Muhamet Pirraku Në kërkim për të përmbushur amanetin

Nga gazeta “Republika”, këtu Andi Ballshi

Muhamet Pirraku: Në kërkim për të përmbushur amanetin Si më gjeti miku i Hasan Prishtinës – koloneli austriak, Herbert Modestus Urban

Midis historisë dhe amshimit, zgjodha historinë, sepse më pëlqejnë të vërtetat!”
Kamy


Nga 14 tetori i vitit 1979, dy studiues të Institutit Albanologjik: Mr. Skënder Gashi (gjuhëtar) dhe Mr. Muhamet Pirraku (historian), me bursë pesëmujore të Austrisë, shkuan në Universitetin e Vjenës për të specializuar në fushat përkatëse. Në Vjenë, si e para qendër e albanologjisë, hulumtova dhe specializova për historinë e kulturës kombëtare shqiptare në Institutin e Gjermanistikës – Romanistikës në Arkivin Shtetëror dhe në Bibliotekën Kombëtare. Meqë në Prishtinë e kisha të mbaruar kursin fillestar të gjuhës gjermane, më 15 tetor, u regjistrova në kursin e mesëm të gjuhës gjermane pranë Universitetit të Vjenës. Krahasuar me kursistët amerikanë, aziatikë, arabë, kinez, vietnamezë, afrikanë, por edhe të atyre evropianë, shpejt përparova në komunikim dhe në shkrimin e gjuhës letrare gjermane, ndaj fitova simpatinë e profesorëve që na jepnin mësim.
Nga mesi i të dhjetorit 1979, mëse 20 kursistë që u përkisnin kombeve të ndryshme, bëmë një shëtitje nëpër Vjenë, për t’u njohur me monumentet e kulturës. Kështu rastisi ta vizitoja për të parën herë edhe Muzeun e Kulturës të Belvederës, ku ka edhe artefakte të shumë kombeve. Këtu pata fatin që për ciceron nderi nëpër muze ta kishim edhe Drejtorin e Muzeut. Ditarin e mbajtur në Vjenë dhe shumë dokumente për qëndrimin atje, m’i konfiskoi, pa kthim, Sigurimi Shtetëror,, në krye me Sabah Muhaxherin, Lutfi Ajazin e Lorenc Selmanin, më 4 gusht 1981, ndaj, sot, nuk mund ta kujtoj emrin e këtij personaliteti që do të më gjendet për shumëçka.
Realisht, sipas një “rendi shtëpiak” që kishte ciceroni, sa po u afrohej artefakteve të akëcilit komb, i pyeste kursistët: “A ka në mesin tuaj të këtij kombi…?” Në vijim, fliste për artefaktet në atë “shtand” e tani ia jepte fjalën njërit nga vizitorët, nga ai komb të shtonte diçka nga historia e kultura e kombit të tij. Kur arritëm pranë arkës nga qelqi ku ishte Përkrenarja dhe armët e Skënderbeut, më doli para si halucinacion Naim Frashëri! Drejtori (ciceron nderi), pyeti: “A ka këtu nga Shqipëria?” U përgjigja: “Unë jam shqiptar!” Ishte një rend që akëcili që e merrte fjalën ta thoshte emrin, mbiemrin, datëlindjen, profesionin dhe qëllimin e qëndrimit në Universitetin e Vjenës. Me një gjermanishte qe sot nuk mund ta flasë, fillova: “Jam…. shqiptar nga Kosova, krahinë autonome në Jugosllavi, historian kulturolog, hulumtues i pavarur në Institutin Albanologjik të Prishtinës!”
I bëri përshtypje emri im arab, me mbiemër nga lashtësia iliro-epirote, e përnjëherë shfaqi një afërsi intelektuale, miqësore ndaj meje dhe kombit shqiptar, foli gjerësisht për Përkrenaren e Skënderbeut dhe armët e tij, pa m’i nda sytë. Isha i vetmi me mustakë! Kur ma dha fjalën specifikoi: “…Të na flisni diçka për kulturën për kombit shqiptar…!” Në shpjegimet e mia vura theksin mbi prejardhjen liro-pellazge të shqiptarëve, fola për ndikimet e kulturave atike e mesjetare në kulturën shqiptare kombëtare dhe pasi isha para artefakteve të Skënderbeut, i recitova shqip vargjet e poezisë së Naim Frashrit: “Kush nuk e di Skënderbenë; Qe nderoi mëmëdhenë?” Lum ti, moj Shqipëri! Thashë; Armët e ti’ kur i pashë; Nde Belvedere në Vjenë; Sikur pashë Skënderbenë”!, e në vazhdim, këto vargje, i thashë edhe në një gjermanishte të çalë e tani u përqendrova në të bëmat e kombit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut!
Meqë kisha përvojë nga mësimdhënia në mësimin e historisë dhe të retorikës, shkruaja edhe poezi, nikoqirit i pëlqeu ligjërimi im dhe këtu e tutje më ofroi afër vetës! I bindur se kishte pranë një njohës të mirë i kulturave botërore, shpeshherë, gjatë ligjërimit më ftonte ta “ndihmoja”.
Në fund, para përshëndetjes lamtumirëse, iu drejtova me kërkesën: “Zotëri Drejtor, meqë kam ardhur në Vjenë për zanat, kam një lutje: Nëse do të gjeni pak kohë të lirë një ditë të më prisni për një bisedë konsultative profesionale me interes të veçantë për mua, ku do të shtroja edhe disa kërkesa në të mirë edhe të vazhdimit të miqësisë historike gjermano-austriake e shqiptare në përgjithësi!” I tregova se banoja në internatin “Korotan” (të kishës katolike), dhe ia lashë numrin e telefonit në të cilin mund të më thërriste.
Diku pas 4-5 ditësh, mikpritësi më thirri dhe ma caktoi ditën kur do ta vizitoja. Në vizitë shkova në kohë të caktuar, kurse Drejtori po më priste në zyrën e tij, ku më gostiti me kafe “turke”. Pasi e njoftova më mirë për qëllimin e specializimit tim, kërkova bashkëpunimin e tij me organin e Institutit Albanologjik (Gjurmime Albanologjike). Për fillim, kërkova të na shkruante për rrugën e ardhjes në Vjenë të artefakteve të Skënderbeut.
Parasë të më përcjellë, e luta që “së bashku, edhe njëherë t’i vizitonim përkrenaren e Skënderbeu dhe armët e tij!” Me veti kisha aparatin fotografik, ndaj sapo iu afruam arkës ku ishin artefaktet, e luta të më fotografonte pranë tyre! Drejtori qeshi e tha: “Po e thyejmë rregullin shtëpiak, sepse këtu nuk lejohet përdorimi i aparatit fotografik e as fotografimi i artefakteve!”
Krejt në ndarje i propozova që në një ditë kur do të kishte kohë “të lirë” të ishte mysafir imi në një restorant që ai do ta pëlqente, nuk u hamend dhe e caktoi kohën dhe vendin që do të takoheshim më 20 dhjetor. U takuam në një restorant jo larg Bibliotekës Kombëtare.
Gjatë drekës rastisi që pranë neve të drekonin dy vetë, përkatësisht koloneli në pension, Herbert Modestus Urban me një mik. Zotëri Herbertin e kishte munduar për shumë vite një amanet atëror, për kombin shqiptar, ndaj sapo ishte bindur se Drejtori i Muzeut të Belvederës ishte i shoqëruar nga një shqiptar, (i cili, po interesohej për historinë e kombit të tij), i preokupuar nga amaneti, iu kisha dukur sikur të isha i afërm i Hasan Prishtinës!?! Edhe unë e vërejta se zotëria i pashëm në tavolinën pranë se ishte preokupuar, plotësisht, me praninë time dhe bisedën tonë?!
Në një moment, iu drejtua bashkëbiseduesit tim me kërkesën: “Zotëri Drejtor, a ka mundësi të bisedoj me mysafirin tuaj shqiptar…?!” Drejtori më shikoi dhe më pyeti: “A e kuptuat Zotëri?!” Nuk më mbeti tjetër pos të pranoja kërkesën e tij: “Urdhëroni Zotëri i dashur!” Pyetja e parë për mua dhe bashkëbiseduesin tim ishte plotësisht e papritur: “Zotëri imi, çka e keni ish-Presidentin e Shqipërisë, Zotëri Hasan Prishtinën?!?”
