Dorëzimi i Shkodrës A ishte një akt tradhtie?
Eugjen Merlika
Sot botohen dy dokumente të prill – majit 1913, që lidhen me emrin dhe veprimtarinë e Esad Pashë Toptanit. I pari është marrëveshja prej 15 pikash mbi dorëzimin e Shkodrës, të firmosur nga Princi Danilo i Malit të Zi, komandant i ushtrive rrethuese malazeze dhe Esad Pashë Toptani, komandant i garnizonit mbrojtës turko – shqiptar të Shkodrës.
Dorëzimi i Shkodrës është një nga aktet më të diskutueshme në historinë tonë të shekullit të shkuar. Ai quhet, prej shumë burimeve, si akt tradhtie i Esad Pashës si shpërblim ndaj premtimeve të serbëve e malazezëve, për të mbështetur kandidaturën e tij në kryesinë e një shteti shqiptar të cunguar. Kështu e trajton problemin “Historia e popullit shqiptar” (vëll.III f.36 – 37). Të këtij mendimi janë edhe autorë të tjerë, që i ngarkojnë Esadit edhe vrasjen e Hasan Riza Pashës, Valiut të Shkodrës më 30 janar 1913. Por në historiografinë shqiptare ka dhe zëra që nuk e shohin aktin e dorëzimit të Shkodrës si një tradhti kombëtare.
I tillë është studiuesi Tahir Kolgjini, i cili më 1977 ka botuar në Stamboll librin “Esad Pashë Toptani dhe akuzat qi bahen”. Në lidhje me këtë episod autori i librit, duke u mbështetur në veprën “Mbrojtja e Shkodrës”, e botuar më 1933 nga Abdurrahman Nafizi dhe Kiramudin, oficerë madhorë në garnizonin e Shkodrës e, më vonë, gjeneralë në shërbim të Mustafa Qemal Ataturkut, mbron figurën e Esad Pashës. Në veprën e tij Tahir Kolgini tregon se më 19 prill ishte mbledhur Këshilli i luftës i Garnizonit, në të cilin ishte diskutuar gjendja e vështirë në të cilën ndodhej ai. Nuk kishte ushqime, rezervat ishin duke mbaruar dhe nuk kishte asnjë shpresë ndihme nga jashtë, mbasi rrethimi malazez ishte i plotë e me Turqinë nuk kishte asnjë kanal komunikimi tokësor. Mendimi për të çarë frontin në një drejtim e për të shpëtuar ushtarët turq të garnizonit, siç kishte qenë plani i fshehtë i Hasan Riza Pashës, shihej si shumë i vështirë dhe me rrezik asgjësimi fizik të efektivit. Në këtë kuadër të gjithë oficerët nënshkruan një dokument që autorizonte bisedimet me komandën malazeze.
“Akti i marrëveshjes mbi konditat e armëpushimit dhe mbi dorëzimin e Shkodrës, për poshtë, përveç nënshkrimit t’Esad Pashës e të princit Danilo, përmban edhe ket fundshkrim : “Për mungesë të mjeteve ushqimore, apim votat tona të përbashkëta mbi dorzimin e kalàs së Shkodrës, simbas konditavet të përshkrueme këtu sipër.”
Kjo marrëveshje bëri të mundur daljen e gjithë ushtarëve së bashku me armatimet e rënien e qytetit, pushtim i cili vazhdoi pak më shumë se një muaj, mbasi Mali i Zi u detyrua ta lerë Shkodrën, si pasojë e trysnisë së Fuqive të Mëdha që, në Londër, vendosën kufijtë e shtetit të ri. Mbas këtij veprimi Esad Pasha do të bëhet një nga aktorët më të rëndësishëm të skenës politike shqiptare.
Letra që i dërgon Mufid bej Libohovës na zbulon qëllimin e tij për të transferuar Qeverinë nga Vlora në Durrës, në dukje për të qënë në kontakt me Shqipërinë qendër – veriore, pra për të kryer më mirë punën e saj, në fakt për të përgatitur në zonën e tij t’influencës, hipjen në fronin e Shqipërisë si princ i saj. Mbi natyrën e personazhit është kuptimplotë shënimi i M. Krujës në fund të faqes.
Tani hyjmë në një fazë të re : nuk kemi më kundërshtitë me Stambollin e qeverinë turke por, duke u fërguar në vajin tonë, do të hasim në luftën për pushtet, e cila i ndan njerëzit politikë e prijës simbas ideve e interesave, më shumë se sa i bashkonte ideali i kombit të pavarur.
22/23 prill 1913
Princi trashigimtár i Malit të Zí, Danilo, dhe Esad Pashë Toptani. Kopje Kuvêndese ndërkombtare. Tyrqisht. Kushtet ushtarake të lëshimit të Shkodrës në duert e Malazezvet.
Me 9/10 prill 1913
Kushtet e vêndueme për dorzimin e fortesës së Shkodrës ndërmjet Naltís së Tij Princit trashigimtar Danilos, Kryekumandar i ushtrís malazeze qi e ka rrethue, dhe gjeneralit të Brigatës Esad Pashës, Kumandar i trupit ushtrijak të Shkodrës.
1. Të gjithë ushtarët, qofshin të lotës (të rregullt, nizamë), reservista apo të rojës së vêndit
(mystahfiz), janë të lirë me dalë prej Shkodre me pushkë, municjon, plaçka e të tânë pajën ushtarake.
2. Cilido qi të deshirojë prej popullit të vêndit, do të mundet me dalë bashkë me ushtrí e tue
marrë me vete pushkë e çdo plaçkë qi të ketë.
3. Asnji nga shtetasit othomanë qi gjinden mbrênda qarkut të ksaj fortese nuk do të
plaçkitet. Të drejtat e tyne vetijake n’asnji mënyrë nuk do t’u merren nëpër kâmbë. Ata qi kanë bâmë detyrën e vet tue luftue për me i dalë zot atdheut të tyne n’asnji mënyrë nuk do të ndëshkohen. Si myslimanve ashtu edhe të krishtenve do t’u sigurohet lirí e plotë për me krye detyrat e ceremonít e zakonshme qi u lyp feja ase punët qi i përkasin kombsís së tyne. Gjithashtu e pruejtun e e sigurueme ka me qênë ndera e tyne.
4. Ushtrija kur të niset me dalë, ka me marrë me vete kafshë e qerre qi do t’i duhen për t’u
bartun, si edhe shatorra, shtroja, kazana e sahana për qëndrimin e tyne e për të ngranë, aqë sa mund të baren, edhe çdo plaçkë tjetër vetijake.
5. Ushtrija, kur të niset me dalë, do të jetë e përsjedhun prej nji gjenerali dhe disa oficerash
të Malit të Zí.
6. Do të lêhen të lirë me dalë bashkë me ushtrín edhe ata nëpunës ushtarakë e civila,
gjindarmë e policë qi do të deshirojnë.
7. Robët e luftës qi i përkasin ushtrís sërbe do t’i dorzohen Kryekumandës s’ushtrís
malazeze. Si këta ashtu edhe të sëmunët e të plaguemit, qofshin ushtarë a civila, sa të jetë e mundun do të shikohen e të mjekohen mirë. Për shikimin e mjekimin e të sëmunvet e të plaguemvet do të mbesin në Shkodër e do të shtihen në shërbim përkohsisht aqë mjekë e infermjerë othomanë sa të shihet nevoja. Këta, porsa t’a kenë krye detyrën e tyne, bashkë me të varruemit qi do të jenë shërue, do t’i dorzohen ushtrís othomane dhe shpenzimet e tyne do të paguhen prej Qeverís othomane.
8. Të gjitha aktet e dosarët qi i përkasin ushtrís dhe ata qi do t’i duken të nevojshëm
Kumandës së trupit ushtrijak nga t’administratës civile do të merren me vete.
9. Të gjithë mitraljozat e të gjithë topat, me gjithë ata të fushës automatikë, me gjith
municjonin e tyne do të merren me vete.
10. Gjithashtu edhe mjetet e korrespondencës do të merren të tâna me vete.
11. Ata njerëz qi do të merret vesht se i kanë shërbye Qeverís othomane gjatë luftës si
spijûj a ndryshe, kanë për t’u falun.
12. Gjithashtu do të quhen të lamë nga çdo farë përgjegjsije ata shtetas të huej qi mund të
kenë luftue bashkë me ushtrín othomane si dhe ata Malazez qi kanë ikun e hwmë në Shkodër, edhe në paçin luftue në radhët e ksaj ushtrije.
13. Në qoftë se ka me pasun nevojë ushtrija qi po lëshon Shkodrën e në qoftë edhe se ka
për të qênë e mundun për Qeverín malazeze, kjo do t’i dërgojë asaj nji sasi të mjaftueshme ushqimi.
14. Kumanda e trupit ushtrijak të Shkodrës ka me i a dorzue fortesën Kryekumandës
s’ushtrís malazeze pa prishun kurrgjâ nga mjetet e projes së saj.
15. Të shprazunit e llogorevet të Taraboshit, të Bardanjorit të vogël e të Fushës së Gjarpnit
do të fillojë me 10 prill 329 ora në 8 allafranga. Ushtríja malazeze ka me e zânë majën e Fesatit n’orën nji mbas si të falet dielli e Fushën e Gjarpnit n’orën 3 mbas akshami.
Esad
Gjeneral Brigate
Zêvêndës Valiu e
Kumandar i trupit
ushtrijak të Shkodrës.1’
Princ Danilo
Trashigimtar i Thronit
Kryekumandar i ushtrís
së Malit të Zí.
) Këtë letër i a kam shkrue Pashës në gjuhë tyrqishte un mbas fjalve qi më thoshte ai vetë, tue i a stilizue këto si duhej. Kur mbërrîmë këtu në këtë frazë, ku ai e siguronte Mufid Libohovën me nderin e vet, un u ndala dhe shikova Pashën në s? me nji buzqeshje shqeptike. Ai u vrâ dhe m’imtoi me idhnim qi t’a shkruejshem ashtu. Me këtë rasë âsht gjâ e interesueshme fort me dijtun se në politikë për për Esad Pashën fjala e nderit s’kishte fé kuptimi. Qe ça ka pasë thânë nji herë përpara meje e, kujtoj, edhe tjerve: “ S’ka gjâ mâ të lehtë se me rrêjtun nji diplomat t’Evropës: mjafton nji parole d’honneur”! ( M. Kruja)
Krijoni Kontakt