Published On: Fri, Mar 16th, 2012 Maqedoni |
Haxhinasto në Shkup: Të hetohet dhuna ndaj shqiptarëve
Zëvendëskryeministri shqiptar dhe ministër i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka kërkuar sot nga Shkupi zbardhjen e plotë të incidenteve të ditëve të fundit në Maqedoni dhe ndërprerjen e ofendimeve ndaj shqiptarëve në tekstet shkollore. I pyetur nëse në takim ka shprehur shqetësimin e Shqipërisë për vrasjen në Gostivar dhe sulmin ndaj nxënësve shqiptarë, Haxhinasto thotë se ka kërkuar nga autoritetet që të zhvillojnë hetime të plota për vrasjen e dyfishtë. “Qëndrimi ynë është shumë i qartë e përsëris edhe një herë. Kemi kërkuar hetim të plotë të ngjarjeve, kemi kërkuar që institucionet e zbatimit të ligjit të vënë përpara drejtësisë personat përgjegjës. Kemi kërkuar gjithashtu që të gjithë përfaqësuesit politik të tregojnë maturi, të tregojnë qetësi dhe mbështetje për institucionet e zbatimit të ligjit për trajtimin e këtyre rasteve”, tha Haxhinasto pas takimit me homologun e tij Nikolla Popovski. Ai gjithashtu ka theksuar se për Shqipërinë është e rëndësishme ndërtimi i marrëdhënieve ndëretnike në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Edhe ministri i Jashtëm Nikolla Popovski ka dënuar incidentet që mund të ndikojnë në prishjen e bashkëjetesës por edhe në marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore Maqedoni- Shqipëri. Ai ka thënë se çdo gjest, që synon prishjen e bashkëpunimit të shkëlqyer në rajon është fyes për cilindo nga miqtë apo fqinjët tanë. “Si në Maqedoni, ashtu edhe në Shqipëri duhet të dënohen dhe të trajtohen në kuadër të institucioneve të sistemit. Kemi ardhmëri të përbashkët në kuadër të BE-së dhe NATO-s, ndajmë vlera të përbashkëta dhen në këtë mënyrë duhet të trajtohen të gjitha veprimet të cilat tentojnë ta prishin këtë qëllim dhe ardhmërinë të cilën duam ta ndërtojmë. Lidhur me djegien e flamurit të Maqedonisë, Haxhinasto tha se ka parë se si digjet edhe flamuri shqiptar dhe konsideron se incidentet e këtilla nuk guxojnë të ndodhin, por ato gjithashtu nuk duhet te ndikojnë në marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë, por duhet të dënohen, ndërsa fajtorët të nxirren para drejtësisë. Ndërkohë në këtë takim është paralajmëruar formimi i një komisioni të përbashkët ndërqeveritar, i cili do të konkretizojë bashkëpunimin ekonomik. Në pyetjen se kur Shqipëria do ta njohë Maqedoninë me emrin e saj kushtetues, Haxhinasto tha se Tirana zyrtare e pranon Maqedoninë me emrin e saj në marrëdhëniet dypalëshe, por në organizatat multilaterale, është e detyruar ta ndjekë politikën e vendosur të asaj organizate rreth kësaj çështjeje. Haxhinasto përgënjeshtroi gazetarët maqedonas, se shteti shqiptar po diskriminon pakicën maqedonase, duke theksuar se Shqipëria plotëson standardet ndërkombëtare në këtë drejtim. Vizitën e tij në Shkup Haxhinasto e vazhdon me takimet me kreun shtetëror dhe liderët e partive politike shqiptare.
Krijoni Kontakt