Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767

    “Shka”, emërtim i etnikumit shqiptar për sllavët

    Prishtinë, 28 prill - Fjala “shka” është ajo që ka bashkëjetuar në kohë dhe hapësirë bashkë me etnonimin “shqiptar”. Derisa etniku “shqiptar” është i mirëfilltë, “shka” është një ekzonim, emërtimi që ata ua kanë bërë fqinjëve të vet ose tjetrit. Por jo vetëm kaq. Kuptimi që ka marrë kjo fjalë gjatë historisë, në të gjitha trevat shqiptare dhe diasporën e saj, ka qenë thelbi i ligjëratës që profesori i universitetit prestigjioz të Munihut “Ludwig-Maximilians”, Bardhyl Demiraj, ka mbajtur në Prishtinë. Ai është ftuar nga Dega e Gjuhës Shqipe e Fakultetit Filologjik të Universitet të Prishtinës. Para një auditori me plot studentë të këtij fakulteti, që vetë Demiraj e ka quajtur magjepsës, për një orë ai ka zbërthyer në detaje kuptimet që ka marrë ky etnik, në atë që e kishte përthekuar nën titulli “Kur etnikët dëshmojnë: shqau-i ndër shqiptarë”. Radhën i ka lënë një bisede për “Kohën Ditore”, ku ka zbuluar detaje për punën e tij në formimin e albanologëve të rinj në Munih të Gjermanisë.
    Në një libërth, që ka dalë para pak ditësh nga shtypi në Shqipëri, Demiraj ka trajtuar etnonimin “shqiptar”. Pa dyshim, ka thënë ai, ky etnonim nuk jeton i ndarë dhe i izoluar, por në një bashkëlidhje me një sistem të tërë të etnikëve, pavarësisht nga funksioni dhe përdorimi i tyre.
    “Në rastin konkret, as etnonimin ‘shka’ unë nuk është se e kam parë si të izoluar, por një etnik që ka bashkëjetuar në kohë dhe hapësirë me etnikun tonë ‘shqiptar’”, ka thënë Demiraj.
    Në fokusin e etnolinguistikës, pyetja thelbësore që ngre studimi i Demirajt, përmblidhet në atë se “në ç’masë pasqyrohen në historinë e brendshme të këtij etnonimi marrëdhëniet etnike-kulturore ndërmjet bashkësive shqiptare dhe sllave-jugore”.
    Kuptimet që historikisht i kanë dhënë shqiptarët, në tërësinë e vet territoriale dhe në treva tjera, Demiraj i ka grupuar në katër.
    “Emërtim popullor që dallon përgjithësisht si ‘sllav’ një person apo bashkësi njerëzish lidhur me origjinën etnike-gjuhësore të përbashkët, dhe që bashkëjetojnë me/në fqinjësi me popullsinë shqiptare në Ballkan”, është kuptimi i parë që ka përmendur Demiraj. Kuptimi i dytë që ai ka hetuar është “emërtim popullor që dallon përgjithësisht një person a bashkësi në përkatësinë e tyre konfesionale, si ‘skizmatik; ortodoksë sllavë”.
    “Përdorim në vend të ‘shërbëtor, raja’”, është kuptimi i tretë që ka dhënë Demiraj.
    I katërti, sipas tij, është “nofkë përçmuese për një person ose grup njerëzish që përqasen me fqinjin ‘sllav’”.
    Toskët jugorë, ka thënë Demiraj, “shklirë” do t’i thoshin një “gruaje të përdalë”, ndërsa “shqerëzim”, humbjes së nderit ose “çburrëzimit”.
    Edhe në diasporën historike shqiptare, tek arvanitasit në Greqi dhe arbëreshët në Itali, fjala “shka”, sipas Demirajt, ka kuptimin e tjetrit.
    “Me një tjetër gjuhë burimore, ose me një tjetër origjinë, ‘joarvanit’ përkatësisht ‘joarbëresh’”, ka thënë Demiraj.
    Ndër format që ka marrë kjo fjalë në vende të ndryshme të shqipfolësve, Demiraj ka dalluar variantet “shqa”, “shkla”, “sklja”, ose variantet e gjinisë femërore si “shkink”, “shqinkë”, “shqirë”, “shklirë”.
    I gjithë prezantimi që ka bërë Demiraj të mërkurën në Prishtinë, është një punë që ai, krahas edhe angazhimeve tjera shkencore, ka bërë në vazhdimësi për tri dekada.
    Më gjerësisht lexoni sot në faqet e kulturës të gazetës “Koha Ditore
    Ndryshuar për herë të fundit nga fegi : 29-04-2011 më 14:47

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •