fuqive të Mëdha.

    Britania e Madhe nga gjysma e parë e shekullit XIX e deri te Lufta e Krimesë në vazhdimësi vinte duke i fuqizuar pozitat e veta me pretendim që të mbante primatin si fuqi dominuese politike, ekonomike e ushtarake e botës. Edhe para Krizës Lindore (1875-1878) politika e jashtme britanike ishte percaktuar të ndjekë dhe të garantoj stabilitetin nderkombëtar[3]. Ky stabilitet pervecse do të ruante paqen e pergjithshme i jepte siguri ishujve britanik dhe mbretërisë në përgjithësi dhe siguronte kushte edhe për zhvillimin e zejtarisë, tregtisë me vende tjera dhe ndalonte gjakderdhjen e “britanikëve”[4].
    Diplomacia e Britanisë së Madhe shprehte një interesim të veçantë për zhvillimet politike në Ballkan[5], në territoret që kontrollonte Perandoria Osmane dhe në trojet shqiptare, sidomos në prag të ngjarjeve që u zhvilluan para dhe gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
    Shqiptarët me gjithë përpjekjet e tyre nuk kishin arritur të siguronin ndonjë aleat të fuqishëm që do t’i përkrahte në luftën e tyre për çlirim nga Perandoria Osmane dhe për krijimin e shtetit kombëtar. Interes më të shtuar nga Fuqitë e Mëdha kishin treguar Austro-Hungaria dhe Italia.

    Sidoqoftë udhëheqësit e Lidhjes e shikonin autonominë si periudhë kalimtare drejt pavarësisë së plotë nga Porta e Lartë. Praktika ndërkombëtare e sidomos ajo ballkanike kishte dhënë prova, sepse nëpër këtë rrugë kishin kaluar edhe Rumania (e ndarë më parë në dy provinca autonome), Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria, të cilat në fillim e fituan statusin e autonomisë për të kaluar më pas në pavarësi të plotë.[6]

    Kështu në dhjetor 1880 me shpalljen e Qeverisë se Përkohshme në krye të saj u emërua Ymer Prizreni, i cili u ngarkua me detyrën e lartë të kryetarit të Vilajetit të bashkuar, pra të kryetarit të shtetit autonom. Nënkryetar i Qeverisë u emërua Shuaip Spahiu, detyra e ministrit të Punëve të Jashtme iu caktua Abdyl Frashërit, ndërsa Sylejman Vokshi u ngarkua me detyrën e shefit të dikasterit të mbrojtjes dhe komandant i forcave të armatosura.[7] Nën prizmin e ”të drejtës ndërkombëtare” qeveria e përkohshme e Lidhjes nuk i përmbushi të gjitha kushtet për të qenë një subjekt i pavarur në marrëdhëniet ndërkombëtare, kështu që nuk iu njoh de jure dhe de fakto subjektiviteti ndërkombëtar që asaj do t’i mundësonte për të krijuar relacione zyrtare, për të qenë në marrëdhënie zyrtare politiko-diplomatike me shtetet dhe me Fuqitë e kohës.[8] Mirëpo, ky qëndrim i qarqeve të vendosjes shumë më tepër ishte politik sesa realist, sepse kjo ishte kohë kur “njohja’ dhe “mosnjohja” shërbente në arsenalin diplomatik të Fuqive të Mëdha si mjet i preferuar për të bllokuar çdo ndryshim të papëlqyer të statu- kuo-s politike e juridike që mund të çonte në prishjen e ekuilibrit të forcave.[9] Shqipëria ishte një tërësi e veçantë politike, kombëtare dhe gjeografike, por nuk bënte pjesë në sferat e interesave të Fuqive të Mëdha, prandaj edhe nuk pati përkrahjen e duhur dhe njohjen ndërkombëtare si subjekt i pavarur. Mirëpo shqiptarët ishin të vendosur. Këtë e vërteton edhe diplomati Kirbi Green në raportin që i dërgon Solisberit nga Shkodra më 25 prill 1880 në të cilin thuhej: “Vendosmëria për të parandaluar që asnjë copë e tokës së tyre të mos bjerë në duart e sllavëve dhe njëkohësisht për të flakur zgjedhën osmane, disponim ky si te katolikët ashtu edhe te myslimanët, po i habit shumë konsujt e huaj”.[10] Madje qarqe të caktuara antishqiptare u munduan që edhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ta paraqesin si “vegël të qeverisë osmane”, ushtrinë e Lidhjes si “banda të armatosura” dhe shqiptarët në përgjithësi si të “egër dhe të papërgjegjshëm”.[11] Por të gjitha këto kualifikime sidomos nga qarqet ruse, serbo-malazeze dhe greke ishin të paqëndrueshme dhe shumë shpejt u kuptuan nga qarqet diplomatike evropiane, sidomos nga ato të cilat kishin përfaqësitë e veta diplomatike në Shqipëri.

    Kjo kohë shënon një periudhë të ndryshimeve të mëdha në konfiguracionin politik, ushtarak e strategjik dhe balancën e forcave në Evropë. Gjermania pas bashkimit të saj e kishte vënë në pikëpyetje forcën dominuese koloniale të Britanisë dhe Francës. Edhe Rusia shfrytëzonte çdo mundësi për të realizuar politikën koloniale dhe për të qenë fuqi e pakontestueshme në politikën e saj të jashtme. Austro-Hungaria nga ana e saj rivalizonte me Fuqitë tjera, sidomos për Ballkanin. Kurse Italia e cila së voni kishte realizuar bashkimin kombëtar gjithnjë e më tepër përpiqej të jetë faktor vendimmarrës në politikën e shteteve të cilat përbënin grupin e Fuqive të Mëdha[12].

    Intensiteti i angazhimeve diplomatike shtohet edhe më shumë me fillimin e Krizës Lindore të vitit 1875. Më përfundimin e luftës ruso-turke u nënshkrua Traktati i Shën Stefanit që përbënte një marrëveshje paqe në mes Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Me këtët traktat nuk u pajtua Londra zyrtare.

    Vendimet e marra në Shën Stefan nxiten edhe më tepër diplomacinë britanike e cila drejtohej nga sekretari i jashtëm lordi Solsberi (Salisbury)[13]. Britanikët intensifikuan aktivitetet dhe kërkuan edhe përkrahjen e Fuqive tjera si: Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Austro-Hungarisë. Si rrjedhojë e këtij aktiviteti të ngjeshur diplomatik të Britanisë, Fuqitë e Mëdha u pajtuan që të organizonin një Kongres në të cilin do të rishikoheshin vendimet e Shën Stefanit.

    “Qarkorja” e hartuar nga Solsberi ishte dokument bazë që kritikonte rreptë secilën dispozitë të Traktatit të Shën Stefanit. Ky dokument ju dërgua fuqive të Mëdha dhe u vlerësua si “një nga Letrat Shtetërore më të rëndësishme në historinë britanike.

    Për hartimin e këtij dokumenti, sekretari i jashtëm Solsberi u mbështet në tri marrëveshje të fshehta bilaterale të arritura më parë me Perandorinë Osmane, Austro-Hungarinë dhe Rusinë. Kështu, vendimet që do të merreshin në Kongresin e Berlinit u bënë të qarta para se ky Kongres ti fillonte punimet[14].

    Kështu para se të fillonte lufta ruso-turke në opinionin britanik ishte krijuar një mendim negativ për Perandorinë Osmane. Britaniket i gjykonin krimet dhe dhuneën që ushtronte Perandoria Osmane ndaj popujve që i mbante të robëruar, posaqërisht dhunën ndaj të krishterëve. Reagimet e popullsisë britanike kundër krimeve osmane në Hercegovinë më 1875 dhe në Bullgari në vitin 1876 e kishin implikuar edhe më shumë diplomacinë britanike në çështjen e “Turqisë evropiane” [15]. Për ndërhyrjen dhe masat e marra ndaj Perandorisë Osmane më aktiv në diplomacinë britanike ishte William Gladstone[16]. Mirëpo fillimi i Luftës së Rusisë më 1877 kundër Perandorisë Osmane që rrezikonte pushtimin e Stambollit, depërtimin në Mesdheun Lindor (kontrollimi i kanalit të Suezit) ndikoi që diplomacia britanike të ndryshoj kursin politik ndaj zhvillimit të ngjarjeve pas Kongresit të Berlinit. Si rrjedhojë në diplomacinë britanike dominoi politika e kryeministrit konservator Benjamin Disrael[17]. Ky i fundit duke parë pretendimet ruse për zgjerim kolonial, nuk përjashtonte edhe mundësinë e ndërhyrjes ushtarake kundër perandorisë ruse për t’ia ndal hovin pushtues. Kështu, përsëri në diplomacinë britanike po vinin në shprehje pikëpamjet që i kishte pasur para më se një çerek shekulli në Luftën e Krimesë. Në opinionin politik të Britanisë u shfaqen dy koncepte politike. Njërin e përfaqësonte Benjamin Disraeli kurse tjetrin Wiliam Gledstone.

    Pra, opinioni politik britanik ishte i ndarë në dysh. Në njërën anë rreshtoheshin elementë të politikës kundër-otomane, kurse në tjetrën pro-otomane. Perkrahësit e Benjamin Disraelit kishin kundërshtime morale dhe humanitare ndaj rusëve (shtypi katolik, për shembull, ua përkujtonte vazhdimisht lexuesve të vet krimet ruse në Poloni). Ndjenja të tilla u forcuan më 1878 pas lajmeve për dëbimet masive dhe vrasjet masive të myslimanëve (nga rusët, serbët dhe bullgarët) në disa pjesë të Ballkanit. Edhe, në anën e Gladstone-it kishte po ashtu të tillë që mendonin se përkrahja e regjimit otoman ishte realpolitikë e rrejshme dhe se një politikë më realiste kërkonte krijimin e shteteve të reja nacionale si shtylla të çfarëdo stabiliteti të ardhshëm në rajon.[18]

    Deri në Kongresin e Berlinit, diplomacia britanike fare pak e kishte parasysh çështjen shqiptare. Kërkesat e shqiptarëve për çlirim nga robëria osmane nuk trajtoheshin drejt e në mënyrë të gjithanshme. Gledstonianët flisnin vazhdimisht mbi të drejtat kombëtare “të krishterëve” në Ballkan ndonëse kishin njohuri mbi ekzistimin e shqiptarëve katolikë dhe ortodoks megjithatë popullin shqiptarë e konsideronin si popullsi myslimane dhe sa here që përmendeshin “arnautët” ata identifikoheshin me forcat osmane që ndërmerrnin masa represive kundër të krishterëve.

    Nga ana tjetër, disraelitët kërkonin të mbronin apo të forconin integritetin territorial dhe funksionimin administrativ të Perandorisë Otomane. Ata i konsideronin tokat shqiptare si komponentë kyçe e asaj perandorie në Evropë. Ideja se shqiptarët do të mund të kërkonin po ashtu vetëqeverisje ishte jo fort e pranueshme për ta dhe ata vazhdonin të konsideronin ruajtjen e sundimin otoman mbi shqiptarët si një kusht për stabilitet dhe jo si burim të destabilitetit[19].

    Debatet e tilla politike në qarqet britanike qofshin ato qeveritare apo opozitare nuk e trajtonin me seriozitetin e duhur çështjen shqiptare. Shumica prej tyre në mënyrë të gabuar e lidhnin fatin e shqiptarëve me atë të Perandorisë duke u mbështetur në elementin fetar ku shumica e shqiptarëve ishin të besimit islam.

    Rol shumë të rëndësishëm në krijimin e opinionit dhe marrjen e vendimeve nga qeveria britanike kishin përfaqësitë konsullore dhe instanca tjera diplomatike të akredituara në terren. Një ndikim domethënës në periudhën në mes viteve 1878-1881 në krijimin e opinionit politik për shqiptarët patën konsullatat britanike në Prizren, ne Shkodër, në Manastir, në Janinë, në Prevezë, në Shkup, në Larisa, në Sofje, në Selanik si dhe ambasada britanike në Stamboll. Ndër konsujt më aktiv në Prizren nga të gjitha përfaqësitë diplomatike të Fuqive të Mëdha njihej britaniku Seint Gjon (St. John). Ai arriti në Prizren në vjeshtën e vitit 1879. Seint Gjon kishte për mision hulumtues pozitën e të krishterëve në Prizren dhe më gjerë[20]. Mirëpo në fakt detyra e tij ishte që ti dërgonte informacione qeverisë së tij për ngjarjet në terren.

    Pas arritjes në Prizren ende pa i njohur mirë shqiptarët, pa i analizuar kërkesat e tyre, pa dashur që të vlerësojë në esencë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Seint Gjon e cilëson Lidhjen si një organizatë myslimane, armiqësore dhe të rrezikshme[21]. Ai i raportonte Lordit Salisbury duke i thënë se “arritja ime ka shkaktuar kënaqësinë më të madhe në mesin e bashkësisë së krishterë, që në Prizren numëron afro 5000”, dhe se “popullsia myslimane, që numëron afro 25,000... më shikon si spiun”; kurse duke komentuar faktin se i tërë pushteti tani qëndronte në duart e Lidhjes, ai vë në pah se “Zotëria juaj do të shohë se në çmasë të plotë varet tani fati i popullsisë së krishterë dhe ruajtja e sigurisë publike jo nga autoritetet e emëruara nga Porta... por nga një grup fanatikësh të pa ligj”.[22]

    Seint Gjoni për shkak se ishte i ri në këtë mes varej shumë nga kolegët e tij konsuj, jo vetëm në marrjen e informacioneve të veçanta, por edhe formësimin e interpretimit të tij të përgjithshëm lidhur me gjendjen në këto vise.