Pyetja, fillimisht, më nxiti frikë, në mos kam punë me ndonjë spiun jugosllav, të cilët më përcillnin madje edhe në internat, e posaçërisht pas ardhjes në Institutin e Gjermanisti¬kës-Romanistikës të Profesorëve tiranas: Eqrem Çabej e Jani Thomaj, i pari për disa ligjërata për gjuhët indoevropiane (të cilit do t’i shërbeja si asistent, për një muaj ditë dhe sot i ruaj disa koncepte të ligjëratave të Profesorit Çabej), kurse Janiu mbante Kursin fillestar të gjuhës shqipe.
Realisht, pak ditë para se të nisem për në Vjenë, ishin mysafirë në shtëpinë time, Avdi Kelmendi e Muhamet Rugova, Organizata e të cilëve në prag të ardhjes së Titos në Kosovë, shpërndau Afishe kundër jugosllave edhe në të gjitha komitetet komunale të LKJ-së së Kosovës. Sipas Ferat Imerit, më 3 janar 1980, (nun i fëmijëve të mi), kryetar i komitetet komunal të LKJ-së së Dre¬na¬sit (ish-Gllogovc), një anëtar i komitetit, e nga Demonstrata e ’81-shit, sipas zgjedhjes së Veli Devës, kryetar i LKJ-së së Gllogovcit, kishte ngulur këmbë se gjuha e konceptet e Afishes janë të Muhamet Pirrakut. Ky ishte shkaku pse m’u lëshuan zagarët jugosllavë për gjah!
Pra, duke supozuar se mund të ishte ndonjë kurth për t’i paralizuar gjurmimet e filluara për antizogistet e lagjes së Hasan Prishtinës, i thashë: “Nuk e kam të farefisit, por di për të bëmat e tij për kombin shqiptar!”
Zotëri, Herbertit nuk i mjaftoi përgjigja ime, ndaj insistoi: “Zotëri imi i shtrenjtë, të lutem çka e keni Hasan Prishtinën?!” Tashti edhe nga inati i kaçakut, që të mos i dukëm si një “qyqar!”, iu drejtova: “Zotëri i nderuar, u thashë se di shumë gjëra nga jeta politike e Hasan Prishtinës, jam autor i tekstit për klasën e shtatë dhe në ballinën të librit e kam vu fotografinë e Hasan Prishtinës, para Ndërtesës së Lidhjes së parë Shqiptare të Prizrenit! “Me këtë shpjegim desha t’ia bëja me dije kinse: “Jam person i besueshëm i shtetit?!” Mirëpo, as kjo përgjigje nuk i mjaftoi Zotëri Herbertit, ndaj asistoi në pyetjen: “Zotëri imi, të lutem çka e keni Hasan Prishtinën?!?”
Tanimë, nuk pashë tjetër rrugë, veçse t’i jepja disa të dhëna për vendlindjen e Hasanit dhe timen: “Zotëri imi i nderuar, u thashë se nuk e kam të farefisit, por nëse e kon¬si¬deroni se e kam të afërm, mund të mësoni se Hasan Prishtina dhe unë jemi të një krahine etnografike shqiptare që quhet Drenicë. Ky vis gjendet në mesin gjeografik të Kosovës së sotme, por mund të konsiderohet Piemont i kryengritjeve shqiptare kundër robëruesve, sa dihet, që nga e ashtuquajtura “Beteja e Kosovës e vitit 1389”. Vendlindja e Hasanit dhe vendlindja ime kanë një distancë prej më shumë se një orë të ecjes në këmbë!”
Kjo përgjigje, sikur ia kënaqi kureshtjen, ndaj iu drejtua shoqëruesit të tij, si i ekzaltuar: “A u thashë?! A u thashë?! A u thashë?!” Ne u befasuam se për çka ishte ky “bast”, e kjo befasi e tij. Zotëri Herberti, nuk u ndal me kaq dhe m’u drejtua me një kërkesë që kurrë s’e kisha pritur: “Zotëri imi i nderuar, a ka mundësi të m’i falni disa minuta nga koha juaj e çmuar?”
Iu përgjigja: “Zotëri i imi, shumë i shtrenjtë, sot jam i nxënë, por prej nesër, jam gati të takohem me ju, ku të doni, vetëm tregomani vendin dhe orën!” Zotëri Herberti, as nuk u mendua e tha: “A ka mundësi të takohemi nesër në këtë vend në orën 10?” Nuk u hamenda: “Këtu do të më keni i Nderuar!”
Koloneli mendjendritur, që të mos linte hapësirë për hamendje: “Se çfarë po fshihej pas interesimit të tij?!”, e nxori letërnjoftimin dhe na e solli në tavolinë: “Jam Herbert Urban, kolonel në pension, biri i kolonelit Modestus Urban, mik nga afër i Hasan Prishtinës, nga viti 1905-1931, e përjetësisht, i kombit shqiptar. Kam shumë gjësende të Hasanit e të gruas së tij, Zonjës Igballe, amanet të babait e të mëmës sime, për t’ia kthyer kombit shqiptar…!”
Alamet burri iu mbushën sytë lot, nuk mundi të fliste! Nga kjo gjendje “shoku” e nxori gjetshmëria ime, iu hodha në përqafim si prindit, nuk e lëshoja së shtrënguari deri sa i kaloi ankthi.
Zotëri Herbert, sapo erdhi në vete, na u drejtua: “Të na falni zotërinj, që ju shqetësuam, se unë kam arsye që u liga, ngase e gjeta njeriun që e prita gati 50 vjet!” U ngrit si i lehtësuar nga barra e rëndë, së pari ia dha dorën shoqëruesit tim, që ishte disa vjet më i moçëm se unë, e tani u nda prej meje duke më përqafuar për “si të gjakut të Hasan Prishtinës!”
Në mbrëmje, sapo Skënderi u kthye nga një konsultim me R. Katiqiçin, (shef i Katedrës së sllavistikës), i fola gjerësisht për “vakinë…!”, kurse natën e kalova si në jermi: “Çka do të më pjellë nga takimi i nesërm?!”
Në takimin me zotëri Herbertin shkova në orën 9.55 minuta. Në tavolinën, ku isha një ditë më parë e gjeta kolonel Herbertin, duke më pritur, i cili ndonëse gjerman, më priti me një afërsi orientale “ballkanqe”, në këmbë e me dorë në “zemër”, më përqafim e puqje në të dy faqet.
Që të më lironte për bisedë, si dy miq të moçëm, sapo u ulem, më informoi: “Dje, sapo u ndamë shkova në Bibliotekën Kombëtare, te miku im, zotëri Ismail Baliç dhe i tregova se rastisi të takohem me një shqiptar me “Mustakët si të Hasan Prishtinës”, Ismaili pa u hamendur më tha: “Muhametin a…?!”, kështu që ta mësova edhe emrin, i cili është shumë lehtë të mbahet mend, se ishte emër i personit që bëri epokë!”
Zotëri Ismail Baliç ishte boshnjak, njëri ndër shefat kryesorë në Bibliotekën Kombëtare dhe Kryetar i “Shoqatës së Myslimanëve Evropianë”, ku për krah në Vjenë e kishte Kolonelin Herbert Urban, “sarajevali”. Në të vërtetë, nga dita e parë kur u regjistrova për lexues, në Bibliotekën Kombëtare, ku do të punoja çdo pasdreke e në ditët kur nuk punohej në Institut, dhe në Arkiv, u njoha me zotëri Ismailin, i cili m’i hapi të gjitha dyert për hulumtime.
Madje Baliç, (një shtyllë ky i tezes se boshnjakët janë ilirë që përmes bogomilizmit e islamit shpëtuan nga asimilimi në sllavë), më kishte njoftuar me një bibliotekist, shqiptar i familjes hoxha të Carralevës, i martuar me një austriake, i cili në Bibliotekë njihej me mbiemrin “Hochsa!” Këtij, në prani time Baliq i tha: ”Çdo gjë që t’i duhet Muhametit, t’ia sigurosh, pa asnjë vonesë!” Ky “Hochsa!” ndodhi të ma nxjerrë literaturën edhe jashtë Bibliotekës për ta fotokopjuar me një çmim më të lirë dhe t’i pajtojë shpenzimet edhe me para të veta. Ky digresion paksa më largoi nga koloneli Herbet, por këtë ia kam borxh realitetit faktik.
