Kristo Frashëri

MONEDHA DHE KREDITI GJATË MESJETËS
Pas mesit të shek. VI edhe vetë qarkullimi i monedhës bizantine në viset e sotme shqiptare u pakësua tej masës. Kjo për arsye të dyndjeve barbare, të cilat sollën si pasojë rrënimin pothuajse deri në themele të vendbanimeve të lulëzuara të Antikitetit, shpërbërjen e administratës perandorake bizantine, shkëputjen e lidhjeve midis viseve të sotme shqiptare dhe Kostandinopojës, por ç'është më e keqja kthimin prapa të ekonomisë së vendit, në ekonomi natyrore. Të gjitha këto patën si pasojë pakësimin në kulm të monedhës nga qarkullimi i përditshëm.
Dëshmi është fakti se, pas Justinianit numri i monedhave të Mesjetës së hershme të zbuluara në viset e sotme shqiptare është i papërfillshëm - një solid bizantin i prerë në Kostandinopojë në shekullin VII nga Kostanci II (641-668) dhe një monedhë e prerë gjithashtu në Kostandinopojë, një nomizmë prej ari e Vasilit II (976-1025), zbuluar në truallin dardan.
Duhet të presim shekullin XI për të zbuluar nga nëntoka e Shqipërisë, monedha bizantine në sasi të konsiderueshme, të cilat jo rastësisht janë monedhat e prera nga perandorët Komnenë të atij shekulli. Mungesa e monedhave në qarkullim nënkupton edhe mungesën e veprimeve bankare gjatë këtyre shekujve. Ndërkaq, ka të dhëna edhe pse tepër të pakta, por të pa trajtuara deri sot, që tregojnë se aty nga shek. X shfaqen shkëndijat e para që paralajmërojnë gjallërimin e autonomisë lokale të qyteteve, të cilat fillojnë të presin si dikur në Antikitet monedhat e tyre lokale. Jemi në kohën kur Perandoria Bizantine tashmë e ka rivendosur nëpërmjet themave autoritetin e saj shtetëror në viset perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Autonomia administrative ushtarake që gëzonin themat bizantine, të vendosura në këto vise në shek. IX solli me vete për lehtësi veprimi financiar edhe nevojën për prerjen e monedhave lokale. Me sa dimë ne, monedha e parë mesjetare e viseve të sotme shqiptare është prerë në Durrës në shek. X nga Mihali, protospathari dhe strategu i themës së Durrësit. Monedha që mban emrin e tij ka nga njëra anë një kryq patriarkal mbi një piedestal katërkëmbësh dhe një mbishkrim ornamental rrethor - në anën tjetër, një mbishkrim në katër rreshta: "Zot ndihmoje shërbëtorin tënd Mihal protospathari perandorak dhe strateg i Durrësit (Dyrrachion)". Mesa dihet, deri sot është zbuluar vetëm një ekzemplar, i cili ruhet në koleksionin numizmatik të muzeut Dumbarton Oaks, Uashington D.C.
Monedha e prerë në Durrës ishte një rast i izoluar, i diktuar ndoshta nga vështirësitë e kontakteve të themës me qendrën perandorake, për shkak të pushtimit Bullgar. Por, pas shembjes së Perandorisë Bullgare më 1018, e cila solli si pasojë rivendosjen e autoritetit perandorak bizantin, në viset shqiptare u ndërpre përsëri prodhimi i monedhave lokale. Kushtet për prerjen e tyre në trojet shqiptare u krijuan përsëri në shekullin XIII pas përmbysjes që pësoi Perandoria Bizantine nga kryqëzata IV (1204). Dihet se para përmbysjes së saj u mëkëmb Principata e Arbërisë (1190) me qendër Krujën, i pari formacion shtetëror shqiptar, kufijtë e të cilit në veri shtriheshin deri në Alpet e sotme shqiptare, kurse në jug deri në lumin Shkumbin. Viset veriore Shqiptare përfshirë dhe Kosovën hynë në kufijtë e shtetit serb të Rashës. Përkundrazi, viset jugore të Shqipërisë u përfshinë në Despotatin e Epirit, i cili nënshtroi për disa kohë Durrësin, madje edhe Shkodrën, por jo Principatën e Arbërisë. Pikërisht dy sundimtarët më në zë të Despotatit të Epirit - Teodor Komnen Duka (1215-1230) dhe Mihali II Duka (1230-1266) nga familja bizantine e Engjëllorëve prenë monedha të veçanta - i pari, monedhë bronzi e quajtur "traki", i dyti sërish monedhë bronzi.
Ndërkohë, Mihal II Komneni despot i Epirit, i dha vajzës së tij Helenës, në martesën e saj më 1258, me mbretin Gjerman të Siçilisë, Manfred Hohenshtaufen si prikë përveç Durrësit, edhe disa qytete të Shqipërisë së Jugut: Spinaricën, Beratin, Vlorën, Sopotin (Borshin), Butrintin dhe ishullin grek të Korfuzit. Gjatë sundimit të tij 8-vjeçar mbi këto qytete, mbreti gjerman M. Hohenshtaufen preu monedha në emër të tij, të cilat qarkulluan në këto vise. Historiani gjerman Schlumberger mendon se, kjo monedhë mund të jetë prerë në qytetin e Durrësit, ku duket se ekzistonte një punishte e posaçme.
Njoftime interesante me dëshmi të dokumentuara mbi veprimet bankare në viset shqiptare fillojnë të shfaqen në shek. XIII, me vendosjen më 1271 të sundimit të anzhuinëve të Napolit. Dihet se mbreti i Napolit, Karli I Anzhu shpalli më 21 shkurt 1271, "Mbretërinë e Shqipërisë" (Regnum Albaniae) dhe veten e vet mbret të saj. Shpallja u shoqërua menjëherë me vendosjen e administratës shtetërore anzhuine në viset e mbretërisë së tij. Së bashku me administratën anzhuine, ai vuri në përdorim monedhën e mbretërisë së tij (realin). Në mbretërinë anzhuine të Napolit ashtu si në shtetet e tjera të hapësirës mesdhetare veprimet bankare vazhdonin të kryheshin nga individë bankierë, të quajturit argjendarë (argendarius), kurse garancia e kthimit të kredive kryhej me akte noteriale. Për shembull, me një vërtetim që lëshon në Raguzë më 1249 qytetari durrsak Pascalis Sarippi, dëshmon se, ka marrë nga Grumbessa de Ballischano, përfaqësuesi dhe prokuratori i komunës qytetare të Raguzës, shumën prej 50 perperash në grosh venedikase të dhëna me kredi nga komuna e Raguzës (Acta et Diplomata Res Albaniae mediae aetatis. Illustrantia. Vol. I, Vjenë 1913, nr. 192). Pothuajse në këtë shekull shfaqet në burimet dokumentare edhe shërbimi i transfertës. Në një dokument anzhuin të vitit 1279 thuhet se, nga liqeni Pensilem (Itali) i dërgohet nëpërmjet Johanne Scocto-s në Durrës një shumë prej 350 unca ari kështjellarit Drivoni de Vallibus dhe financierit të Vlorës, Lilbuto de Meldis, me të drejtë që të mbajë si shpenzime transferte gjashtë solda dhe tetë denarë për çdo uncë. (Po aty, nr. 395).
Në një akt venedikas të vitit 1398 flitet për dy dëshmitarë durrsakë, njëri nga të cilët ishte bankier (argjendar), mjeshtri Johan (magister Johannes), biri i Guilelmit de Francia (Po aty, vëll. II, nr. 609). I njëjti bankier, mjeshtri Johan, biri i Guilelmit de Francia, përmendet edhe në një akt raguzin të po atij viti (1398), ku thuhet shprehimisht se ai ishte banor i Durrësit. (Po aty, nr. 611). Nga shek. XIV ka arritur në ditët tona një akt noterial hartuar në Durrës në vitin 1338, i cili ndriçon deri diku një nga praktikat e përdorimit të kreditit midis privatëve në atë qytet. Sa për dijeni, duhet thënë se atë vit Durrësi ndodhej nën pushtetin e fisnikut shqiptar Tanush Topia, i cili me titullin kont i Mbretërisë Anzhuine të Napolit sundonte viset e Shqipërisë së Mesme, nga lumi Shkumbin deri në lumin Mat. Sipas M. Shuflajit, në mes të atij shekulli Durrësi kishte rreth 25.000 banorë. Ai ishte për nga popullsia qyteti i tretë pas Stambollit dhe Selanikut në Gadishullin Ballkanik. Kishte shtatë noterë. Noteri që ka hartuar dokumentin e vitit 1338 ishte Lekë Matranga, shqiptar nga familja e njohur mesjetare e Matrangëve. Akti noterial është hartuar greqisht. Nga përmbajtja e tij del se arkidiakoni Filip i manastirit të Shën Mërisë së Amalfitanëve në Durrës kishte blerë nga arkontesha Calè për 12 perpera një kopsht, i cili ndodhej në qendër të qytetit. Në rast se në afatin e caktuar palët nuk do të respektonin kontratën, pala që do të shkelte kontratën do t'i paguante palës tjetër një dëmshpërblim prej 30 dukatësh. Në fakt, në mbarim të afatit manastiri nuk qe në gjendje të shlyente detyrimin. Pikërisht në këtë moment ndërhyri qytetari venedikas Armiro Cavalli, i cili duket se ishte huadhënës (kreditor, uzurier, fajdexhi). Akti, në mungesë të arkidiakonit Filip, i vdekur është lidhur pikërisht ndërmjet priftërinjve të mitropolisë së Durrësit dhe kreditorit Armiro Cavalli. Nga akti noterial del se, kreditori venedikas merrte përsipër të shlyente borxhin që manastiri kishte ndaj arkonteshës Calè dhe si shpërblim merrte me qira kopshtin kundrejt një shpërblimi prej një perpere në vit. Qiraja do të vazhdonte për sa kohë që kreditori do të ishte gjallë. Nga përmbajtja e aktit noterial del se, kreditori Armiro Cavalli kishte shtënë në dorë, si duket nëpërmjet akordimit të kredive të pashlyera edhe prona të tjera, disa prej të cilave përmenden në aktin noterial (Banesat që kishin amalfitanët në Durrës). Ndonëse noteri Lekë Matranga e ka hartuar aktin në greqisht, në fillim prezantimi i palëve bëhet në latinisht. Kështu për shembull, manastiri i Shën Mërisë së Amalfitanëve në aktin noterial përfaqësohet nga disa priftërinj të mitropolisë së Durrësit, titujt dhe emrat e të cilëve janë shkruar në gjuhën latine, që do të thotë se ata ishin katolikë:
Matheus Dei gr (ati) a Lat (in) or (um) Durachii archidiaco(n) ur subscripta fateor vera e(ss)e seu (con) firmo; Ego p(res)b(ite)r Theodorus eçl(esi) e S(an)c(t) e M (ari) e de Malphetanis subscripta co(n)firmo; Ego Cosmas p(res)b(ite)r Theodorus eçl(esi) e S(an)c(t) e M (ari) e de Malphetanis subscripta co(n)firmo; Ego Nicolaus Castana p(res)b(ite)r Theodorus eçl(esi) e S(an)c(t) e M (ari) e de Malphetanis subscripta co(n)firmo; Ego p(res)b(ite)r Nicolaus ec(c)lesie S(an)c(t) e Marie de Malphetanis subscripta co(n)firmo; Ego Bryagero p(res)b(ite)r Theodorus eçl(esi) e S(an)c(t) e Mari Malfitanoru(m) firmo; Ego Georgius p(res)b(ite)r Theodorus eçl(esi) e S(an)c(t) e M (ari) e de Malphetanis subscripta co(n)firmo. (Matheu, për hir të Zotit arkidiakon i latinëve të Durrësit, pohon se nënshkrimi im është i vërtetë. Unë, prifti Theodor i Kishës së Shën Mërisë së Amalfitanëve vërtetoj nënshkrimin. Unë, Nikolai, prifti i Kishës së Shën Mërisë së Amalfitanëve vërtetoj nënshkrimin. Unë, Kozmai, prifti i Kishës së Shën Mërisë së Amalfitanëve vërtetoj nënshkrimin. Unë, Nikolë Kastana, prifti i Kishës së Shën Mërisë së Amalfitanëve vërtetoj nënshkrimin. Unë, Nikolai, prifti i Kishës së Shën Mërisë së Amalfitanëve vërtetoj nënshkrimin. Unë Briageri, prifti i Kishës së Shën Mërisë së Amalfitanëve nënshkruaj. Unë Gjergji, prifti i Kishës së Shën Mërisë së Amalfitanëve vërtetoj nënshkrimin).
Pas emrave të përfaqësuesve të palës kishtare akti hartuar në greqisht nga noteri Lekë Matranga, përmban modalitetet, kushtet dhe sanksionet e kopshtit që është objekt i kontratës. Në fund dokumenti ka këtë shënim:
Ky akt u përpilua nga Lekë Matranga (Alexis Mataranga), noter dhe tabular i mitropolisë së shenjtë të Durrësit. Pasojnë nënshkrimet e dëshmitarëve, nga të cilët katër duket se janë katolikë, mbasi kanë nënshkruar latinisht (Nikolai, prift dhe abat i Kishës së Mërisë Rotunde; Petri, prift dhe abat i Kishës së Shën Pjetrit të Varan-gëve; Filipi, prift dhe abat i Kishës së Shën Kryqit; Lazari, prift dhe abat i Kishës së Shën Anastasit - dy të tjerët të cilët kanë nënshkruar greqisht, duket se i përkasin kishës së ritit lindor (Matheu; Aleksi, primiqyri i kishës metropolitane të Durrësit).
Gjatë shekullit XIV shfaqen monedha të prera nga bashkësitë qytetare. Sipas M. Shuflajit, qytetet e Dioklesë fituan të drejtën për të prerë monedha nën mbretërit Serb. Ai njofton gjithashtu se Kotorri, Shkodra dhe Ulqini kishin punishtet për prodhim monedhash. Në Kotorr priteshin grosharë (grossi de Cataro) ose denarë (kotorski dinari), me fytyrën e Shën Trifonit, mbrojtësi i qytetit dhe me emrin e sundimtarit serb. Pati edhe tipe monedhash argjendi të mbretit Kostandin (1321-1322), të cilat u shtypën në Shkodër me mbishkrimin në anën e mbrapshtë, Shën Stefani në Shkodër (S. Stefanus, Scutari), mbrojtësi i qytetit. Monedhat e Ulqinit kishin në njërën anë fytyrën e Shën Mërisë, ndërsa në anën tjetër mbretin Urosh në fron, me mbishkrimin "Rex Urosius". Kur bashkësitë qytetare fituan autonominë prenë monedhat e tyre, të cilat u quajtën "folarë". Në Kotorr folarët, kishin mbishkrimin "Civitas Cotori" - në Ulqin "Moneta de Dulcino" - në Shkodër "Civitas Scutariensis" - në Tivar "Antibar, d'Antivar" - në Shas "Savacii civitas" dhe në Drisht "Civitas Drivasti". (M. Shuflaj, Serbët dhe shqiptarët. Përkthyer nga Zef Fekeçi e Karl Gurakuqi, Tiranë 1926, f. 31). Nga burime të tjera (por që nuk i kemi parë) mësojmë se disa monedha të qyteteve paraqitnin nga njëra anë portën e qytetit, e cila ishte e ndryshme dhe karakteristike për secilin qytet. Në folarin e Shkodrës përveç emrit "Civitas Scutarensis" thuhet se, kishte si stemë një shqyt në trajtë të plotë, me lozanga të zbrazëta në pjesën e poshtme dhe me fushë të bardhë në pjesën e sipërme.
Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV monedha prenë dhe sovranët që krijuan principata ose zotërime të pavarura. Në Ulqin dhe në Shkodër, shkruan M. Shuflaji, punishtet shtypën monedha edhe gjatë sundimit të Balshëve. Të tilla kemi p.sh. monedhat e prera nga Balshët e parë dhe nga Gjergji II Balsha (1385-1403), sovrani i principatës së Shkodrës.
Janë gjetur 20 prerje folarësh, të Shkodrës të Gjergjit II Balshë (1403). Këto folarë, kanë në faqe shqytën e Balshëve me kokë ujku, përkrenare me kurorë, në shpinë Shën Stefanin në këmbë me veshje diakoni; ose në faqe M.D. Gorgi Strazimiri dhe në shpinë S. Stefanis Scutaris. Pesha rreth 1.30 gr. Venedikasit, nënvizon Shuflaji, e mbajtën punishten e prerjes së monedhave në Shkodër, edhe pasi e pushtuan qytetin më 1396, deri në vitin 1453 (M. Shuflaji, po aty, f. 31).
Nga zotërimet feudale shqiptare të shek. XIV, ne kemi dijeni për një monedhë të prerë nga fisniku shqiptar Andrea Gropa, zotërimi i të cilit përfshinte viset midis Ohrit dhe Dibrës. Ndryshe nga monedhat e Balshëve, që kanë mbishkrim në gjuhën latine, monedha e Andrea Gropës mbishkrimin e ka në gjuhën sllave. Kjo për arsye se monedha e A. Gropës destinohej për qarkullim jo vetëm në viset shqiptare, por edhe në vendbanimet sllavo-maqedonase që ndodheshin në lindje të Ohrit.

http://www.balkanweb.com/gazetav5/ar....php?id=110683