Analiza e frymës për diagnostikimin e kancerit në mushkëri

Kanceri i mushkërive merr çdo vit 1 milionë e 500 mijë jetë njerëzish. Por, një grup shkencëtarësh në Klinikën Cleveland dhe Universitetin e Illinoit është duke punuar për të zhvilluar një analizë të re për diagnostikim dhe trajtim më të shpejtë dhe të lehtë të sëmundjes.

Nëse diagnostikimi i kancerit të mushkërive do të ishte i lehtë si fryma, kjo së shpejti mund të bëhet realitet. Aparati analizon frymën e një personi dhe identifikon përbërjen e saktë të substancave organike në të.
Peter Mazzone i Kinikës së Klevelandit thotë; "Ne të gjithë kemi kimikate në frymën tonë dhe kimikatet në frymën e njerëzve me kancer janë pak më të ndryshme se ato pa kancer." Dr Peter Mazzone udhëheq studimin duke përdorur analizat e frymës për të diagnostikuar kancerin e mushkërive. Ai dhe ekipi i tij kanë analizuar frymën e 229 pacientëve. 92 prej tyre u diagnostikuan me kancer të mushkërive dhe të tjerët kishin rrezik të lartë për t'u prekur prej tij.

"Analiza e frymës mund të jetë në shkallë saktësie 80-85% në zbulimin e kancerit të mushkërive. Ne ishim pak më të saktë kur kërkuam për një tip shumë të veçantë të kancerit të mushkërive dhe ishim në gjendje për të karakterizuar kancerin e mushkërive që ishte në një fazë të avancuar kundrejt një faze të hershme. " Dr Mazzone thotë se analiza e frymës tregon gjithashtu ecurinë e kancerit. Për shembull, studimi tregon se kanceri i mushkërive që është më agresiv, ka një bio-shenjë të ndryshme sesa kancere e tjerë.
Por nevojiten prova të tjera para se analiza e frymës të kryehet gjerësisht.
"Pajisja duhet përmirësuar në mënyrë që analiza të jetë më e sakte sesa 85 përqind dhe të jetë klinikisht më e dobishme"

Në këtë pikë zhvillimi, analiza mund të përdoret gjatë kontrollit të rregullt shëndetësor për zbulimin e hershëm të sëmundjes. Analiza e frymës është e thjeshtë dhe më pak e kushtueshme sesa analizat e tjera si biopsia dhe skanimi që kryehen në raste të tilla.

Ekspertët po ashtu shpresojnë se analiza e frymës, kur plotësohet nga një skanim CAT, mund të ndihmojë mjekët të bëjnë dallimin mes tumoreve beninje dhe malinje, në mënyrë që trajtimi mund të fillojë herët.

Astrit Lulushi - VOA

http://www.voanews.com/albanian/news...136744908.html