Një biznesmen dhe novator shqiptaro-amerikan në Miçigan

Ilir Ikonomi | Miçigan


Një biznesmen shqiptar në Miçigan thotë se i është dashur të punojë shumë për të realizuar ëndrrën e tij amerikane. Simon Palushi - një inxhinjer nga Trieshi i Malsisë, ka krijuar një numër produktesh të reja që shiten me sukses në Shtetet e Bashkuara dhe në botë. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në shtëpinë dhe në zyrat e zotit Palushi për të biseduar dhe për t’u njohur me novacionet e tij. Simon Palushi të befason me pasionin me të cilin flet për produktin e tij të ri.

"Produkti ynë më i ri dhe më i mirë quhet DiamaBrush, i cili po e revolucionarizon industrinë e mirëmbajtjes së dyshemeve prej materiali inert. Eshtë një lloj furçe e pajisur me diamantë, me të cilën mund të pastrosh sipërfaqe të ngurta që më parë nuk pastroheshin dot. Produkti u shkon rrjeteve të mëdha të shitjes me pakicë në të gjithë Amerikën, si Home Depot, Costco dhe Walmart.

Simoni na tregon se firma e tij Epoxi-pro, ka një patentë për këtë abraziv që ua zgjat jetën sipërfaqeve prej çimentoje duke i bërë të shkëlqejnë si granit. Eshtë një produkt që, sipas Simonit, mund të sjellë fitime prej miliona dollarësh.

Me produktin e ri, ne mund ta përpunojmë një sipërfaqe çimentoje tepër të vjetër dhe me njolla, duke e shndrruar atë në një sipërfaqe po aq të shkëlqyeshme sikur të ishte në Taxh Mahal, pra që të ndriçojë dhe të duket si granit. Një punë që do të kërkonte për shembull 10 orë, ne mund ta bëjmë për 10 minuta me teknologjinë e re".

Simoni erdhi në Shtetet e Bashkuara nga fshati Triesh i Malsisë kur ishte vetëm tetë vjeç.

Një nga gjërat më të rëndësishme është të kesh një edukim të mirë. Babai im, ashtu si edhe në rastin e emigrantëve të tjerë erdhi në ktë vend për një jetë më të mirë. Këtë ishin njerëz që kishin shumë energji dhe erdhën këtu me një mision. Dhe kjo ishte një nxitje për njerëz si unë që të përmirësonin vetveten dhe të realizonin diçka.

Prej vitesh ai punon për krijimin e produkteve të reja, si abrazivët, bojrat dhe materialet plastike, të tilla që nuk njihen në tregun amerikan. Klientët e tij janë kryesisht kompani të mëdha, ato që bëjnë pjesë në grupin e të ashtuquajturit Fortune 500. Simoni e nisi gjithçka me një ëndërr.

Çdo njeri ka ëndrra. Por është fakt se në botën e sotme nuk mund të kesh një ëndërr dhe të zgjohesh mëngjesin tjetër me dëshirë të realizuar. Disa herë, këtë ëndërr duhet ta ushqesh me vite të tëra, sepse duhen vite për të krijuar një produkt të ri. Do të ketë ditë kur gjërat nuk shkojnë mirë… Njerëzit ndonjëherë humbasin besimin por ka rëndësi që të mos i ndahesh ëndrrës që ke.

Simoni është shumë i lidhur me komunitetin shqiptar të Miçiganit, ku jetojnë një numër i madh njerëzish të ardhur nga Malsia. Sepse ai mendon se rrënjët janë shumë të rëndësishme, janë identiteti i njeriut.

Kur arrin diçka dhe bëhesh pjestar produktiv i një komuniteti, kjo të bën të ndihesh mirë, sepse kështu ndihmon për krijimin e një atmosfere të mirë dhe i bën të tjerët krenarë.

Simoni nuk është njeriu që vetëm fiton, por një pjesë të fitimit e përdor për të ndihmuar të tjerët. Eshtë sidomos i angazhuar në çështjen e personave me paaftësi fizike.

Unë vetë kam një fëmijë me nevoja speciale prandaj jam shumë i ndjeshëm ndaj këtyre gjërave. Ndoshta ky është një faktor që më ka shtyrë të punoj më shumë.

Kur i përmend fshatin e lindjes, Simoni emocionohet.

Nuk e dija se çfarë më mungonte. Nëse do t’i jepja dikujt ndonjë këshillë, do t’i thosha: merri fëmijët dhe çoji të shikojnë vendlindjen. Unë isha 8 vjeç kur u largova. Tani i dërgoj fëmijët rregullisht atje dhe ata ndihen si në shtëpinë e tyre. Ne kemi në plan të ndërtojmë një shtëpi në Malësi. Disa njerëz kanë filluar ta quajnë atë pjesë të Ballkanit një Montekarlo e re. Eshtë një vend i bukur dhe njerëzit janë shumë më të relaksuar.

Nën shiun e dendur të Miçiganit, Simoni na fton të shikojmë fabrikën e tij në Madison Hights.

Nuk ka gjë më të gëzueshme se sa të krijosh një produkt dhe ta hedhësh krijesën tënde në treg. Hera e parë që unë e arrita këtë, ka qenë kur produkti im iu shit rrjetit Home Depot. Në atë kohë, Home Depot kishte vetëm 500 dyqane por ky ishte gjithsesi rrjeti më i madh në botë i shitjes së materialeve të ndërtimit.

Deri tani Simoni ka nxjerrë mbi dhjetë produke të reja.

Sot nuk mund të dalësh në treg me një produkt që thjesht zëvendëson një tjetër. Duhet të sjellësh diçka të re, të jesh në gjendje t’i tregosh konsumatorit se përse ai duhet ta blejë atë.

Lidhur me Shqipërinë, Simoni uron që ajo të ecë sa më shpejt në rrugën e zhvillimit por thotë se vendi ka nevojë të prodhojë.

Një vend nuk mund të shkojë shumë larg nëqoftëse është i orientuar drejt shërbimeve. Një vend ka nevojë të prodhojë. Shqipëria ka shumë lëndë të para. Ajo ka gjithashtu njerëz shumë të aftë. Shqiptarët janë shumë inteligjentë. Ata vijnë në këtë vend dhe brenda pak vitesh arrijnë të bëhen pjesë e klasës së mesme.

Por ai mendon gjithashtu se Shqipëria ka nevojë për më shumë politikanë të përgjegjshëm.

Çdo vend është si një familje. Nëqoftëse një kryetar i familjes nuk është i përgjegjshëm, familja nuk përparon. E njëjta gjë edhe me shtetin. Duhen zyrtarë të mirë që kujdesen për vendin dhe për popullin e tyre. Kur ke zyrtarë të tillë, kjo do të sillte ndryshimin e madh.

Zëri i Amerikës