Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi dje gjatë një interviste për radion “Dojçe Velle” se, “nëse Kolegji do të vulosë në fund, uroj jo, fitoren e paqenë të humbësit të zgjedhjeve të Tiranës, duke mbyllur sytë para provave ulëritëse të shifrave të manipulimit të zgjedhjeve në tavolinën e KQZ-së, kjo do të jetë një barrë e rëndë me pasoja për vendin”. Ai mohoi mungesën e lirisë brenda PS-së. I pyetur për mandatin e deputetit Ilir Beqaj, Rama tha se kjo çështje do të dërgohet në Gjykatën e Strasburgut.

Në një kohë që PS-së po i mbarojnë rrugët ligjore për të mbajtur Bashkinë e Tiranës dhe sipas saj, për të respektuar vullnetin e dalë nga kutitë më 8 maj, cili është hapi i radhës, në rast se Kolegji Zgjedhor do të japë një vendim negativ?

Hapat tanë janë paralajmëruar. Do të jenë hapat e natyrshëm të një force të madhe politike e qytetare në rrugën e ndryshimit që Shqipëria pret. Zgjedhjet e 8 majit i fituam si një rezistencë e fortë opozitare, zgjedhjet e përgjithshme do t’i fitojmë si një alternativë e fortë qeverisëse. Nëse Kolegji do të vulosë në fund, uroj jo, fitoren e paqenë të humbësit të zgjedhjeve të Tiranës, duke mbyllur sytë para provave ulëritëse të shifrave të manipulimit të zgjedhjeve në tavolinën e KQZ-së, kjo do të jetë një barrë e rëndë me pasoja për vendin - pa diskutim, këtu edhe për gjykatësit ligjshkelës dhe për vetë Saliun (Sali Berisha) e për pushtetin e tij të vjedhur.

Para pak ditësh, një nga figurat që ka mbajtur funksione kyçe si partiake, ashtu edhe administrative në 20 vitet e fundit, Kastriot Islami, thotë në një intervistë publike se PS-ja i ka humbur zgjedhjet e fundit duke marrë në rang vendi 140 vota më pak, duke humbur këshillin bashkiak në Tiranë apo edhe dy bashki në rang qarku. Nuk dua të hyj në këto shifra apo analiza, por më e rëndësishme është të di se pse zoti Islami nuk i bën këto konkluzione në forumet e PS-së, por në publik? Ai pretendon se një gjë e tillë nuk është e mundur, pasi në PS mungon fryma e fjalës së lirë dhe ju akuzon se ju nuk i dëgjoni këto zëra. Si do t’u përgjigjeshit këtyre akuzave?

Fakti që çdokush ka folur me vite gjithë ç’ka dashur, nganjëherë duke i rënë ndesh haptazi interesave të publikut e të opozitës, madje në rastin që ju pyesni, duke shkelur çdo normë etike të përfaqësimit pa i hyrë gjemb në këmbë, nuk flet për mungesë lirie në familjen tonë politike, por përkundrazi, për një mungesë të kulturës së përfaqësimit e të organizimit, e cila duhet adresuar domosdoshmërisht me një përgjegjësi të lartë morale e politike nga Partia Socialiste. Jo për të kufizuar lirinë, po për të mos e penguar lirinë të punojë për interesat që përfaqëson e mbron partia më e madhe e shqiptarëve.

PS nuk ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja. A do të thotë kjo se vendimi është thjesht e drejtë e vënë në vend, për shkak të ndonjë abuzimi të deputetit me postin e tij?

Ky është një spekulim që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën e me vërtetësinë e plotë të dëshmisë së Ilir Beqajt, i cili ka qenë dhe mbetet jo vetëm i pafajshëm për çka është akuzuar e ndëshkuar padrejtësisht, po edhe si një njeri i nderuar dhe i respektuar, që do të rikthehet në detyrën e deputetit me votat e shqiptarëve. Ndërkohë që çështjen në fjalë ne do ta çojmë në Gjykatën e Strasburgut, ku jemi të bindur se do të marrim gjykimin e drejtë e të pavarur, që edhe në këtë rast mungoi në Shqipëri.

Socialistët kanë nisur punën edhe për zgjedhjen e strukturave të reja, si dhe nisjen e fushatës zgjedhore brenda partisë. Çfarë të rejash do të sjellë kjo fushatë dhe, a do të ketë vend për “ndëshkime” për zërat kundër brenda PS-së? Cila është receta për ta shëruar selinë rozë nga lufta e brendshme destruktive?

Në PS nuk ka asnjë luftë të brendshme destruktive, debatet tona për të rënë në një mendje duke shprehur pikëpamje të ndryshme janë pjesë e bashkëjetesës sonë demokratike, ashtu siç janë edhe proceset demokratike zgjedhore që ne zhvillojmë brenda partisë në bazë të normave të votuara statutore. Ne u referohemi sistematikisht partive të mëdha demokratike të botës së lirë, duke ndryshuar me kohën që ndryshon në një botë gjithnjë e më të vogël, sepse jemi përditë e më të lidhur përmes teknologjisë së re. Demokracia është proces dhe në rrugën e konsolidimit të saj ka natyrshëm probleme, që duhen adresuar me kurajë e aftësi, ka gjithnjë mësime, që duhen nxjerrë e ndryshime që duhen bërë. Ne do t’i nxjerrim gjithë mësimet e duhura, duke bërë ndryshimet që na duhen për t’i dhënë lirisë sonë vlera dhe për të rritur impaktin e këtyre vlerave në kulturën e bashkëjetesës.

Siç del nga një matematikë e thjeshtë, koalicioni rreth PS-së do të ishte në pushtet tashmë pas zgjedhjeve të 2009-ës, por edhe do të fitonte lehtësisht Tiranën nëse do të kishte në koalicion LSI-në. Cilat janë barrierat politike që e bëjnë një koalicion me LSI-në kaq të vështirë kur bëhet fjalë për dy parti të majta?

Më 8 maj ne fituam shumë më tepër sesa katër vjet më parë, kur e kishim atë parti në koalicion. Edhe në Tiranë ne fituam pavarësisht stërfuqisë abuzive që na u vu përballë, me forcën e shtetit të kapur prej pushtetit e me lumin e parasë së pistë që u derdh si asnjëherë më parë në një fushatë elektorale shqiptare. E njëjta gjë mund të thuhet sot edhe në dritën e manipulimit flagrant të zgjedhjeve të Tiranës, për zgjedhjet e 2009-ës, të cilat i fituam me votën e qytetarëve dhe i humbëm me vjedhjet e Saliut. Për të fituar zgjedhjet e ardhshme neve nuk na duhen aleanca me forcat e politikës së vjetër që mbajnë peng Shqipërinë, por na duhen zgjedhje të lira e të ndershme dhe një aleancë e madhe për të ardhmen me çdo shqiptar që do ndryshimin real të Shqipërisë. Matematika “e thjeshtë”, sidomos ajo e shifrave të zgjedhjeve për këshillat bashkiakë e komunalë, është thjesht një instrument i gabuar për të kuptuar raportet e forcave në Shqipëri dhe për të bërë një politikë ndryshimesh rrënjësore si ajo që ne duam të bëjmë për Shqipërinë.

PS ka paralajmëruar rikthimin në seancat plenare të Kuvendit në shtator. Do të thotë kjo se tashmë PS-ja do t’i përgjigjet detyrimit të përfaqësimit në parlament, apo bëhet vetëm si një përgjigje ndaj ultimatumeve të Brukselit?

Jemi shpjeguar qartë për këtë. Dy vitet që pasuan vjedhjen e zgjedhjeve të 2009-ës mbaruan me një fitore të madhe në zgjedhjet e 8 majit. Bashkë me to mbaroi edhe një kurs politik i orientuar nga domosdoshmëria e një aksioni të mirëfilltë rezistence opozitare. Ka filluar një fazë tjetër dhe po ndërtojmë një kurs të ri, kursin e alternativës sonë qeverisëse.

GSH