Falsifikimi i rolit të Enver Hoxhës në Konferencën e Pezës
16-09-2011 / Nga Kostaq Xoxa
Me rastin e 69-vjetorit - Historia tragjike e nacionalçlirimtarëve të Pezës

Pikërisht një vit më parë, në “55-n” botohet shkrimi redaksional „Edi Rama përkujtoi përvjetorin e marrëdhënies së tij me Dash Pezën“. Citojmë nga ky artikull: “Në përkujtim të kësaj date Edi Rama po mundohet ta shndërrojë në traditë, édhe pse këtë vit pjesëmarrësit ishim përpjekur vetë për të siguruar „aksesorët“ e tipit „drogë“ dhe “alkool””. Dhe më tej: “E. Rama nuk mund të mos kujdeset që të evokojë këtë datë, simbolikën e së cilës shumica absolute e pjesëmarrësve në festën-orgjí, nuk e dinë“.

Në ditët e sotme shqiptari kërkon të dijë nëse do të vazhdojnë ovacionet për diktatorin E. Hoxha në Pezë, kur dashamirët e komunitetit europian po bëjnë çmos që të krijojnë bashkëpunimin e detyrueshëm ndërmjet partive për jetësimin e kritereve për anëtarësimin në BE. Nëse këtë vit, me nismën aktive të Edvinit nuk do të vazhdojë rutina e gjertanishme, atëherë ER-ja i “Refleksioneve” do të dalë i zbuluar sërish në hipokrizinë e tij patologjike. Sepse personalitetet e BE-së natyrisht që e kanë jashtë kritereve, atë të stimulimit të mendësisë enveriste në vendin tonë, pavarësisht që dyzimi i karakterit të dyshimtë të kryeopozitarit tonë bie në kundërthënie flagrante me bashkësinë e vendeve ku synojmë të aderojmë. Sepse nuk ekziston asnjë prej këtyre vendeve, partitë e majta të të cilave t’u thurin lavde dhe t’u bëjnë ditirambe diktaturave që lamë pas dhe diktatorëve të tyre.

Me komplicitet të Ramës, enverizmi te ne është i pranishëm për turp e për faqe të zezë, ndërsa të majtat europiane e mohuan prerazi Stalinin 55 vite më parë. Nuk mund të vihet në dyshim se Enveri në Shqipëri ishte si Stalini në BS, për terrorizmin masiv dhe për mungesën absolute të lirisë së qytetarëve.

Po rikujtoj atë simbolikën e 16 shtatorit që qytetarët ende s’e kanë të qartë. A është e vërtetë se Enver Hoxha ka qenë sekondar në këtë konferencë? Kjo pyetje ka lidhje me atë prirjen që diktatorin tonë nostalgjikët e sëmurë ta kenë primar në çdo ngjarje historike.

Por ja ç’thotë vetë Enveri kur i kundërvihet Miladinit, të cilin e kishte perëndi, para se ky të zëvendësohej nga emisari tjetër jugosllav, Velimir Stojniçi. Tanimë, kur i ranë puplat Miladin Popoviçit, mundet që edhe Enveri të thoshte ca të vërteta kundër Miladinit në largim e sipër: “Miladini (për Konferencën e Pezës) më vuri në rolin e pllakës së gramafonit (...) Unë isha në Tiranë. Ai ishte në Pezë. Mora një letër, një pusullë, ku më thoshte që të lajmëroja filanin e filanin se do të bënim konferencë.

Kur shkova në Pezë, qenë përgatitur referatet. Unë dola që të lexoja referatin (e parapërgatitur – shën,)”. Autori Luan Dode, në kapitullin “Nën kontrollin e emisarëve të Titos”, në referencën e tij jep burimin e pasazhit të sapocituar: “Hoxha, Raport në Plen. e Beratit, f. 16 dhe f. 154”.

Por A. Qatipi, kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, në një shkrim të tijin, e vë E. Hoxhën në krye të listës: “Delegacioni i PKSH-së, - shkruan ai, - përbëhej nga Enver Hoxha, Ramadan Çitaku, Koço Tashko, Mustafa Gjinishi, Nako Spiru...(Renditja është respektuar sipas autorit).
Tani u dashka besuar artikullshkruesi, me emrin e Enverit në krye të listës, apo vetë Enveri që e quan veten pllakë gramafoni, që i merrte urdhrat me pusullë (nga një i huaj, - shën.) dhe që lexon referatin e përgatitur nga tjetërkush?

Në këtë listë, me Enverin në krye të saj (!), tre të parët pas tij, sidomos i dyti dhe i treti, janë persekutuar nga E. Hoxha, kur ky u bë i plotfuqishëm më vonë. (Edhe sot, gjatë atyre orgjive për të cilat u fol, - me miturake që shijonin për herë të parë drogën dhe me veteranë, të bërë rrumbull para gotave të rakisë – këndohet me një kakofoni zërash “Enver Hoxha e mprehu shpatën...”). I katërti, Mustafa Gjinishi, u vra prapa krahësh me urdhër të Miladinit dhe me firmë të Enverit. Tafa u varros me nderime të mëdha në varrezat e dëshmorëve. Por nuk kaloi shumë kohë që të zhvarrosej dhe të shpallej armik! Nako Spiru u detyrua të vrasë veten, nëse nuk e kanë vrarë – siç flitet, - se enigmat komuniste s’kanë të sosur. Kjo është historia tragjike e nacionalçlirimtarëve të Pezës.

Sa për nacionalistët, ata u shpallën si armiq, se janë mish i huaj për monizmin Ata ishin për pluralizmin. Dhe dihet që pluralizmi është përbuzur në 1000 shkrime nga Enver Hoxha. Pluralizmi është cilësuar nga diktatori, madjé, si ndër të këqijat e mëdha të kapitalizmit. Mbase këtu e ka zanafillën ai entuziazmi i Edvinit për rrugën e vetme, që përkthehet rruga moniste, e cila dihet ku e çoi pjellësin e kësaj rruge, si edhe ithtarët ekstremistë të këtij monizmi të ri!
G 55