Replike mbi vepren e Schmitt

Kur “Skënderbeu” nuk asht historia e Skënderbeut
Nga Ardian Ndreca



Kohët e fundit të përditshmet shqiptare vluen prej qëndrimesh,ma së shumti polemike, ndaj kësaj vepre të historianit të ri zviceran Oliver Jens Schmitt. Me të drejtë autori i veprës dhe përkthyesi i saj A. Klosi, ftuen polemistat me e lexue ma parë veprën dhe mandej me ba debat. Na duket nji këshillë me mend, edhe pse u duk se përkthyesi në zjarrminë që kap shpeshherë opinionin publik në kësi rastesh, e ndiente veten paksa bashkëautor të veprës, kajherë tue e tërhjekë autorin e vërtetë në gjinin e polemikave, dhe tue paraqitë tezat e tija - ndoshta thjesht për arsye marketingu – në mënyrë të diskutueshme.
Po përpiqemi me rreshtue dy fjalë rreth kësaj vepre tue e pasë lexue ma parë, dhe tue u pasë mundue me kuptue me ndihmën e arsyes thelbin e saj, objektivat dhe rrugën që mton me çilë në lamijen e studimeve skanderbegiane.

***

Historiani i ri Schmitt nuk e msheh se qëllimi i veprës së tij asht me çmitizue figurën e Skënderbeut dhe e me çlirue kështu përfytyrimin e gjanë popullor prej përrallash e dokrrash që janë rranjosë kahmot. Nji objektiv i lavdërueshëm ky, mbasi shkenca historike punon mbi fakte e mbi dokumente dhe përjashton kategorikisht vlerësimet metahistorike, emocionale, patriotike dhe gjykimet e bazueme në hamendje. Në ketë objektiv ban pjesë edhe orvatja e tij me interpretue arsyet e kryengritjes së Gjergj Kastriotit tue u nisë prej shkaqesh thjesht personale.
Ma së pari autori mundohet qysh në faqet e para me paraqitë “unitetin” skanderbegian si diçka të rrejshme, të paqëndrueshme, si fryt të nji përceptimi të mavonshëm të historianëve. Në këtë kuadër ai nuk ngurron me e quejt thjesht “pamflet” traktatin latinisht të Frang Bardhit, ku leksikografi i parë shqiptar, kundërshton tezat e Tomko Marnaviqit, simbas të cilit Skëndërbeu kishte qenë boshnjak. Schmitt ven në dukje me të drejtë, por pa nevojë, se asokohe konceptet etni/kombësi ishin mjaft të ngatërrueme dhe nuk kishte kufij të caktuem etnik, fetar. Ma së shumti - por këtë gja Schmitt-i s’e ven oroe - mund të flasim në mënyrë statike vetëm për kufijt fisnorë. Pjesa tjetër e përcaktimeve luhatet në natën e errtë ku të gjitha lopët duken të zeza, siç shkruente dikur nji filozof gjerman. Në fakt edhe pse historianit të ri shumë gjana i duken të errta, ai nuk ngurron me i ndriçue herë mbas here me nji dritë subjektive, të pazakontë për nji shkencatar, sidomos atëherë kur elementet i përshtaten teoremave të tija. Pra kemi nji ndërthurje aksiomash dhe teoremash. Për shembull nji aksiomë e Schmitt-it asht identifikimi i të jatit të Gjergj Kastriotit me nji sundimtar të arealit sllav dhe ortodoks. Pa hije dyshimit ai e quen atë: Ivan Kastrioti.
Le të bajmë nji hap mbrapa. Tek vepra “Arbëria venedike”, përkthyesi Klosi shenjonte paraprakisht: “I jemi shmangur prirjes për të shqiptarizuar emra mesjetarë si Juan (sic!) ose Andrea, që sot mund të jenë bërë Gjon ose Ndre; nuk dimë si kanë tingëlluar ata emra në atë kohë” (fq. 6). Si rrjedhojë e këtij arsyetimi në teksin në fjalë gjejmë për shembull: Joan Kastrioti, por ndeshim edhe në Pal e Lekë Dukagjini.
Çështja e emnave historikë në nji tekst shkencor nuk mund të jetë prerogativë e thjeshtë e përkthyesit, pse vetë natyra e librit përjashton gjykime të pathemelta si ato të masipërmet.
Ne sutor supra crepidam!
Në këtë rast autori mund ta kishte ndriçue përkthyesin e vet tue i kujtue se nji historian i mirëfilltë si Milan Šufflay dëshmon se qysh në vitin 1281 ndeshim në dokumente emna me trajta shqiptare: «ducam Gjinium Tanuschum Albanensem» (Milan Šufflay, Srbi I Arbanasi, Beograd 1925, f. 123) e kjo traditë vijon me «U doni Gjoni, i biri i Bdek Buzukut» në 1555 e deri në ditët tona.
Fakti që në vitin 1281 ekzistonte emni “Gjin” (shih edhe: Acta et Diplomata), kurse
në 1400 nuk ekzistonte emni “Gjon”, nuk përputhet me ligjet historike të gjuhës shqipe. Do të ishte qesharake me pohue gjana të këtilla, mbasi në të dyja rastet vepron i njëjti ligj gjuhsor.
Por edhe po të pranojmë kushtin paraprak të logjikës së Schmitt-it, pra tue u nis thjesht prej dokumenteve serbe për me përfundue se i jati i Gjergj Kastriotit përmendet vetëm si Ivan dhe si rrjedhojë ishte sllav – prapseprap ky silogjizëm nuk asht i rregullt, mbasi Šufflay na njofton se asokohe emni Ivan përdorej dendun edhe prej shqiptarëve.
Pra, sido që ta marrim gjykimi i Schmittit s’ka bazë logjike dhe shpërdoron pa kujdes ato pak të dhana që ka në dispozicion.
Siç shihet tek vepra e maparshme e Schmitt-it, Klosi përdor nji palë argumente e tek kjo e fundit përdoren argumente të tjera. Përfundimi asht se si autori si përkthyesi përdorin o formën Joan ose Ivan Kastrioti, por nuk pranojnë kurrsesi “për arsye shkencore” me e shkrue emnin e të jatit të Skënderbeut, në formën Gjon Kastrioti.
Lexuesi e kupton mirë se po të shihet në mënyrë thjesht abstrakte çështja, forma “Ivan” apo “Gjon” nuk do ta ndërronte thelbin e gjanave dhe nuk do të tjetërsonte qëllimin e luftës së Skënderbeut. Por në këtë libër përdorimi i trajtës “Ivan” rreket me e nxjerrë të jatin e Skënderbeut si pjesë organike e universit sllavo-ortodoks.
Šufflay na dëshmon që trajtën “Ivan Kastrioti” e gjejmë kryesisht në dokumentet sllave, e në fakt historiani zviceran nuk paraqet dokumente tjera, përposë atyne sllave për me mbështet tezën e tij.
Dyshimi i ligjshëm që lind asht ky: - a mjaftojnë dokumentet serbe për me vendosë përkatsinë etnike të babës së Skënderbeut?
Çështja e dytë asht feja. Schmitt-i thekson, sa herë që ka rastin me folë për të, se Ivani ishte ortodoks. Nuk paraqet dokumente historike për me mbështet ketë tezë, por niset prej pellgut hapsinor prej nga vjen Gjon Kastrioti, prej emnave të njerzve që banonin n’ato
treva, prej përziemjes etnike dhe kulturore. Sigurisht Schmitt-i s’e ka fjalën për Krujën, ai flet për nji vend të pacaktuem me saktësi (mbasi hipotezat janë disa) dikund mes Dibrës dhe pjesës perëndimore të Maqedonisë së sotme. Pra, ai gjykon Gjon Kastriotin sundimtar të Krujës në bazë të disa të dhanave të vagullta fetare, kulturore dhe etnike të nji zone të shtrime që ndodhet mjaft larg prej Krujës në kohë dhe në hapsinë.
Milan Šufflay shkruen se në Krujë, me ardhjen e Anzhuinëve në Arbní në vitin 1272, merr fund ndikimi grek dhe dekretet e Papës qysh në vitin 1319 quejnë prijsat e amiljeve princnore të Muzakajve, Matarangvet, Arianitve, Blinishtëve, Jonimëve “dilecti filii” (bij të dashun) e “viri catholici” (burra katolikë). (Milan Šufflay, Srbi i Arbanasi, ff. 94, 95).
Qysh në 1167 Kruja kishte qenë me ndërpremje ipeshkvi katolike (Milan Šufflay, Srbi i Arbanasi, f. 88). Në vitin 1279 Kruja ka ipeshkvin e vet katolik, në vitin 1319 kryeipeshkvi
i saj Andrea ban përpjekje paqtuese mes fisnikëve shqiptarë dhe Papës dhe titulli episcopus Croensis o Croyacensis dokumentohet dendun në këtë periudhë. Kurse historiani I ri Schmitt, tue u nisë prej dokumenteve serbe dhe atyne që janë filtrue nëpërmjet historiografisë serbe, përpiqet me argumentue se Ivan Kastrioti ishte sllav dhe ortodoks!
Mundet që i jati i Skënderbeut të ketë qenë edhe ateist, por për me mbështetë nji tezë të tillë duhen dokumente, e Schmitt-i nuk na ofron dokumente objektive historike për të pranue përkatësinë ortodokse të Gjon Kastriotit.
Ai thekson se prejardhja etnike s’kishte randësi, se nuk kemi burime të sakta (nuk mund të quhet burim historik përceptimi psikologjik i Arbër Muzakës, shih ff. 37-38), se kohnat ishin të turbullta, e megjithëketë pasiguri objektive ai zgjedh prejardhjen sllavo- ortodokse të Kastriotëve.
Asht, e theksojmë, nji zgjedhje e kryeme pa kritere shkencore, e lejueshme në nji roman apo në nji histori serbe për përdorim të mbrendshëm joshkencorë. Argumente të tërthorta për me vërtetue qenjën ortodokse të familjes Kastrioti, si përzgjedhja e emnit Gjergj për djalin e vogël (“Prindërit i dhanë një emër të pëlqyer në botën ortodokse” ff. 48-49) janë orvatje meskine, mbasi nji argument i tillë mund të kishte njifarë vleret joshkencore për emnat: Kritobulos, Manuel, Niqifor - por jo për emnin Gjergj, që asht deri edhe shenjt pajtor i Anglisë!
