5200 euro për gardërobën e KryeministrisëLavdim Hamidi | 02-09-2011 07:57 CET
Për t’u dukur bukur para kamerave televizive dhe në takimet me zyrtarë ndërkombëtarë e vendorë, kryeministria është kujdesur t’ia bëjë zgjidhjen për garderobën stafit të vet.
Për t’i furnizuar me garderobë 8- 10 persona, kryesisht truproja dhe shoferë të kryeministrit, është lidhur kontratë me butikun “London Fashion” në Prishtinë.
Kontrata e nënshkruar në fund të muajit qershor të këtij viti kap vlerën prej rreth 5200 eurosh, përderisa procedura e kontratës është zgjedhur me kuotim çmimesh.
Në këtë butik që furnizohet stafi i kryeministrisë, çmimi i kompleteve sillet prej 110-150
euro, mirëpo aty nuk blen gardërobë kryeministri Hashim Thaçi e as zëvendësit e tij.
Fahri Sylejmani, pronar i këtij butiku, thotë për “Zërin” se gardëroba me të cilën furnizohet stafi i kryeministrisë nuk është shumë e shtrenjtë, prandaj është përzgjedhur që ta furnizojë kryeministrinë.
“Edhe me gardërobën më të lirë ata duken mirë. Është shumë me rëndësi të duken mirë, sepse ata e prezantojnë Kosovën, në takimet që i zhvillojnë me kryeministrin jashtë vendit”, shprehet Sylejmani.
Sipas tij, me gardërobë te butiku i tij furnizohen 8-10 veta, kryesisht shoferët dhe rojet e
kryeministrit, ndërsa çmimi i kompleteve sillet prej 110 deri në 150 euro.
Pavarësisht se emri i butikut është “London”, Sylejmani thotë se me gardërobë furnizohet nga Qipro, Turqia, e jo nga Anglia.
“Më herët kam blerë mall në Angli, mirëpo tash nuk kam mundësi, sepse janë shumë të shtrenjta. Unë furnizohem kryesisht me gardëroba nga Qipro, Turqia etj”, sqaron ai.
Sylejmani pohon se pavarësisht se çmimet nuk janë shumë të larta, gardëroba të cilën ua
shet stafit kryeministror është shumë cilësore dhe për këtë shkak e ka zgjedhur butikun “London Fashion”.
“Mallin që e shes është me çmime të tregut dhe shumë kualitativ”, potencon ai.
Nuk blen Thaçi
Përkundër deklaratave të pronarit të butikut “London Fashion” se gardëroba që e furnizon stafin e kryeministrisë është cilësore dhe e lirë, kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat furnizohen në butiqet më të shtrenjta, të cilët shesin gardërobë të markave të
njohura botërore.
Sipas kontratës së nënshkruar nga kryeministria për furnizim me gardërobë, numri i tenderëve të pranuar ka qenë 3, kurse vlera më e lartë ka qenë 5935 euro.
http://www.zeri.info/artikulli/2/8/3...ryeministrise/
Krijoni Kontakt