Bashkia zgjidhi ngërçin e pallateve pa hipotekë

Sociale e Shtunë, Janar 14th, 2012



Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve: Nga 450 objekte, kanë mbetur 243 .

Nga stoku prej 450 objektesh të pahipotekuara, të grumbulluara në Bashkinë e Tiranës, kanë mbetur vetëm 243 të tilla. Sipas kreut të Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, Avenir Kika, pas zgjidhjes së ngërçit disavjeçar pritet që i gjithë procesi i hipotekimit të këtyre pallateve të marrë fund gjashtëmujorin e ardhshëm. Në këtë mënyrë, 30-40 mijë familje do të kenë në duar certifikatat e pronësisë, të cilat mund t’i përdorin edhe për marrjen e kredive për të investuar më tej. “Për qytetin e Tiranës nuk janë pak, 30 apo 40 mijë apartamente, sepse janë 30 mijë 40 mijë familje, të cilat, duke pasur hipotekën e apartamentit të tyre dhe duke e lënë këtë hipotekë pranë një banke, mund të marrin për fëmijët e tyre kredi, të marrin apartamente të reja dhe shpresojmë që kjo të zhvillohet në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, në mënyrë që edhe tregu i ndërtimit të ketë kërkesa më të mëdha, por edhe ne, me planin e ri rregullues do të kemi ndërtime më tepër dhe oferta jonë do të jetë edhe më e madhe”, tha Kika në një deklaratë për mediat. Sipas tij, pritet që edhe çmimi të ketë një ulje, në mënyrë që të jetë i pranueshëm dhe tregu i ndërtimit në Tiranë të kthehet ashtu siç ka qenë dikur, në një treg që mbante buxhetin e shtetit me pagesa, taksa, por edhe njerëzit kënaqeshin nga blerja e apartamenteve të reja. “Duhet të keni në konsideratë se blerja e apartamenteve të reja nuk është vetëm në interes të atij që e blen apo që e shet, por të një industrie të tërë. Sot, të gjitha apartamentet e reja, siç e dini, furnizohen me televizorë të rinj, me lavatriçe e frigoriferë të rinj, dhe është një treg në Tiranë që funksionon në bazë të blerjes së apartamenteve të reja, dhe ky treg, shpresojmë që gjashtëmujorin e dytë të këtij viti do të ketë një lulëzim më të madh”, tha Kika. Ai e konsideroi si mjaft pozitive filozofinë e re të Bashkisë së Tiranës, e cila u ka dhënë fund barrierave për biznesin. “Kemi kohë që bëjmë kontakte me Bashkinë, e cila na është përgjigjur shumë shpejt dhe me efektivitet, në mënyrë që i gjithë ‘stoku’ i lejeve të shfrytëzimit, që tashmë sipas ligjit të ri quhen ‘leje përdorimi’, të kalojë i gjithi pranë ZRPP”, tha Kika. Ai theksoi se me këtë lloj klime të krijuar ndërtuesit nuk do të jenë më peng e burokracive. “Për ‘stokun’ e krijuar të dosjeve pranë Bashkisë së Tiranës, problemi kryesor ishin ligjet dhe rregulloret, të cilat e kishin çuar numrin e dokumenteve në 38, ndërsa Bashkia, tani, me punë dhe ndërhyrje ligjore, bëri që këto dokumente të kthehen në 18, gjë do të thotë se edhe firmat që nuk mund t’i plotësonin 36 dokumente, tashmë do t’i plotësojnë dhe dokumentacioni i plotë do të bëjë që shumë shpejt, brenda muajt prill ose maj, i gjithë ‘stoku’ që ishte në Bashkinë e Tiranës, përveç këtyre 1350 apartamenteve, të shkojë pranë zyrave të regjistrimit”, tha Kika

Zyrat e regjistrimit te pasurive

Dy ditë më parë u dhanë lejet e para të shfrytëzimit dhe shumë shpejt, për dy-tre muaj, do të përfundojë i gjithë “stoku” i dosjeve në Bashki. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, edhe nga Zyrat e Regjistrimit nuk ka pasur pengesa. “Janë bërë 107 dosjet e para, pra 107 pallate u janë dhënë ndërtuesve dhe janë edhe 100 pallate, dosje të cilat po përpunohen dhe shpresojmë të përfundojnë gjatë muajit janar”, tha kreu i Shoqatës, Avenir Kika.

ZIRINA LLAMBRO

panorama