Autori trajton si të vërteta edhe hipotezat ma t’papërfillshme. Për shembull emni i Gjon Kastriotit shenjohet në pemën gjenealogjike të riprodhueme në tekst: Ivan/Hamza – tue dashtë me nënvizue se në fund të jetës ai ndrroi rishtas fenë dhe u ba mysliman. Ketë gja Schmitt-i e jep si te provueme, por kurrkund nuk na ka dhanë nji copë dokument apo dëshmi historike që ta mbështesin (shih: f. 217). Sigurisht, autori nuk ka asnji burim të sigurt historik, por kjo gja nuk e pengon me e marrë sikur të ishte e vërtetë.
Ka lajme për shembull që autori i thith prej autorëve sllavë. Ai përmend se pranë Ivan Kastriotit silleshin murgj të Malit Atos. Kjo e dhanë asht e marrun prej Jovan Radoni-it dhe Foti-it.
Mund të themi se “Skënderbeu” i Schmittit në gati gjysmën e të dhanave që përmban bazohet mbi përzgjedhjen e dokumentave të historianit serb Jovan Radoni, dishepull i Jireèekut dhe autor botimesh rreth mesjetës së Ballkanit. Radoni-i asht autor I përzgjedhjes së dokumenteve serbe, osmane etj. - që përban vijimin ideal të dy vëllime-ve të para të Acta et Diplomata.
Dikund Schmitt-i vëren en passant se Radoni ka qenë edhe “përfaqsues i nacionalizmit serbo-madh” (f. 490).
Mendojmë se militantizmi ideologjik nuk duhet ta ketë damtue punën përzgjedhëse të Radoni-it. Të paktën nji gja të tillë e shpresojmë, pse kështu edhe studimit të Schmitt-it s’do t’i kufizohej vlera që i buron prej bouquet-ës së Radoni-it!
Prej Radoni-it ai citon mjaft dendun në libër. Mund të themi pa frikë se 40% e citimeve të librit janë marrë prej Radoni-it dhe Spremi-it. Ky i fundit - historian jugosllav e bashkëautor i Historisë së Jugosllavisë gjatë kohës së komunizmit - ka hjedhë poshtë akuzat e tradhtisë së Vuk Brankoviqit në betejën e Fushë Kosovës.
Kudo gjejmë Radoni dhe Spremi, e Schmitt-i na duket si nji discipulus unius magistri (dishepull i nji mësuesi të vetëm).
Schmitt përpiqet me të gjitha forcat me e paraqitë Skënderbeun dhe kryengritjen e tij në nji ambjent të përziem sllavo-arbnor me besim ortodoks, për me i heqë karakterin thjeshtë arbnor kryengritjes së tij. Ndërkaq citon prej D. Frangut emnat e komandantave besnikë të Skënderbeut: Moisiu, Muzaka i Angjelinës, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Kuka dhe Gjin Maneshi (ff. 131, 360). Ku janë serbët këtu, po bullgarët?
A po mos ishin thjesht oplitë dhe kuzhinjera në ushtrinë e Skënderbeut?
Çdo personazh arbnor i nji farë randësie duket se e shqetson autorin. Nuk ka çka i ban psh. Pal Engjellit, por Johan Gazuli e Pal Gazuli (sic) nuk i kujtojnë se në Shqipni ekziston ende sot nji fshat me emnin Gazull dhe se ka me qindra mbiemna: Gazulli.
Përkundër, ai shton: “Gazulët mund të shihen si një familje ballkanike diplomatësh” (ff. 141, 143).
A mos vallë ky asht çmitizimi i shumëpritun? Nji projektim i vagullt në kohë e në hapsinë, në natën e errtë ku të gjitha lopët duken njilloj të zeza!
Kleri ortodoks, pohon autori, e tradhtoi Skënderbeun gjatë gjithë kryengritjes; megjithatë antarë të këtij kleri - vijon ai - patën randësi politike për luftën e Skënderbeut, por ai nuk mbërrin me na përmend si bashkëpuntorë të prijsit kruetan veç nji murg prej Malit Atos që historia na e ka përcjellë pa emën deri n’ditët tona (ff. 133-134).
Megjithatë Skënderbeu vijon me u quejt prej Schmitt-it “i vetmi zot ortodoks i Ballkanit” a thue se Skënderbeu ishte nji vlladikë!! (f. 468).
Kah ana tjetër ai pohon se Skënderbeu bahet katolik kur betejat e tija zhvendosen në zonat e popullueme me katolikë (ff. 146-147). Kjo hipotezë do të kishte bazë në qoftë se Schmitt-i do të ishte i zoti me ndërtue hartën e përkatsisë fetare të popullsisë arbëreshe.
Por ai ma së pari nuk merr parasysh në ketë libër veprën e Farlatit dhe sigurisht që pa nji histori kishtare të rajonit s’mundet me ba fluturime të këtilla pindarike. Aq ma tepër nji determinizëm i tillë minimalist, ku gjeografia përcakton besimin, në nji rrypinë toke si Arbnia, na duket ma fort fryt i nji fantazie të plleshme sesa përfundim shkencor.