    Sidoqoftë Seint Gjon në vazhdimësinë e raporteve bie në kundërshtim me veten e tij. Përderisa në fillim e konsideronte Lidhjen si organizatë myslimane dhe të krijuar nga vet Porta e Lartë[23], pra si vegël të saj, më vonë ai i dërgon një raport ministrisë së punëve të jashtme të Britanisë në të cilin thuhej se “propaganda italiane përmes misionarëve të vet po zhvillon bisedime me krerët e Lidhjes duke pretenduar që ti bind ata që Lidhja të kërkojë të shndërronte territorin e vet në protektorat italian”[24]. Gjithashtu ai në një shkresë të datës 3 nëntor 1879, dërguar ambasadorit britanik në Stamboll Henry Layard theksonte; ”koloneli Osman bej, guvernatori i ngarkuar më ka kërkuar disa herë që të mos dal nga shtëpia derisa të largohet Lidhja Shqiptare nga Prizreni”. Mirëpo Seint Gjon e konsideron këtë alarm për rrezik të Osman Pashës si të rremë[25]. Nga ky raport shihet se ai nuk ndjehej fare i rrezikuar nga eksponentë të Lidhjes Shqiptare. Në fakt ky ishte një tregues i qartë se Lidhja nuk ishte “organizatë myslimane, armiqësore dhe e rrezikshme” siç ishte shprehur me herët St Gjon por ishte një organizatë kombëtare e formuar për ta çliruar vendin e vet nga pushtuesit osman. Më vonë nga kontaktet e konsullit anglez me konsullin rus Jastrebov shihet qartë se Seint Gjoni ishte mjaft i ndikuar nga propaganda sllave në krijimin e opinionit të tij për shqiptarët dhe çështjen e tyre.
    Ai krijoi një miqësi shumë të ngushtë me kolegun e tij rus dhe i tërë interpretimi i çështjes shqiptare nga ana e tij ishte i ngarkuar nga paragjykimet dhe qëllimet e caktuara të Jastrobovit. Kështu, më 1880, në bazë të informacionit që i kishte ofruar Jastrebov, Seint Gjon theksonte se rajoni i Prizrenit i takonte Serbisë, si historikisht, ashtu dhe etnikisht; argumenti i tij ishte se gjysma e shqiptarëve në Kosovë, në të vërtetë nuk ishin shqiptarë të vërtetë, por vetëm sllavë të shqiptarizuar dhe pohonte se “dialekti shqip përdorej vetëm nga fiset që banonin malet në perëndim të Prizrenit”[26]. Këto pohime të Seint Gjonit të pabazuara dhe të pa argumentuara nuk i pranuan si të vërteta as zyrtarët më të lartë përfaqësues të diplomacisë britanike. Këto u hodhën poshtë edhe nga diplomati i lartë britanik, Lordi Edmond Ficmoris (Fitzmaurice)[27], i cili vinte në pah se raportet e Seint Gjonit “për vetë atë ishin të dyshimta”. Ficmorisit, informacionet për rajonin i vinin nga Kostandin Kristoforidhi, i cili kishte një pikëpamje krejtësisht tjetërfare[28].
    Sidoqoftë, opinionet e St. John-it duket se nuk patën ndonjë ndikim të madh në qëndrimet e politikës së jashtme britanike. Bazuar në këto qëndrime mund të konstatohet se njeriu “në terren” nganjëherë mund të jetë edhe më i kufizuar në burimet e tij të informacionit se sa të tjerët që janë larg nga vendi ku ndodhin ngjarjet.

    Diplomati britanik Kirbi Grin (Kirby Green), sikur edhe konsuj dhe diplomatë tjerë vinin në Shqipëri pa ndonjë njohje të thellë dhe përplot paragjykime për popullin shqiptar. Rasti i konsullit Grin ishte, në një mënyrë, i ngjashëm me atë të St. Gjonit. Edhe ai sikur ishte nën ndikimin e tepruar të një pjesëtari tjetër të trupit konsular. Por, ndryshe nga St. Gjon, Kirbi Grin kishte një ndikim të vërtetë në bërjen e politikës, ishte ai që bindi Qeverinë Britanike për të miratuar dhënien e Ulqinit Malit të Zi [29].

    Kirbi Grin shpeshherë duket të ketë qenë në lajthitje sepse ai konsideronte se shqiptarët e vetëm që kishin ndonjë prirje serioze autonomiste ishin romano-katolikët; se Lidhja e Prizrenit ishte esencialisht organizatë myslimane; se Lidhja nuk ishte në gjendje të ushtronte çfarëdo bashkëpunimi me katolikët; prandaj, Lidhja ishte diç më shumë se një vegël e qeverisë otomane, që kishte lindur vetëm sa për të penguar lëshimin e territorit që kërkohej nga Traktati i Berlinit[30]. Megjithatë edhe Kirbi Grin duket të jetë kontradiktor sepse në një shkresë të tij të datës 1 dhjetor 1878 dërguar ambasadorit anglez në Stamboll Henry Layard thotë: “... krerët malësor si mysliman edhe katolikë në një mbledhje publike kanë përtërirë “besën” dhe kanë marrë përsipër të kundërshtojnë me çdo çmim çfarëdo lëshimi të tokave, kurse mbledhja e Lidhjes Shqiptare që e ka qendrën tani në Prizren, ka kërkuar me shkrim raporte të vazhdueshme për gjithçka që bëhet këtu si dhe që të mbahet plotësisht në dijeni për të gjitha lëvizjet ushtarake[31]. Grin, në disa raporte të tij për Ministrinë e Jashtme pohonte se Lidhja ishte vegël e qeverisë, që kishte dalë disi jashtë kontrollit.

    Kirbi Grin me këmbëngulje vazhdonte të shprehte mendimin e tij se nuk kishte dimension “nacional” në aktivitetet dhe ambiciet e Lidhjes. Më 30 shtator 1878, ai raportonte: “Vetëm sa jam i prirë t’i japë rëndësi Lidhjes si një organizatë lokalitetesh nën ndikimin e drejtpërdrejtë të koncesioneve të bëra nga Traktati i Malit të Zi dhe jo si diçka që mishëron çfarëdo trupi të fuqishëm për tërë Shqipërinë”[32]. Këtë mendim të Kirbi Grin rastësisht e hodhi poshtë dhe e kundërshtoi kolegu i tij Konsulli Blant (Blunt) i Larisës në një raport të shkruar në të njëjtën ditë. Në këtë raport thuhej se shumë ushtarë shqiptarë që kishin dezertuar për t’iu bashkuar Lidhjes ishin toskë nga Epiri[33]. Pra konsulli Blunt në këtë rast kur thotë ishin toskë nga Epiri ai nënkupton se ata ishin shqiptarë myslimanë dhe të krishterë-ortodoks. Ky raport jep edhe një sqarim të rëndësishëm që demanton idenë se vetëm shqiptarët katolik në veri ishin të interesuar për tu shkëputur nga Perandoria Osmane.

    Gjithashtu, në letrën që konsulli Grin i dërgonte ministrit të Punëve të Jashtme lordit Solsberi, më 25 mars 1880, në mes tjerash thuhej;” ... në Shqipërinë e Veriut është ngritur një shqetësim i madh dhe janë mbajtur mbledhje nga anëtarët e fiseve myslimane e të krishtera të cilët edhe një herë janë zotuar solemnisht që tu bëjnë qëndresë përparimeve malazeze...”[34]. Pra sipas këtij raporti shqiptarët pavarësisht besimit fetarë po përgatiteshin për të mbrojtur tokat e tyre nga pushtimi malazez.

    Megjithëkëtë, ai vazhdoi të trajtonte bashkëpunimin midis myslimanëve dhe të krishterëve shqiptar si dicka të panatyrshme duke vazhduar edhe më tej të mendonte dhe pohonte se vetëm katolikët do të mund të ishin për vetëqeverisje të plotë.

    Duke parë zhvillimin e ngjarjeve në vazhdimësi, unitetin e theksuar të shqiptarëve dhe pretendimet e tyre për ta hequr qafe zgjedhën osmane, Kirbi Grin në prill të vitit 1880, shkruante: “Për momentin muhamedanët dhe katolikët e kësaj province pa dyshim po punojnë së bashku... [35]. Një javë më vonë, Kirbi Grin theksonte: “entuziazmi që ekziston në masë të jashtëzakonshme në mesin e shqiptarëve romano-katolikë nuk ka ardhur vetëm nga vendosmëria për të penguar çfarëdo rënie të territorit të tyre në duart e sllavit, por edhe nga bindja e fshehtë se po lind një rast i favorshëm për të hequr qafet zgjedhën turke[36]. Pra nga ky konstatim i Grin shihet se ai nuk e trajtonte më Lidhjen “si vegël të Perandorisë Osmane që kishte dalë jashtë kontrollit” por “si një rast të favorshëm për të hequr qafe zgjedhen turke”.

