Komisionerët e Partisë Socialiste mbrojnë në KQZ variantin e bllokimit të zgjedhjeve

Ndjen humbjen, Rama do vulën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje në parim projektvendimin "Për miratimin e prodhimit dhe sasisë së vulave rezervë për qendrat e votimit për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 8 Maj 2011". Projektvendimi synon shmangien e bllokimit të procesit zgjedhor ditën e zgjedhjeve më 8 maj, pra, eliminimin e braktisjes së procesit të zgjedhjeve nëpërmjet marrjes së vulës ditën e votimit nga komisionerët e partive politike.

Nëpërmjet një vendimi për të prodhuar vula rezervë për çdo qendër votimi, në mënyrë që të përdoren në ato momente kur komisionerët do të braktisin procesin, KQZ i dha fund tentativës së bllokimit të zgjedhjeve. Mbledhja u shoqërua nga debate të shumta, ku komisionerët dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste në KQZ kanë kundërshtuar me forcë miratimin e këtij projektvendimi, duke mos rënë dakord për masat e parandalimit të procesit zgjedhor. Tre komisionerët e propozuar nga Partia Socialiste votuan kundër këtij projektvendimi, miratimi i të cilit në tërësi u shty për t'u diskutuar në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në KQZ, Ylli Manjani e cilësoi qëndrimin kundër të anëtarëve socialistë si një skenar të mirëpërgatitur për bllokimin e procesit zgjedhor në ditën e votimit me 8 maj. Ndërsa sipas kreut të Komisionit Qendror Zgjedhor Arben Ristani, projektvendimi i miratuar në parim ka si qëllim kryesor shmangien e fenomenit të përsëritur të largimit të komisionerëve me vulat në xhep, duke bllokuar procesin. "Qëllimi është si të shmangim fenomenin e largimit të komisionerëve me vulën në xhep. Pra, ky është shqetësimi në rast se ka variante alternative të tjera përveç kësaj që është propozuar jo vetëm janë të mirëpritura, por besoj se biem dakord edhe ta shtyjmë mbledhjen e të presim vendime e kontribute nga kolegët e tjerë se si mund të zgjidhim këtë fenomen. Në çdo zgjedhje komisioneri merr vulën në xhep dhe ikën, është shqetësim i gjithëpranuar. Ju lutem jini të mirëpritur, propozoni variantin tuaj se si mund të zgjidhet kjo çështje", u shpreh Ristani.

Gjithashtu sipas kreut të KQZ-së vulat do të prodhohen sipas ligjit, aq vula sa janë për çdo qendër votimi qoftë për sekretarin apo për kryetarin. Vula do të shkojë në çdo qendër votimi ashtu siç e parashikon ligji. Vulat rezervë do të qëndrojnë në zyrat rajonale të KQZ-së dhe nuk do të dërgohen në qendrat e votimit. Sipas Ristanit në momentin kur vula mungon, del nga qendra e votimit, vula konsiderohet e pavlefshme dhe merret vendim për futjen në përdorim të vulës së re. Për vulat e reja kryetari i KQZ-së propozoi që ato të kenë shenjën dalluese me germën "R". Ky projektvendim sjell dhe garantimin kushtetues të qytetarëve për ushtrimin e të drejtës së votimit. Vendimi parashikon prodhimin dhe sasinë e vulave rezervë për qendrat e votimit, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 8 maj 2011.

Vijon trajnimi i anëtarëve të KZZ

Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po trajnon në jug të Shqipërisë pjesëtarët e Komisioneve Zonale Zgjedhore. Trajnimet po përqendrohen në elementet e reja që kanë votimet e 8 majit, veçanërisht për sa i përket informacionit për pjesëmarrjen në votime. Në zgjedhjet e 8 majit, KQZ do të ketë një informacion kapilar, më të qëndrueshëm nga ana e KZAZ-ve në rrethe. Në çdo tri orë, institucioni i administrimit të zgjedhjeve, do të marrë informacion për numrin e votuesve. Për të informuar për rregullat e reja të vendosura, KQZ ka zhvilluar një trajnim me anëtarët e KZAZ-ve të Sarandës. Komisionerët e KZAZ-ve në rrethin e Sarandës janë trajnuar nga KQZ rreth mënyrave të reja që priten të aplikohen për herë të parë në zgjedhjet e 8 majit. Sipas trajnuesit të KQZ-së, trajnimi i sotëm është i dyti në radhën e kontakteve me anëtarët e KZAZ-ve në rrethe. Risia në zgjedhjet e 8 majit, është dërgimi çdo tri orë i numrit të votuesve në qendër, si dhe raportimi i numrit të votuesve femra. Kjo e fundit, vjen si një kërkesë nga OSBE-ODIHR ku ka për qëllim të informohet me interesin që tregojnë femrat karshi zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po trajnon në jug të Shqipërisë pjesëtarët e Komisioneve Zonale Zgjedhore.

Kreshnik MERSINLLARI

RD