Megjithëse Skënderbeu asht “i vetmi zot ortodoks i Ballkanit” - vetëm kleri katolik nuk e ka tradhtue asnjiherë - pohon autori (f.220). Spjegimi i Schmitt-it asht ky: mbasi kleri katolik nuk njihte besnikërinë që rridhte prej lidhjeve të gjakut, ai i ndejti besnik Skënderbeut (f. 221). Pra, kleri katolik I ndejti besnik gjatë gjithë kohës (jo për nji kohë të caktueme, apo thjesht mbas vitit 1666) nji princi me të cilin s’e lidhte as feja dhe as gjaku?!
Por simbas Schmitt-it gjuha dhe përkatësia etnike nuk kishin randësi, feja ishte nji motiv dytësor (shih: ff. 251, 477-478), kurse suksesi në luftë mvarej prej pareve (f. 153). Simbas këtij arsyetimi Skënderbeu për 25 vjet qe ma i pasuni sundimtar në Ballkan dhe jo princi i vendit ma të damtuem e ma të shkatrruem prej luftet!

***
Skenderbeu
E metë e madhe shkencore na duket fakti se nji pjesë e madhe e librit të Schmitt-it asht e ndërtueme mbi hamendje.
Hamendje: Skënderbeu mori nocionet e islamit prej dervishëve bektashinj, prej këtej legjenda e Sari Salltikut mund të duket ma pak përrallore, pohon Schmitt-i. (ff. 50-51).
Hamendje rreth gjuhëve që dinte Skënderbeu: simbas autorit ai na paska dijtë bullgarishten perëndimore, ndoshta serbisht, arbërisht, greqisht, turqisht, arabisht, persisht...(f.52). Sigurisht që këto janë hipoteza, për të cilat Schmitt-i nuk na jep burime të sigurta. Hamendje me nji fjalë, prej të cilave Skënderbeu na del nji koleg i Pico della Mirandola-ës dhe jo nji luftëtar.
Hamendje tjetër asht takimi i Skënderbeut me Huniadin (f. 55).
Hamendje janë lëvizjet e Skënderbeut drejt veriut të krishtenë, kur ai ishte ende tek Sulltani, për me thurë fijet e politikës së tij (f. 58).
Hamendje asht fakti se Skënderbeu I njihte planet e Huniadit dhe Brankoviqit në vitin 1443 (f. 68).
Hamendje janë dyshimet e Schmitt-it se armët që ndodhen në Vjenë nuk kanë qenë të Skënderbeut.
Ato armë mund të mos kenë qenë të Skënderbeut, por ai si historian duhet të prodhonte dokumentet përkatëse me mbështet ketë hipotezë.
Arsyetimi i Schmitt-it në ketë pikë asht tepër fëmijnor. Meqë shpata ka nji mbishkrim arabisht me gabime, dhe tue qenë se Skënderbeu e njihte mirë arabishten (hipotezë tjetër kjo) ai s’kishte si të përdorte nji shpatë me mbishkrime plot gabime (fq.123).
Pse, mos vallë nji shpatë me gabime shkrimi do të ishte ma pak e efektshme në luftën kundër osmanëve?! Po sikur Skënderbeu të kishte probleme me gramatikën arabe dhe të mos i kishte vu oroe gabimet e shkrimit tek shpata e tij?
Hamendja tjetër: rrethi i përkrenares - simbas Schmitt-it - asht shumë e vështirë që të jetë prodhue në shek. XV. Por, shton ai, brenat e dhisë ama janë të vërteta, pse ato kujtojnë Aleksandrin e Ri. Lexò: provojnë nji tezë të Schmitt-it të shprehun në nji artikull të tijin.
Po si ka mundësi që shpata dhe gjysma e përkrenares të jenë të rrejshme e brenat të jenë të vërteta!
Këtë gja e din vetëm autori.
Hamendje tjetër: mundet që popët ortodoksë të katundeve t’Arbnisë të kenë pasë qëndrim tjetër prej peshkopëve të tyne (f. 134).
Hamendje tjetër: Skënderbeu duhet të jetë paraqit (përpara vitit 1443) si mysliman sunit (f. 471).
Hamendje Schmitt-i paraqet edhe rreth popullsisë në trevat shqiptare. Qe arsyetimi i tij: në vitet 1536-1539 në Dibër osmanët numronin 44 mijë banorë.
Hamendje: në këto vite popullsia e Dibrës mund të ketë arritë nivelin e para pushtimit osman, pra para pushtimit osman atje banonin rreth 44 mijë banorë. Hamendje tjetër: në zonat e Matit dhe ultësinës mes Adriatikut e Krujës jetonin të paktën po aq njerëz sa edhe në Dibër.
Përfundimi: “vijmë në një vlerësim të kujdesshëm prej 90 mijë banorësh në trevat e sunduara prej Skënderbeut” (ff. 129-130). Quod erat demonstrandum!
Të gjitha këto hamendje, që marrin vërtetësi vetëm prej hamendësisë së tyne, duken si sistemi i parashikimit të motit për gjithë shekullin XV tue u nisë tek niveli i ujit në Adriatik.
Duket se historiani ka zbatue teoremën e dytë të Euklidit për me gjetë numrin e popullsisë përgjatë katetit dibran dhe matjan të kandit të drejtë të Krujës! Ky mekanicizëm mendor e kthen historinë në diçka qesharake, pa ide dhe pa mendime të mirëfillta.