    Aktiviteti i vazhdueshëm i Kirbi Grinit ndikoi në implikimin e tij të drejtpërdrejtë në Çështjen e Ulqinit, propagandimin e tij për dorëzimin e qytetit dhe të rajonit bregdetar të Ulqinit. Ky plan ishte hartuar nga Kirbi Grin dhe kapiteni Sale (një oficer i Inxhinierëve Mbretërorë, i cili ishte anëtar i Komisionit Kufitar); por ishte Kirbi Grin ai që siguroi pranueshmërinë e tij nga qeveria britanike.[37] Ai vazhdonte të mendonte se një “korti-kompromis” do të dobësonte fatalisht elementin katolik në Shqipërinë Veriore. “Inkorpurimi i fiseve të Grudës dhe të Hotit me Malin e Zi do të ishte goditje për vdekje për shpresën e një krahine autonome të Shqipërisë Veriore”. Konsulli britanik mendonte se është me rëndësie jetike që fiset romano-katolike të mbeten të paprekura, derisa rrudhja e kufirit deri buzë lumit Buna dhe humbja e një qyteti të vogël detar, do të ishte më parë përparësi se sa ndryshe”.[38]

    Në raportin e tij të gjatë të 29 majit, Kibri Grin jo vetëm që sillte argumente për këtë koncesion të ri territorial, por edhe paraqiste pikëpamjet e veta lidhur me implementimin, në tokat shqiptare, të propozimeve të reformës administrative që ishte paraparë në Traktatin e Berlinit. “Unë ndaj mendimin me z. Lippich”, shkruante ai, “se do të ishte e parakohshme dhe e panevojshme të bëhej përpjekje për zgjerimin e reformës në administratë përtej vijës së tashme të Vilajetit të Shkodrës”. Me fjalë të tjera, ai mëtonte se edhe në këtë mënyrë rajoni i dominuar nga katolikë në Shqipërinë veriore të izolohej nga vilajetet e tjera shqiptare dhe të gëzonte trajtim të veçantë. Në këtë pikë, Kirbi Grin hasi në kundërshtim të prerë nga Ambasadori Special i Britanisë në Stamboll, Xhorxh Goshen[39], i cili protestoi tek Sekretari i Jashtëm, duke u ankuar se e tërë politika ndaj Shqipërisë Veriore dhe asaj Jugore nuk ishte çështje për t’iu besuar një nëpunësi të ulët konsullor dhe duke paraqitur pikëpamjen e vet se një Shqipëri e bashkuar ishte tepër e preferuar. Në fund, Kirbi Grin nuk përcaktoi politikën afatgjatë ndaj tërë Shqipërisë, por ai pati ndikim vendimtar në dhënien e Ulqinit shtetit malazez[40].

    Kirbi Grin ishte ai që e bindi qeverinë britanike për të pranuar qe Ulqini ti dorëzohej Malit të Zi. Në një shkresë të tij drejtuar Londrës, më 29 maj 1880, ai deklaronte: “e kam diskutuar në tërësi me z. Lippich, konsullin e përgjithshëm austriak, çështjen e dhënies së territorit Malit të Zi, në perëndim të Liqenit të Shkodrës, në vend të territorit të definuar në Konventë... Në asnjë pikë unë dhe Lippich nuk kemi pasur mendim tjetër”[41]. Nga ky raport vërehet qartë se nuk kishte divergjenca të shprehura në mes përfaqësuesve anglez dhe atyre austriak sa i takon qëndrimeve të tyre të përgjithshme ndaj Lidhjes dhe çështjes shqiptare përgjithësisht. Grin e kundërshtonte me forcë planin e Kortit sepse sipas tij realizimi i këtij plani e dobësonte në masë të konsiderueshme elementin katolik dhe përfundimisht fundoste shpresat për një krahinë autonome në Veri të Shqipërisë.
    Është më rëndësie jetike që fiset romano-katolike të mbeten të paprekura, derisa rrudhja e kufirit deri buzë Lumit Buna dhe humbja e një qyteti të vogël detar, do të ishte më parë përparësi se sa ndryshe”[42] mendonte Kirbi Grin.

    Nga idetë e Kirbi Grinit mund të vihet në përfundim se vet ai në këtë rast pretendonte të jetë një protektor i shqiptarëve katolik në veri të Shqipërisë mirëpo jo edhe i çështjes shqiptare si tërësi dhe si një problem që duhej trajtuar, ndihmuar dhe zgjidhur çështjen e tyre në përputhje me të drejtat e popujve.

    Ndonjëherë diplomatët britanikë ndikoheshin nga politika ruse dhe nga ajo austriake. Një vend tjetër që ushtronte po ashtu ndikim në mendësinë britanike ishte Greqia. Si të krishterë të përvuajtur, grekët kishin tërhequr simpatinë e madhe të gladstonianëve. Ata si trashëgimtarë të supozuar të civilizimit grek qenë të aftë të zgjonin interesimin e çdo britaniku që kishte respekt të konsiderueshëm për historinë antike greke dhe ishte i ndikuar “klasicizmi grek”. Derisa diplomatët në terren nuk dukeshin të jenë filohelen të papërmbajtshëm, në diplomacinë britanike figura më progreke dhe e pakompromis njihej Çarls Dilke (Charles Dilke)[43], i cili u bë Nënsekretar i Shtetit për Punë të Jashtme në vitin 1880. Diplomati Dilke i ndikuar nga miku i tij i ngushtë, Lordi Edmond Ficmoris (i cili ndante pikëpamjet e Goshenit për shqiptarët), ishte i gatshëm të angazhohej për një Shqipëri të bashkuar, por me kusht të hedhjes poshtë të çfarëdo ideje të shtetësisë së vërtetë shqiptare. Charles Dilke propozonte një provincë shqiptare që do të kishte jo vetëm status autonomie në kuadër të Perandorisë Otomane, por edhe një “union personal” me Greqinë[44]. Ai e diskutoi këtë ide me Goshenin, i cili e konsideroi idenë si jorealiste, por megjithatë dëshironte ta inkurajonte mikun e tij që të vazhdonte të mendonte për mundësinë e një autonomie shqiptare. “Kam menduar tepër shumë për çështjen shqiptare”, shkruante Goshen. “Autonomia shqiptare në union personal me Greqinë do të ishte një zgjidhje shumë e vlefshme për Evropën, por turqit do të mundoheshin shumë që të mos i lejonin grekët, kurse shqiptarët janë shumë të fuqishëm në Pallat (Stamboll F.D.) dhe duket se janë të besuar në tërë Perandorinë. Por, autonominë, mendoj se e duan dhe do tё duhet ta kenë në ndonjë formë”. Atë vit, Dilke diskutoi projektin e tij me të Ngarkuarin me Punë të Greqisë në Londër, i cili kërkoi pikëpamjet e qeverisë së tij por që nuk dhanë ndonjë rezultat. Dilke edhe pas shtatë vjetësh ende paraqiste këtë propozim, kur shkroi librin “Pozita e tashme e politikës evropiane”. E vetmja gjë që kishte ndryshuar ishte se ai tani predikonte shtyrjen e kufirit grek sa më në veri që ishte e mundur, në mënyrë që Shqipëria “autonome” që i bashkëngjitej do të ishte, në çdo rast, pak më e madhe se territori i rrudhur i Shqipërisë[45].

