Absurditeti i rradhes i Ministrise se Arsimit, nje kerkese qe as nuk duhet te ishte marre ne konsiderate...
****
Lëndë fetare në shkolla, Tafaj pranon kërkesën e klerikëve
Propozimi i bërë njëzëri nga pesë komunitetet fetare në vend për futjen e një lënde religjioze në shkollat e arsimit parauniversitar ka sjellë përplasjet e para në radhët e specialistëve dhe politikanëve. Ndonëse për momentin propozimi është thjesht një ide që kërkon kohë për t’u zbatuar në praktikë, ai është mbështetur nga kreu i Ministrisë së Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka deklaruar dje se është e rëndësishme që nxënësit të marrin edhe njohuri për fenë. “Është e rëndësishme, mendoj unë, që nxënësit të marrin njohuritë për fenë. Ne kemi edhe mësues që studiojnë për Filozofi dhe Pedagogji. Përvoja e mjaft vendeve të tjera është e tillë, që një lëndë e tillë është në grupin e lëndëve me zgjedhje”, – deklaroi ministri Tafaj. Sipas kreut të Arsimit, gjithçka mbetet për t’u diskutuar gjatë kohës që projekti është në komision. Por, një qëndrim krejt të kundërt me të ka ish-ministri i Arsimit, E’them Ruka, njëherësh edhe kreu i komisionit kuvendor të Shëndetësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale, sipas të cilit, kërkesa e klerikëve, por dhe qëndrimi i ministrit janë antikushtetues. “Kushtetuta e Shqipërisë nuk e lejon një gjë të tillë. Shkolla ka karakter laik dhe laik do të thotë që nuk mund të zhvillohen mësime fetare në shkolla. Ka institucione të tjera ku mund ta shprehin identitetin e tyre fetar”, – u shpreh Ruka. Ndërkohë që edhe më i ashpër është mendimi i historianit Pëllumb Xhufi. Duke u bërë apel klerikëve të distancohen nga veprime të tilla, Xhufi deklaron se hyrja e fesë në shkolla do të vinte në rrezik shtetin shqiptar, i cili ndër shekuj ka qenë i ndarë dhe i pavarur nga feja. “Po të mos jetë laik shteti shqiptar, sigurisht do të mund të krijoheshin probleme të cilat na drithërojnë dhe na trembin kur shohim se ç’ndodh sot në Liban. Ta kthesh edhe shkollën në parcelizim shpirtëror, atëherë kjo mua më duket krejtësisht e papranueshme. Është antikushtetuese, antihistorike. Do kisha kërkesë nga ana ime që t’i kthehen vetes në radhë të parë dhe mundësisht të ngatërrohen sa më pak ose hiç fare, siç i mëson Bibla dhe Kurani, me politikë”, – pohon historiani. Nga ana tjetër përfaqësues të Ministrisë së Arsimit shpjegojnë se lënda fetare në shkolla është thjesht një ide e komuniteteve që, nëse pranohet, nga kërkon ndryshimin e kurrikulave shkollore për t’u bërë pjesë e lëndëve që nxënësit do të mësojnë me dëshirë në shkollë. Për këtë, thonë specialistët, duhet shumë punë dhe kohë. Dy ditë më parë, përfaqësues të komuniteteve fetare, të pranishëm në mbledhjen e komisionit të Edukimit ku prej gati dy javësh po diskutohet projektligji i ri “Për arsimin parauniversitar”, kërkuan që në shkollat publike të futet një lëndë për kulturën fetare. Përpos kësaj kërkese, drejtues të Komunitetit Mysliman risollën në vëmendje kërkesën e bërë në mënyrë sistematike që të lejohen në shkolla publike vajzat me shami, si një e drejtë e çdokujt që të mbajë veshjen sipas besimit që predikon.
Qëndrimet
Myqerem Tafaj
“Është e rëndësishme, mendoj unë, që nxënësit të marrin njohuritë për fenë. Ne kemi edhe mësues që studiojnë për Filozofi dhe Pedagogji. Përvoja e mjaft vendeve të tjera është e tillë që një lëndë e tillë është në grupin e lëndëve me zgjedhje”.
E’them Ruka
“Kushtetuta e Shqipërisë nuk e lejon një gjë të tillë. Shkolla ka karakter laik dhe laik do të thotë që nuk mund të zhvillohen mësime fetare në shkolla. Ka institucione të tjera ku mund ta shprehin identitetin e tyre fetar”.
Pëllumb Xhufi
“Po të mos jetë laik shteti shqiptar, sigurisht do të mund të krijoheshin probleme të cilat na drithërojnë dhe na trembin kur shohim se ç’ndodh sot në Liban. Ta kthesh edhe shkollën në parcelizim shpirtëror, atëherë kjo mua më duket krejtësisht e papranueshme. Është antikushtetuese, antihistorike. Do kisha kërkesë nga ana ime që t’i kthehen vetes në radhë të parë dhe mundësisht të ngatërrohen sa më pak ose hiç fare, siç i mëson Bibla dhe Kurani, me politikë.
Jonida Tashi - MAPO
Krijoni Kontakt