Por xhevahiri ma i çmueshëm i këtij libri asht nji dokument i diplomatëve de Curte e Trivulzio drejtue dukës Sforza të Milanos ku pohohet se këta dy kanë ndie prej nji ambasadori të Skënderbeut në Romë se shkaku I kryengritjes së Skënderbeut kundër sulltanit ishte vrasja e të jatit të heroit tonë.
Kemi pra dy ambasadorë që ndigjojnë nji ambasador tjetër që i thotë Papës se ky asht
shkaku i luftës. Asnji dokument papnor i njohun deri më sot nuk thotë se ai ishte shkaku i kryengritjes. Madje nuk ka dokumente historike të besueshme që i jati i Skënderbeut të jetë vra, aq ma pak tashti që, simbas vetë Schmitt-it, kishte ndrrue fenë dhe ishte nënshtrue fizikisht dhe shpirtnisht.
I gjithë libri rreket me çmitizue Skënderbeun tue u nisë prej kësaj letër. Kështu, hakmarrja, kjo përbamëse psikologjike e nxjerr Skënderbeun si nji naiv fatlum që luftoi me sukses për 25 vjet kundër fuqisë ma të madhe të kohës!
Asnji historian serioz nuk do ta mbështeste kurrë nji vepër mbi nji hipotezë kaq të paqëndrueshme. Por këtu ndoshta ka ndikue edhe nji narçizizëm i tepruem i autorit ndaj nji dokumenti që ka zbulue ai vetë, që e ka shty me u ngutë kaq fort!
Hamendjet e pafundme i rrijnë këtij libri po aq mirë sa i rrinë xhepat kostumit të nji të vdekuni. Nuk i shërbejnë për asgja.
Mungesa e logjikës në faqet e këtij libri asht mbresëlanëse.
Skënderbeu për me u hakmarrë për të jatin, ka kontribue në mënyrë aktive për me vra djalin e madh të Muratit II, Aladinin. Jo vetëm aq, por Skënderbeu shtin me e vra tue qenë larg prej tij. Pra, nji vrasje me porosi (shih: f. 58 passim).
Asnji dokument osman nuk akuzon Skënderbeun si vrasës të Aladinit. Vrasja e trashigimtarit të fronit do të kishte qenë akuza e parë për bukëshkalin, kronikat osmane të mbushuna me shamje kundër Skënderbeut do ta kishin përmendë pafundsisht!
Pyesim: kush ka fitue historikisht prej kësaj vrasje? Historia na thotë se ka fitue Mehmet Fatihu gjenial, djali i Muratit me nji skllave të krishtenë ose hebreje. Kështu shkruen F. Babinger-i. Aktorja tjetër asht serbja Mara Brankoviq, grueja e preferueme e Muratit e cila do të ruejë nji ndikim të madh tek Mehmeti edhe kur ajo do të tërhiqej në nji monastir ortodoks në Thesali. Asht e dijtun se ka qenë traditë osmane që djali i madh i Sulltanit të faronte vllaznit tjerë për me sigurue pushtetin e vet, dhe Mehmeti tue e dijtë se ishte i gjykuem për vdekje i ka dalë para punës dhe e ka vra të vllanë. Mandej Mehmeti njihej si gjakatar i madh dhe i pandalshëm para asgjaje. Fakti që Mehmeti dhe Mara shkojnë mirë ma vonë, shtyn me mendue se mund të ketë qenë ajo që ka kurdisë planet. Por nuk ka asnji element objektiv historik që të na bajnë me pohue se Skënderbeu i vret djalin sulltanit për me u hakmarrë.
E gjithë kjo mesele asht prodhim i nji fantazie të ndezun, por pa asnji bazë historike dhe pa asnji themel logjik. Na habit fakti sesi ka mujtë Schmitt-i me ndërtue nji gja të këtillë. Absurd asht përfundimi simbas të cilit: përziemja e Skënderbeut në ketë vrasje asht e sigurt, kurse ajo e Mehmetit e dyshimtë (f. 61).
Historiani i ri Schmitt s’e ka kuptue apo ban sikur s’e ka kuptue, se motivi personal ishte motivi ma i fundit i ndeshjes mes osmanëve dhe Skënderbeut. Lufta në Egje, në More, në Peloponez, në Vllahi, Hungari – dhe vetë ftesat e herë mbas hershme të sulltanit drejtue Skënderbeut për pajtim, tregojnë se politika osmane e ngjadhnjimit shkonte shumë përtej zhdukjes nga faqja e dheut të nji rebeli që sundonte mbi male të zhveshuna, pa pasunina dhe pa tituj që mund t’i jepnin
famë ngadhnjimtarëve.
Me pohue se hakmarrja ka qenë shkaku kryesor i luftës së nji populli për me qenë i lirë dhe i nji udhëheqësi për mos me iu nënshtrue sulltanit, asht si me pohue se të gjitha funksionet jetike: të trunit, të zemrës, të mëlçisë, mvaren kryekëput prej ngjyrës së lëkurës!
Filozofia e historisë (Meinecke, Dilthey, E. Meyer) na mëson se nji proçes historik, siç asht për shembull kryengritja 25 vjeçare e Skënderbeut nuk mund të trajtohen si të ishte nji “faida”, mbasi efektet e gjestit të Skënderbeut rrezatohen edhe në shekujt e mavonshëm deri në vjeshtën e vitit 1912.