    Një nga personalitetet e shquara në diplomacinë britanike të asaj kohe ishte ambasadori në Stamboll, Sir Henry Laylard[46], i cili kishte arritur ta njihte mirë situatën në Perandorinë Osmane gjatë punës së tij të mëhershme si arkeolog. Laylard konsiderohej nga të gjithë si “vendës i adaptuar” – me fjalë të tjera, si dikush që ishte mësuar t’i shihte gjërat me sytë e otomanëve. Më të ardhur në pushtet Gledstoni (Gladstone) dhe liberalët në pranverën e vitit 1880, Laylard u zëvendësua. Reagimi i tij ndaj vrasjes së Mehmet Ali Pashës në Gjakovë sjell shembull tipik për këtë: ai ia atribuoi atë “pakënaqësisë së atyre që duken të vendosur ta kundërshtojnë të drejtën e Evropës për t’i dorëzuar, pa i pyetur për dëshirën dhe interesat e tyre, në duar të një fuqie të huaj”. Dhe, ai vazhdonte: “qëndrimi i tashëm luftarak i shqiptarëve mund t’i atribuohet faktit se në ndarjen e re territoriale të Turqisë në Evropë, ekzistenca e popullatave turke dhe myslimane ka qenë, në masë të madhe, e harruar apo e injoruar. Porta është përgjegjëse për një rezistencë, të cilën çdo popull krenar, i pavarur dhe luftarak natyrisht që do ta bënte po t’i jepej ndonjë fuqie të huaj, që ndryshon nga ai si për nga përkatësia nacionale, traditat, kultura, historia, religjioni, zakonet etj. Konstatimi i diplomatëve britanik dhe pranimi nga ana e tyre i faktit të ekzistimit të popullatës turke dhe asaj myslimane si të vecanta, ishte një sinjal pozitiv që ndikonte në trajtimin e shqiptarëve si popullsi e vecante nga ajo turke-osmane pavarësisht se shumica prej tyre i takonin fesë islame.

    Xhorxh Goshen (George Goschen) i cili zëvendësoi Layardin në verë të vitit 1880, ishte njëri nga diplomatët më impresiv nga të gjithë diplomatët britanik të cilët në karrierën e tyre diplomatike trajtuan çështjen shqiptare dhe problemet ballkanike. Ai ishte i biri i një emigranti gjerman. Goshen kishte pasur një karrierë të shkëlqyer në financa, duke u bërë drejtor i Bankës së Anglisë në moshën 27-vjeçare dhe ishte njëri ndër kuadrot më të shquara që po ngriheshin në Partinë Liberale. Detyra kryesore e Goshenit si ambasador special ishte të bënte presion mbi Sulltanin që të zbatonte obligimet e tij sipas Traktatit të Berlinit. Ai e kreu këtë detyrë me zell të madh, mbi të gjitha gjatë krizës së lëshimit të Ulqinit.[47]. Por, ai ishte po ashtu thellësisht i interesuar të zhvillonte një politikë afatgjatë për stabilitetin e tërë rajonit dhe në këtë kontekst, ai ktheu përqendrimin e tij në çështjen shqiptare. Ai u ndihmua dhe u mbështet nga Lordi Edmond Ficmoris, i cili ishte anëtar i komisionit ndërkombëtar të Rumelisë Lindore dhe kishte treguar një interesim të konsiderueshëm për territoret shqiptare. Ficmoris kishte qenë gjithashtu edhe anëtar liberal i Parlamentit dhe në debatet e zjarrta të vitit 1876 ai kishte sjellë argumente në favor të dhënies së “vetëqeverisjes” për të gjitha territoret e pushtuara osmane në Evropë.

    Në një letër dërgesë drejtuar Lordit Granville[48], më 26 korrik 1880[49] ambasadori Goshen, qëndrimin e tij politik e mbeshteste në dy koncepte të cilat i konsideronte fundamentale: korrektësia apo drejtësia në një anë, dhe interesi apo realpolitika, në anën tjetër. Në anën e korrektësisë, ai vinte në pah se “lëvizja shqiptare është krejtësisht e natyrshme. Një racë po aq e lashtë dhe e veçantë sa e të gjithë të tjerëve që i rrethojnë, ata kanë parë kombësitë e këtyre racave fqinje të merren nën mbrojtjen e fuqive të ndryshme evropiane për një qenësi më të pavarur... Në ndërkohë, ata po shohin se atyre nuk po u bëhet trajtim i njëjtë. Kombësia e tyre po injorohet dhe territori i banuar me shqiptarë po u jepet në veri malazezëve, kurse në jug Greqisë,”. Ai pastaj i qasej argumentit nga këndi i leverdisë gjeopolitike[50]. “Kombësia shqiptare”, këmbëngulte ai “është një element që nuk duhet nënçmuar në çfarëdo kombinimesh të ardhshme politike”. “Nëse do të formohet një Shqipëri e fortë, arsyetimi për pushtim nga një fuqi e huaj në rast të shpërbërjes së Perandorisë Otomane do të ishte dukshëm i dobët. Një Shqipëri e bashkuar do të parandalonte depërtimet e mëtejme në veri dhe Siujdhesa Ballkanike do të mbetej në duart dhe nën kontrollin e racave të cilat tani e banojnë atë... Konsideroj se në përpjesëtim me mundësinë e krijimit të kombësisë shqiptare, mundësia e intervenimit evropian në Siujdhesën Ballkanike do të venitej”[51]. Këto qëndrime të Goshenit në përkrahje të çështjes shqiptare për disa diplomat dukeshin “të pabesueshme” kurse për të tjerë, kundërshtar të çështjes shqiptare, “të pakuptimta”[52].

    Ky, pa dyshim, ishte propozimi përgjithësisht i analizuar me më kujdes për të ardhmen afatgjate të tokave shqiptare, që shtrohej nga ndonjë diplomat britanik gjatë kësaj periudhe. Ai mund të mos ishte shkaktuar drejtpërdrejt nga aktivitetet e Lidhjes së Prizrenit. Megjithatë, Goshen nisej nga supozimi se edhe shqiptarët kishin të drejtë të kishin qëllimet e tyre politike dhe ishin pikërisht aktivitetet e Lidhjes ato që kishin demonstruar se shumë shqiptarë tashmë kishin qëllime të tilla.

    Britania e Madhe dhe Fuqitë tjera, edhe pse nuk e përkrahën zgjidhjen e drejtë të Çështjes shqiptare, tani nuk mund ta mohonin atë pasi që problemi shqiptar tanimë zinte një vend të konsiderueshëm në raportet e konsujve dhe përfaqësuesve të tjerë diplomatikë nga Shqipëria dhe rajoni të cilët iu raportonin qeverive të veta. Raporte me interes të posaçëm për Fuqitë evropiane ishin sidomos ato për zhvillimet luftarake të forcave të Lidhjes kundër forcave malazeze ku shihej një organizim i mirëfilltë ushtarak i forcave të Lidhjes të cilat nuk lejonin forcat malazeze të aneksonin pjesë të territorit shqiptar.

    Interesimi i diplomacisë britanike ishte shfaqur edhe në gatishmerinë e diplomatëve britanik për të pritur delegacionin e LSHP të përbërë nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Vrioni. Ky delegacion kishte arritur në Londër më 8 maj 1879 pas një udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm.

    Shpresa e diplomatëve shqiptarë ishte e mbështetur në idenë se Britania e Madhe duke përkrahur Perandorinë Osmane në ruajtjen e zotërimeve të saj, indirekt do të pengonte edhe copëtimin e viseve shqiptare, me ç’rast do të ruhej edhe integriteti i territoreve shqiptare.

    Në Britani kishte, një literaturë të pasur rreth historisë, gjeografisë, etnografisë së Shqipërisë së shek. XIX. Por opinioni publik anglez kishte shumë pak njohuri rreth çështjes shqiptare si problem aktual politik, si pjesë përbërëse e Çështjes së Lindjes. Megjithatë, Ministria e Jashtme Britanike kishte filluar të jetë më aktive dhe t’i drejtonte sytë nga pjesa perëndimore e Gadishullit Ballkanik. Për diplomacinë britanike, çështja shqiptare nuk përbënte ndonjë interes të posaçëm. Por ajo ishte e lidhur me një çështje tjetër të rëndësishme që prekte politikën e saj të përgjithshme në Evropën Juglindore. Britania e Madhe donte t’i siguronte stabilitetin “dashnores” së saj, siç e cilësonin me ironi vetë anglezët, Perandorinë Osmane[53]. Shpresa e diplomatëve shqiptarë ishte e mbështetur në idenë se Britania e Madhe duke përkrahur Perandorinë Osmane në ruajtjen e zotërimeve të saj, indirekt do të pengonte edhe copëtimin e viseve shqiptare, me ç’rast do të ruhej edhe integriteti i territoreve shqiptare.

