Në Kuvend ose në Vetëvendosje
Jeton Llapashtica | 22-04-2011 09:29 CET

Deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” shumë shpejt duhet të zgjedhin mes postit të deputetit dhe pozitës së anëtarit të kryesisë në këtë subjekt politik.

Kjo mund të ndodhë nëse draft- statuti i kësaj lëvizjeje, një kopje të të cilit e ka siguruar “Zëri”, do të votohet në formën si është nga organet drejtuese të lëvizjes Vetëvendosje.

“Anëtarët e Kryesisë së lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të jenë: kryetarët e komunave, këshilltarë komunalë, deputetët dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, përveç kryeministrit”, thuhet në nenin 70.2.

Por, këto rregulla nuk vlejnë për të gjithë. Hartuesit e statusit janë përkujdesur që këtij “rreziku” t’i shpëtojnë dy persona, kryetari i lëvizjes dhe shefi i Grupit Parlamentar, për të cilët do të aplikohen rregulla të dyfishta.

“Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Grupit Parlamentar përjashtohen nga aplikimi i dispozitave të Nenit 70.2”, thuhet në nenin 70.3.

Drejtuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” thonë se me nenin 70.2 pretendohet që të ruhet organizimi i brendshëm.

”Ne besojmë se mënyra më e mirë për të ruajtur frymën e lëvizjes është duke e rigjallëruar atë me njerëz të rinj në të gjitha organet e strukturave tona, dhe duke mos përzier përfaqësimin në institucione me drejtimin organizativ të Lëvizjes”, thotë zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Erzen Vraniqi.

Ai e arsyeton edhe nenin 70.3 të statutit, me të cilin kryetari dhe shefi i Grupit Parlamentar nuk hyjnë në një “thes” me anëtarët tjerë.

“Kryetari i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe kryetari i Grupit Parlamentar janë pjesë e Kryesisë së lëvizjes, sepse i pari e përfaqëson lëvizjen kudo, ndërsa i dyti është zëri i grupit parlamentar në Kryesinë e lëvizjes”, thotë ai, duke pohuar se statusi ende nuk është votuar dhe si i tillë ai mund të ndryshohet, nëse për këtë ka vullnet nga udhëheqja e lëvizjes.

I pyetur se çka do të ndodhë me deputetët pasi të “hyjë në fuqi” statusi, Vraniqi nuk ka dhënë përgjigje të prerë, duke thënë se “deputetët e ‘Vetëvendosjes’ kanë të drejta dhe detyrime të barabarta me secilin aktivist të kësaj lëvizjeje”.

Burime brenda lëvizjes “Vetëvendosje”, i kanë thënë “Zërit” në kushte anonimiteti se draft statuti është dërguar tek shumë persona, nga të cilët nuk janë duke munguar vërejtjet për përmbajtjen e tij.

“Mesa di unë, në seli na kanë ardhur disa vërejtje nga tereni. Edhe për çështjen e zgjedhjes së kryesisë edhe për çështjen e kandidimit të ndonjë kandidati për kryetar pa kundërkandidat janë dhënë vërejtje”, thotë ky burim.

Por, analisti Behxhet Shala thotë se nuk është normale nëse një subjekt politik merr pjesë në zgjedhje, dhe ua kufizon mundësitë anëtarëve të saj për të marrë poste qeveritare apo komunale.

“Nëse ju keni pranuar të merrni pjesë në zgjedhje, atëherë ju synoni majën e pushtetit. Është denigruese nëse kjo e drejtë aplikohet për kryetarin apo shefin e Grupit Parlamentar, dhe e njëjta e drejtë iu mohohet anëtarëve të kryesisë. Kjo nuk ka të bëjë me demokraci, natyrisht se secili përjashtim është diskriminim”, thotë Shala.

Lëvizja “Vetëvendosje” ka garuar në zgjedhjet e fundit si lëvizje, pa strukturë të organizuar brendapërbrenda këtij subjekti. Gjatë hartimit të listës për deputetë, drejtuesit e kësaj lëvizjeje kanë thënë se duan ta aplikojnë demokracinë e plotë, duke mundësuar që radhitja në listë të bëhet sipas alfabetit. Megjithatë, listës i ka prirë lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti.

Zgjedhje pa kundërkandidat


Në statusin e “Vetëvendosjes” askund nuk thuhet se kandidati për kryetar të kësaj lëvizjeje duhet të ketë kundërkandidat. Analisti Behxhet Shala thotë se gara e dy kandidatëve është pjesë e rregullave elementare të demokracisë, prandaj, sipas tij, do të ishte mirë që të kishte dy kandidatë për postin e kryetarit.

Por, kështu nuk mendojnë drejtuesit e “Vetëvendosjes”, për të cilët kundërkanidati nuk duhet të jetë detyrim. “Praktika në Kosovë ka treguar se edhe përkundër rasteve kur në statutet e partive kjo praktikë ka qenë e detyrueshme, kundërkandidati ka qenë thjesht një formalitet. Statuti ynë nuk i ka të detyrueshme, por i lejon dhe i mirëpret kundërkandidaturat”, thotë Erzen Vraniqi.