Friedrich Meinecke e thotë qartë tek nji studim i tiji i vitit 1927 me titull: “Kausalitäten und Werte in der Geschichte”, se konceptimi antik i historisë, që zgjati deri në prag të Iluminizmit, shihte tek historia gjurmën e vendimeve dhe të veprimeve individuale, kurse konceptimi modern që ndjek hallkat e lidhjeve shkakore dhe të kavive meta-individuale të jetës historike, prihet kah nji ekuilibër i arsyeshëm.
Simbas Meinecke-s, nji interpretim i njianshën që sheh individualizmin dhe trajton nji arsye private si qendër të gravitetit të nji proçesi historik e kthen historianin mbrapa në kohë tek Tukididi dhe Herodoti. Pra, po të mendojmë se akejtë me të vërtetë sulmuen Trojën për me rimarrë Helenën do të kthehemi tek mendësia historike e Homerit. E njejta gja po të mendojmë se nji hakmarrje personale vuni Skënderbeun në krye të nji lëvizjes së përbotshme kundër osmanëve për 25 vjet!
Por edhe po ta pranojmë si të vërtetë faktin që i jati i Skënderbeut u vra prej sulltanit, sa princa dhe fisnikë prej Ballkanit i shërbejshin sulltanit, mbasi ky u kishte vra etnit! Ndër ta kishte edhe mjaft serb, prandaj Skënderbeu tue mos u hakmarrë nuk thyente asnji taboo.
Schmitt-i ka humbë drejtpeshimin, mbasi nji dokument i konfeksionuem prej vëzhguesash të huej pranë nji oborri si ai i Papës, në mungesë të çdo konfirmimi edhe të tërthortë, nuk ka ma shumë dinjitet shkencor sesa nji hipotezë e dobtë. Druhemi se historiani zviceran Schmitt në ketë rast e ka humbë fillin. I pezmatuem prej entuziazmit të nji zbulimi madhor, sëmundje e randomtë kjo e diletantizmit shqiptar, ai ka përfundue në krahët e nji gnosis thjeshtëzuese pa baza logjike e historike. E kështu me nji hop të vetëm ai ka lane mbas doret kritikën e saktësisë (anàkrisis) të cilën na e porositë nxehtësisht J. G. Droysent tek “Historik” e tija.
Nji tjetër problem asht vetë Skënderbeu. Schmitt-i e quen atë e shokët e tij që u kthyen në atdhe: renegatë. Nuk e di nëse historian ynë e ka të qartë vlerën e këtij termi dhe nëse e kupton mirfilli se çka domethanë me u marrë peng! Pengu nuk asht nji shenj miqsijet apo krushqijet, madje detyra e nji robi të marrun peng, qysh se shndritë dielli mbi tokë, asht me fitue rishtas lirinë. Nuk ka asnji dokument, përveç hipotezave të Schmitt-it, ku të pohohet se Skënderbeu ndërroi fenë me vullnetin dhe me bindjen e tij të thellë shpirtnore. Gjasa ma e madhe asht që ai të ketë jetue si nji kriptokristian deri në çastin e ikjes, siç dëshmojnë edhe biografët e parë.
Mandej, përfytyrimi i Schmitt-it i nji actus fidei të Skënderbeut mbas kthimit në Arbni asht krejtsisht holliwoodian.
Vetëm kronikat e sulltanit dhe historian Schmitt (pjesa tjetër janë gjithsesi mbasardhës të kronikanëve të sulltanit), e quejnë Skënderbeun renegat. Na duket intuitive se nji njeri që nuk ia kthen shpinën vendit të vet dhe mendon për tokën amtare, për pronat dhe për njerzit e vet - simbas normave të qytetnimit nuk asht nji tradhtar. Edhe konventat moderne që rregullojnë trajtimin e robëve të luftës njohin të drejtën e robit me ikë dhe me fitue rishtas lirinë.
Historia nuk asht thjesht nji rreshtim datash e ngjarjesh, emnash dhe citatesh, duhet ma tepër, nevojitet shpirti i historisë, pse pa të datat e emnat janë gur vorresh që s’bzajnë.
Në qoftë se Skënderbeu asht renegat, atëherë pse autori quen renegatë edhe Hamzain dhe Ballaban Pashën? Ata, simbas logjikë së tij, duhet të ishin besnikë dhe heronj!

***
Skenderbeu
Ka nji maní në këtë libër me paraqit emnat, toponimet, termat e ndryshme në format e tyne sllave. Folëm ma nalt për emnin Ivan. Kemi mandej emnin Joan Muzaki. Toponimin Bila kamin (Guri i Bardhë), Ivan Balšiq (sic! shih. f. 150), Suva gora (Mali i Thatë), Dolgo berdo (Mali i Gjanë). Mandej emna të përveçëm: flitet për Golem Aranit Komninoviqin, kurse djali i Skënderbeut quhet Ivan (fq. 213). Prapë: Lukaris/Lukareviq, de Pozza /Puçiq (për mbaresat sllave të të dyve autori
frymzohet tek Radoni, shih: nota 167, f.317).