    Në bazë të raporteve konsullore që i vinin nga vilajetet shqiptare, shefi i Forin Ofisit (Foreign Office, - Ministria e Jashtme) lordi Solsbëri duket se kishte formuar bindjen se cedimi i Janinës në favor të Greqisë do të sillte si pasojë një kryengritje në Shqipëri, nga e cila do të lindnin trazira të tjera dhe ndërlikime që nuk mund të parashikoheshin[54]. Qeveria britanike ishte kështu pak a shumë e prirë të merrte në shqyrtim çdo ide që do të mënjanonte ndërlikimet e dëmshme për politikën e saj.

    Njëri ndër personalitetet më të larta të Qeverisë osmane, Karatheodhor Pasha ishte munduar vazhdimisht të pengonte Abdyl Frashërin dhe Mehmet Vrionin. Por kur u bind se ata ishin të vendosur ta vazhdonin misionin diplomatik, pa i marrë parasysh kërcënimet dhe pasojat, i dha urdhër ambasadorit të tij në Londër Myzyrys Pasha ti përcillte udhëheqësit shqiptar dhe ti “shoqëronte ata” në takimet që do të realizonin. Myzyrys Pasha i vuri kushte delegacionit shqiptar që takimet dhe bisedimet të zhvilloheshin nëpërmjet përkthyesit të ambasadës, një anglez me emrin Ridaus. Abdyli nuk e kundërshtoi, këtë ide sepse interesat për tu takuar me lordin Sollsbëri qoftë edhe me prezencën e “përkthyesit” osman nuk mund të refuzoheshin në asnjë rrethanë. Ministri i Jashtëm britanik, Lodri Sollsbëri pranoi të takohej me delegacionin shqiptar por jo në zyrat e Forin Ofisit, pasi që ai kishte refuzuar, siç tha vetë të priste disa kohë më parë, një delegacion bullgar[55]. Në këto rrethana, një pritje zyrtare në Ministrinë e Jashtme do të merrte kuptimin e orientimit politik të Britanisë së Madhe në favor të Shqipërisë, për të cilin ai nuk donte të angazhohej publikisht. Gjithashtu ky akt do të ndikonte në marrëdhëniet në mes Britanisë dhe Perandorisë Osmane.

    Arsyetimi i Sollsbërit ishte një manovër diplomatike sepse nuk ishte arsyeja e vërtetë mospranimi i delegacionit bullgar, por ishte mospranimi subjektivitetit ndërkombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të përfaqësuesve të saj nga ana e diplomacisë britanike.

    Shefi i diplomacisë britanike druante se takimi me Abdyl Frashërin dhe Mehmed Ali Vrionin në Forin Ofis, mund të interpretohej nga Porta e Lartë si një njohje de fakto e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sidoqoftë Sollsbëri nuk mundi ta “fsheh” interesimin e tij për të takuar dhe për të biseduar me delegacionin shqiptar.

    Ai u shpreh i gatshëm t’i pranonte dy delegatët shqiptarë, privatisht, në shtëpinë e tij dhe të bisedonte me ta. Sipas marrëveshjes pritej që Abdyl Frashëri dhe Mehmet Vrioni të takoheshin me shefin e diplomacisë britanike më 12 maj 1879[56].

    Përkundër të gjitha vështirësive takimi u realizua në kohën dhe vendin e paraparë. Sollsbëri iu dha mundësi delegacionit shqiptarë që përveç memorandumit që do ti dorëzonin dhe që tashmë ishte për publik përmes “The Times” të shfaqnin idetë dhe vizionin e tyre për protokollin 13 dhe për çështje tjera që ata i preokuponin. Ata i lanë Sollsbërit edhe një dokument që mbante firmën e Mehmet Ali Vrionit dhe Abdyl Frashërit[57]. Në këtë dokument thuhej: “... Populli shqiptar numëron 2.300.000 njerëz. Duke paraparë lakminë e pamatur të fqinjëve të vet dhe rrezikun i cili i kanoset, kjo popullatë patriotike janë lidhur së bashku me përbetimin e njohur për t’i kushtuar tërë mundimin e ruajtjes së vendit të tyre. Me këtë qëllim, të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, janë betuar më parë të vdesin gjer edhe njeriu i fundit, sesa t’i dorëzojnë Greqisë territoret e Prevezës, Nardës, Janinës dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë të cilat lakmohen nga grekët. Nëse ato duhen të shkelen nga Greqia, banorët e Shqipërisë preferojnë të vdesin me armë në dorë.

    Qeveria e Lartmadhërisë së saj mbretëreshës është e drejtë dhe e ndriçuar, dhe na jemi të bindur se do t’i pranojë paraqitjet tona të çiltëri në konsiderim serioz. Ajo do të na bëhet mirënjohje e shtytjeve tona si të arsyeshme dhe në përshtatje me parimet e paanësisë dhe të drejtësisë. Ajo nuk do të lejojë që rruga e përparimit, të cilën kemi vendosur ta ndjekim, të mbyllet për ne, ose do të detyrohemi të largohemi nga ajo duke qenë të detyruar të hidhemi në rrugën e gjakderdhjes dhe të luftës shkatërruese.
    E tillë është shpresa të cilën e vejmë në ndjenjat e drejtësisë dhe të zemërbardhësisë të cilat janë në nivelin më të lartë, karakteristikë për kombin anglez[58].

    Abdyli dhe Mehmet Vrioni u ndanë të kënaqur nga takimi i tyre sepse “Shefi i Forin Ofisit, - shkruan Abdyl Frashëri, - na pyeti gjerë e gjatë se si qëndronte gjendja e vërtetë e punëve dhe mbasi mori përgjigjet përkatëse deklaroi se ai dëshironte paqe, domethënë nuk donte ndërlikime dhe sa më pak krisma armësh në këto vise. Duket se lordi britanik u bind për seriozitetin e lëvizjes shqiptare mbasi ai deklaroi – thotë Abdyli – se “do t’i jepte udhëzime për këtë çështje ambasadorit të tij në Stamboll – dhe shtoi se “shpresonte se nuk do t’i jepej Greqisë ndonjë gjë nga Epiri”.[59]

    Ministri i Jashtëm britanik i shkroi po atë ditë, më 12 maj 1879, ambasadorit të tij në Stamboll, Austen Henry Layardit. Në këtë akt diplomatik thuhej: “Dy zotërinj, Mehmed Ali Vrioni dhe Abdyl be Frashëri, të cilët deklaruan se ishin deputetë në Parlamentin Turk nga Vilajeti i Janinës, dhe të cilët dëshirojnë t’i përfaqësojnë dëshirat e popullsisë së Shqipërisë Jugore para Fuqive, më vizituan sot[60].

    Ata deklaruan se, edhe pse në Shqipërinë Veriore dhe Jugore ekziston një numër i madh i krishterëve, por edhe pse në shumë vende gjuha greke përdoret si ajo shqipe, askund nuk ekziston dëshira për bashkim me Monarkinë Greke, por kurrsesi nuk dëshirojnë të heqin dorë nga sundimi i sulltanit[61]. Kërkesa e diplomatëve shqiptarë për mos përfshirjen e territoreve të tyre në kuadër të shteteve fqinjë dhe “dëshira” e tyre për të mbetur nën sovranitetin e sulltanit bëhej nën presionin dhe me pretendim që duke mos qenë kundër Perandorisë Osmane ta fitonin simpatinë dhe përkrahjen e diplomacisë angleze e cila mbante anën e Stambollit.

    Personalisht jam i kënaqur me shtruarjen e çështjeve nga këta zotërinj, me informatën të cilën ata e posedonin, dhe nuk shfaqën asnjë mendim mbi kërkesat e tyre. Sidoqoftë i këshillova të bëjnë parashtresë në Stamboll të cilën e konsideruan të dobishme për t’ia vënë në dije Fuqive, në mënyrë që kurdo të fillojë ndërmjetësimi, duke i siguruar se ajo ishte dëshira e Fuqive që të bëhen të drejtë për të gjitha racat që banojnë në Siujdhesën Ballkanike.

    Nga përmbajtja e letrës kuptohet se Sollsbëri u bind për seriozitetin e argumenteve të parashtruara nga Abdyl Frashëri dhe Mehmed Ali Vrioni.

    Edhe këta të fundit i konfirmuan ambasadorit turk në Londër, se “kishin mbetur të kënaqur nga pritja dhe përfundimet e nxjerra nga misioni i tyre në Londër”[62].

    Pavarësisht faktit e Britania e Madhe nuk doli hapur me një qëndrim zyrtar për njohjen e kombit shqiptar dhe Shqipërisë autonome, Londra ishte e preokupuar me problemin shqiptar sepse ata filloi ti konsideronte faktor në kombinimet e ardhshme në Ballkan dhe faktor të cilët mund ta destabilizojnë rajonin. Shkaku kryesor i mungesës së përkrahjes së LSHP për formimin e shtetit shqiptar më shumë është i ndikuar nga interesa strategjike se sa me ndonjë faktor tjetër. Pra gjatë kësaj periudhe shqiptarët nuk kishin ndonjë relevancë politike, ekonomike e as ushtarake prandaj nuk mund të ishin partner strategjik dhe faktor për tu konsideruar (para grekëve dhe osmanëve) nga politika dhe diplomacia britanike.


    [1] Jusuf Bajraktari, Gjakova me rrethinë 1878-1912, Prishtinë 1998, f. 73.
    [2] Po aty.
    [3] Erik Goldstein, B.J.C McKercher, Power and Stability in British Foreign Policy 1865-1965, London 2003, f. 3.
    [4] M.E.Chamberlain, British Foreign Policy in the Age of Palmerston (London, 1980); H.Kissinger, A World Restored: Metternich,Castlereagh and the Problems of Peace, 1812–22 (Boston, 1973); M.Swartz, The Politics of British Foreign Policy in the Era of Disraeliand Gladstone (New York, 1985); H.W.V.Temperley, The Foreign Policy of Canning, 1822–1827: England, the Neo–Holy Alliance, and the
    New World (London, 2nd edn 1966); C.K.Webster, The Foreign Policy of Castlereagh, 1812–1815. Britain and the Reconstruction of Europe (London, 1931).
    [5] Sneh Mahajan, British Foreign Policy 1874-1914, The role of India, London 2002, p. 7.
    [6] Akademik Kristaq Prifti, “Koncepti i Lidhjes së Prizrenit për shtetin shqiptar”, botuar në Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe vendi i saj në Histori, Prishtinë 2008, f. 23.
    [7] Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë, 1997, f. 41.
    [8] Arben Puto, “Lidhja Shqiptare për mbrojtjen e të drejtave të kombit në vitet e Krizës Lindore”, Konferenca Kombëtare e studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, Tiranë, 1979, f. 51.
    [9] Po aty f. 51.
    [10] Ramiz Abdyli, vep. e perm., f. 8.
    [11] Po aty.
    [12] Frashër Demaj, “Qëndrimi i konsujve anglez në Prizren dhe Shkodër ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Konferenca Shkencore “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881”, Prishtinë 10-11 qershor 2008, f.1
    [13] Emri i tij i plotë është Robert Arthur Talbot Gasconye-Sesil 3rd Marques of Salisbury U lind më 3 shkurt 1830 dhe vdiq me 22 gusht 1903. Ishte tri here kryeministër i Britanisë së Madhe nga viti 1885-1886, 1886-1892 dhe 1895-1902. Gjithashtu u zgjodh katër here Sekretar i Jashtëm i Britanisë së Madhe.
    [14] A. Roberts, Salisbury: Victorian Titan (London, 1999), f. 187, 193.
    [15] Shih W. N. Medlicott, Bismarck, Gladstone, and the Concert of Europe, London, 1956, f.79-98.
    [16] William Gladstone lindi më 29 dhjetor 1809 dhe vdiq më 19 maj 1898. ishte një burrë shteti që vinte nga Partia Liberale. Gladstone ishte katër here kryeministër i Britanisë së Madhe (1868-74, 1880-85, 1886 dhe 1892-94).
    [17] Benjamin Disraeli lindi më 21 dhjetor 1804 dhe vdiq më 19 prill 1881. ishte një burrshteti i shquar, udhëheqës i partisë konservatore. Ai sherbeu në qeverinë britanike për tri dekada. Dy here ishte kryeministër i Britanisë së Madhe.
    [18] Noel Malcolm, “Diplomacia britanike dhe Lidhja e Prizrenit”, në Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe vendi i saj në Histori, Prishtinë, 2008, f. 43.
    [19] Aleks Buda, Konferenca Kombëtare e studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, vell. 2, Tiranë 1979, f. 394-408, Noel Malcolm, vep e perm. f. 43.
    [20] R. C. K. Ensor, England, 1870–1914 (Oxford University Press, 1936), f. 46.
    [21] Arkivi i Kosovës (AK), Fondi i Londres (Foreign Office –London), Fo. 195/1303, Dosja nr. 2.
    [22] Aleks Buda, Konferenca Kombëtare ... f. 394-408.
    [23] Arkivi i Kosovës (AK), Fondi i Londres (Foreign Office –London), Fo. 195/1303, Dosja nr. 2.
    [24] Skender Rizaj, Dokumente angleze mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe fillimin e coptimit të Ballkanit (1877-1885) vëll. 2, Prishtinë 1993, f. 266-70.
    [25] Ramiz Abdyli, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në burimet angleze, Libri II, Prishtinë 2004, f.70.
    [26] Noel Malcolm, punim. i perm. f. 45.
    [27] Emri i tij i plotë është Eduard George Petty Fitzmaurice,1st Baron. Fitzmaurice u lind më 19 qershor 1846 dhe vdiq me 21 qershor 1935. Ishte politikan i njohur i liberalëve britanik.
    [28] Noel Malcolm, punim. i perm. 45.
    [29] Po aty.
    [30] Po aty f. 47.
    [31] Ramiz Abdyli, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në burimet angleze, Libri II, Prishtinë 2004, f.49.
    [32] Noel Malcolm, vep e perm. f. 47.
    [33] Skender Rizaj, Dokumente angleze mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe fillimin e coptimit të Ballkanit (1877-1885) vëll. 2, Prishtinë 1993, f. 254-5 (Kirbi Grin Salisberit, 8 shtator 1878), 256-7 (Blant Lajardit, 30 shtator 1878).
    [34] Ramiz Abdyli, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në burimet angleze, Libri I, Prishtinë 2004, f. 48.
    [35] Kirbi Grin Solsberit, 18 prill 1880. Shih Bejtulla Destani, , Albania & Kosovo: Political and Ethnic Boundaries, 1867-1946 , Londër 1999, f. 122).
    [36] Po aty f. 128.
    [37] AK, Fondi i Londrës, PRO, F.O. 881/4268/237 (memorandumi nga Sale, me datë 4 qershor 1880) (Shih B. Destani,, Albania & Kosovo, f. 149-50).
    [38] AK, Fondi i Londrës, PRO, F.O. 881/4327/31 (Kirbi Grin Granvillit, 25 qershor 1880) (shih B. Destani,, Montenegro: Political and Ethnic Boundaries, 1840-1920, 2 vëll. (Londër, 2001), f. 31).
    [39] George Goschen, 1st Viscount u lind më 10 gusht 1931 dhe vdiq më 7 shkurt 1907. Ishte biznismen dhe burrshtetas i njohur britanik.. Shih Oxford Dictionary of National Biography, botuar për here të pare vitin 2004.
    [40] AK, Fondi i Londrës, PRO, F.O. 881/4268/293 (Gosheni Granvillit, 22 qershor 1880) (Shih B. Destani, ed., Albania & Kosovo, f. 151-2).
    [41] Skender Rizaj, Dokumente angleze... (Kirbi Grin i shkruante Granvillit më 29 maj 1880) f. 299-300.
    [42] Noel Malcolm, punim i perm. f. 49.
    [43] Sir Charles Dilke lindi më 4 shtator 1843 dhe vdiq më 26 janar 1911. njihet si politikan liberal që bëri përpjekje për reforma.
    [44] http: History of United kingdom.
    [45] Noel Malcolm, punim i perm. f. 50.
    [46] Henry Layard lindi me 5 mars 1817 dhe vdiq me 5 korrik 1894.
    [47] Noel Malcolm, punim i perm, f. 50.
    [48] Granville George Leveson Gower2nd Earl Granville u lind më 11 maj 1815 dhe vdiq më 31 mars 1891. ishte tre herë sekretar i jashtëm britanik. Nga viti 1875 deri më 1880 ishte lider i Partisë Liberale të Britanisë së Madhe.
    [49] http: History of United Kingdom.
    [50] Po aty.
    [51] Skender Rizaj, Dokumente angleze mbi Lidhjen ... (1877-1885).
    [52] Po aty.
    [53] Kristo Frashëri, Abdyl Frashëri…, f. 241.
    [54] Po aty, Raporti i ambasadorit austro – hungarez në Londër, Karoly, drejtuar Ministrit të tij të Jashtëm Andrassy më 16 qershor 1879.
    [55] Po aty, Raport i Mysyzyr Pashës drejtuar Karatheothor Pashës nga Londra, më 13 maj 1879.
    [56] Po aty, f. 242.
    [57] AK, Fondi i Londrës, (Foreign Office-London) The British Museum, London, Accounts and Papers 1878-79, (LXXVII, 77, 439-443), perm.uar sipas Skender Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në Dokumente Angleze, Prishtinë 1878, f. 127.
    [58] AK, Fondi i Londrës, (Foreign Office –London) The British Museum, London, Accounts and Papers 1878-79, (36). 1878-9, LXXVII, 77,439-443, perm.uar sipas Skender Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në Dokumente Angleze, Prishtinë 1878, f. 127.
    [59] Kristo Frashëri, Abdyl Frashëri..., f. 243.
    [60] Arkivi i Institutit të Historisë në Prishtinë (AIHP), Fondi: Dokumente angleze, Dosja nr. 1.
    [61] AK, Fondi i Londres, (Foreign Office –London) The British Museum, London, Accounts and Papers 1878-79, (LXXVII, 77, 443-444), perm.uar sipas Skender Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në Dokumente Angleze, Prishtinë 1878, f. 123.
    [62] Po aty.
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968
    Promovimi i librit të Z.Frashër Demaj në Universitetin "Vitrina"

    Promovohet në Sh.L.P Vitrina Libri i Autorit Prof. As. Dr. Frashër Demaj Sh.L.P Vitrina organizoi në ambjentet e sallës Sami Frashëri, promovimin e librit me titull: “ Britania e Madhe dhe Çështja Shqiptare 1875-1913” e autorit nga Peja Frashër Demaj. Prof. As. Dr. Frashër Demaj, dhe studiuesi Prof. Dr. Fehmi Rexhepi, të pranishëm për promovimin e këtij libri u shoqëruan në panel nga rektori i Universitetit Prof. Dr. Mario Kedhi, zv. rektori Dr. Teki Kurti dhe zv. rektore PhD Ejona Isufaj. I pranishëm në këtë takim ishte edhe Prof. Dr. Isa Bicaj, studiues dhe profesor në Kosovë.

    Rektori i Sh.L.P Vitrina hapi takimin duke uruar mirëseardhjen për të ftuarit dhe e cilësoi këtë takim në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë dhe ‘i bashkangjitet të gjitha takimeve të zhvilluara në Sh.L.P Vitrina me shkrimtarë politikanë, historianë, artistë, inxhinierë etj. Menjëherë pas tij Dr. Teki Kurti lexoi një rezyme të shkurtër të jetës dhe veprave të autorit duke informuar studentët dhe pedagogët e pranishëm, për aktivitetin e tij deri më sot, duke cilësuar veprimtaritë e tij për studimin e historisë si nga më të rëndësishmet në Kosovë.

    Ai përmendi të gjithë librat e shkruar prej autorit duke theksuar ndihmesën e tij në përpilimit të librave të historisë për nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe të mesme. ‘Studim gjithpërfshirësh ndaj çështjes britaniko-shqiptare’ është parathënia e këtij libri e shkruar nga miku i autorit Prof. Dr. Fehmi Rexhepi. Me shumë interes studentët dëgjuan të gjithë studimin të lexuar nga vetë autori i parathënies i pranishëm në këtë promovim libri. Parathënia është një hapje e mirë e librit duke bërë një lidhje historike të marrëdhënieve mes shteteve dhe një përshkrimi të përgjithshëm të librit. Ai e cilësoi librin si kontribut të jashtëzakonshëm për literaturën historike shqiptare. Autori i librit, Prof. As. Dr. Frashër Demaj, bëri një përmbledhje shumë të shkurtër të ngjarjeve të pasqyruara në libër duke i ilustruar me fakte historike. Ai e ka përdorur këtë libër për të hapur një debat shkencor historik mes historianëve vendas dhe të huaj dhe nxiti studentët të bënin pyetje dhe komente për këtë pjesë të historisë. Ai iu përgjigj pyetjeve me fakte historike ndër vite dhe tregoi studimet e tij për territorin shqiptar dhe popullsisë së mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë. Ai përshkroi interesat e shteteve, përfshirë interesat shqiptare dhe sa mundësi pati shqipëria t’i përmbushte këto interesa. Pyetjes së Zv Rektores Ejona Isufaj se sa ndikuan diplomatët shqiptarë si Abdyl Frashëri etj, në zhvillimin e marrëdhënieve mes shteteve, autori u përgjigj me fakte historike, emra dhe ilustroi duke paraqitur interesat e secilit shtet dhe marrëdhëniet mes tyre. Akademiku analizoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe shteteve të Ballkanit, shteteve të tjera perëndimore dhe veçanërisht marrëdhënien e Shqipërisë me Perandorinë ruse të cilën e quajti aspak miqësore ndaj vendit tonë. Takimi u mbyll me një pyetje nga Zv. Rektori Teki Kurti ndaj Prof. Dr. Isa Bicaj i cili u përgjigj me shumë njohuri historike dhe fakte.

    http://www.vitrina.edu.al/promovimi-...tetin-vitrina/
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968
    Intervistë me Prof. Dr. Fehmi Rexhepi & Prof.Asoc.Dr.Frashër Demaj

    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •