Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    20-03-2012
    Postime
    20

    Atë natë pritej të ndodhte diçka...

    -E dëgjove?! Më duket se filloi. – tha babai duke u zgjatur jashtë dritares e duke rrëmuar me shikim errësirën, deri larg, ku ngrihen pallatet e lagjes tjetër. Hëna ndriçonte teneqetë e saçeve dhe të depozitave të ujit me një kthjelltësi të acartë dimri.
    -S’dëgjova gjë, por mbylle dritaren, se na thave. – tha mamaja dhe mori një dru nga arka pranë sobës. Unë, gjysmë i shtrirë në minderin e aneksit, mbështeta librin e matematikës në gjoks dhe lëviza këmbët, që t’i liroja mamasë derën e sobës. Ajo e hapi dhe zjarri na ndriçoi fytyrat e na hutoi të dyve për disa sekonda, me atë hipnotizimin që di ta bëjë vetëm zjarri me dru. Mamaja u përmend e para dhe pasi rregulloi me mashë prushin rrotull drurit, mbylli derën e sobës dhe ktheu kokën nga unë. Unë ngrita prapë librin e matematikës para fytyrës dhe ula sytë mbi të.
    Babai e kishte mbyllur dritaren ndërkohë, ishte ulur në divan, kishte ndërruar kanalet në televizor, ato të radios, e pastaj u çua prapë te dritarja e tha:
    -Po tani, e dëgjove?
    -Është qepeni i Kujtimit. Ai e mbyll kaq vonë dyqanin. Ulu tani, se s’ka gjë. – i tha mamaja, por babai s’u ul. Eci nëpër dhomë i menduar.
    Atë natë pritej të ndodhte diçka, por s’dihej se kur, se si, se nga. As se çfarë. E madje, më duket se nuk dihej tamam as se pse.
    Pashë orën në mur. Po afrohej orari i lajmeve të huaja! I vetmi moment kur mund ta ulja librin e të dilja i justifikuar para televizorit për t’u përkthyer lajmet që na përmendnin. Pasi mbaronin lajmet, prindërit harroheshin e merreshin me biseda rreth lajmit. Ndërkohë që ata diskutonin, unë kaloja kanalet te Show turk, RTL gjerman, TV5 francez, Mediaseti e Rai italian.
    -Po tani! E dëgjove?!
    -Jo pra, është qepen! –tha mamaja.
    -Jo, jo! Shiko! Eja shiko këtu! – thirri babai dhe hapi dritaren me nxitim.
    Vrapuam të dy, dhe unë dhe mamaja, dhe pamë disa pika të kuqe në qiell: dukeshin si ato yjet që u shpreh dëshira kur bien, por për së prapthi, sepse në vend që të binin, ngriheshin. Ngriheshin nga toka e fikeshin lart në qiell, në rresht, njëri pas tjetrit, me shpejtësi. Pas dy të parëve, të tjerët i shoqëroi një zhurmë e largët, sikur po mbyllej një qepen. Por nuk ishte qepen! Jo, jo! Nuk ishte qepen! Po ndodhte vërtet! Më rrahu zemra! Lëshova librin e matematikës në divan, mora frymë lirisht e pashë nga prindërit.
    - Ah, ku të dëgjova ty! Ku të gjejmë gjë tani?! – tha babai e hapi bufenë, duke numëruar brenda me gisht.
    -Do të ketë dhe nesër. – tha mamaja.
    -Nesër?! Pale ç’ka ndodhur deri nesër. – tha babai e doli në oborr, kontrolloi shulin e portës prej hekuri dhe pastaj pa prapë qiellin.
    -E mbarova matematikën... – gënjeva unë kur babai hyri brenda.
    - S’ke për të shkuar nesër në shkollë! Shko fli, se të janë skuqur sytë. – më tha mamaja.
    U nisa për në dhomën time, por ajo më ndaloi.
    -E di çfarë? Fli këtu në minder sonte, se e mbajtëm sobën me dru deri tani vonë, dhe është ngrohtë. Te dhoma jote s’e kam ndezur kaloriferin e do shumë të ngrohet. Prit të të sjell jorganët. – tha mamaja e doli nga dhoma.