Për me shkrue formën Golem Aranit Komninoviqi, Schmitt-i frymzohet rishtas prej Radoni-it (shih: nota 337, f. 196). Edhe pema gjenealogjike, e riprodhueme në tekst (f. 195) paraqet format e sllavizueme.
Pse? Vetë përzgjedhja e nji forme gjuhësore/etnike tregon se autori mban nji qëndrim të caktuem dhe përçanson historinë jo si nji shkencatar i paanshëm por si nji actor i vendosun me e kthye Skënderbeun sa në nji udhëheqës ushtarak makiavelik dhe të randomtë aq edhe në nji satelit shpirtnor të botës sllave!
Babinger-i, që asht historiani që na ka lane gjanat ma t’randësishme për familjen në fjalë (shih: Das Ende der Arianiten), në studimin e vet nuk e shton mbaresën sllave -viq ! Asht interesant madje fakti, se në pemën gjenealogjike t’Aranitëve, renegatët, pra ata që kanë tradhtue Arbnín, kanë mbetë pa emën e shenjohen thjeshtë: renegatë.
Zakonisht në pemët gjenealogjike paraqiten me emën edhe fëmijët e vdekun në moshë të mitun, të çmendunit e edhe kopilat, kurse renegatët shlyhen sepse kanë tradhtue tokën e vet.
Nji lajthitje (lapsus calami?) tjetër asht pohimi se Koncili i Firences i dha fund skizmës 400 vjeçare mes ortodoksve dhe katolikëve (f. 63). Jepet ideja se skizma mori fund. Dokumenti i 5 korrikut 1439, që sot ruhet në Laurenziana, u firmos gati prej të gjithëve (përjashto pak grekë) dhe vendoste bashkimin mes grekëve (jo të gjithë ortodoksve, mbasi ma vonë do të ketë marrveshtje të veçanta me jakobitët dhe me armenët) dhe Kishës së Romës. Por fundi i skizmës nuk qe nji fund i vërtetë, Bessarioni e Pletoni nuk mjaftonin me bashkue dy kishat, siç e tregon historia deri në ditët e sotme.
Nji spjegim që s’bind asht çeshtja e titullit të Skënderbeut. Šufflay dishmon se Gjergj II Balshaj thirrej Princeps Albanie (sic - pse asht gjinorja e latinishtes së asaj kohe), Karl Topia thirrej catholicus princeps Albanie.
Kurse Skënderbeu thirrej Albanie Dominus (Schmitt, nota 113, f. 139) ose princeps catholicus (Schmitt, f. 331). Por ai ishte njeri i luftës - vijon Schmitt, ndryshe prej monarkëve të tjerë ballkanikë që jetonin në pallate, me kancelarë e me njerëz të dijtun (sic! shih: f. 472).
Po e lamë mënjianë këtë përfytyrim romantik, mbasi as krajl Nikolla në shekullin XX nuk ka jetue ashtu siç sheh andrra Schmitt-i për monarkët e Ballkanit gjatë shekullin XV.
Po kthehemi tek titujt. Simbas Schmitt-it, Skënderbeu mbetë pa titull pse ai ndihet i mvarun prej Bizantit dhe tue mos pasë nji titull prej tij, mbetë pa gja.
Por Bizanti, i cili në vitin 1453 do të shembej përfundimisht, nuk gëzonte ma as autoritet moral e as perandorak me i dhanë kujt tituj. Mandej mes Bizantit dhe Arbnis kishte hy si pykë fuqija osmane dhe asht absurde që nji princ praktik dhe i shkathët për me ba aleanca të priste me marrë titull prej nji perandorije që ishte në grahmat e fundit! Pse duhej ta lidhte fatin e vet dhe famën në zenith me nji realitet që po perëndonte?
A nuk kishte nji burim tjetër titujsh në Perëndim? Pse nuk mori titull prej Papës, kur ma vonë ishte ba i randsishëm për gjithë krishtënimin? Këtë gja nuk e dijmë, mbasi dokumentet që ka zbulue Schmitt-i për çeshtjet e randsishme nuk na thonë gja.
Por heshtja dhe padija jonë sot nuk provojnë se Skënderbeu s’e kishte të qartë se Papa asokohe ishte i vetmi autoritet që mund të jepte tituj. Në mars të vitit 1452 në Romë Papa Eugjeni IV kishte ba kunorzimin perandorak të Frederikut III.
Bekimi mbi “rota porhyretica” i Perandorit në mes të bazilikës së shën Pjetrit dhe dorzimi i drandofilles së artë i kishin tregue mbarë botës se kush kishte pushtet me kunorzue nji monark. Prandaj teza e Schmitt-it mbetë pa bazë dhe mbi të gjitha nuk spjegon sjelljen e Skënderbeut mbas ramjes së Konstantinopojës.
Në veprën e Schmitt-it gjejmë herë mbas here interpretime dhe vlerësime tendencioze.
Ai, për shembull, ushtron nji skepsi pirroniane ndaj Kuvendit të Lezhës (f. 77), gati-gati i duket e pamundun që arbnorët mbërrijnë me u mbledhë në kuvend dhe me marrë vendime politike. Rreket me provue se kuvendi dështoi, por harron se nji përfundim i tillë e ban ma të vështirë spjegimin e sukseseve të Skënderbeut. Asht interesant fakti se kur flet për dëshirën për liri që nxiti Kuvendin e Lezhës, autori e ven në thojza fjalën liri (shih f. 79), sikur kjo të ishte e marrun uha sub condicione. Sulmet e Skënderbeut kundër Arbnisë venedikase i duken pa kuptim dhe gjithçka shumëzohet me zero. (ff. 84-94).
Na vjen me pyet nga e din autori që “trupat rezerviste nga Dibra e sipërme llahtariseshin nga pamja e sulltanit” (f. 102), apo prej ku del se të krishterët jetonin të tmerruar në malësi ? (f. 135)
Schmitt-in duket se e skandalizon fakti që Skënderbeu dhe barinjt e tij (nuk e hup rastin me theksue se ushtarët e tij ishin barinj, a thue se ushtarët serb apo mercenarët spanjoll ishin orëndreqës apo kirurgë) banin ekspedita plaçitëse në tokat e pushtueme prej turqve dhe digjnin e grabitnin (f. 121). A thue se në nji kohë kur komandantat e Skënderbeut të kapun prej Ballaban Pashës ripeshin së gjalli, ai duhet të vepronte në përputhje me konventat e Gjenevës?
Mandej nuk na duket se asht thjesht plaçka e preja motivi pse njerzit e ndiqnin Skënderbeun, siç don me na ba me besue Schmitt-i, mbasi ai vetë pohon se po ata njerz pranonin ma mirë me vra veten sesa me iu nënshtrue turkut (f. 147).
Autori e quen Ballaban pashën “fshatari plak” pse ishte me origjine fshatare, në nji kohë që Ballabani kishte luftue gjithë jetën e si fshatar s’i kishte mbjellë kurrë dy kokrra qepë! Asht si me quejt nipin e nji lundërtari të famshëm, por që s’ka lundrue kurrë: “detar i famshëm”!
Shpesh autori përdorë “due pesi e due misure”.
Për shembull: për të Barleci asht legjendar, por nuk ngurron me e citue, tue e nxjerrë si të besueshëm, kur prifti shkodran thotë se djemt matjanë rekrutoheshin për plaçkë (f. 130).
Në nji anë Barleci asht legjendar, në anën tjetër kronika e Carlo Tocco-s asht e besueshme! Sidomos kur prej saj citohen shamjet e poetit ndaj arbnorëve të quejtun “bari derrash”, a thue se grekët apo serbët ishin bari gamilesh! (f. 116).
Prej Barlecit merren dhe nënvizohen disa episode që do ta banin qesharak Skënderbeun. Psh. kali i tij derdh lot njeriu kur vdes I zoti, ose Skënderbeu ishte nji njeri gjysëm hyjnor! (f. 117).
A thue nuk e din autori se në të gjithë letërsinë kalorsiake perëndimore dhe byzantine gjejmë episode të këtilla, gja që nuk ia ul vlerat dëshmive të dorës së parë të Barlecit e të D. Frangut!
Paralelizmi mes cubit Tocco dhe Skënderbeut, asht i pa bazë, për vetë faktin se cubit Tocco i humb nami dhe emni, pse cubnia nuk asht ideal që përjetsohet në vetëdijen e popujve, kurse liria po.
Në libër citohet përmbledhja foklorike e Marin Sirdanit për me i ba nji lloj proçesi ndërgjegjes kombtare të shqiptarëve që ka mbart në shekuj idena aq antishkencore e antihistorike (ff. 119-120). Vetëkuptohet se rigoroziteti shkencor i Schmitt-it do të dëshironte që edhe folklori të shprehej në terma ekuacionesh matematike.
Historiani i ri Schmitt përmend unazën e Skënderbeut që kishte Leden (Ëçäá) dhe mjellmën (në tekst shohin përçudnisht të shkrueme: Leiden). Menjiherë hipoteza absurde: mos nënkuptonte Skënderbeu Kastorin, djalin e Zeusit, pra a mos ndoshta kishte idenë e prejardhjes së vet hyjnore!
Në këtë pikë burimi i Schmitt-it asht rishtas mentori i tij Radoni (shih f. 128, nota 63).
Nji mendim kaq absurd dhe teveqel, nuk do të mund t’i kishte lindë Skënderbeut as po të kishte pasë njikohsisht dijet e Winckelmann-it dhe marrinë e madhshtisë së Neronit!
Këto janë hipotezat me anë të cilave historian Schmitt don me çmitizue figurën e prijsit arbnor?
Apo çmitizim domethanë me e kthye Skënderbeun në nji figurë qesharake?
Mund të themi se në këtë rast arma e pazakontë e historianit tonë asht kthye në nji boomerang dhe e i ka ra atij vetë.
Janë të pakuptueshme përfundimet e autorit: “Kështu fati i Gjergjit nuk mund të quhet aspak i jashtëzakonshëm. Fati i Gjergj Kastriotit ka mbetur i pashlyeshëm në kujtesën e brezave të mëpasëm vetëm për shkak të famës së tij të vonë” (f. 49).
Ne kujtuem se autori don me spjegue famën e Gjergjit tue nisë prej jetës së tij, pse për me spjegue famën e tij tue i nisë te vetë fama, na duket nji tautologji shterpë....