Koloneli Hebert Modestus Urban, në ditën e parë të takimit, për mëse dy orë më foli për marrëdhëniet e Familjes Prishtina e të familjes Urban. Bisedën e filloi me konstatimin: “Ju, dje, më thatë se nuk e kam të farefisit Hasan Prishtinën, po u besoj, por ju mund të mos e dini sa shumë i ngjani me mustak, me fytyrë, me shtat, e me lëvizje Hasan Prishtinës?!
Tani vazhdoi me një rrëfimin shumë të sistemuar. Nuk e pengonte fare marrja e shënimeve prej meje pa i ndërhyrë në ligjërim. Nga rrëfimi, me plotë emocione, shihej së Zotëri Urbanin me vjet e kishte rëndur “amaneti i prindërve për kombin shqiptar!”, ndaj, mendoja, se nga dëshira për ta plotësuar këtë amanet edhe iu duka si të isha i afërm i Hasan Prishtinës?! Në konstatimin e Kolonelit Hebert Modestus Urban, vetëm, për hir të realitetit faktik, më duhet të pranoj se në kohën e rinisë sime, nga idealistët dikush “synonte!” të dukej Enver Hoxhë, Ganimete Terbeshi, Bajram Curri, Azem Bejtë, Shotë Galica etj, kurse unë së paku me mustakë synoja Hasan Prishtinën. Këto fakte ia pranova Kolonelit Hebert Urban, gjë që e bëri të lumtur, por ngulte këmbë se “kur më shikon sikur i del parasysh Hasan Prishtina?!”
Diku pas orës 12, drekuam duke biseduar për fatin e Hasan Prishtinës e të kombit shqiptar të copëtuar me dhunë ndërkombëtare. Më tregoi se pas atentatit në Operë, kundër Mbretit Ahmet Zogu nga njerëzit e H. Prishtinës, më 1931, familjen Prishtina policia e nxori nga Austria vetëm me valixhe në dorë. “Në ndarje nga ne, Hasani ia la babait tim për kujtim mullirin e kafes e tabakerin (shpuzoren) orientale me mbishkrim osman, dhe lugën, e thikën të ushtrisë austriake me flamur perandorak e shënimin: ”O. M. Uskub, të cilat i pati dhuratë nga miku Modestus Urban, sa po Hasani arriti në Vjenë.
Në një moment, për të ma bërë më të qartë rolin e Hasan Prishtinës për çlirimin e kombit shqiptar dhe tërësinë e Shqipërisë Etnike, më pyeti: “Zotëri Muhamet, a dini diçka për Jaser Arafatin?!”, shkurt i thashë: “Po edhe shumë!” Zotëri Herberti konstatoi: “Ai që sot është Jaser Arafati për palestinëzët, ishte Hasan Prishtina për shqiptaret!” Çka të më thoshte tjetër në ditën e parë të ndejës sonë?!
Para së të ngriheshim, e luta: “Zotëri Kolonel, gjatë ligjërimit tuaj unë mora ca shënime shqip, por për shkak të njohjes sime fillestare të gjuhës gjermane, ka mundësi që t’i kam marrë me ndonjë pasaktësi, ndaj do të ishte mirë këtë që ma thatë për Hasan Prishtinën dhe shokët e tij ta nxirrni në letër deri nga mesi i janarit 1980, në formë të memorialëve, të cilat do të përdoren për shkencë jo vetëm prej meje, por edhe nga studiues të tjerë!” Zotëri Herberti e pranoi kërkesën dhe i nxori kujtimet e daktilografua¬ra në letër.
Sapo u ktheva nga pushimi për Kërshëndellat e Vitit të Ri, e thirra në telefon Zotëri Herbertin dhe ma caktoi takimin në të njëjtin vend ku ishim takuar më herët. Në këtë takim, Zotëri Herberti ma dorëzoi një kopje të kujtimeve, me lutjen: “…T’i lexoja dhe t’i korrigjoja gabimet eventuale në saktësinë e emër vendeve dhe të emrave të personaliteteve!” Takimin e radhës e lamë pas tri ditësh.
Nga shkrimi me saktësi të madhe shihej se Koloneli i gjinisë së “Sigurimit Ushtarak”, ishte personalitet i penës me pedanteri ushtarake. Në ditën e caktuar, Kolonelit ia ktheva kopjen të korrektuar sipas kërkesës së tij, por në fund ia kujtova me shkrim edhe disa mangësi në kujtimet e daktilografuara, krahasuar me shënimet që i kisha marrë në takimin e parë.
Zotëri Herbert Urban më falën¬de¬roi për korrektimin e emrave të vendeve dhe të emrave e mbiemrave të personaliteteve që i kishte përmendur përkrahë Prishtinës, e posaçërisht për faktin që “ia kujtova mangësitë!”
Më tha: “Me këtë po më bindni se fati më qeshi që ju gjeta!” Për mangësitë u “ankua!” se gjatë diktimit daktilo¬g¬rafes së firmës familjare “Melbrosin”, disa herë kishte qarë, ndaj, edhe “i kam kaluar faktet!”
Tani, me Zotëri Herbertin, të dielave dolëm, disa herë, në ndejë e shëtitje nëpër qytet, gjithnjë duke m’i evokuar kujtimet për familjen Prishtina, me një dashuri qartë dashami¬rëse e miqësore. Një ditë më tregoi se përpos mullirit të kafes, tabakerit, lugës e thikës ka edhe shumë dokumente dhe letra të shkruara me dorën Hasanit, por se i duhet kohë për t’i gjetur në arkivin familjar, e më premtoi se: “Sapo t’i gjejë, do t’i dërgojë me postë!”
Më ka mbetur vragë në shpirt një kujtim i hidhur me të madhin mik të shqiptarëve, Zotëri Herbertin. Një ditë, në fillim të shkurtit 1980, po shëtisnim në një park, e në një moment, krejt pa dashur, ia lëndova zemrën mikpritësit tim. Faktikisht si një katundar drenicas, ma tërhoqi vëmendjen një plakë e cila po luante me një qen!?! Zotëri Herberti e pa se diçka po e shikoja plakën me kureshtje, ndaj më pyeti: “Zotëri Muhamet, përse e kthyet kryet pas plakës?!”
Pa të keq ia ktheva: “E shikoja dhe pyetja vetën, a më mirë e ka kjo plakë që po luan në park me një qen apo vjehrra ime e moshës së saj e cila del në park e luan me pesë fëmijët e mi, nipa e mbesa të saj?!”
Zotëri Herberti, pa mundur ta kontrollonte veten, bërtiti sa mundi, si ta goditja me thikë: “Oh më qëllove në zemër!” U shtanga në vend si i marrë?!” Miku i Hasanit, tashti i shqiptarisë, sapo erdhi në vete, ma shtriu të djathtën e ma shtrëngoi fortë: “Ju e thatë një të vërtetë, që mund t’ua ketë lakmi akëcili që është Njeri, por çka ti bëjë unë vetës sime që e kam një djalë, mbi të dyzetat e ai nuk ka asnjë fëmijë!”
Më datën 2 shkurt 1980, duke pasur Zotëri Herbertin “ciceron” e herë-herë fotograf i njëri tjetrit i vizitova objektet që kishin të bënin me jetën e personaliteteve të lagjes së Hasan Prishtinës në vitet 1925-1931: Ndërtesën ku banoi Familja Prishtina, Ndërte¬sën ku kishte qenë Klubi politik “Shqiptaro-Turk”, Ndërtesën e strehimit të emigrantëve shqiptarë antizo¬gistë dhe “Varrezat Qendrore të Vjenës”, ku falë autoritetit të Zotëri Herbertit e të njohurive të mia paraprake të fakteve, si dhe arkivit të kapës të rregulluar shumë mirë, e saktësuam datën e vdekjes e kohën e qëndrimit në Kapelë të Madhorit të kombit, Nexhib be Dragës, (vdekur më 1921), prej nga sillet për ta varrosur në Mitrovicë, gjetëm Varrin e Hysni Currit (vdekur më 1925), dhe pranë akëcilit objekt bëmë foto-dëshmi historike të datuara nga vet aparati japonez, “Toshiba”.
Më datën 5 shkurt, Zotëri Herberti në banesën e tij m’i dorëzoi kujtimet dhe artefaktet Hasan Prishtinës dhe dy epoleta ngjyrë ari të majorit osman të Hysni Currit? Këtë akt historik e përjetësova në fotografi. Fotografi i mban mend momentet që ia lëndojnë zemrën! Sot, pas kaq vjetësh, kur i shoh ato foto, i shoh lotët e Zotëri Herbertit dhe më jehon zëri i tij: “Po qaj nga gëzimi që pata fatin ta plotësoi amanetin e Prindërve ndaj kombit shqiptar!”
Më 12 shkurt 1980, e ftova Zotëri Herbertin në restorantin ku rastisi të njiheshim. I tregova se përkohësisht do të ndahemi, sepse vetëm edhe dy ditë kisha leje qëndrimi në Austri. Këtu më duhet ta përjetësoj një fakt: Vetëm këtë ditë për të parën herë munda ta nxjerrë kuletën time pasi Zotëri Herbertin mu dashtë ta përbeja “Dashurinë ndaj Hasan Prishtinës!”
Më 14 shkurt 1980, ne u kthyem nga specializimi në Vjenë, dhe më 15 shkurt 1980 i shkrova Letër falënderimi Zotëri Herbertit për çdo gjë që Familja Urban bëri për të më ndihmuar në hulumtimin e jetës dhe të veprës së Hasan Prishtinës dhe shokëve të tij në Vjenë. Tani, do të pasojë një letërkëmbim me rëndësi historike për ndriçimin edhe të veprimtarisë së Hasan Prishtinës në Vjenë e Paris. Një pjesë të këtij letërkëmbimi arrita ta fshehë që të mos bija në kthetra të UDB-së më 4 gusht 1981, kur ekipi prej pesë vete i Sabah Muhaxherit e i Lutfi Ajazit e Lorenc Selmamit, për gjashtë orë zgjodhën rreth dhjetë mijë faqe dorëshkrime, shënime historiografike në terren, e letërkëmbim, rreth tridhjetë mijë vargje poetike, qindra fotografi e shumë literaturë.
Letërkëmbimi i ruajtur me Zotëri Herbertin e shumë fotografi historike, do t’ia bashkojë këtij shënimi memorial të mbështetur në fakte të shkruara që të përdorën nga historianët e Hasan Prishtinës, me paanësi e pa subjektivizmin që mund ta këtë prodhuesi i tyre.
Realisht, më 19 shkurt 1980, Zotëri Herberti më ktheu përgjigjen në letrën e 15 shkurtit 1980, me falënderime dhe sqarime të reja plotësuese për kontaktet e prindërve të tij me familjen Prishtina. Më 2 maj 1980, Zotëri Herberti më shkruan letër plotësuese për kujtimet e tij historike dhe më dërgon 5 dokumente që kanë të bëjnë me jetëshkrimin e Hasan Prishtinës në Vjenë e Paris. Më 20 maj, i shkruaja letër Zotëri Herbertit me falënderime për çdo gjë që do të bënte për ndriçimin e jetës së Hasan Prishtinës dhe të shokëve të Tij në Vjenë. Më 29 maj 1980, Zotëri Herberti më shkruan duke i plotësuar kujtimet dhe më dërgon fotografi historike e një letër të Hasan Prishtinës. Më 14 tetor 1980, i shkruaj Zotëri Herbertit letër me përshëndetje familjare dhe i tregoj se e kam botuar në gazetën “Rilindja” Fejtonin me titull “Si e organizoi Ahmet Zogu atentatin kundër Hasan Prishtinës”, i cili doli prej 15 shtatorit deri më 27 shtator 1980, ia dërgova paraqitjen dhe fundin e fejtonit dhe e informova se janë shfrytëzuar kujtimet e tij dhe janë botuar fotografitë të cilat m’i kishte dhuruar etj. Shumë nga këto e shumë filma m’i konfiskuan udbashët shqiptarë më rastin e burgosjes sime, andaj, tashti shkencës po ia kthej nga botimet në gazeta e nga libri për Hasan Prishtinën. Zotëri Urban, më datën 21 tetor, më ktheu përgjigje duke më përgëzuar për punën e bërë dhe më ofroi të dhëna shtesë për kujtimet e tij. Letërkëmbimin me Zotëri Herbert Urban ka vazhduar deri nga fundi i marsit 1981, por këtë pjesë nuk pata fat ta ruaja, sepse nga letra e datën 21 tetorit 1980 e kuptova çartë se para se letrat të shkonin ku ishin dedikuar u kontrollonin dhe u fotokopjonin nga UDB-ja, ndaj nuk i fsheha as kopjet letrave të mia, as Letrat e Zotëri Herbertit, të cilat u mor pa kthim, më 4 gusht 1981, si material akuzues për armiqësinë time kundër jugosllave. Këtu sikur kërkohet ta përjetësoj një fakt që ka të bëjë me ruajtjen e arte-fakteve të Hasan Prishtinës në muzeun tim etnografik?! Realisht, sapo u ktheva nga Vjena, i shkova në zyrë Akademikut Rexhep Qosja dhe i tregova për kontaktin me kolonel Herbert Urban dhe e pyeta në cilin muze, të Prishtinës apo të Tiranës t’i dorëzoj artefaktet e Hasan Prishtinës? Profesor Qosja u mendua pak dhe ma tha troç: “Derisa gjermani i ruajti aq vjet, ruaj edhe ti, deri sa të na vijnë ditë më të mira!” Më 15 mars 1980, unë Ibrahim Rugova, Isa Bajçinca e Liman Matoshi u nisëm për hulumtime një mujore në Tiranë. Meqë dëshiroja ta mbroja doktoratën para Profesor Aleks Budës i pata disa kontakte konsultative me të dhe i tregova për kontaktet me kolonel Herbert Urbanin dhe për fatin e artefakteve të Hasan Prishtinës dhe pyeta: “Ku ti vendosim? Për habinë time, Profesor Aleks Buda as u mendua: “Ruaj vet!” Vetëm nga fundi i vitit 1983, përmes Skënder Gashit, e përtëritem lidhjen tonë miqësore, e përshëndeta gojarisht, Zotëri Herbertin dhe informova për fatin e mustakëve të mi, për konfiskimin e shumë dokumenteve, për ndalesën e botimit, e për pamundësinë për të dalë jashtë Kosovës për afat të pacaktuar!?! Sipas Skënderit, Koloneli Herbert, kishte shfaqur një dhimbje e keqardhje të madhe, për fatin e mustakëve të mi “Hasanprishtinqe!” dhe kishte shfaqur gatishmërinë për të më ndihmuar materialisht, por meqë S. Gashi, kishte njohuri të plota se unë nuk pranoja ndihmë as nga vëllezërit, as nga miq¬të (pra, as të Skënderit), se e kisha shtrënguar fortë, çekanin e mistrinë e muratorit , dhe bëja kulla me “frenxhi” në Drenicë, Prishtinë e rrethinë. Tani Kolonelit, nuk mbetët tjetër rrugë, pos t’i blinte shtatë çokollata, për habinë tonë shumë të mëdha, t’i pakonte me letër ngjyrë ari dhe t’i niste me postë, pa asnjë selam! Mesazhi ishte shumë i qartë baraz me mesazhin e këtij shkrimi që po e përfundoj sot në shërbim të dijes për të madhin Hasan Prishtina! Më 25 marsin e vitit 1999, të parat gjësende të vlefshme që i futa nën dhe ishin artefaktet e Hasan Prishtinës dhe dëshmitë që flisnin për to. Pas kthimit nga Gostivari i Iliridës, më 15 qershor, të parën punë pas riatdhesimit pa hyrë në shtëpi, i nxora nga dheu artefakte e Hasan Prishtinës dhe ato edhe më tutje ruhen në vendin më të nderuar në muzeun tim, që nuk ka shoq në familjet shqiptare.
Prishtinë, 16 prill 2012
Nga Prof. Dr. Muhamet Pirraku, gazeta Republika, këtu Andi Ballshi