Prishtinë, 25 prill - Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shumë privilegje. Marrin rreth dy mijë euro rrogë në muaj, honorarë për çdo seancë në të cilën ata janë pjesëmarrës, si dhe pagesë shtesë për çdo pjesëmarrje në komisionet parlamentare. E gjitha këtyre u shtohet edhe nga një dhuratë nga buxheti i Kosovës. Të gjithë deputetët që për herë të parë bëhen pjesë e legjislaturës, përfitojnë nga një kompjuter laptop.
Saktësisht, shtatëdhjetë e shtatë deputetët e rinj të këtij mandati do të marrin nga një lap-top në vlerë prej 780 eurosh, e që kjo taksapaguesve u kushton 60 mijë euro. Express shkruan se kaq është vlera e mjeteve, të cilën e ka ndarë Kuvendi nga buxheti i këtij viti për blerjen e këtyre pajisjeve për të gjithë deputetët e rinj. E tani pritet të shpallet edhe tenderi për blerjen këtyre mjeteve të punës. Ndërsa, pas përfundimit të mandatit, të gjithë deputetët i marrin në shtëpitë e tyre këta laptop.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka thënë për Express se me buxhetin e këtij viti kanë ndarë mjete për laptop, për të gjithë deputetët e rinj. Ai thotë se këto llogariten si mjete shpenzuese.
Ekspertë të teknologjisë informative thonë se për deputetët nuk nevojiten laptop të shtrenjtë, pasi ata nuk kanë aq projekte të mëdha për të punuar në të. Komisioni për Buxhet dhe Financa një muaj më herët kishte përkrahur ndarjen e 60 mijë eurove për blerjen e këtyre pajisjeve për deputetet e rinj.
http://www.koha.net/index.php?cid=1,7,56838
Krijoni Kontakt