Prishtinë, 10 maj - (E plotësuar) Deputetët e PDK-së sërish kanë votuar për diçka që nuk e kishin ditur se për çfarë po votonin. E kjo nuk është hera e parë që ndodh në Kuvendin e Kosovës. Fjala është për mocionin që kushtëzon vazhdimin e bisedimeve të Serbisë me zbardhjen e fatit të personave të të pagjetur. Burime të KTV-së kanë thënë se Grupi parlamentar i PDK-së do të provojë në seancën e së premtes që të kërkojë rivotimin e këtij mocioni.
Vetëm pas përfundimit të seancës parlamentare ku është votuar për mocionin që kushtëzon vazhdimin e bisedimeve të Serbisë me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur PDK-ja ka shprehur pakënaqësitë e saj.
Burime të KTV-së, kanë thënë se Grupi parlamentar i PDK-së do të provojë që në seancën e së premtes të kërkojë rivotimin e këtij mocioni.
Kjo për shkak se, siç thonë burimet, ligjvënës të PDK-së nuk e kanë kuptuar se për çfarë kishin votuar në seancë.
Një deputet i ka thënë KTV-së se kur është kryer seanca deputetë të PDK-së nuk e kanë përjashtuar opsionin që hiç më larg se të premten të kërkojnë nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ta rikthejë në votim mocionin.
“Kur dolëm nga seanca disa deputetë të PDK-së shpreheshin se nuk e dinin për çfarë kishin votuar. Me siguri do të kërkojnë nga kryeparlamentari Krasniqi rivotim të mocionit. Po të respektoheshin rregullat kreu i Kuvendit nuk do të duhej ta rikthente në votim mocionin”, ka thënë një ligjvënës i Kuvendit.
Shefin e Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, nëpërmjet telefoni ka thënë për KTV-në se ata do të kërkojnë që rekomandimet të harmonizohen.
“Është bërë një votim jo i rregullt. Në seancë për të njëjtën çështje janë votuar dy palë rekomandime. Prandaj ato duhet të harmonizohen ngase kështu siç janë votuar ato e humbin esencën e tyre. Ne do të kërkojmë që këto rekomandime të harmonizohen në seancën e së premtes”, ka theksuar Grabovci.
Megjithatë, rivotimi për po të njëjtin mocion nuk është në harmoni me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, e cila thotë se mocioni për një interpelancë nuk mund të votohet për po të njëjtën çështje pa kaluar 6 muaj.
Në rregullore thuhet se interpelanca për po të njëjtën çështje nuk mund të parashtrohet më shumë se dy herë gjatë një viti kalendarik.
http://www.kohaditore.com/index.php?page=1,13,98932
Krijoni Kontakt