Dr. Njazi Kazazi
1. Kushtet historike
"Alfabetare e gluhësë Shqip", ose Abetarja e Stambollit, siç është quajtur shpesh në literaturën shkencore dhe pedagogjike, lidhet, para së gjithash, me kushte të caktuara dhe me një varg ngjarjesh të rëndësishme të historisë kombëtare. Rasti i "Alfabetares..." është unikal në jetën mbi 150- vjeçare të abetareve shqipe, në këndvështrimin e lidhjes së ngushtë me kushtet historiko - shoqërore dhe të botimit; të rolit që luajti për njësimin e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe; në hedhjen e themeleve të tekstologjisë shqiptare, të frymës atdhetare që ngjalli.
Në "Alfabetare..." trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës, në plane të ndryshme: politik, idelogjik, kulturor dhe arsimor që kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në unison me ato ngjarje, duke u bërë jehonë, duke zbatuar pjesë të veçanta të programit për çlirimin kombëtar dhe shoqëror.
Në vargun e shumë problemeve të rëndësishme që shtroheshin për zgjidhje, çështja e një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët, mbajtja gjallë dhe lëvrimi i mëtejshëm i gjuhës së shkruar shqipe, ishin ndër më të mprehtit. E kjo shtrohej njëherësh, në një plan, me çlirimin nga pushtuesit e huaj dhe me "mëvehtësinë" e popullit shqiptar, sepse "Sot është dita, - shkruante Samiu, q'edhe Shqipëtarëtë të zënë të shkruajën' e të këndojënë gjuhën' e tyre, që të mundinë të ruajënë kombinë"1
Siç dihet çështja e alfabetit u shtrua me forcë, veçanërisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur lëvizja për çlirimin kombëtar dhe shoqëror u lidh ngushtë me luftën për dituri, për shkollën dhe gjuhën shqipe. Përpjekje të reja e të njëpasnjëshme u bënë në Stamboll, nga atdhetarët e atjeshëm, në fundin e viteve '60 dhe fillimin e viteve '70 si: takime, shkëmbime mendimesh e mbledhje komisionesh, për t'i dhënë gjuhës shqipe, siç thoshte njëri nga veprimtarët më të shquar të kohës, Jani Vreto "...një alfabet të plotë, të bukurë e të njohur..." 2
Deri në vendosjen e alfabetit të Stambollit, më l879, pati katër drejtime kryesore që në analizë të fundit përfaqësonin drejtime të ndryshme të konceptimit të pozicionimit të kulturës shqiptare: - për një alfabet me bazë latine, - për një alfabet origjinal, -për një alfabet grek, të plotësuar nga ai latin dhe së fundi për një alfabet arab.3
Në një periudhë tepër të shkurtër kohore, në lëvizjen kombëtare, arrihen shumë suksese në luftën për liri, për arsimim në gjuhë amtare dhe për hedhjen e themeleve shkollës kombëtare shqiptare. Kështu krijimi i një Komiteti të Fshehtë në Janinë, më 1877 dhe në dhjetor të po atij viti i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (i njohur shkurt me emrin Komiteti i Stambollit) e mbi të gjitha formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor 1878; frymëzoheshin e udhëhiqeshin nga idealet e mëdha kombëtare, për të fituar lirinë e humbur dhe për t'u futur në rrugën e përparimit, ashtu si kombet e tjera të Evropës, sepse " Shqipërija është një copë vent nga Evropa..." dhe "Shqipëtarëtë janë një nga më të vjetërit' e kombëvët të Evropësë".4
Forca drejtuese dhe frymëzuese e atdhetarëve - intelektualë që ishin vënë në krye të lëvizjeve popullore për liri e të drejta shoqërore e zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, bëri që në një hark kohor prej jo më shumë se tetë muajsh, në periudhën shkurt - tetor l879, në zbatim të detyrave dhe vendimeve të LSHP, të zgjidheshin disa probleme të lidhura ngusht me arsimin kombëtar dhe shkollën shqipe si : - Miratimi, rreth fundit të shkurtit, i alfabetit të Stambollit, prej një komisioni të përbërë nga Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Hasan Tahsini. - Hartimi dhe botimi i veprave të rëndësishme për të përgatitur opinionin dhe rrethet intelektuale për veprime të mëtejshme, të tilla si "Alfabeti latin i përshtatur gjuhës shqipe" nga Pashko Vasa; "Kanonizmoj e Shokënisë të Shtypuni Shkronjave ndë Gjuhët Shqip" nga Jani Vreto etj. dhe për të arritur më l2 tetor 1879, në mbledhjen organizative në lagjen "Pera", në shtëpinë që banonte Abdyl Frashëri, ku mori formë zyrtare "Shoqëria e të Shtypuri(t) Shkronja Shqip". Të gjitha këto lidheshin me një pikë kulmore: botimin dhe shpërndarjen në mënyrë të rrufeshme të "Alfabetares...".
Krijoni Kontakt