Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1

    Monitorimi me kamera në Tiranë: Instalohen kamerat në kryqëzimet kryesore

    Monitorimi me kamera në Tiranë

    Prej ditësh në Tiranë bien në sy kamerat e vendosura në kryqëzime dhe rrugë. Qëllimi i tyre është monitorimi lëvizjes së mjeteve dhe qytetarëve, për të parë shkeljet rrugore si dhe për të parandaluar, dokumentuar dhe ndërhyrë në ngjarje të ndryshme kriminale.

    Projekti u promovua në 4 marsin e vitit të kaluar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Sistemi i monitorimit me kamera përfshin tashmë në sistemet moderne të monitorimit dhe të sigurisë së kryeqyteteve të vendeve të BE-së.

    Imazhet e kamera do të përftohen në dy salla monitorimi, njëra do të jetë pjesë e sallës operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe tjetra në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

    Aktualisht janë duke u instaluar 24 kamerat e para, veprim që do të përfundojë deri në 13 janar, kur do të bëhet dhe përurimi i sallës së monitorimit të kamerave. Ndërsa projekti do të vazhdojë në çdo lagje dhe rrugë të Tiranës deri në vendosjen e 240 kamerave në total.

    bota sot

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Zbulohen fotot: Kamerat, nis survejimi në rrugët e Tiranës

    Projekti “Për një Tiranë të sigurt europiane”, prej 3 ditësh nis faza e testimit të sistemit vëzhgues me kamera.

    Policia: Kanë aftësi identifikuese për targa e imazhe deri në 1 km.

    Një numër prej 19 kamerash ka nisur të vëzhgojë hapësirën publike të Tiranës prej tri ditësh. Projekti “Për një Tiranë të sigurt europiane”, i prezantuar rreth një vit më parë nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha, u implementua për herë të parë me datë 13 janar të këtij viti. Në këtë datë për herë të parë janë ndezur kamerat e vendosura në ambientet publike të Tiranës. Me zbatimin e këtij projekti u morën specialistët e Policisë së Shtetit, të cilët paraprakisht vendosën të testojnë 19 kamerat e para të sigurisë, të cilat monitorohen nga një sallë e posaçme, ende në përgatitje e sipër në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burime nga Policia e Shtetit thanë se kamerat e vendosura kryesisht në shtyllat e ndriçimit, arrijnë të filmojnë shumë qartë deri në një kilometër largësi. Kapaciteti i tyre për të afruar objektivin e fokusuar, arrin deri në 30 herë (zoom). Kamerat me rezolucion të lartë, të lëvizshme dhe fikse, janë të pajisura me sensorë, që shërbejnë për një rrjet me bandë të gjerë për transmetimin e pamjeve filmike në qendër, si dhe menaxhimin e bandës së transmetimit në mënyrë të qendërzuar. Pamjet filmike do të jenë të regjistruara të plota për një javë, duke i shërbyer në këtë mënyrë zbardhjes së plotë të të gjitha ngjarjeve kriminale. Por, nga ana tjetër, ky sistem do të operojë në kushtet e mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve.
    SURVEJIMI

    Kamera e vendosur tek ura e Lanës në Unazë, në krah të ish-hotel Dajtit
    Sistemi i vëzhgimit me kamera, 24 orë në 24, ka dy salla monitorimi, të cilat kanë kapacitete identike, por me një hierarki të ndryshme. I gjithë sistemi mbikëqyret në nivel të qendërzuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, duke u kontrolluar nga oficerët e policisë, fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës e më pas edhe në drejtoritë e qarqeve të tjera. Sistemi do të shtrihet gjeografikisht pa limit, pra mund të zgjerohet duke mbuluar të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Duke u nisur nga rëndësia dhe nga popullsia e qytetit të Tiranës, gjithashtu shtrirja e qytetit dhe intensiteti i punës, është parë i domosdoshëm përdorimi i teknologjisë, si arma më e mirë për luftimin e krimit. Salla e parë operative e këtij sistemi, gjithashtu dhe më e madhja, që është në qytetin e Tiranës, do të monitorojë drejtpërsëdrejti çdo gjë që do fokusohet nga kamerat, të cilat do të jenë në punë online. Sistemi i kamerave do të monitorohet nga salla operative nga shërbime të Policisë, që do të jenë të pranishëm me tri turne, duke vëzhguar çdo zhvillim për 24 orë pa ndërprerje.

    19 kamera
    sigurie janë vendosur paraprakisht në disa prej kryqëzimeve dhe zonave më problematike të Tiranës. Ato kanë nisur nga puna 3 ditë më parë në formën e një testimi, në mënyrë që më pas të vendosen edhe kamerat e tjera të planifikuara nga Policia
    Në rrugë
    Qëllimi kryesor i vendosjes së kamerave në rrugët e Tiranës është siguria e qytetarëve në rrugë, siguria e shkollave dhe e bizneseve. Duke prezantuar projektin, rreth një vit më parë, ish-ministri i Brendshëm, kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha se sistemi do të mbulojë me vëzhgim pa ndërprerje në çdo kryqëzim, pranë çdo shkolle, qendre tregtare, banke dhe pranë çdo institucioni publik e kulturor.

    Sistemi
    Kamerat e sigurisë nëpër disa rrugë e kryqëzime të Tiranës janë parë prej disa javësh të vendosura, kryesisht nëpër shtyllat e ndriçimit. Por implementimi i tyre nisi më 13 janar të këtij viti, kur 19 kamerat e para të vendosura u vunë në punë dhe nisën të filmojnë, duke u vëzhguar nga specialistë të Policisë, nga një sallë monitorimi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
    Policia, mbikëqyrje pranë zyrtarëve shtetërorë e bizneseve
    Projekti, 240 kamera do të vëzhgojnë Tiranën
    Zbulohen rrugët e kryqëzimet ku u vendosën 19 të parat

    Monitorët e instaluar në sallën e policisë rrugore
    TIRANE – Kamerat e para të sigurisë, që tashmë janë vendosur dhe kanë filluar të monitorojnë trafikun rrugor dhe krimin, janë pozicionuar në disa kryqëzime dhe zona problematike të Tiranës. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, janë përzgjedhur disa pika kyçe në kryeqytet, ku janë vendosur 19 kamerat e para, të cilat janë ende në fazë prove para se i gjithë sistemi të futet në funksionim. Në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit janë vendosur 3 kamera në drejtime të ndryshme. Po kaq kamera janë vendosur edhe tek ura e madhe e Lanës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjithashtu edhe në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, tek sheshi “Rilindja”, në Rrugën e Durrësit, si dhe në zonën e “Ali Demit” dhe ish-Parkut të Autobusëve, që njihen si zona problematike. Pas implementimit të kamerave të para, në të gjithë territorin e Tiranës do të vendosen rreth 240 kamera sigurie, të cilat do të monitorohen online nga salla e vëzhgimit, që është në përfundim në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Kamerat survejuese do të vendosen kryesisht në kryqëzime, pranë shkollave, bizneseve, bankave, institucioneve dhe qendrave kulturore. Ndërsa në zona që njihen në kryeqytet me tendencë kriminaliteti, kryesisht vjedhjesh, por edhe për ngjarje më të rënda kriminale, kamerat do të vendosen në vende jo shumë të dukshme, me qëllim që qytetarët të mos kenë mundësi t’i shohin dhe t’u shmangen. Fondi për blerjen e pajisjeve të nevojshme dhe instalimin e sistemit që do të realizojë survejimin e ambienteve publike në kryeqytet, u akordua në fillim të vitit të kaluar nga qeveria. Policia e Shtetit nisi punën për vënien në jetë të projektit, duke instaluar kamerat mbi bazën e një studimi të imtësishëm të situatës kriminale në kryeqytet. Në bazë të “hartës” së krimit, u përcaktuan pikat kyçe, ku në ditët në vazhdim do të vendosen 240 kamerat që do monitorojnë kriminalitetin 24 orë në 24 gjatë shtatë ditëve të javës.

    Grabitjet e bankave: Cilësia e kamerave, pengesë për hetimin
    Grabitja e bankave dhe e pikave të këmbimit valutor përbën një nga krimet shqetësuese në kryeqytet. Dëmi ekonomik, por edhe rrezikshmëria që krime të tilla paraqesin, janë bërë shkak për investimin e madh të policisë në parandalimin dhe hetimin e ngjarjeve të kësaj natyre. Mirëpo, jo gjithnjë faktorët e një hetimi varen nga policia. Kështu, në rastet e grabitjeve të bankave, pengesë kanë qenë cilësia e imazheve filmike. Pas grabitjes, policia ka marrë kasetat e kamerave dhe ka parë regjistrimet, duke arritur të shohë edhe veprimet e kryera nga grabitësit. Por, kur ka ardhur momenti i fiksimit të tyre dhe zmadhimit të figurës me qëllim identifikimin e të dyshuarve, hetimi ka dështuar. Cilësia e regjistrimeve ka qenë e dobët dhe zmadhimi i ka shformuar fotografitë, duke humbur elementët e tiparit të grabitësve. Për këtë shkak, policia vendosi të krijojë një sistem të vetin me kamera vëzhgimi, të cilat do të kenë një cilësi të lartë identifikuese, pasi janë krijuar dhe funksionojnë për këtë qëllim. Imazhet e kamerave të vëzhgimit nuk shërbejnë vetëm për rastet e grabitjeve, por edhe për krime të tjera. Në afërsi të institucioneve private apo shtetërore, shpeshherë kanë ndodhur ngjarje të rënda kriminale. Policia i ka marrë imazhet dhe i ka analizuar, por në shumicën e rasteve kamerat nuk kanë qenë të fokusuara në mënyrë të tillë që të kapin skenën e ngjarjes, ndërsa në raste të tjera imazhet e regjistruara kanë qenë të një cilësie të dobët, që nuk kanë arritur të ndihmojë identifikimin e autorëve të ngjarjes. Sistemi i ri i kamerave të Policisë do të shërbejë edhe për monitorimin e situatës kriminale në kohë reale e po ashtu edhe për dokumentimin e identifikimin e veprimtarisë kriminale.


    Sistemi do të dokumentojë kundërvajtjet rrugore
    Tiranë, 3 milionë lekë gjoba pas hyrjes në fuqi të Kodit të ri Rrugor


    Kamerat e sigurisë të vendosura në rrugët e Tiranës i vijnë në ndihmë së pari Policisë Rrugore me anë të filmimit dhe dokumentimit të kundërvajtësve. Sistemi nuk shfrytëzohet vetëm prej Policisë Kriminale për zbardhjen dhe parandalimin e krimeve, por edhe nga rrugorët për identifikimin e makinave me anë të targave dhe “bindjen” e shoferëve, në rastet kur pretendojnë se nuk kanë kryer shkelje. Të vendosura në disa kryqëzime kryesore të kryeqytetit, aty ku ka fluks të madh të lëvizjes së automjeteve, pranë shtyllave të semaforëve, kamerat janë një domosdoshmëri edhe për Policinë Rrugore. Çdo shkelje e Kodit Rrugor nga ana e drejtuesve të mjeteve tashmë monitorohet nga kamerat e sigurisë dhe nga shërbimet që vëzhgojnë online filmimet e tyre, informacioni i kalon Policisë Rrugore për mjetin që ka kryer shkeljen dhe në këtë mënyrë asgjë nuk kalon pa u zbuluar. Ky fakt u bë i ditur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, gjatë një takimi me median një ditë para hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Rrugor. Gjobat e dyfishuara për drejtuesit, që shkelin disa nga nenet e ndryshuara, ka rezultuar pozitiv për territorin e kryeqytetit. Të paktën për tri ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Rrugor, në Tiranë ka ndodhur vetëm një aksident automobilistik, ku është dëmtuar lehtë vetë drejtuesi i mjetit dhe ka rezultuar pa pasoja të rënda. Një ditë para hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Rrugor, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, hartoi një plan masash, të cilin e prezantoi për mediat, por në një mbledhje të veçantë edhe me drejtuesit e Policisë Rrugore. Gjatë tri ditëve që ky plan u vu në zbatim, rezulton të jenë vendosur rreth 2200 gjoba, me vlerë totale rreth 3 milionë lekë të rinj. Gjithashtu janë bllokuar për mungesë dokumentacioni 22 automjete, janë pezulluar 18 leje drejtimi dhe janë postuar me karrotrec 74 automjete për parkim të gabuar. Ndërsa në gjithë territorin e Tiranës, që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve të Kodit Rrugor, kanë ndodhur rreth 30 përplasje mjetesh, vetëm me dëme materiale. Nisur nga këto statistika, gjithnjë në zbritje, duket se drejtuesit e mjeteve janë ndërgjegjësuar dhe tregohen më të kujdesshëm gjatë lëvizjes në rrugë. Sipas burimeve nga Policia, kujdesi i drejtuesve të mjeteve është i dukshëm që nga përdorimi i rripit të sigurimit, kaskave mbrojtëse dhe shpejtësi brenda normave të lejuara, me përjashtim të disa rasteve për të cilat janë ndëshkuar me dyfishin e gjobës, siç parashikohet tashmë nga Kodi Rrugor.

    3 milione
    lekë të rinj është vlera e gjobave të vendosura nga shërbimet e Njësisë së Policisë Rrugore të Tiranës, gjatë 3 ditëve pas hyrjes në fuqi të Kodit të ri Rrugor me gjoba të dyfishuara

    Kodi Rrugor
    Grupi i punës që u mor me projektin për ndryshimin e disa neneve, evidentoi si domosdoshmëri amendimet në Kodin Rrugor të disa neneve, kryesisht kreun e normave të sjelljes që kanë sjellë dhe pasojat më të rënda për jetën dhe sigurinë rrugore, dhe konkretisht: përdorimi i pijeve alkoolike, mosvendosja e rripit të sigurimit, mosvendosja e kaskës mbrojtëse, parakalimi i gabuar, drejtimi i mjetit pa leje drejtimi, shpejtësia tej normave të lejuara etj. Gjithashtu Kodi i ri Rrugor parashikon që në rast se gjoba e vendosur ndaj një drejtuesi mjeti për shkelje të ndryshme gjatë qarkullimit paguhet brenda një afati 5-ditor, atëherë automatikisht zbritet 20 për qind e vlerës së saj.

    ETLEVA DELIA

    Panorama

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •