PS, dorëhiqet Rudina Seseri, Pandeli Majko, post në OKB, përjashtohet Kastriot Islami
Tre ndryshime të rëndësishme janë diskutuar sot në mbledhjen e kryesisë së PS. Eshtë njoftuar dorëheqja e deputetes Rudina Seseri, largimi nga Shqipëria i Pandeli Majkos dhe përjashtimi nga grupi socialist i Kastriot Islamit.
Deputetja Seseri e qarkut Durrës në një letër dërguar kryetarit Edi Rama, shkruan se jep dorëheqjen për arsye personale. “Rishtazi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale, të cilat e bëjnë të pamundur të përmbush përgjegjësinë e detyrës së deputetit në vazhdimësi” – shkruan ajo. Burime të Shekullit, bëjnë të ditur se tërheqja e Seserit ka të bëj me përfshirjen e saj në një projekt të madh menaxhimi fondesh në SHBA ku Seseri jeton prej vitesh. Sipas ketyre burimeve zonjes Seseri i eshte ofruar drejtimi i përgjithshëm në menaxhimin e një fondi disa miliardë dollarësh.
Edhe Pandeli Majko i drejtohet SHBA-së. Ai ka vendosur t’i japë fund karrierës politike në Shqiperi për të nisur një karrierë të re në organizmat ndërkombëtarë. Ai ka konkurruar në një vend pune në kupolën e Kombeve të Bashkuara për postin e zv/sekretarit të Ban Ki Mun (Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së). Lajmin e ka bere te ditur vetë Majko për kolegët e tij të kryesisë së PS-së në mbledhjen e sotme. Ai e ka nisur rrëfimin e tij duke justifikuar fillimisht për kolegët mungesën e tij në votimin e Asamblesë Kombëtare më 3 dhjetor. Ai tha se kishte folur me kryetarin e partisë dhe kryetarin e Asamblesë, Ruçi dhe bëri të ditur se ato ditë ishte në Amerikë për të dhënë intervistën në OKB, ku ka kandiduar për Zëvendëssekretar për Evropën Juglindore, Rusinë dhe Kaukazin. Majko është dy herë kryeministër dhe një herë kandidat për kryetar i PS. Mësohet se Edi Rama e ka vlerësuar lart karrierën e Majkos dhe ka thënë se nëse ai do të marrë këtë detyrë kjo do jetë një nder jo vetëm për PS-në, por për Shqipërinë.
Ndërkohë, në mbledhjen e sotme të kryesisë selia rozë bëri të ditur se deputeti Kastriot Islami do përjashtohet nga grupi socialist. Në një deklaratë Kastriot Islami e krahasoi veten me ish-kryeministrin Mehmet Shehu.
Gjithashtu, kryesia e PS ka dhënë sot mbështetje unanime për kandidaturen e Igli Totozanit, per Avokatin e Popullit, kandidature e cila të martën do kalojë në grupin socialist dhe të enjten pritet të votohet në Parlament.
shekulli
Krijoni Kontakt