    Unë u shtriva në minder, hapa derën e sobës dhe i ngula sytë zjarrit hipnotizues. Pastaj ktheva sytë te fletorja e shkollës, e hedhur mbi karrige. Fletorja me shkronja turke, të cilën e kisha zgjedhur vetë me foton e Silvester Stalones në kopertinë, në rolin e Rambos. Pasi mamaja më mbuloi me jorganë, mora fletoren në dorë dhe pashë me kërshëri automatikun; bombat e varura në trup; brezat e fishekëve të kryqëzuar në kraharor; muskujt me damarë të fryrë, të lyer me vija boje prej maskimi ushtarak; thikën me tehun si sharrë e majën e kthyer; shiritin në ballë që i mbante flokët. Mezi prisja të takoja djemtë e lagjes nesër! Isha aq në padurim, sa isha i sigurt që s’do të flija dot atë natë. Por çuditërisht, më zuri një gjumë shumë normal, teksa prindërit endeshin të çoroditur nëpër shtëpi e flisnin me psherëtima të shqetësuara.
    Kur hapa sytë të nesërmen, pozicioni i rrezeve të diellit mbi qilim më bëri ta kuptoj në çast që kishte kaluar ora e zakonshme e zgjimit për në shkollë. Ktheva kokën me vrull nga ora në mur. Tetë e njëzet! S’më besohej! Mamaja po bënte brumë dhe në korridor kishte thasë e kuti ushqimesh.
    -Aaa, sa frikacakë bëheni dhe ju! – thashë unë, por ma ndërpreu fjalën një breshëri që erdhi nga jashtë. Ishin afër fare, as që mund të ngatërroheshin më me qepena të largët. Pastaj vazhduan të tjera, dhe unë mbaja vesh aq i emocionuar, sa s’më ngjalli fare interes X-Men që po jepej në TV. Në atë orar unë zakonisht isha në shkollë, e në një ditë tjetër çfarë s’do të kisha dhënë për t’i parë. Disa herë kisha guxuar të lija dhe orën e parë të mësimit.
    -Laj sytë e dhëmbët dhe mos dil nga shtëpia. – më tha mamaja duke ma bërë me kokë nga X-Men.
    -Ku është babi? – pyeta unë duke u veshur me nxitim e duke parë nga dritarja se si qeni i lidhur në oborr angullinte sa herë dëgjonte krisma dhe strukej në kolibe.
    -Babi ka dalë! Ku po ikën që po vishesh? S’ke për të dalë! – më tha mamaja me urdhër dhe e la brumin një çast.
    -Nuk dal, jo. Por të zgjidh pak qenin, se gjynah! –thashë unë që nga korridori dhe vesha atletet, ua nxora llapën me kujdes sipër xhinseve me lara dhe shumë xhepa, mora xhupin në krahë e dola në oborr. Shkova te qeni, e përkëdhela dhe i fola që të qetësohej, duke parë me bisht të syrit mamanë që dukej nga dritarja e kuzhinës. E zgjidha qenin, por ai s’vrapoi nëpër oborr, si zakonisht. U struk në kolibe me bisht ndër shalë. E përkëdhela prapë, dhe hapa me ngadalë derën prej hekuri të oborrit, pa ia ndarë sytë dritares së mamasë. Gjeta një çast kur nuk e kishte mendjen dhe dola në rrugë. Vrapova nëpër rrugicë, siç do të kishte vrapuar qeni im në ditë normale, deri te oborri midis pallateve.
    Te oborri ku luanim futboll, u zhgënjeva, pasi gjeta vetëm tre nga çunat, dhe asnjë nga shokët e mi të ngushtë. Por njëri prej tyre kishte gëzhoja, të cilat i kaluam dorë më dorë.
    -Çuna, jemi shumë vonë! I kanë zbrazur depot që me natë!
    Ky që po na thoshte këto, ishte pak më i madh se ne, me të cilin unë nuk kisha miqësi dhe aq të fortë sa me të tjerët. Por e kisha zili, sepse prindërit e linin të shkruante me acid larjeje “Açe” fjalën “Nirvana” te xhinset e zeza, mbante çizme me majë hekuri, rrip me tokëza të mëdha metalike, dhe poshtë xhupit të lëkurës, xhup plot rripa e perçina, e linin të mbante vetëm një bluze të zezë e të hollë, edhe në mes të të ftohtit. Në fakt, ai fliste gjithë kohën sikur po dridhej nga i ftohti, e dukej sikur gjithçka e thoshte me emocione.
    -I pashë të dalin që në 2 të natës, me makina! Kanë bërë disa rrugë e çfarë s’kanë sjellë! Po s’ikëm tani, s’gjejmë gjë më! – tha duke u dridhur i gjithi.

    ***

    U nisëm që të katërt, por njërin e thirri e ëma nga ballkoni, kur pa që po largoheshim nga oborri. Mbetëm tre, por të vendosur t’i shkonim deri në fund. Kjo, derisa dolëm në rrugën kryesore, ku i hodhëm gëzhojat që kishim kaluar në duar, se rruga kishte plot të tilla, fringo të reja. Aty kaloi një furgon dhe një tip hapi derën e qëlloi në ajër. Kujtoja se kishin qenë afër të shtënat që kisha dëgjuar nga shtëpia. Jo, kjo ishte afër! Zhurma që m’u bë në veshë pas krismës, më kujtoi stemën me ngjyra të TVSH, para se të fillonte programin. Dhe lëvizja instinktive e të treve, pas të shtënave, ishte mbulimi i kokës e veshëve me duar. Njëri vendosi të kthehet në shtëpi. Për pak po ia mbushnim mendjen të vazhdonte me ne, por gjithë punën bindëse na e prishi një shpërthim i largët, që ngriti tym. Mbetëm dy, edhe pse i thamë që ishte thjesht çashkë, jo bombë.
    Ecëm në rrugë dhe vura re që shoku kishte më shumë dëshirë se unë për të pasur armë, sepse, pavarësisht nga çizmet me takë e me majë hekuri, s’po arrija t’ia kapja ritmin e hapit. Arritëm te rruga që çonte te depot. Makinat që qëllonin me kallashnikov në ajër po shpeshoheshin. Dhashë idenë të dilnim nga rruga e makinave, e të ndiqnim shinat e trenit. Shinat ishin pak metra larg rrugës, por të çonin në të njëjtin vend dhe nuk dukeshe prej ferrave të larta anash shinave, ku në verë ndalonim për manaferra. E bënim shpesh atë rrugë, kur shkonim në lumë. Por sot ishte ndryshe.
    Kur shkuam te shinat, zbuluam se të gjithë këmbësorët e tjerë armë-kërkues kishin pasur të njëjtën ide. Një koloni milingonash të çmendura. S’dije nga ta ktheje kokën më parë. Kolonia ecte në dy drejtime. Ata që vinin nga depot ecnin ngadalë, sepse ishin të ngarkuar. Dikush me kuti konservash, madje dhe mish, por të gjithë me armë. Ata që ecnin në drejtimin tonë, shikonin të ngarkuarit e nxitonin, sepse mendonin që s’do të mbetej më gjë.
    -Ue, dylbi! –thirra unë duke treguar me gisht një djalë me kundragaz në fytyrë e që mbante mbi supe një arkë druri me shkronja kineze. Dylbitë i kishte varur në qafë.
    -Ka më dylbi atje? – e pyeta.
    S’e mora vesh çfarë tha poshtë kundragazit, por foli diçka.
    -Po çfarë dylbish, mor burrë! Si kalamajtë, dhe ti! – më thotë ky shoku im, sikur duhej të më vinte turp! Anash shinave pamë të vinte një oficer ushtarak, me xhaketën zbërthyer.
    -Mos duhet të mbulojmë fytyrën, se mos na sheh? – pyeta unë shokun e ngrita jakën e xhupit xhins, deri te hunda. Në vend të më përgjigjej mua, ai pyeti oficerin:
    -O shef, ka më armë atje?
    Oficeri, me brezin prej lëkure në dorë, ku dukej një këllëf bosh pistolete, u kthye e na tha i qetë:
    -Ka sa të duash, çuna, vetëm te depot në filan vend mos shkoni. Janë me dinamit, e po plasi, bie gjithë kodra sipër qytetit.
    -Mirë, shef. Rrofsh! – tha ky shoku im dhe nxitoi hapin edhe më.
    Përpara pashë një grua si me probleme mendore, me rroba shtëpie e flokë që i prishte si mos më keq, duke kaluar gishtat orë e minutë mes tyre, gati sikur i shkulte. Lëvizte gjithandej e seç u fliste kujtdo që i kalonte para. Shumica e injoronin me bezdi. Kur iu afruam, u kthye me fytyrë nga unë e më nguli sytë e kuq e plot me lot. Zbulova i befasuar që s’ishte fare me probleme mendore. Më kapi fort mëngën e xhupit:
    -E njeh djalin tim?! E ke parë? E ka emrin Filan, është sa ti!
    -S’jam i lagjes, nuk e njoh. – ngrita supet unë dhe u mata të kapja shokun që s’ndaloi fare, por gruaja nuk ma lëshoi mëngën:
    -Po ç’doni atje! Mos ik! Edhe çuni im atje ka shkuar! Është me tuta sporti jeshile! Te shkolla XY! Nuk e njeh?
    Tunda kokën për “jo” dhe ia hoqa dorën nga mënga. Ajo vrapoi te disa djem të tjerë të moshës sime.
    Të shtënat e çrregullta tashmë ishin bërë të zakonshme, si kolonë zanore në sfond. Madje kisha nisur të dalloja krismat e pistoletës nga të automatikut. Sa më shumë i afroheshim depove, aq më shumë shihja njerëz që provonin armët, çanin kutitë metalike të fishekëve me bajoneta ose duke i përplasur pas pemëve të ullinjve. Njëri, madje, ndaloi mu afër meje për ta provuar. E ngriti nga qielli dhe unë i qëndrova anash, duke pritur të qëllonte. Por pasi qëlloi, një gëzhojë fluturoi anash automatikut e më ra mu në qafë, ende e ngrohtë. Instinkti im mbrojtës e kujtoi si diçka vrastare, ndaj disa aty rrotull qeshën me lëvizjen time.
    Te dera e ndërtesës ku po futeshin njerëzit, kishte aq shumë trafik sa duhej të ngjisheshe pak që të hyje. Shoku im u zhduk nëpër korridore, pa më pritur. Nuk e ndoqa dot, se s’doja t’i shtyja njerëzit si ai për të çarë rrugën, ndaj vazhdova vetëm nëpër korridorin që ngjante me atë të shkollave. Rafte të thyera, çarçafë me vija, me numra të stampuar; pizhame ushtarësh e libra të hedhura në tokë, mbi një det me gëzhoja. Të gjitha këto duhej t’i shkelje patjetër, që të ecje. Shumë s’ishin vetëm gëzhoja, por fishekë të rregullt. Mblodha plot dhe i futa nëpër xhepa. Gjeta një pako të vogël e të rrumbullakët, të mbështjellë me plastmas, me një si sapun brenda. U bëra kureshtar dhe e mora në dorë ta shihja, por një burrë më tha që mund të jetë tritol, ndaj e ula butësisht në dysheme, aty ku e gjeta.

    Te një korridor në kat të dytë ishin nja dy-tre armë në tokë. S’ishin fort të bukura, si më të gjata se kallashët që kisha parë rrugës, por ngjanin. Ndalova për t’i parë, dhe ndieva të përplaseshin pas meje ata të tjerët që nuk ndalonin por vazhdonin të vraponin sa andej këtej, por ato armë s’i merrnin. Mos ishin të prishura? E ngrita njërën, por m’u bënë duart gjithë graso, ndaj e hodha prapë. Mbase prej grasos nuk i merrnin. I fshiva duart te një batanije leshi ushtarësh.
    Te një dhomë, një djalë i vogël, ishte a s’ishte 5-7 vjeç, i gjatë sa një pushkë, ishte ngarkuar me tre katër të tilla. Dy burrat që ishin me të e urdhëruan t’i priste në korridor, bashkë me pushkët, dhe ikën. Djali mbeti vetëm, por teksa unë rrëmoja raftet e kësaj dhomës, atij iu afrua një adoleshent dhe i kërkoi njërën prej pushkëve që mbante. Djali i vogël s’pranoi, dhe adoleshenti e goditi aq fort në kokë me një karikator, sa kërcitja më dhembi dhe mua. Fëmija u mek duke qarë, por prapë, adoleshenti mezi ia shqiti armën nga duart, me ndihmën e dy tri shqelmave. Ia mori dhe iku. Unë gjeta vetëm dy karikatorë në sirtarë dhe ika. Pasi hyra në disa dhoma të tjera, i humba shpresat për armë e vendosa të kthehesha të merrja një nga ato që ishin përtokë, me graso. Por tani s’po gjeja më as nga ato. U dëshpërova. Kisha ardhur deri aty e s’mund të dilja pa armë. Dola jashtë dhe pashë këtë shokun, të bashkuar me dy djem edhe më të mëdhenj se ai, të cilët dukej se i njihte.
    -Ku u zhduke ti! – më tha ai me dy armë në sup.
    -Ue! Ku i more ato? Unë s’gjeta dot asgjë!
    -Ç’thua, por kishte gjithandej, te godina tjetër! Tani mbaruan. Kishte dhe përtokë.
    -Ishin të prishura, gjithë graso! S’i merrte njeri.
    Djemtë e mëdhenj qeshën e më shpjeguan që me graso mbaheshin që të mos prisheshin. Njëri prej tyre kishte shumë armë në supe, mezi po i mbante. I kërkova të më falte njërën, dhe ai, më shumë ngaqë s’po i mbante dot, më dha një karabinë njëzetëshe, automatike. Njësoj si ato me graso që ishin në tokë. Jo si të Rambos, por hej... unë kisha armë!

    ***

    -Punon kjo? –pyeta rrugës nëpër shina.
    -Gomari i falur nuk shihet nga dhëmbët! – më thotë ky shoku.
    Kur arritëm te një zonë që s’kishte më njerëz rrotull, pak afër vendit ku do të dilnim nga shinat e do të futeshim te rrugica që na çonte te lagjja, ndenja pak mbrapa dhe, pa më vënë re ata, mbusha me fishekë karikatorin që kisha në brez dhe e futa te karabina. Por shulin nuk e tërhoqa dot. Jo se s’kisha forcë, por kisha frikë ta tërhiqja shumë fort, se dukej sikur do të plaste fishekun. Plus që më rrëshqiste, prej grasos. Por më vinte zor të tregoja që s’dija, kështu që ndalova fare. E vura karabinën me qytë në tokë, me tytën lart, dhe i peshova shulit nga sipër me gjithë trupin, që ta çoja deri në fund. E ndieva kërcitjen e m’u bë zemra mal. Kur do ta ngrija që të qëlloja për ta provuar, vura re një grua në ballkonin e një pallati në rrugën anash shinave, që po më shikonte. Sapo e vuri re që sytë e mi ndeshën sytë e saj, gruaja fshehu kokën e trembur në ballkon, u ul mbrapa bordurës. Ndieva miza në bark e kënaqësi. Shkela këmbëzën dhe qëllova në ajër! Shtytja e qytës në bark ishte befasuese: s’e prisja të ishte aq e fortë, nga një fishek sa një gisht. Zhurmën e kishte shumë të bukur e veshët bënë prapë atë zhurmën! Por ajo ndjesia! Si atëherë kur u hodha në lumë nga maja më e lartë e shkëmbit, me babin që më nxiste nga poshtë në ujë. Me frikë herën e parë, por pastaj doja ta bëja gjithë ditën! Djemtë kthyen kokat. Më thanë ta mbaja në shpatull qytën, jo në bark. Njëri më shpjegoi se disa nga ato fishekët që kisha mbledhur, ato që ishin me majën e lyer me bojë të kuqe, shkëlqenin kur qëlloje natën, linin gjurmë në qiell. Si yje, si ato që kisha parë një natë më parë.
    -Hidhini pushkët, se ju **** ****! –bërtiti një nga tre djem me armë, që dolën papritur nga mbrapa ferrave që shoqëronin shinat gjatë gjithë rrugës! Ua drejtuan dy të mëdhenjve që ishin me ne, e njëri qëlloi në ajër, për t’i trembur.
    Djemtë i hodhën me përtesë e njëri prej tyre, ai që kishte shumë armë e që më dha një mua, u përpoq të negociojë që të mbante të paktën njërën, por si përgjigje mori të shara e të shtëna në ajër. Unë vazhdoja ta mbaja në dorë karabinën time, me shpresën se mos nuk kujtoheshin për mua, se mos dukesha sikur s’isha me ata, se mos ma linin ta mbaja ngaqë isha më i vogël, se mos... s’e di, thjesht s’mund ta lëshoja pa më thënë. S’mund të ma bënin këtë. Por njëri nga ata u kthye nga unë, përsëriti të njëjtat fjalë e qëlloi prapë në ajër, dhe unë e hodha menjëherë. Pastaj na thanë të ikim. Deri në atë çast s’kisha ndier frikë, por kur u ktheva shpinën për të ikur, aty ndieva të më bëhej shpina me miza e të më rrihte zemra. Ecja e ktheja kokën në çdo hap. Ata na ndiqnin me sy, me armët drejtuar. Cepi i pallatit ku do të ktheheshim e ku do t’u iknim nga shikimi, më dukej shumë larg. Mbajta frymën e nxitova hapat. Më vinte të vrapoja deri atje, por kisha frikë, se tre djemtë me të cilët isha nuk vraponin, por vetëm shanin nëpër dhëmbë. Më në fund u futëm te cepi i pallatit, u mbështeta në mur, mora frymë thellë dhe u ndava nga grupi, sepse ata po mendonin të ktheheshin sërish te depot. Shkova drejt rrugicës që më çonte në lagje.
    Gjithçka kishte ndryshuar që nga mëngjesi kur dola. Aty ishin bërë papritur të gjithë me armë: shitësit e ushqimoreve, ata që mbanin monedhat e bilardove, njerëzit nëpër kafene. Të gjithë dilnin nga dyert prej hekuri a druri, qëllonin bashkë me prindërit a me shokët, si me fishekzjarrët për Vit të Ri. Qeshnin e krahasonin armët me njëri-tjetrin. Të mëdhenjtë kujtonin zborin apo ushtrinë, e madje kuptonin nëse ishin prodhim kinez, rus apo shqiptar. Nga i kishin gjetur aq shpejt? S’më besohej që ma kishin marrë, kur tani kishin të gjithë.
    Një makinë erdhi me shumë shpejtësi nga pas e të gjithë u mbështetën pas mureve të gurit, të lyer me gëlqere të bardhë, që t’i lironin vend në rrugicën e ngushtë të lagjes. Makina ndaloi nja 100 metra para meje, tek një derë, dhe papritur te dera u mblodhën shumë njerëz, burra, gra e fëmijë, e po përpiqeshin të nxirrnin diçka, kush të mundej më parë. Nuk dukej çfarë, sepse u mblodhën shumë njerëz e bllokonin pamjen. Pashë që nxorën një batanije me diçka të rëndë brenda, që mezi e mbanin. Një nga gratë që ishte te turma nisi të bërtasë me të madhe. Pastaj vunë kujën dhe gratë e tjera. Burra e futën batanijen e rëndë në shtëpi, dhe kur u afrova mezi shqova mes turmës që ndenjësja e makinës e çimentoja e shtëpisë ishin gjithë gjak, i cili dukej edhe më i kuq te pjesët e lyera me gëlqere. Nga brenda vazhdonin të qarat, tashmë dhe burrat. Njëri nga burrat doli me një armë në dorë, duke sharë e me sytë me lot, dhe u përpoq të futej në makinë për të shkuar diku me nxitim, por të tjerë e ndaluan duke u përpjekur ta qetësonin. Ai përpiqej t’i shtynte, por ata e mbajtën duke i bllokuar gjymtyrët e duke i thënë fjalë qetësuese. Brenda shtëpisë hynin e dilnin fqinjë, të mëdhenj e të vegjël, ndërsa kuja vazhdonte të shtohej. Një fëmijë i vogël, nja shtatë vjeç, doli me duart në kokë. Erdhi deri te grupi i njerëzve, mes të cilëve isha dhe unë, dhe kur e pyetën se ç’kishte ndodhur e kujt i kishte ndodhur, u tha pa i hequr duart nga koka:
    -Bujari! Si ia kishin bërë fytyrën! As e ëma e vet nuk e njohu!
    Dola nga turma e nxitova drejt shtëpisë sime, që tashmë s’ishte dhe aq larg nëpër rrugica. Jo shumë larg pashë një tjetër grua si ajo që më ishte dukur me probleme mendore te shinat e trenit, me rroba shtëpie, që çonte duart nëpër flokët e prishur e pyeste djemtë e moshës sime, të cilët e injoronin me bezdi. Prit... çfarë?! U kthye me fytyrë nga unë e më nguli sytë e kuq e plot me lot!
    -Ku ishe more ndyrësirë! – bërtiti dhe më ra te krahu aq fort sa s’më kishte rënë ndonjëherë, duke qarë me ngashërim, e gati sa s’më shqeu mëngën e xhupit!
    - Mos bëj kështu, se le nam! Ç’ke që qan?
    -Eja brenda, se më vdiqe! – ulëriti në mes të rrugës e s’ma lëshoi krahun, më tërhoqi drejt shtëpisë me një forcë që s’besoja se e kishte! Shante, qante, mallkonte, qeshte, falënderonte Zotin e pastaj shante e qante prapë, derisa hymë në shtëpi, ku më përqafoi dhe më puthi duke më qëlluar prapë te supi.

    ***

    Pasi mamaja u qetësua në shtëpi, e pasi i mbylli të gjitha dyert me çelës, e pyeta me gjysmë zëri se ku ishte babai. Më tha që kishte dalë për mua e pritej te vinte! Pastaj u ngrit, shkoi te gjërat e shumta që kishte blerë babai atë ditë gjatë kohës që s’kisha qenë unë, nxori një kuti dhe ma dha. Shqeva sytë. “Nintendo”, loja e shtrenjtë kompjuterike që kishin premtuar të ma blinin pasi të mbaronte shkolla, pas tre muajsh, nëse do të dilja mirë me mësime e meqë do të isha me pushimet e verës. Më tha ta vija te televizori, meqë shkolla isha mbyllur, e të luaja me të, në vend që të dilja jashtë. Kur isha ende duke e shpaketuar, babai hapi derën e oborrit dhe hyri brenda në shtëpi. Psherëtiu i lehtësuar që isha aty, dhe pastaj më tregoi mes gjërave që kishte blerë një qese ku ishin jo pak, por shtatë kaseta me lojëra për Nintendon, të gjitha bashkë kushtonin më shumë se vetë kompjuteri. E bashkë me kompjuterin, më shtrenjtë se mielli që kishte blerë gjithsej.
    Nisa të luaj e kur mamaja hyri në banjë, babai më tha ta ndiqja te depoja e veglave në oborr, ngjitur me koliben e qenit. Hymë brenda e më tregoi një karabinë 20-ëshe dhe një kuti plot me fishekë. Më tha që ia kishin dhënë për tetë dollarë. Më mësoi se si vihej siguresa, se si mbushej karikatori, se si mbetej një plumb në grykë pasi kishe tërhequr shulin, edhe po të kishe hequr karikatorin. Pastaj më pyeti nëse doja të qëlloja, dhe pasi tunda kokën me qejf, më tha të dilnim jashtë, në rrugicë. U habita. Mos po më provokonte? Vërtet do të më linte të qëlloja? Në oborr, fqinjët kishin dalë te dera e babai, me karabinën në krahë, i përshëndeti. Edhe ata e përshëndetën dhe i treguan kush një kallashnikov, kush një karabinë. Babai e mbushi tonën dhe ma dha të qëlloja. Qëllova në ajër e qeshëm. S’po më besohej që babai po e bënte vërtet këtë! Ç’i kishte ndodhur? Edhe djali i fqinjit doli dhe qëlloi me të vetën. U futëm brenda e babai më tha të shkoja të luaja me kompjuter. Teksa luaja në dhomë, babai erdhi papritur dhe mbylli derën e dhomës. Këtë e bënte kur duhej të fliste me mamanë për gjëra që s’duhej t’i dëgjoja unë. Kështu që lashë lojën dhe vura veshin te dera. Dëgjova mamanë t’i thoshte:
    -E pashë si qante e shkreta familje! Dhe yt bir, afër derës së tyre e gjeta! Po tek Bujari të çoi Zoti t’i thyesh dollarët e kursimeve?
    -Po mendova meqë e kemi në lagje! Ndihesha më i sigurt. U futëm pas një kioske, m’i këmbeu dhe dola. Pas meje doli dhe ai, dhe sa po futej në makinë me paratë, i erdhën dhe e qëlluan për t’i marrë paratë. Aq pashë, ika me vrap.
    -Mos kanë qenë të lagjes ata që e qëlluan? Mund të të kenë njohur! E dinë që ke para në shtëpi tani! Po të na vijnë në shtëpi?
    -Mos ki frikë. Edhe në qofshin të lagjes, e dinë që kemi armë. E dinë që dhe djali di ta përdorë. Dolëm e qëlluam në ajër, në rrugicë. Na panë të gjithë.
    -...
    -Mjaft, tani. Mos u tremb kot. Plus që do të vijë dhe im vëlla sonte, me gruan e fëmijët. Do të rrinë te shtëpia jonë, pasi të ikim. S’vjen njeri, me aq shumë sa do të jemi në shtëpi. Duro, deri pasnesër. I the djalit që do të ikim nga ky vend, apo t’ia them unë?

  2. #2
    Nje rrefim qe te mban mberthyer me nje intensitet te vazhdueshem deri ne fund...
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e davidd
    Anëtarësuar
    02-09-2009
    Postime
    2,016
    shume nice

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    te lumte penda o wird..

    eshte nje kryeveper kjo qe ke shkruar..

    edhe artistikisht bukur por dhe nje dokument i vertete per 97 e mallkuar..

    mallkuar qofshin ata qe e bënë..

    po nuk e ke zor thuaje qytetin.. ku ndodh kjo ngjarje..

  5. #5
    Thuaje qytetin thote brari !

    Po kishte qytet e fshat ne shqiperi qe mos te kishte te shtena dhe piramida ?

    Meqe ra fjala

    Kush i organizoi piramidat ?

    Kush e vodhi thesarin ?
    Revolution 1848

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    macok mo prish temen..

    wierd..

    te shkruac proze nuk eshte e lehte..
    do talent por dhe mencuri te madhe..

    me sa shoh i ke te dyja keshtu qe mo ju nda tregimit e noveles..

    paske shpi me bahce e kjo ka te mire se te jep mundesi ti vec shulin deres se oborrit e te shkruash ne qetsi ne veranden e shpise..
    mamaja te ben kafene.. e dashura te korigjon gabimet ortografike.. e ti vuuu.. shkruan..
    bravo elbasani..

    suksese..

    .

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •