Pranga 60-vjeçarit, shiti vajzën 6000 euro
FIER - Arrestohet 60 vjecari Adil Aliaj banorë i qytetit të Elbasanit i cili në muajin shkurt të vitit 2002 i ka shitur një trafikanti të qënieve njerëzore vajzën e tij. Çmimi që ai i kishte vënë së bijës mësohet se ka qenë 6000 euro. Diten e djeshme blutë e Drejtorisë së Policisë Qarkut të Fier kanë udhëtuar drejt Elbasanit për të prangosur një prind i cili me vetëdije të plotë ka shitur vajzën e vetë te një trafikant i mishit të bardhë. Në kohën kur ka ndodhur ngjarja familja Alia vazhdonte që të banonte në një shtëpi me qera në rrethin e Fierit. Burimet policore pohojnë se vajza para afro një viti ka përfunduar në trotuaret e Parisit në Francë, duke punuar si prostitutë pas “bekimit” që i kishte dhënë i ati duke i vënë dhe çmimin “e lartë”. Pasi ka punuar për disa muaj, vajza, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur për median, është kapur nga policia franceze sepse ka qënë pa leje qëndrimi dhe është kthyer në atdheun e saj nëpërmjet linjës ajrore në aeroportin "Nënë Tereza" të Rinasit. Menjëherë pasi ka shkelur në tokën shqiptare vajza e shitur është shoqëruar në komisariatin e policisë së Fierit. Përballë bluve të këtij komisariati ajo ka rrëfyer gjithë “aventuren” e saj. Sipas burimeve policore të gazetës Shekulli, ajo u ka treguar punonjësve të policisë së Zyrës së Antitrafikut sesi kishte përfunduar prostitutë pasi ishte shitur nga babai i saj për 6000 Euro. Menjëherë pas kësaj policia ka filluar punën për të kapur të atin dhe “pronarin” e parë të vajzës. Po burime policore kanë saktësuar se pas kapjes së 60-vjeçarit Adil Alia, po punohet për të kapur dhe trafikantin, të cilit për arsye se po ndiqet nga policia nuk i bëhet publik emri. Gjithsesi burimet policore nga komisariati i Fierit kanë deklaruar se trafikanti është identifikuar dhe është një djalë nga qyteti i Fierit. Këtë mësohet se e ka pohuar edhe babai i vajzës i cili që dje në mbrëmje është në dhomat e izolimit të Drejtorisë së Policisë fierake.
Vladimir Mucaj
Krijoni Kontakt