ÇUDIA/ Të gjitha krimet e Berishës ndodhin… “1 herë në 100 vjet”
Nga Kledian Lula, kledianlula@yahoo.com

Në këto 20 vite nuk kam dëgjuar në asnjë rast që SALI BERISHA të pranoj dhe të jap përgjigje të sinqerta e konkrete pranuese për ndonjë gabim, skandal ose krim që ndodh në pushtetin e tij. “Tradita” e SALIUT është kjo: Ose hesht, ose anashkalon faktin, ose justifikohet me “pakujdesi të procesit”, ose mashtron publikisht, ose thotë “nuk di asgjë, sot po e dëgjoj”, ose i konsideron krimet “dukuri natyrore dhe çudira hyjnore, të cilat ndodhin rrallë në këtë botë”. Por, nëse i referohesh fakteve e autorëve të këtyre ngjarjeve, “çuditërisht” të gjitha ndodhin vetëm në pushtetin dhe politikën e SALI BERISHËS! Këto ditë, kam shfletuar disa shënime për ngjarje kryesore që kanë ndodhur në Shqipëri dhe kam konstatuar këtë çudi: Të gjitha krimet e pushtetit dhe politikës “SALI”,na është thënë se “nuk janë përgjegjësi e pushtetit, por janë fenomene, dukuri e rastësi që ndodhin përherë vetëm nga 1 herë në 100 vjet”. Po flasim konkretisht, sipas deklarimeve të bëra prej SALI BERISHËS dhe “përforcuesve” të tij politikanë e ministra.

Firmat piramidale: “Ndodhin 1 herë në 100 vjet”

SALI BERISHA: Kjo që ndodhi në Shqipëri me firmat piramidale është një katastrofë kombëtare në aspektin financiar të familjeve të shqiptarëve dhe në aspektin shoqëror konsiderohet humbje e koshiencës qytetare si komb. Kjo u ka ndodhur dhe kombeve të tjerë, por siç e dimë nga të dhënat që kemi, kjo është një dukuri, që ndodh 1 herë në 100 vjet. Edhe vetë lulëzimi i firmave piramidale nuk është proces qeverisës, por është një ç’ekuilibrim i pa vullnetshëm, që çdo shteti i ndodh 1 herë në 100 vjet.

TRITAN SHEHU: Kjo katastrofë që ndodhi ndaj vendit e mes shqiptarësh, nuk ishte thjesht një dramë kombëtare, por një dukuri shoqërore me zanafillë tek historia e formimit njerëzor e cila ka vërtetuar se vetë-shpërthime të tilla kundër vetes ndodhin 1 herë në 100 e 200 vjet në të gjithë popujt e vendeve në zhvillim.

RITVAN BODE: Kjo ishte një çmenduri popullore. Nuk ishte çështje humbjeje e lekëve të shqiptarëve në piramidat, por një humbje e kontrollit të logjikës qytetare, e daljes jashtë arsyes, fenomen ky që ndodh rrallë, me probabilitet të këtyre rasteve me shfaqje 1 herë, në 100 vjet.

GENC POLLO: Me sa e njoh unë historinë e popujve të 100 viteve të fundit, ky zemërim popullor me pasojë shkatërrimin e vetvetes, nuk cilësohet reagim logjik i komunitetit, por dukuri shoqërore që ndodh 1 herë në 100 vjet. Për këtë arsye, shqiptarët nuk mund të bënin përjashtim nga kjo dukuri njerëzore.

JOZEFINA TOPALLI: Puna e piramidave rentiere ka ndodhur edhe në Maqedoni, Bulgari, Rumani, Itali e deri në SHBA. Ndodhi edhe tek ne, por një gjë duhet mbajt parasysh e duhet ta dinë shqiptarët: Nuk ishte punë qeverie, por një fenomen njerëzor që ndodh 1 herë në 100 vjet.

Shpërthimi i Gërdecit: “Ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ju them sinqerisht, që unë nuk dija gjë fare për Gërdecin nëse ekzistonte ose jo si qendër demontimi municionesh. Por sa e mësova ngjarjen, u konsultova me ekspertët më të mirë të qeverisë time e ata të vendeve fqinje dhe ata më thanë se është një moment teknik i paparashikueshëm, që ndodh 1 herë në 100 vjet. Sipas të dhënave, kjo ka ndodhur dhe në disa vende të tjera me teknikë e ushtri të avancuar, por që ciklin e rastësisë për t’u përsëritur e ka 1 herë, në çdo 100 vjet.

FATMIR MEDIU: Gjeneralët ushtarakë të NATO dhe ekspertët e fushës së demontimeve me të cilët kam kontaktuar, konfirmojnë se shpërthime të tilla të municioneve vijnë prej krijimit të temperaturës konservuese të trupave të lëndëve municion. Këto kanë ndodhur dhe në bazat demontuese e bazat stërvitore ushtarake të botës, por janë raste që përsëriten vetëm 1 herë, në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Askush nuk e dëshironte të ndodhte kjo tragjedi, por sipas ekspertëve të municioneve, kjo nuk ndalej sepse nuk parashikohej. Jo vetëm qeveria e Sali Berishës, por edhe qeveria e çdo vendi tjetër më modern, dorëzohet përpara fenomeneve të tilla, pothuajse apokaliptike, që ndodhin 1 herë në 100 vjet e që nuk dihet se kur dhe ku ndodhin. Këtë nuk e them as unë, as Sali Berisha, as Fatmir Mediu e asnjeri prej deputetëve të mazhorancës, por e konfirmojnë studiuesit dhe ekspertët e fushës së demontimeve.

ARBEN IMAMI: Kjo që ndodhi në Gërdec, nuk është vepër e qeverisë Berisha, as e Ministrit të Mbrojtjes, zotit Mediu, por është vetëm një gabim njerëzor që nuk është çudi të përsëritet prapë pas 100 vjetësh, sepse historia ka treguar, që edhe pushka mbushet vetë 1 herë në 100 vjet. Kështu edhe shpërthimi i municionit në Gërdec.

Vrasja e Trebickës: “Rasti ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Me sa kam dëgjuar dhe me sa jam njohur këto ditë nga ekspertët, për raste të tilla aksidentesh, një spostim i tillë i trupit të viktimës me afro 100 metër nga makina, ka lidhje me forcën shtytëse që i ka dhënë trupit mjeti gjatë rrotullimeve. Sipas ekspertëve të fushës, kjo cilësohet si fenomen tepër i rrallë në historinë e aksidenteve rrugore, mbasi ndodh pothuajse 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Ky është aksident si gjithë aksidentet e tjerë rrugorë, por që ka si veçanti faktin, se ka një dukuri e cila nuk ndeshet shpesh në aksidentet e zakonshëm që ndodhin. Distanca e spostimit të trupit të viktimës aq larg mjetit me të cilin udhëtonte, nuk përbën shkas për dyshime për krim, mbasi sipas specialistëve dhe ekspertëve, kjo ka ndodhur dhe në vende e raste të tjera të botës, pavarësisht se ndodh shumë rrallë, për të mos thënë se aksidente të tillë të çuditshëm ndodhin 1 herë, në 100 vjet.

BUJAR NISHANI: Ekspertët po merren me këqyrjen e aksidentit në fjalë. Por sipas kontakteve të para me ekspertët e linjës, rezulton se kjo është një mospërputhje e rrallë mes trupit të viktimës dhe vendit të ndodhjes së mjetit të aksidentit. Janë raste të rralla, por historia e aksidenteve në botë, tregon dhe konfirmon se këto ndodhin vetëm 1 herë, në 100 vjet.

Përmbytja e Parë e Shkodrës: “Hëna, kishte pozicionin e saj 100 vjeçar”

SALI BERISHA: Përmbytja e Shkodrës nuk ka lidhje me ato që thotë opozita për hapje digash e mungesë investimesh në lumin Drin dhe Bunë. Por ju garantoj, se e gjithë kjo tragjedi është natyrore dhe ka lidhje vetëm me Hënën. Sipas studimeve, ditën që uji vërshoi dhe përmbyti Shkodrën, rezultoi se Hëna kishte pozicionin agresiv ndaj lumenjve, pra kishte ciklin e saj hënor 100 vjeçar. Pozicioni i Hënës ishte i tillë, që provokon shpërthime ujërash përmbytje ujore katastrofike. Sipas kalendarit hënor, kjo ndodh 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Përmbytjen e Shkodrës nuk e bëri qeveria e Sali Berishës, por një dukuri natyrore që ka lidhje me pozicionin dhe veprimin eklipsor të hënës. Siç thonë specialistët dhe faktet nga historia e njerëzore e përmbytjeve, Hëna gjendet në pozicion të disfavorshëm me tokën, vetëm 1 herë në 100 vjet dhe ky pozicion nxit vërshime lumenjsh, që krijojnë përmbytjet.

Përmbytja e dytë e Shkodrës: “Kjo ka ndodhur edhe 100 vjet më parë”

SALI BERISHA: Nuk është mungesë e kujdesit të qeverisë time, për të frenuar e disiplinuar lumenjtë e digat e hidrocentraleve, se atë e kemi bërë me kujdesin më të madh. Ky është një fenomen natyror i pa parashikueshëm. Një banor i vjetër i Shkodrës, më dërgoi sot një mesazh, ku më thoshte: “Zoti kryeministër, nuk na përmbyti qeveria juaj, por fenomeni natyror, sepse Shkodra është përmbytur edhe në vitin 1913”. Pra, kjo është punë e Zotit, ne jemi të detyruar të nënshtrohemi përballë fuqisë dhe vullnetit të tij.

JOZEFINA TOPALLI: Çdo familje shkodrane, ka në kujtesë historinë marrëdhënieve të qytetit më Bunën e Drinin. Digat e hidrocentraleve nuk kanë asnjë lidhje me këtë situatë, sepse ato janë menaxhuar me kujdes dhe eficencë. Ky qytet është përmbytur edhe 100 vite më parë nga lumenjtë. Fotografitë dhe rrëfimet e shkodranëve, flasin se kjo përmbytje ndodh vetëm 1 herë, në 100 vjet.

21 Janari: “Rikoshetat plumb-trung peme, ndodhin 1 herë në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ekspertët po bëjnë punën e tyre. Nga informacionet e para të laboratorit të ekspertimit të predhave të gjetura në trupat e viktimave, rezulton se ata janë vrarë pasi plumbat kanë bërë rikoshetë në trungjet e pemëve përballë të cilave ata qëndronin. Unë nuk jam ekspert që të them se si ndodh kjo rikoshetë, por specialistët më kanë konfirmuar me prova shkencore e historike se rikosheta e plumbit nuk ndodh vetëm në gurë, beton e metal, por 1 herë në 100 vjet ndodh edhe në trungjet e pemëve.

JOZEFINA TOPALLI: Analizat balistike të armëve dhe ekspertiza e plumbave tregon se viktimat janë shkaktuar nga vrasjet nëpërmjet rikoshetës së plumbave. Pasi kanë dalë nga armët, plumbat kanë ndeshur në trungjet e pemëve përballë Kryeministrisë e Kryesisë së Kuvendit dhe kanë përfunduar në trupat e viktimave. Kjo nuk është shpikja jonë. Sipas fakteve historike të kriminalistikës botërore dhe sipas mendimit të specialistëve, kjo ndodh 1 herë në 100 vjet.

LULËZIM BASHA: E gjitha është shkaktuar jo nga shënjestrat e policëve të Gardës së Republikës e të policisë së shtetit, por nga rikoshetat e plumbave me pemët, të cilët janë rikthyer e kanë goditur viktimat. Kjo ka ndodhur dhe në raste të tjera në botë. Sipas ekspertëve, një rikoshetë e tillë specifike ndodh 1 herë në 100 vjet.

Rezultati me 10 vota diferencë: “Ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ky rezultat i ngushtë në garën elektorale mes dy kandidatëve, mund të quhet çudi, por ja që është fakt dhe ne jemi të detyruar ta pranojmë edhe po të ishte fitore për rivalin. Në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Studiuesit dhe ekspertët thonë, se kjo ndodh rrallë, pra vetëm 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Kjo fitore e zotit Basha me rezultat kaq të ngushtë në 250 mijë vota, mund të quhet rast historik. Pas interesimit tim për këtë rast unikal konkurrence zgjedhore, mësova se një fenomen i tillë ka ndodhur dhe në vende te tjera, por mundësia është, që kjo dukuri të ndodh vetëm 1 herë, në 100 vjet.